Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Olta

| E enjte, 26.03.2009, 06:11 PM |


Albert Zholi

OLTA
 
Rrinte ulur te stoli i koridorit të spitalit, me kokën të mbështetur në duar. Kishte shumë njerëz që prisnin rradhën e vizitës. Ajo ndjente bezdi nga shikimet e tyre. Gjithë natën e kish kaluar pagjumë. Zemra i rrihte fort e shikimin e kish të errët. Gjithë ky shqetësim i erdhi pasi prindërit i folën ashpër për Bedriun. Kish tetë muaj që e dashuronte atë djalë. Dhe ndjehej e lumtur. Por ja erdhi nata e djeshme.
-Moj bijë, cili është ai djalë që s’të ndahet, as në shkollë e as në pallat-e pyeti nëna.
Ajo shtangu. Nuk e priste që prindërit ta kishin marrë vesh. Babai, i ulur në karige, po e shihte sikur mos e kish parë asnjëherë vajzën e vet.
-Të ishe kaq e turpshme nuk do të na fusje në gojë të gjithë qytetit-foli babai me mospërfillje.
Këto fjalë e vranë fare. Kurrë nuk kish dëgjuar fjalë të keqe nga babai. Edhe tani nuk po e shihte në sy. Kjo ishte më e tmerrshme se fjalët.
-Ke bërë ç’ke bërë, nuk dua të të shoh më me atë rrugaç!-foli nëna duke i tundur gishtin para fytyrës.-jemi bërë gazi i gjithë qytetit.
-Bedriu nuk është rrugaç!-foli ajo duke qarë dhe u fut në dhomën e saj të gjumit.
-Si?
Kaq mundi të dëgjoi nga britma e babait. U shtri në krevat dhe qau me dënesë. Ashtu e kaloi gjithë natën. Qante e mendonte Bedriun. Kujtonte kohën kur e njohu, kur takoheshin, kur e ngacmonte e i shkonte nga prapa. Në fillim ajo e shihte me inat, por këmbngulia e tij e mposhti. Pastaj ai u bë i domozdoshëm për të. Po të mos e shihte para shkollës apo para se të binte mbremja nuk mund ta kalonte as ditën e as natën. Në mbremjen e shkollës ai nuk erdhi. Si ndodhi ashtu? Mërzia e saj u ra në sy edhe atyre që nuk e dinin. Ashtu doli nga salla me mëndje të humbur, ose pa menduar asgjë. Në koridorin e katit ë dytë, ndjeu një dorë që e kapi befas. U tremb. Ishte Bedriu. Ai nuk priti por e puthi në buzë. Ajo mbeti te puthja e tij, akoma pa menduar asgjë. Vetëm trupi i ndjente lumturi. Pastaj dëgjoi zërin e tij: “Të dua, të dua shumë Olta!” Ndërkaq u hap dera e shtëpisë dhe dëgjoi zërin e nënës: Olta,
eja ku je?!” Ajo u shkëput nga krahët e tij dhe fluturoi…
Kaluan muaj të lumtur deri sa erdhi dita e sotme. Nuk mbushej dot me frymë. Mendimet ia ndërpreu një infermiere.
-Edhe ti për vizitë je moj bijë?
-Po!- u përgjigj Olta me gjysmë zëri.
-E kujt je ti moj bijë?
-E Viktorit. Viktor T.
-Si?-u habit infermieria-Mirë moj bijë eja të vizitohesh, por çfar ke?-dhe i hodhi dorën në qafë.
-Nuk kam fjetur gjithë natën. Më godet fort zemra dhe më merren mendtë.
Infermieria diç tha doktorit. Ai e shikoi me shumë kujdes e mirësjellje.
-S’ke gjë do të të kalojë-i tha ai buzagaz pasi e vizitoi.
Infermieria, një grua rreth të pesëdhjetave, me atë ëmbëlsinë e brendëshme që i dilte bashkë me zërin , e shoqëroi deri te koridori e i tha:
-Mos u mërzit bija e nënës, çdo gjë do të rregullohet-dhe dy pika loti i shkuan në faqe. Kjo fytyrë gruaje, po i ngjante me përshkrimin që i kishte bërë…
Si nuk i kishte thënë Bedriu që nënën e kish infermiere?!

Nga libri ''Ikja e madhe''