E enjte, 18.04.2024, 01:22 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Mbi konfliktin në Komunitetin Musliman Shqiptar

E enjte, 26.03.2009, 07:37 PM


Mbi konfliktin në Komunitetin Musliman Shqiptar

Nga Kastriot MYFTARAJ
 
Është një gjë e vërtetuar nga historia se reformatorët e zellshëm të rremë, të cilët i bëjnë gjërat për aparencë, përfundojnë duke e shndërruar në absurditet qesharak gjithë veprën e tyre potemkiniane. Kështu ndodhi dhe me sipërmarrjen e shtetit shqiptar për të kontrolluar udhëheqjen e Komunitetit Musliman Shqiptar, në mënyrë që ai të mbetej në duart e të moderuarve dhe të mos merrej nën kontroll nga ekstremistët. Prej vitesh kësaj pune i kanë hyrë me shumë zell disa struktura të shtetit shqiptar, veçanërisht SHISH si dhe ambasada amerikane. Dhe këtë punë e kanë bërë me aq sukses, sa ekstremistët nuk kanë pse të lodhen për të diskredituar drejtuesit e tashëm të Komunitetit Musliman Shqiptar, se këtë punë e ka bërë për ta shteti si dhe vetë këta të fundit.
Zelli i bufonëve të SHISH dhe të ambasadës amerikane ka shkuar deri atje sa sot, kur shikon njeriu drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, nga ata vetëm drejtuesi i Komunitetit Musliman Shqiptar, Selim Muça nuk ngjan si klerik, dhe aq më pak musliman nga paraqitja. Selim Muça ngjan më tepër me një pastor protestant, ashtu pa mjekër, madje as mustaqe, i veshur me kostum firmato, dhe me një çallmë të cilën e përdor vetëm kur i shkojnë për vizitë politikanët dhe diplomatët në festat fetare muslimane (madje në shumë intervista televizive ka dalë edhe pa çallmë që është simboli i vetëm klerikal i tij). Kështu del që drejtuesi i Komunitetit Musliman Shqiptar ua paska kaluar homologëve të tij të krishterë katolikë dhe ortodoksë, të cilët me veshjen e tyre klerikale ngjajnë si relike mesjetare në krahasim me të.
A thua vërtet të jenë kështu gjërat në Shqipëri, që drejtuesi i Komunitetit Musliman Shqiptar të jetë më i modernizuar se homologët e krishterë katolikë dhe ortodoksë, për sa i përket aparencës? Sigurisht që jo! Nuk mund të jetë Selim Muça më i modernizuar në paraqitje se Arkipeshkvi Rrok Mirdita, apo se kryepeshkopi Anastas Janullatos. Derisa ia ngarkuan drejtimin e Komunitetit Musliman Selim Muçës, atëherë duhej që së paku t’ i kishin vënë si kusht që të mbante mjekër, së paku aq sa të ndonjërit nga oficerët e SHISH që merret me çështjet e Komunitetit Musliman Shqiptar! Dhe veç kësaj duhet t’ i kishin kërkuar që të mbante dhe xhyben që është pjesë e paraqitjes së një kleriku musliman.
Sikur të mos mjaftonin këto, tashmë bufonët e SHISH dhe të ambasadës amerikane që merren me çështjet e Komunitetit Musliman Shqiptar, e kanë çuar absurdin qesharak deri në atë pikë saqë Komuniteti Musliman Shqiptar po na del “fener ndriçues” demokratik për komunitetet e tjera fetare, derisa mënyra e zgjedhjes së kryetarit të tij bëhet me një mekanizëm demokratik, i cili aq që ekziston tek komunitetet e krishtera ortodoks dhe katolik. Në komunitetet e tjera, kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë është i zgjedhur përjetësisht, dhe po ashtu edhe në komunitetin katolik arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit që është ekuivalenti katolik i Selim Muçës se posti i kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore ka mbetur fiktiv, derisa edhe në rastin kur këtë post e ka mbajtur arkipeshkvi i Shkodrës, përsëri politikanët dhe diplomatët e huaj i kanë bërë vizitat në Tiranë tek arkipeshkvi Rrok Mirdita, me rastin e festive fetare katolike.
Sigurisht që në rastin e komunitetit katolik, në këtë mungesë demokracie klerikale  ka të bëjë dhe hierarkia papnore që kanë ipeshkvët katolikë, dhe që është shumë më e madhe se varësia hierarkike që kanë peshkopët ortodoksë nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit, ndërsa komuniteti musliman nuk ka një varësi hierarkike nga një qendër analoge në botën islamike, por gjithsesi nuk duhet ekzagjeruar, aq sa të bëhen gjërat qesharake, siç po bëhet prej vitesh me komunitetin musliman. Ai që kërkohet të paraqitet si modernizim apo edhe demokratizim i drejtimit të Komunitetit Musliman duket se do të arrijë efektin e kundërt që synojnë ata që e bëjnë.
Realiteti në konfliktin e sotëm në Komunitetin Musliman Shqiptar është se kundërshtarët e Selim Muçës kanë legjitimitetin fetar, pasi ata në fakt kanë aparencën dhe sjelljen e muslimanit, ndërsa Selim Muça dhe mbështetësit e tij kanë thjesht mbështetjen e shtetit. Derisa shteti shqiptar e ka pranuar fenë islame dhe ushtrimin e saj, atëherë ai duhet të pranojë dhe që kundërshtarët e Selim Muçës të drejtojnë Komunitetin Musliman Shqiptar, pasi ata realisht janë përfaqësuesit e tij. Këtu më duhet të sqaroj një keqkuptim në lidhje me termin “Komunitet Musliman Shqiptar”. Shpesh bëhet një spekulim duke u kuptuar me këtë term shumica e popullsisë së Shqipërisë të shndërruar me dhunë në muslimanë gjatë pushtimit osman. Në fakt kjo është njëlloj sikur ne shqiptarët, që na detyruan në kohën e komunizmit të bëhemi anëtarë të organizatës totalitare më të madhe të regjimit komunist, Frontit Demokratik, të na quajnë të tillë edhe sot që ka rënë regjimi komunist.
Perandoria Osmane ishte një shtet totalitar i llojit të despotizmave agrare orientale, e cila e kishte fenë islame si ekuivalentin e ideologjisë së shteteve komuniste. Në këtë perandori të tillë, sundimi i së cilës në Ballkan zgjati me shekuj, kurrkush nuk mund të mburret se i rezistoi dhunës për fe-kthim. Nëse perandoria osmane donte t’ ia ndryshonte fenë, sipas interesave të saj një populli apo një pjese të popullsisë, ajo sigurisht që do t’ ia arrinte kësaj, në mos po nuk do ta kishte fare për gjë që ta zhdukte krejt fizikisht këtë popull, ose këtë pjesë të popullsisë siç bëri me armenët. Derisa Perandoria Osmane ishte e aftë që, në prag të rënies së saj, të zhdukte mbi një milion armenë, sigurisht që ishte krejt e aftë që në kulmin e fuqisë të saj të zhdukte krejt apo pjesën më të madhe të serbëve, grekëve, bullgarëve, apo edhe të shqiptarëve, të cilët do t’ i rezistonin fe-kthimit. Prandaj kuptohet se fe-kthimi i shqiptarëve u bë me dhunë.
Kështu shpjegohet fakti që ndër pasardhësit e shqiptarëve të kthyer në fenë islame në kohën osmane, sot shumica absolute as që janë praktikantë të kësaj feje. Madje edhe një pjesë e madhe e atyre që janë praktikantë, e bëjnë këtë gjë nga varfëria, për ta patur emrin në listat e xhamisë për ndarjen e ndihmave në ushqime, si miell, vaj, sheqer oriz etj. Këta e shohin xhaminë ashtu siç shohin edhe partitë politike, të cilave ua shesin votën për një thes me miell, siç na e shfaqi para disa vitesh “Fiks fare” se bëhej nga kandidatja për deputete socialiste Valentina Leskaj në Elbasan.
Këta “besimtarë” janë ata që mbushin një pjesë të Sheshit “Skënderbej” në faljen e madhe të Bajramit. Por këta janë muslimanë aq sa ç’ qenë kinezë ata shqiptarë që bënin gjimnastikën e mëngjesit në këtë shesh, në kohën e miqësisë me Kinën maoiste.
Ne sot duhet të mësohemi me realitetin se 1-2% e 70% të shqiptarëve që janë pasardhës të atyre që u prozelituan në fenë islame në kohën osmane, janë besimtarë të bindur islamikë. Ky në fakt është ai që mund të quhet: Komuniteti Musliman Shqiptar. Këtij komuniteti i janë atashuar dhe ata të varfër të cilët falen për Bajram, për një thes me miell. Ne sot duhet të mësohemi me realitetin se 1-2% e 70% të shqiptarëve, pasardhës të atyre që u shtrënguan të kthejnë fenë në kohën osmane, sot janë besimtarë muslimanë të bindur. Kjo nuk është ndonjë tragjedi e madhe. Franca , Britania e Madhe dhe Gjermania kanë një përqindje disa herë më të madhe të popullsisë që janë islamikë praktikantë shumë më fanatikë se pjesa më e madhe e atyre që në Shqipëri quhen ekstremistë. Për mua tragjedia është se 98-99% e shqiptarëve-pasardhës të atyre që u kthyen me dhunë në fenë islame dikur në kohën osmane nuk kanë arritur të marrin një identitet fetar perëndimor dhe kanë mbetur as muslimanë dhe as kristianë. Por edhe ndoshta nuk është aq tragjike në një kohë që feja po humb me shpejtësi ndjekësit e vet në Perëndim. Sfida e mundshme sot është si ta disiplinosh njeriun shqiptar dhe jo si ta akulturosh me një fe të caktuar, kur dihet se kjo e fundit kërkon shumë shekuj që të arrihet, dhe që tekefundit mbetet një aspiratë e së ardhmes së papërcaktuar. 
Përndryshe tragjedia më e madhe mund të vijë nga mënyra se si trajtohen këta njerëz të quajtur ekstremistë islamikë. Në rast se ata do të përjashtohen nga e drejta që kanë për t’ u përfaqësuar në strukturat e Komunitetit Musliman Shqiptar, çka nënkupton dhe të drejtën për ta drejtuar atë, atëherë ata me siguri që do të krijojnë struktura ilegale paralele, të cilat do të veprojnë brenda xhamive, çka do të jetë shumë më keq. Është më mirë që këta njerëz të mbahen nën kontroll duke qenë të legalizuar. Madje kjo do të jetë mënyra më e mirë për të ulur influencën e tyre, se kur ata të kenë poste drejtuese dhe të paraqesin nga to idetë e tyre, do të duken edhe më anakronikë, dhe do të vetëizolohen natyrshëm nga shoqëria.
Është një gjë shumë e gabuar që të quhen ekstremistë islamikë ata që në fakt nuk janë më tepër se besimtarë të vërtetë islamikë. Ata që quhen ekstremistë islamikë në Shqipëri, quhen të tillë në raport me Selim Muçën, i cili paraqitet me look të një pastori protestant. Kjo është një pikëpamje absurde se ekstremistë islamikë në botën islamike quhen ata që ndërmarrin veprime te dhunshme, të armatosura. Të këtillë në Shqipëri ende nuk ka, por mënyra se si po trajtohet nga shteti konflikti në Komunitetin Musliman Shqiptar, ka rrezik që të çojë në lindjen e këtyre lloj grupeve. Lindja e këtyre grupimeve në Shqipëri nuk është aq e pamundur sa duket dhe është e gabuar që të mendohet se ata mund të ndihmohen dhe të financohen vetëm nga vendet arabe. Indirekt ata mund të ndihmohen me armë dhe para, pa e marrë vesh fare, nga shërbimet sekrete të vendeve fqinje Serbisë dhe Greqisë, të cilat janë të interesuara të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Ajo që nuk e kuptojnë dot analistët e këtyre çështjeve sa i përket muslimanëve shqiptarë, është se burimi i një ekstremizmi të dhunshëm islamik në Shqipëri nuk mund të jetë Vahabizmi i importuar arab i financuar nga qendrat ekstremiste të botës arabe, por pseudovahabizmi  i financuar nga shërbimet sekrete të vendeve fqinje.
Ata si Xhavit Shala që shikojnë ëndrra me vahabizmin shqiptar nuk e kuptojnë se Vahabizmi është një doktrinë që përdoret nga qeveria saudite për të mbajtur homogjen një shtet të krijuar artificialisht dhe që përbëhet nga shumë tribu që përndryshe do të hynin në luftë me njëra tjetrën. Xhavit Shala dhe analistët si ai bëjnë gabimin klasik të atyre që i marrin gjërat shabllon pa njohur realitetin e vendit ku ato kanë lindur dhe të vendit ku supozohet të përbëjnë rrezik. Vahabizmi në Shqipëri nuk mund të jetë veçse pseudovahabizëm, madje do të duket absurd dhe qesharak, nëse do të fitojë të drejtën të drejtojë Komunitetin Musliman Shqiptar. Në këtë rast ata që quhen ekstremistë islamikë në Shqipëri do ta pësojnë si Don Kishoti, i cili dukej njeri normal dhe me shije ekzotike sa kohë që rrinte në shtëpinë e tij dhe ishte ithtar i kalorësve endacakë dhe romaneve për ta, por që u bë një sharlatan kur doli vetë rrugëve si një kalorës endacak. Çfarë na kanë bërë deri më sot këta vahabistë shqiptarë, përveçse që na kanë kërcënuar Maks Velon, Piro Mishën dhe Edmond Tupjen, sipas pretendimeve të këtyre të fundit? Asnjëri nga këta të tre nuk është aq burrë trim sa të rrinte në Shqipëri në rast se do të ishte kërcënuar vërtet nga ekstremistët islamikë, ose tekefundit në rast se këta do të qenë vërtet të rrezikshëm. Një herë u tha se ekstremistët islamikë donin të bënin një atentat kundër ambasadës amerikane në Tiranë dhe u morën gjithë ato masa sigurie që i mbajmë mend, por nuk ndodhi asgjë edhe pse qartësisht dikush në Washington dukej se donte të ndodhte pikërisht kështu, duke qenë se ambasada amerikane është aty ku është, në kundërshtim me masat më elementare të sigurisë për objekte të tilla.
Në Shqipëri më problematik se psudovahabizmi në krye të Komunitetit Musliman Shqiptar do të hetë antivahabizmi shtetëror, dhe i diplomatëve të huaj, i cili merr anën e të ashtuquajturve të moderuar në Komunitetin Musliman. Në qershor 1991, kur Sekretari i Departamentit të Shtetit, Baker erdhi në Tiranë, ai vizitën e parë e bëri në Xhaminë e Ethem Beut në qendër të Tiranës, para se të shkelte në institucionet shtetërore shqiptare dhe në parlamentin shqiptar. Ky ishte një veprim shumë i çuditshëm i një zyrtari të huaj në një vend ku feja është e ndarë nga shteti. Veprimi i Baker, jashtë çdo protokolli normal, aq më tepër kur nuk vizitoi dhe tempuj të feve të tjera, është bërë qartësisht nën influencën e lobistëve arabë në Washington dhe është paguar shumë shtrenjtë prej tyre. Me gjestin e tij sekretari Baker i vuri një pozitë shumë delicate autoritetet shtetërore shqiptare sa i përket kërkesave që vinin nga Komuniteti Musliman Shqiptar për ndërtimin e xhamive dhe lejimin e misionarëve dhe shoqatave fetare nga vendet islamike. Amerikanët pra, kanë edhe këtu  përgjegjësinë fillestare për një gjë që më pas rezultoi jo pak problematike për shoqërinë shqiptare. Sot, zëvendësambasadori Stiven Kristina, njeriu që është përzier jo pak në aferën e fundit të Komunitetit Musliman Shqiptar është në prag të largimit nga Shqipëria për të shkluar në Afganistan, ku do të zbatojë eksperiencën e fituar në manipulimin e klerit musliman në Shqipëri.
Një nga aspektet më të këqija të kësaj aleance mefistofelike mes shtetit shqiptar dhe diplomacisë amerikane në Tiranë, nga njëra anë, dhe të ashtuquajturve të moderuar në Komunitetin Musliman Shqiptar është se si shpërblim u është lënë këtyre të fundit fushë e lirë për abuzime të çdo lloji. Ata që quhen ekstremistë islamikë sot në Komunitetin Musliman Shqiptar, në fakt po përdorin si kartën kryesore atë të korrupsionit të drejtuesve të sotëm të fesë islame në Shqipëri. Dhe këtë kartë po e përdorin me shumë sukses se për këtë gjë ka edhe një monument në qendër të Tiranës, një pallat i lartë i ndërtuar nga një biznesmen pranë Edi Ramës, që do të kandidojë edhe si deputet për PS. Truallin për ndërtimin e këtij pallati e dha Komuniteti Musliman Shqiptar në një aferë tepër të debatuar ku drejtuesit e komunitetit nuk vepruan siç bëjnë zakonisht në këto raste pronarët e truallit që marrin një përqindje të ndërtesës, por shitën truallin dhe inkasuan në arkën e komunitetit një shumë e cila ishte më pak se një e dhjeta e asaj që do të përfitonin nga marrëveshja që bëhet zakonisht në këto raste. Në rrethet e besimtarëve muslimanë drejtuesit e komunitetit u akuzuan gjerësisht se kishin bërë një marrëveshje konfidenciale që të merrnin nën dorë në emër të tyre atë pjesë të ndërtesës që i takonte pronarit të truallit, duke u zbritur shuma që kishin marrë për llogarinë zyrtare të komunitetit.
Tyrbja muslimane që gjendet praktikisht brenda kësaj ndërtese, e veçuar me një gjysmëhark-artefik arkitektonik-është shndrruar në fakt në varrin moral të të ashtuquajturve të moderuar në Komunitetin Musliman Shqiptar. Ky artefic arkitektonik së bashku me tyrben është bërë simbol raportit të korruptuar dhe absurd që shteti shqiptar ka krijuar me drejtuesit e Komunitetit Musliman Shqiptar, krijesa të tij.      



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora