E marte, 29.11.2022, 05:09 PM (GMT)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Mes kontrasteve

E enjte, 26.03.2009, 06:07 PM


Mehmetali Rexhepi
Mehmetali Rexhepi
Mehmetali Rexhepi

M E S    K O N T R A S T E V E
(Hasije Selishta - Kryeziu: “LULE AJRI”, “Brezi 81”, Prishtinë, 2009) 

Hasije Selishta - Kryeziu tashmë ka pasqyrën e portretit të vet poetik. Atë pasqyrë të pasqyrimit të të dukshmes dhe ndjesive do t’ua dhurojë me çiltëri,  këndpamjet e mjedisit hapërimeve të saja të prekshme dhe imagjinare, kapur me fjalor që kuptimson sprovën jetësore në një ligjërim të figurshëm.
Për tu bërë e përfillshme në rendin e letrave, kjo vargkërkuese nuk ngurroi që për redaktorin dhe recensuesin të sjellë gërshërët dhe krahërin.
Në mjedisin, si yni, ku pak përfillet rendi dhe kriteri, depërtimi i këtillë i prodhimtarisë shkrimore përmes filtrimit të saj, i shton gjasat ngritjes së një rendi të sistemimit të vlerave. Mangësinë e kompetencave në këtë fushë e përmbush tautologjia.

* * *
  
Pesë ciklet: “Udhëtimi djallëzor”, “Grimca rëre”, “Çatia e gruas”, “Aromë shpirti” dhe “Syri ka mbetur larg”, i lënë hapësirë për të qëmtuar figura e pamje dhe, për të ndërtuar me to kuptime e kumte ideore, shpirtërore, edhe shumëçka tjetër të kësaj magjie.
Sikur tek vargshkrues a vargqëmtues tjerë shqiptarë, edhe Hasije Selishta - Kryeziu në përzgjedhjen qëmtuese të saj për këtë libër, nuk i shmanget malbrezit tematik dhe frymës së simbolikës kombëtare; ndonëse gjithnjë, sipas qasjes vetanake, mëton ikje nga përsëritja.
Pse i ndodh kështu, të jetë e lidhur me këtë kryetemë, jo vetëm kësaj autoreje, por edhe vargut të shumtë të ndjenjashtjelluesve shqiptarë, meqenëse vargthurësit evropianë futen dhe dalin në përmasa tjera  të ndërlikuara për fatin e ekzistencës njerëzore?
Diçka që është shtresuar në ndërdije dhe vetëdijen e brezave, vjen në një trajtë ose tjetër, edhe te kjo autore, si shfryrje, si katarzë e gjëmës së tkurrjes etnike dhe, ajo gjëmë me gjithë trajtat e përbindshme vijoi gjatë gjithë përgjakjes mbi trup-hartën e etnisë: “Në derën e vjetër/Ajkuna e bardhë dridhet/Ende hetimet vazhdojnë/Ato janë sekrete.”
Pohimin e sipërshqiptuar e përtrollitin format e togfjalëshave si “Molla e Kuqe”, “Kafazi i universit”, “këmishë e robërisë”, etj., që bartin shtresime kuptimore të trungut: florë, etnonim, toponim, cilësi mbiemërore të epitetit...
Togfjalësha të tillë metaforik si “këmishë robërie”, “lule loti”, “borë vetmie”, “fillimi priste” dhe, shtrirje të kësisojshme finoke të reflekseve ideore si: “Më lini të pikturoj jashtë një kornize”, ngrisin nivelin e një përvoje në një diskurs të qëndrueshëm, i cili pleks dromca rrymimesh hermetike e paradoksale të shprehjes.
Në shtatëdhjetë e tri vjershat e këtij libri, trembëdhjetë herë, në kontekste të ndryshme, haset molla. Semantika e mollës ngërthen trungun dhe frytin: molla si trung me gjethe për hije vapash, trung i zhveshur dhe pa fryte… Molla si metaforë e mëkatit të parë të Evës, molla e papjekur, molla e mbetur në degë deri në kalbje, molla e rënë para kohe, molla e pangrënë, sytë kah molla… Togfjalëshat dhe epitetet metaforike mëtojnë shtrirje të idesë artistike, që të shumtën arrijnë objektiva përfytyruese në tablotë e pikturave të fjalës.
Në këtë vëllim ka dhe prurje vargjesh pa nerv poetik, pa shije të plotë qëmtuese, e natyrshme për një zemër të dashuruar në poezi, dhe, që ende nuk di për plleshmërinë e shterpësinë e dhuntisë, hujet dhe grackat…  Kësisoj, ndonjëherë nuk arrin t’ia vesh rrobat më të përshtatshme asaj nazemadhe. Por, ajo ka kurajën e një kureshtje prore kërkuese, deri në depërtimin e ligjërimit në dukuritë specifike që i përkasin artshkrimit.
Pena e kësaj autoreje mëton depërtim në forma abstrakte të poezisë, ndaj lexuesi do të duhej t’i ofrohej, duke ia tumirë akëcilën figurë, akëcilën formulë urtie ose akëcilën ide përmes përzgjedhjes së anëve të bukura: aty ku shkëlqejnë dhe jo vetëm atje ku errësojnë shkëlqimin.

* * *
     
Ky libër shfaq një prirje të dukshme për t’i kapë e kundërvënë gjendjet kontrastive të dukurive, qofshin emocionale a kuptimore dhe, për të nxjerrë forma përfytyrimesh, pasqyrimesh, përmbajtjesh e mbresash, që do ta fisnikëronin fondin e urtisë së përbashkët.
Në vargjet e shkurta me pak rreshta, mes antonimeve fshihet rebusi i një kumti të drejtpërdrejtë dhe përbërësit e tij të tërthortë: “Në pushtetin e mureve/Kur hapet porta/E përshëndetjeve/Këmisha e saj vjetrohet.”
Veçoria e fshehjes së rebusit të idesë, duket, por më pak ndjehet, si  zotësi shtjelluese për të joshë e ngazëllyer. Këtu joshje ka, për aq sa i hap shteg kroit të parë njëra figurë dhe mbyll shtegun tjetra, ndaj humbet rebusi në një “rreth vicioz”, ku nuk ke burim për t’ia shuar etjen zbërthimit. Dhe aty nuk ndjehet gurgullima, as rrjedha e ujit, as etjeshuarje e kërshërisë…
Autorja anashkalon metrikën sepse nuk përqëndrohet në ritëm, as në efektin tingullor të rimës e në muzikalitetin e vargut. Ajo futet mes gjendjeve kontrastive të fjalës. Këtij udhëkërkimi të pandalshëm, ndoshta iluzionist, pos forcës qëmtuese, i duhet edhe qartësia zbërthyese.
Në kopshtin e saj poetik do t’i duhej një krasitje e titujve dhe shprehjeve të natyrës shpjeguese, ngase hasen në diskursin e boshtit fijeshtjellues; si dhe dymendjet për çfarësinë e veshjes së ardhme të poezisë me petkat delikate të saj.

* * *

Si i qasemi dhe si vjen poezia? Ajo në çaste vjen me naze e madhështi dhe, po e kape çastin e saj, situatën e trishtimit do ta fusësh në kutinë tënde e, t’ia nxjerrësh helmin sikurse gjarprit.
Gjetja e magjisë së fjalës është një dhunti sa e lashtë aq e re.

* * *

Në përmbyllje të kësaj qasjeje përuruese për librin “Lule ajri”, si autores edhe lexuesve do t’iu bëja nder, duke cituar të përndritshmin Rexhep Elmazi: “dielli le të jetë sa të dojë larg/pas tij prapë ngas/
guri le të jetë i fortë sa të dojë/një thërmi e tij prapë jam” *

*Rexhep Elmazi “Frymëmarrje”, Rilindja, Prishtinë, 1972, f.41   
                   



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora