Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilbil Klosi, gjykatësi komunist që dha shekuj burg dhe u mori jetën qindra antikomunistëve

| E enjte, 26.03.2009, 08:54 PM |


Krimet e komunizmit / Bilbil Klosi, gjykatësi komunist që dha shekuj burg dhe u mori jetën qindra antikomunistëve

Nga Gazeta 55
 
Mund të konsiderohet si rast tipik ai dënimeve që ai ka dhënë. Në vitet e para të sundimit të tyre gjykatësit ushtarak Bilbil Klosi i priste shpata në të gjitha anët duke shuar me një firmë të vetme sa e sa persona, e për rrjedhojë duke shkatërruar kushedi sa familje. Sikur njerëzit të ishin dele, lopë, apo kuaj, gjykatësi Klosi i dënonte të gjithë brenda një dite. I mbyllte në një vend të përbashkët në vendin e caktuar për gjykatë e pastaj i merrte nga 10, 20 ose më shumë. Vendimin e përmblidhte brenda një faqe. I kursente partisë së tij edhe bojën edhe letrën. Ka mundësi t’i ketë propozuar të kursenin edhe plumbat pasi mund të përdoreshin metoda të tjera si helmimi, mbytja, etj. Ndoshta është rasti më tipik sesi një person i diplomuar në perëndim për drejtësi, mund të bëhej kaq i pamëshirshëm në vendin e tij duke prodhuar me aq shpejtësi padrejtësi, viktima e dhimbje të pafund.

Dikur më 1944 – 1945 ishte komisar i divizionit të 5-të komunist. Më 1945 komisar i divizionit 3. Më 1944 – 1946 anëtar i KANÇ-it. Më 1945 kryetar gjyqi i korparmatës 1-rë. Për të mos ngelur deri këtu, më 1945 – 1946 partia e caktoi sekretar i përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në vitet 1946 – 1949 dhe 1950 – 1951 ishte ndihmësprokuror i përgjithshëm. Më 1949 kryetar i Gjykatës së Lartë Ushtarake. Për të vazhduar më pas në krye të Ministrisë së Drejtësisë derisa kjo u shkri fare si e panevojshme.

Ndër bashkëpunëtorët e Bilbil Klosit si ndihmësgjyqtarë mund të përmendet një kategori e madhe emrat me profil partizan. Shumica injorantë të dalë në mal për ndonjë plaçkë e për ndonjë mall. Nuk është rasti sot t’i listojmë ato, por po përmendim njërin prej tyre që ka emrin Kasem Trebeshina. Së bashku me Bilbil Klosin ai ka dënuar për motive politike shtetasit Mehmet Ibrahim Hoxha, Shaban Vath Mezini dhe Mentor Abdi Hatibi.

Përveç të tjerave, Klosi si njeri i besuar i partisë ka dënuar edhe shtetas të huaj që kishin qenë dikur rezidentë në Shqipëri, kryesisht gjermanë. Këta nuk ishin “kriminelë”, apo ushtarakë, por njerëz me profesione civile deri edhe artistë (piktor e botanist) si rasti i gjermanit Hans Brust Troschel.

Emrat e mbi 150 antikomunistëve të dënuar me vdekje ose me burgime të rënda nga Bilbil Klosi

-Abedin Faslli Nepravishta

-Ali Maliq Maliqi

-Beqir Reshit Koleci

-Dhimitër Vangjel Dhimodea

-Elza Anton Koch

-Ferit Iliaz Premasi

-Frano Lelaj

-Hans Brust Troschel

-Hasan Islam Palushi

-Islam Sadik Zekthi

-Siersch Schildeberg

-Syrja Golja

-Hysen Progeri

-Isa Kokalari

-Jusuf Mehmet Mira

-Metin Ruli

-Murat Basha

-Ramazan Shkalla

-Luan Irfan Baçi

-Jonuz Chisaku

-Josuf Mehmet Dina

-Abedin Rasim Hoxha

-Adem Shaqir Qosja

-Aleksander Kostandin Padalski

-Beqir Sure Abazi

-Gjon Mark Gjini

-Haki Mehmet Tafaj

-Halo Asim Ymeraj

-Mehmet Javer Hurshiti

-Ndoc Palok Gjoni

-Qazim Rustem Konica

-Mark Beqir Berisha

-Ramazan Mahmut Jarani

-Rexhep Mehmet Meta

-Riza Behar Drini

-Salih Vata

-Shaban Vath Sheshori

-Osman Veli Mema

-Osman Kasem Gazepi

-Riza Asllan Hoxha

-Xhelal Telha Ceza

-Ferit Vogli

-Hajredin Zagolli

-Mersin Meto

-Sure Beqir Ajazi

-Kol Zef Zefi

-Besim Pazari

-Muharrem Vrioni

-Sitki Maliq Toptan

-Ibrahim Bodinaku

-Rexhep Çela

-Dhimiter Koli Bala

-Zef Mark Daci

-Maksut Spahiu

-Allaman Pisku

-Alush Runa

-Anife Karkuli

-Selim Mati

-Avni Dobreni

-Fadil Mehmeti

-Novruz Moglica

-Myrteza Dunishti

-Sinan Ibrahim Nora

-Qemal Shaqiri

-Shaqo Medi Trimi

-Habib Ahmet Gega

-Osman Shaqir Taraku

-Nazmi Ali Lumani

-Shaban Ibrahimi

-Abdulla Ismail Kuri

-Gjergj Sokoli

-Kadri Hariz Hoxha

-Niko Gaqi Opari

-Ndue Pergega

-Hysen Qamil Sejdini

-Nikoll Bardhok Bajraktari

-Xhevdet Mustafa Ndreu

-Qazim Hamit Muhaj

-Dhimiter Hariz Ajdhami

-Sana Kristo Bezhani

-Njazi Istref Çarçani

-Vangjel Gaspër Kurta

-Shyqyri Sulejman Basha

-Hafez Sherif Lengu

-Simon Rak Berdica

-Haki Reshit Mulleti

-Demir Haki Alizoti

-Ahmet Myrteza Ndroqi

-Bilush Remzi Shehu

-Hasan Tasim Tatzati

-Josif Nikolas Marxen

-Man Halil Kopliku

-Mithat Mustafa Aranitasi

-Mehmet Haxhi Bushati

-Nijazi Isa Mborja

-Myzafer Qerim Resuli

-Lluk Bajram Gjonaj

-Ymer Seit Cani

-Tajar Ali Litani

-Selaudin Hetem Kulla

-Abdulla Hamza Dedej

-Isuf Islam Domi

-Baki Islam Rysto

-Rrok Nik Pulaj

-Gaqo Theodhor Babi

-Qemal Riza Kishta

-Stefan Stavro Ajdhomi

-Mynyr Hasan Troplini

-Jorgji Foto Xhupa

-Muharrem Iljaz Nanushi

-Hekuran Karaman Llani

-Nexhmi Islam Shijaku

-Tefik Fejzullah

-Mehmet Ibrahim Hoxha

-Pashk Gjet Lleshi

-Filip Ndoc Fishta

-Ibrahim Ram Kadilli

-Perlat Enver Myftari

-Abaz Mustafa Priska

-Jashar Delil Mema

-Qemal Riza Binbashi

-Xhemal Ibrahim Murthi

-Shaban Vath Mezini

-Kasem Bajram  Malasi

-Sadik Laze Beqiri

-Osman Abdullah Kazazi

-Mehmet Ali Vaci

-Mustafa Osman Gjinali

-Sali Ali Dani

-Frano Prenç Prençi

-Izedin Ismail Beshiri

-Hysen Selim Bylyku

-Dervish Ymer Shehu

-Mentor Abdi Hatibi

-Hans Sigmund  Krall

-Xhelal Maliq Sulku

-Fiqret Rasim Hoxha

-Vokerr Taf Beshiri

-Vedat Enver Myftari

-Jahja Sabri Panariti

-Dervish Xhetan Martini

-Engelbert Hildeberg

-Shehat Ragip Osmani

-Hysen Ismail Kusi

-Qemal Rexhep Prenjasi

-Vera Kirillo Slausku

-Mirko Llajosh Jankoviç

-Roberto Iniazio Vaja

-Ndoc Zef Marku

-Xhemal Hysen Alimehmeti

-Eqerem Isuf Imami

Kur Bilbil Klosi dhe Kasem Trebeshina vendosnin “në emër të popullit”

Si e dënuan në vitin 1945 një 16 vjeçar si “pengues të luftës”

Një 16 vjeçar përplasej në qelitë e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në me akuzën se “kishte penguar luftën”. Një fëmijë që duhej të ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme ishte akuzuar pra se kishte pasur në dorë fatin të ndalte “luftën e madhe” që na qenkësh zhvilluar. Por kësaj here në trupin gjykues ishin bashkuar nënkoloneli Biblil Klosi, oficeri i Mbrojtjes së Popullit, Kasem Trebeshina dhe komandanti i qarkut, Argjir Lipiviani.

Kasem Trebeshina në proceset politike

Në fakt nuk i kemi thënë të gjitha për oficerët e Mbrojtjes së Popullit. Për tifozët e Kasem Trebeshinës mund të themi se kemi lënë për kohë të tjera gjëra të tjera. Kjo jo për të plotësuar atë që na ka ngelur pa thënë, por thjeshtë për të mos i thënë të gjitha përnjëherë.

Ai ka qenë oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (OZN-a shqiptare e vite e 1944 – 1946, homologe e asaj jugosllave). Për fatin e ndonjë bilbili të tij, që e reklamon sot nga pozitat e sulmit ndaj të tjerëve, emri i Kasem Trebeshinës është në disa procese politike si përfaqësues i OZN-as shqiptare së bashku me gjyqtarin Bilbil Klosi. Në DMP, Kasemi ka historinë e tij. atje përzgjidheshin ata më të devotshmit e më të egërit.

Pas organizimit Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, me në krye Koçi Xoxen, ajo u përbë nga 5 seksione. Kasem Trebeshina si themelues i kësaj arme famëkeqe, bënte pjesë në seksionin e parë të saj. Përveç Koçi Xoxes drejtuesit e lartë të saj ishin: Kadri Hazbiu – përgjegjës, Mit’hat Poloska, Niko Çeta, Nesti Zoto, Siri Çarçani dhe Thoma Karamelo.

Në seksionin e parë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Kasem Trebeshina bënte pjesë në krah të të emrave të tillë si Mit’hat Poloska, Edip Çuçi, etj.

Në asnjë prej jetëshkrimeve të Trebeshinës, nuk figuron të bëjë pjesë aktiviteti i tij i viteve 1944 – 1947. Edhe në një letër që i dërgon udhëheqjes më vonë, ai thotë se dihet prej instancave më të larta se ç’ka bërë ai deri në vitin 1947. Duke qenë pjesë thelbësore e armës së Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit dhe më vonë rrjedhimisht i Sigurimit të Shtetit, natyrisht që “puna” nuk mund të kuptohej jashtë profilit të njohur të kësaj arme. Në kohën kur Sigurimi i Shtetit i Koçi Xoxes dhe i Nesti Kerenxhit bënte kërdinë nëpër Shqipëri, z.Trebeshina ishte pjesë e kësaj arme. Nuk mund të mendohet se të gjitha aktet i bënë me dorën e vet famëkeqët Kerenxhi apo Xoxe. Kishte edhe të tjerë që ishin të zellshëm në punët e tyre.

Sigurisht për publikun qenia gjyqtar në proceset politike është një gjë e re. As Kasem Trebeshina nuk e ka zënë ndonjëherë me gojë në ka qenë apo jo pjesë e proceseve politike të kohës. Ne e ftojmë ta pohojë ose ta kundërshtojë një fakt të tillë. Gjithashtu ftojmë ndonjë tifoz të tij që përballë provave që ne paraqesim të na japë një mal me shpifje nga ato që lëshon gjithnjë. Gjithnjë kemi folur me argumente e prova. Nuk kanë rëndësi çfarë thonë kuzhinierët apo tifozët brohoritës të Kasem Trebeshinës.

Le t’i përgjigjej pra Kasem Trebeshina këtyre të vërtetave. A ndjen keqardhje për ata antikomunistë apo njerëz të thjeshtë që hetimi i tij apo i shokëve të tij të “OZN-as” shqiptare, u mori jetën, i denigroi apo i shkaktoi plagë të shumta në këtë jetë?

Kujtesë

Pas largimit nga forcat e “OZN-as” shqiptare Kasem Trebeshina e imagjinonte botën në një rrezik të madh. Kjo për shkak të “amerikanizmit”, të cilin e urrente dhe për këtë shkak ai e kishte gjetur çelësin tek Bashkimi Sovjetik, kryeqendra e idealeve të tij zherzhinsko - DMP-iste. Sipas Trebeshinës vetëm ndërhyrja e Bashkimit Sovjetik do të mund të shpëtonte atë botë që e shqetësonte atë.

Momentet e jetës së Kasem Trebeshinës për çdo lexues ose kureshtar të zakonshëm vijnë të mjegulluara, jo të plota dhe me ngjyrime përgjithësuese. Midis konsumimit të një vepre penale të dënueshme nga regjimi komunist dhe pasojës që ajo sillte, në rastin e Trebeshinës ka një mospërputhje të çuditshme. Duket sikur ka një çështje penale, pastaj hetuesit janë të butë, mungon tortura, mungon dëshira për të rritur veprën penale dhe në fund fare jepet një dënim që nuk zbatohet kurrë i plotë. Asnjëherë Trebeshina nuk ka vuajtur aq sa është bërë e njohur në një vendim.

Nuk është e panjohur të themi se Kasem Trebeshina është arrestuar për agjitacion e propagandë. E megjithatë është trajtuar mirë dhe në përfundim të të gjithave e ka hedhur me 11 muaj heqje lirie. Rrethanat e ndalimit të tij vijnë në kohën kur ishte aktor në Teatrin Popullor dhe kur kishte shkruajtur tre letra për udhëheqjen, njëra prej të cilave për Enver Hoxhën. Sikur këto letra t’i kishte shkruar njeri tjetër le të themi një qytetar i zakonshëm apo një nëpunës i kohës së Zogut i papërzier me ngjarjet e luftës, me siguri do t’i ikte koka. Kjo jo për përmbajtjen e letrave sesa për mënyrën se kujt dhe si drejtoheshin këto letra.

Klosi & Trebeshina, në krye të detyrës

Një katrahurë e vërtetë ka ndodhur në Shqipëri me proceset politike. Mijëra vetë të dënuar e mijëra të ekzekutuar me ose pa gjyq. Faturë të rëndë financiare duhet të paguajë sot shteti shqiptar nga dëmet e shkaktuara nga vendimet e padrejta të frymëzuara nga lufta e klasave dhe urrejtja komuniste, të cilat sollën fatkeqësi për shumë e shumë njerëz. Ata ishin të gjithë në atë kohë në krye të detyrës. Kishin fituar “luftën” (me shqiptarët) dhe tani prisnin të dënonin, burgosnin e vrisnin ata që nuk i kishin vrarë dot gjatë “luftës”. Për këtë, nuk bënin përjashtim me asnjë, të rinj, pleq, gra, etj. Revolucioni i të keqes duhet të shkonte deri në fund. Në pjesën e proceseve politike, hetimi nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, zinte një vend kryesor. Në një farë mënyrë DMP-ja ishte konceptuesi ndërsa gjyqësori ishte “noteri” ose certifikuesi i akteve me pasojë shkatërrimtare për jetën e mijërave njerëzve.

Dënimi i 16 vjeçarit

Mentor Abdi Hatibi kishte qenë simpatizues i Ballit Kombëtar. Për këtë shkak, megjithëse ishte 16 vjeç, ishte arrestuar e sjellë përpara gjykatës me akuzat “mercenar i Ballit Kombëtar” që kishte “tradhtuar dhe penguar luftën e popullit”. Kjo aktakuzë e formuluar më 12 maj 1945, hapte procesin gjyqësor të 21 majit. Prokurori e akuzonte 16 vjeçarin se kishte arrestuar Mehmet Myftiun (16 vjeçari!). Më 26 maj 1946 Bilbili dhe Kasemi vendosin t’i japin 2 vjet burg.

Klosi & Trebeshina, urdhërojnë burgosjen e babait të 5 fëmijëve

Ishte njëherë një kinema e njohur në Tiranë. E ndërtuar nga pushtuesit për nevojat e tyre të argëtimit gjatë luftës. Kjo sallë ku ishin shfaqur qindra filma të fashizmit e dhjetëra e dhjetëra fjalime, u shndërrua nga komunist në një vend ku projektoheshin zhdukja e sa e sa njerëzve, ekzekutimet e tyre, heqja e lirisë e sa e sa të tjerave, etj. Sa jetë njerëzit janë shndërruar brenda një godine të stilit ushtarak që brenda përkohshmërisë së saj kishte lëvizshmërinë e jetëve njerëzore. Po pse po e përmendim sot këtë fakt? Sepse kinemaja nuk punonte më vitet e para. Ajo ishte kthyer në stallë njerëzish. Një pjesë dënoheshin, një pjesë prisnin të dënoheshin. E thënë ndryshe, kinema “Tomori” i ngjante më shumë një thertoreje. Ata që nuk thereshin vetëm sa prisnin radhën. Liria e tyre ishte çështje procedurash, ndërsa mungesa e lirisë ishte e garantuar.

Salla e kinema “Tomorit” ishte kthyer në shtëpi e dytë për Bilbil Klosin. Aty i merrte si delet njerëzit. Hiq njërën palë e dëno palën tjetër. Kishte dorë të lirë nga partia. Mjaftonte të jepeshin dënime. Të masakrohej sa më shumë një vend i vogël si Shqipëri që mesi kishte 800 mijë frymë. Të shkatërroheshin klasat. Të zhdukeshin të arsimuarit, të bëheshin pastrues të diturit. Kishte ardhur pushteti i të paditurve.

Burgosjet vazhdojnë

Më 12 maj 1945 e trupa gjykuese e përbërë nga Biblil Klosi, Ismail Çaushi, Kasem Trebeshina, nën kujdesin e prokurorit Gjon Banushi merr përsipër dënimin e Mehmet Ibrahim Hoxhës, 41 vjeç nga Shemria e Tiranës, i arrestuar më 5 nëntor 1944. Ky akuzohej si legalist. Madje këtij partizanët i kishin djegur shtëpinë. Është një çështje që nuk ke ku ta kapësh pasi nuk ka asnjë element me ligjet e asaj kohe që të përbëjë faj apo provë. I pandehur sillet nga burgu i Tiranë ku vuante dënimin pa marrë mirë komunistët pushtetin. Ai kishte mbrojtës avokatin Efthim Canco. Janë ngjarje krejt shqiptare që nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte legalist e kjo nuk mund të quhet akuzë për shkak të bindjeve politike. Partizanët e kishin djegur shtëpinë. Pavarësisht se i kishin lënë 5 fëmijët rrugëve, Mehmet Hoxha nuk ishte kundërpërgjigjur. E megjithatë kjo nuk do të thoshte gjë për komunistët, pasi dënimin do ta vuante që do ta vuante. Tani Shqipëria ishte e tyre, e djegur ose e padjegur. Mehmet Hoxha kishte qenë një prej përkrahësve të Abaz Kupit. Si i tillë kishte shërbyer në trupat e Frontit Nacionalçlirimtar në luftimet e deriatëhershme kundër pushtuesve. Aderimi në Front kishte zgjatur deri sa kishte qëndruar Abaz Kupi këtu, deri në (mos) nënshkrimin e marrëveshjes së Mukjes. Pikërisht për këtë arsye, (dalja nga Fronti) partizanët i kishin djegur shtëpinë. Gjithë çështja ishte përleshje shqiptarësh. Gjithsesi ky i pandehur nuk del përgjegjës në asnjë rresht të këtij gjyqi.

Për këtë arsye, i pandehuri përgjigjet: “Nuk është e vërtetë të kem luftuar forcat partizane, por fatkeqësisht, kur ka ardh Musa Picari me 300 e ca veta, asht ba një luftim prej 2 – 3 orësh. Një grua ka lajmëruar forcat partizane , mos të hyjnë se asht mbushur katundi me ballistë. Musa Picari na ka imponuar me forcë si mua ashtu edhe të tjerë..Me Osman Memën kam qenë i lidhur, por ky nuk i ka luftuar partizanët. Është e vërtetë se shtëpinë ma dogjën partizanët pse shkova me Musa Picarin. Pas ikjes së këtij i kam shpërndarë katundarët nëpër shpijat e tyre. Kam qenë në Legalitet i lidhur me Bazin kur ky ishte më Frontin. Shtëpia m’u dogj pse u largova nga Fronti.”

Duke vazhduar përgjigjet ndaj trupit gjykues, M. Hoxha përgjigjet:

“Lufta me Musa Picarin u bë në kufi midis Shëngjergjit e Shumrisë. Neve kemi qenë te xhamia e Shemrisë. Nuk është e vërtetë që neve të kemi vendosur me shkue me me marrë materialin që ndodhet në Bizë. Mbasi Osman Mema ish i lidhur me Bazin, edhe unë kam shkue pas Osman Memës, por kur u shkëput Bazi nga Fronti dhe neve kemi ndejt neutral. Jam dorëzu vetë me 5 nëntor 1944. frontin e kam ndihmue me sa kam pas mundësi”.

Vendimi një faqesh

Më 26 qershor 1945 trupi gjykues i drejtuar nga Bilbil Klosi ka dhënë vendimin e tij. si edhe të gjithë proceset e tjera të këtij lloji, Klosi është kursimtar i madh. I shkurton partisë së tij, shpenzimet që do të mund të bëheshin për bojë, letër e makina shkrimi. I harton brenda një faqe letër. Aty i thotë të gjitha. Nuk e kalon radhitjen.

Pasi është dëgjuar shpjet e shpejt avokati, Bilbili ka vërejtur:

“Nga sa rezulton prej vetë pohimit të pandehurit, të marrun si para komisionit hetimor, ashtu edhe gjatë zhvillimit të gjyqit publik, i akuzuari Mehmet Hoxha, teu qenë i lidhur me forcat reaksionare dhe armike të popullit shqiptar nën dipendencat e tradhtarit Musa Picari, ka marrë pjesë në luftime kundra forcave partizane në Shëngjer e Shënmëri.

I pandehuri ka qenë i lidhur dhe me tradhtarin Abaz Kupi, dhe me organizatën e tij mercenare të Legalitetit si dhe me Osman Memën, tue u duftue në çdo rast aktiv në ndjekjen e njësive të vogla partizane dhe në sabotimin e pengimin e luftës çlirimtare të popullit, sidomos në rajonin e Tiranës.

Për shkak të pengesave dhe të kundërshtimit me armëqë i ka bërë fuqive partizane ato i kanë djegur shtëpinë e tij në Shënmëri.

Për sa u tha më sipër, i pandehuri Mehmet Hoxha, cilësohet si armik i popullit dhe veprimtaria e tij parashikohet prej nenit 15 të ligjit “mbi organizimin e funksionimin e gjykatave ushtarake”, të botuar në “Gazetën Zyrtare”, nr.3, bis., dt. 23.1.1945”.

Burgu

Për këto arsye, trupi gjykues kishte vendosur t’i hiqte këtij Mehmet Hoxhës 5 vjet nga liria e tij, duke e çuar përveç burgut, në punë të detyruar e të rëndë, si dhe humbjen e të gjitha të drejtave civile e politike. Veç të tjerash, kjo do të thoshte që familja e Mehmet Hoxhës, duhej të përballonte jetën e vështirë, sidomos në ato kushte.

Vendim i pambështetur në fakte

Sikurse mund të shihet në këtë vendim, në asnjë rast nuk provohet akuza e ngritur. E megjithatë, gjykatësi Klosi e ndihmësi i tij Trebeshina nuk e kanë të vështirë të dënojnë babanë e 5 fëmijëve për tekat e tyre dhe të partisë që ata përfaqësonin.

Klosi & Trebeshina, 10 vjet burg për antifashistin Shaban Mezinin

Më 12 maj 1945 trupa gjykuese e përbërë nga Biblil Klosi, Ismail Çaushi, Kasem Trebeshina, duke vazhduar të dënojë me “shumicë” nën kujdesin e prokurorit Gjon Banushi merr përsipër edhe dënimin të pandehurit Shaban Mezini nga Preza.

Mezini akuzohej se kishte qenë përkrahës i Legalitetit. Ai ishte arrestuar më 1 dhjetor 1944 në Shkodër, kishte mbaruar 2 klasë teknike dhe ishte sipërmarrës punimesh. Përveçse veprimtari i Legalitetit, personi në fjalë akuzohej se ishte “mik i Bazit dhe organizator i reaksionit”.

Në fakt personi në fjalë ishte arratisur qysh prej vitit 1942 si antifashist. Ai nuk kishte marrë pjesë në luftime në front dhe e quante fatkeqësi mosbashkimin e faktorit shqiptar në luftë.

Është një rast tregimplotë sesi antifashistët shqiptarë që nuk ishin komunistë, duhej të dënoheshin patjetër nga ata që gjithë ditën shanin fashizmin e që në fund të fundit, nuk po i linin gjë mangët atij për nga metodat që po përdornin mbi popullin shqiptar.

Duke u pyetur gjytë zhvillimit të gjyqit, i pandehuri Mezini ishte shprehur:

“Qysh në vjetin 1942 kam qenë i arratisur sepse nuk duroja fshazimin okupuar. Në kohë të Zogut kam punuar punëtor, kur erdhi Italia po punëtor në rruga – ura. Kam vajtur në Prezë për t’u fshehur dhe kam ndenjur deri ditën e fundit. Un di se Fronti Nacionalçlirimtar ka luftue okupatorin, gjithat edhe Legaliteti ku un kam ba pjesë si ushtar i thjeshtë dhe nuk isha aq i lidhur, nuk di që të ketë qenë i lidhur me okupatorin. Un si ushtar i thjeshtë kam luftue armikun  në Qafshtamë si dhe kundra gjermanëve në Krujë. Kundër partizanëve nuk kam luftue”.

Inati politik

Ajo çka Klosi dhe Trebeshina kanë me këtë të pandehur nuk është gjë tjetër veçse bindjet e tij politike. Për këtë arsye duke vazhduar më tej të pandehurit i duhet të pohojë:

“Nuk kam qenë e as jam orator dhe nuk është e vërtetë të kem fol me popull për ta lidh me Legalitetin dhe as kam qenë postë e kësaj organizate. Nuk kam qenë partizan ndonjëherë, porse lëvizjen e kam ndihmue kur vinte në Prezë”.

Gjykim për bindjet e rezervuara

Në fakt i pandehuri ishte një simpatizant i Legalitetit pa qenë ndonjë figurë e spikatur e kësaj organizate. Pavarësisht nga kjo, ai gjykohet sikur të ishte eksponent kryesor i kësaj organizate. Ja disa prej përgjigjeve të tij:

“Mbasi Legaliteti e kishte bazën në vendin tim, unë si ushtar, thjeshtë e ndihmoja, po jo se kam ndjekur Bazin. Siç thashë kurrë ndonjëherë nuk kam mbajtë konferencë që të shaja Nacionalçlirimtaren. Konferencat i mbante Ndue Pali dhe Asim Kalaja”.

Dëshmitarët mbrojnë të pandehurin

Ndryshe nga procese të tjera, në këtë gjyq, dalin dëshmitarë pro të pandehurit. Kështu pro të akuzuarit dëshmoi edhe partizani 21 vjeçar Mustafa Doda nga Preza i cili e quajti Shabanin njeri të ndershëm që nuk i kishte bërë keq kujt. Bile Shabani e kishte ndihmuar gjatë luftës.

Prokurori nuk do t’ia dijë

Pasi nuk ka dalë asnjë provë që do të mund të hidhte akuza në drejtim të personit të akuzuar, ustai i akuzës, ish-fashisti, Gjon Banushi do të bënte sulmet e tij. shihni si shprehet:

“I pandehuri Shaban Mezini si anëtar aktiv i organizatës së Legalitetit, ka tradhtue dhe pengue luftën e popullit si besnik i Baz Kupit dhe i organizatës reaksionare. I pandehuri pasi nuk iu pajtua politika me italianët, në vitin 1943 mori malet dhe dolli ilegal dhe sipas pohimit të tij ka rënë në përpjekje me italianët e me gjermanët. Më vonë, i pandehuri u lodh nga puna dhe qëndroi në Prezë. I pandehuri më parë ka qenë partizan dhe në Prezë bahet legalist dhe si mori si shërbim shpërndarjen e postës së Bazit dhe furnizimin e ushqimit që merrte në Tiranë dhe e transportonte me karrocë për në Prezë. Më vonë i pandehuri hyn në intendencën e organizatës së Legalitetitdhe ushqimet i tërhiqte nga gjermanët në Tiranë dhe ja dërgonte forcave bashibozuke të Bazit. Ky ka pas lidhje me Sure Ajzin dhe ka marrë pjesë në luftën e Prezës.

Prandaj në bazë të nenit 15 të ligjës nr.41 “mbi organizimin e funksionimin e gjykatave ushtarake” kërkoj të cilësohet armik i popullit dhe në bazë të nenit 18 të asaj ligje, të dënohet me 10 vjet burgim”

Fjala e avokatit

Pas kësaj e ka marrë fjalën avokati Kristo Çevi i cili ka bërë mbrojtjen e tij, e cila nuk donte shumë mund pasi nga sa lexohet nuk provohet asnjë akuzë e ngritur mbi të pandehurin.

Dënimi

E megjithatë kjo nuk i duhej Bilbil Klosit dhe Kasem Trebeshinës. I dhanë 10 vjet burg dhe punë të detyruar kot së koti dhe pa asnjë provë. Ishte koha e “drejtësisë popullore”