E hene, 05.12.2022, 05:56 PM (GMT)

Kulturë

Hysen Këqiku: Vepër me figura dhe invencion meditativ

E enjte, 26.03.2009, 05:42 PM


Hysen Këqiku

 

VEPËR ME FIGURA DHE INVENCION MEDITATIV

 

            Vjershat e kësaj përmbledhjeje kanë një mvetësi logjike, një motiv të kapshëm dhe një pasqyrim vrojtues.

            Këto ditë doli nga shtypi një libër me poezi, që paraqet rrugët e zhvillimit të një çasjeje poetike e cila pasqyrohet që në vargjet e para duke u kristalizuar edhe në vargjet e pastajme.

Është fjala për përmbledhjen me poezi “Rrobat e Engjëllit” të poetit Sinan Sadiku nga Dardana (ish Kamenica).

            Duke  i lexuar  vjershat e këtij vëllimi, autori na del poet i ndjeshëm ndaj kohës si kuptim i cili në saje të talentit përkatësisht, prirjes së natyrshme, bëhet  i kapshëm në tonalitetin e saj të pranishëm në kohën  që e ka vërshuar  qenien e tij fizike dhe shpirtrore sepse  (pa)koha lëmonte plagët ende të pa shëruara.

            Njeriu i cili dhembshuron plagët e të gjithëve nuk mund të jetë fatlum sepse në të shumtën, secilit i dhemb plaga e vet, por poetit plaga e vet dhe e të tjerëve, të cilat i sendërton në varg dhe poezi.

             Në pikturën e vargjeve të Sinan Sadikut[1], pikon  gjak, dëgjohet gjëmë, shihen yjet e pikëlluar etj.E tëra kjo

 

 ngjanë në apostrofën  O koha ime” për ta kristalizuar me gjetje poetike edhe në vjershat e  tjera të cilat duken sikur pikojnë nga vjersha para cikleve “Koha ime”.

            Atmosfera e krijuar në këtë vjershë, të futë në botën imagjinative me nota  reale dhe të vjershave që i përbëjnë  ciklet: “Le të vijë pranvera”, “Ku e harruam urtinë”, “Midis ëndrrtave” dhe “Lulejetës”.

            Vetë ciklet dhe vjershat që i kompletojnë ato,  paraqesin një gradacion ndjenjash dhe motivesh të fuqishme të cilat nuk vijnë duke ulur intensitetin e përjetimeve, ndjenjave dhe psherëtimave por, ato rriten nga vargu në varg sikur edhe nga vjersha në vjershë.

             Dyzet e dy vjershat e kësaj përmbledhjeje, paraqesin një sublimë të  një ecjeje e cila vazhdon deri në një rrafsh të imagjinuar po qe ende nuk i duket fundi. E tërë kjo  paraqitet në metaforën e heshtjes urtisë, lutjes për ecje dhe gjakimit për të gjetur urtinë e zgjidhjes ose gjetjes së fijes së lëmshit, që nga projektues të ndryshëm është lidh nyjerrmoku.

            Sinan Sadiku, nuk na del me forcën e disa krijuesve që bëjnë përpjekje për ta veshur vargun  me ndonjë shprehje alarmante të tipit të “ofjeve dhe brofjeve  po me butësinë  e artit poetik e qëmton  atë sublimë e cila shton emocione edhe tek lexuesi, ndoshta jo në atë masë  sa e ndjen autori po përafërsisht psherëtimat s’ka se si të mos shfaqen kur edhe vetë poeti e kërkon atë që i ka humbur e s’mund t’i kthehet as ta gjejë.

            Ai s’mund të kthehet “te Kroni i Jazit” për “ta mundur vapën”, “ e për të rilindur “ sepse  ato mundësi janë shkëputur që atëherë  kur dikush është larguar nga atdheu e dikush nga vendlindja.

            Jo vetëm kjo dukuri, por edhe ngjarjet e ndryshme që autori , bashkë me kolektivitetin e jeton dhe e sublimon

 

me një mbrujtje si prej një krijuesi me përvojë të gjatë (edhe pse ky është libri i tij parë) duke krijuar dilema, jo vetëm për t’u zmbrapsur por për të vazhduar ecjen e cila nuk po mbaron qe disa epoka rresh.

            Vjershat e kësaj përmbledhjeje t. kanë një mvetësi logjike, një motiv të kapshëm dhe një pasqyrim vrojtues.

           

            As të eci, as të rri

            as të heshti, as të flas

           

            ku më çojnë  valët nuk e di

            një hap përpara një përma

                                                 (faqe 12)

           

            Kjo në një anë dhe përdorimi i mjeteve, në anën tjetër, me të cilat ndërtohet vjersha,edhe pse me pak vargje e ka mbërri afektin e kërkuar.

            Me vjershën “Pakënaqësia” me pak fjalë të rradhitura në pesë rreshta, e ka krijuar një antonimi me të cilën mëton  ta paraqes, një dilemë ose kërkon që të ndryshojë diçka sepse  derisa unë kërkoja rrush, limoni nuk më kënaqte.

            Jeta e kaluar nëpër katrahura, ajo jetë e hidhur që simbolizohet me limonin, ishte bërë e padurueshme. Ajo duhej ndryshuar, duhej zëvendësuar me një jetë më të ëmbël e cila po ashtu simbolizohet me rrushin.

           

            Rrushin

            s’mund ta mbërrijë

           

e limoni

            nuk më kënaqi

            kurrë  (faqe 13)

 

            Ç’të bësh. Ky është fati i poetit dhe, ky fat është i të gjithëve. Poeti  me shpirtin e tij fluturon dhe futet në shtigje të thella, të rrahura edhe nga poetë të tjerë  por,  jo me një stil dhe mbrujtje  aq të përpunuar dhe të përjetuar. Kjo ndryshe mund të jetë mëvetësia e poetit e skalitur në vargjet e kësaj përmbledhjeje, duke paraqitur një përplotëni motivesh e inspirimesh që joshin dhe shkaktojnë ndjeshmëri tek lexuesi.

           

            Ç’të bëj

            pa trëndafil

            pa pëllumb pa yll

            thellë në këtë pyll

            me fytyrë dyll . (faqe 15)

            Vjershat e përmbledhjes “Rrobat Engjëllit” të Sinan Sadikut, janë shumë të begatshme me metafora dhe shprehje të tjera  metaforike dhe simbolike. Ato  dhe mjetet e tjera, na shpiejnë në filozofinë  e vargut që poeti ynë  në shumë raste e paraqet me një lloj antonimie p.sh. “mundësitë minore / shpresat qiellore”; “E ato ideale / Jetë moj pse më talle  etj. Është fare e natyrshme tëpyesim për të dalë nga situatat e ndryshme. Pyetjet në një mënyrë janë rrugët për të dal nga situatat e krijuara. Ato janë një lloj zbrazjeje e emocioneve. Një lehtësim edhe për krijuesin edhe për lexuesin. Këtu, pikërisht  në vjershën  Ku e harruam urtinë”, krijohet një lidhje në formë të trekëndëshit: krijuesi – krijimi – lexuesi i cili funksionon mrekullueshëm në raport me  situatën – dilemën dhe pyetjen:  “vrapojmë, vrapojmë, vrapojmë – kush e di – kur – do të arrijmë në cak” ose “grindje grindje grindje – kush e di- ku e harruam urtinë”etj. Këtu, gjithsesi, kemi të bëjmë me një shpirt poeti, i cili ndjenjat

 

e tij i skalitë në varg dhe vjershë me tërë peshën e situatës e duke komunikuar shtruar  me lexuesin, me të cilin ec dhe  bartë përgjegjësinë e dhembjes.

            Këtu, poetin e gjejmë në pellgun e dhembjeve dhe të emocioneve dhe, s’ka se si të mos futet ose të mos gjendet aty edhe lexuesi. Prandaj  ky trekëndësh krijues- krijim- lexues është  i lidhur ndjeshmërisht dhe emocionalisht.

            Lexuesi, sipas poetit, na del mjaft i pjekur, më i pjekur se historianët. Kemi, këtu  të tërhequra dy paralele që vijnë në kundërshtim me njëra tjetrën: historianët që shkruajnë, sipas qejfit të ideologjive dhe ideologëve të ideologjive dhe në anën tjetër kërkesës së atyre që i kanë përjetuar të këqijat (robëruese) të ideologëve dhe ideologjive: në rastin tonë konkret ideologët e regjimit socialist në emër të të mirave na robëruan. Atë e përjetuan baballarët tanë dhe ne, bijtë e tyre, tok me ta,  në forma të ndryshme, edhe me veprat letrare po e luftojmë. Le të jetë, me këtë rast, lexues i pjekur gjyshi. Ai i lut nipat e tij të mos u besojnë librave të shkruara sipas  qejfit të ideologjive por t’u besojnë atyre librave që u shkruan me gjakun e derdhur  dhe për arsyen e gjakut të derdhur: “mos u besoni librave / se ato  ju gënjejnë” “mos u besoni profesorëve / se s’dinë për vete”

            Dhe qe arsyetimi, e vërteta:

 

            “Dikur vonë

            M’u çelën sytë

            Pashë një botë të ndytë

            që pëllumba mbytë

            Ku ta gjeja gjyshin

            t’ia puthja sytë

            Ndjesë t’i kërkoja

            E ta dëgjoja”

 (faqe 29)

 

           

            Kjo nuk është thënë me varg hermetik, por me ndjesi dhe varg poetik.

            Autori bashkë me vargjet që i ka ideal fluturon prej një situate në një tjetër duke u përpjekur që  t’u jap kahe rrjedhave, prej atyre trilluese e mashtruese në ato që  janë të vërteta  dhe shkencore.

            Në raste të tilla, poeti ynë Sinan Sadiku e mpreh lapsin  e satirës dhe ato dukuri i demaskon; individëve të ndryshëm dhe veprimeve të tyre devijante ua shqyen maskën duke i nxjerrë lakuriq me të bëmat e tyre

 

            “qenë bërë yje

            vajzat s’ua bënin fjalën dy

            e  ne djemtë

            ëndërronim të bëhemi si ata

           

Ç’farë gabimi do të thoshte lexuesi. Atë gabim, i cili krijon kundërshtim të sforcuar, me vargjet e fundit të

vjershës “Profesorët që përtuan ta gjejnë urtinë” e arsyeton:

            Mësonim në libra të çalë

            Përkthenim libra të çalë

            Shkruanim libra të çalë

            Sikur të ishim barinj” (faqe 30)

           

Kështu nga vjersha në vjershë, tri kuptimet kyqe: heshtja (jo në kuptimin e parë logjik) urtia, lutja për ecje  dhe gjakimi për ta gjetur urtinë, bëhen gjithnjë më të arsyeshme dhe më të pranueshme. Se heshtja e ka kuptimin e dytë logjik – metaforik bind dhe sforcon  figurshmëria e vargut me figura që logjikisht janë të mbrujtura në varg të bardhë.

            Qe një metaforë e bukur që flet me gjuhën  poetike.

 

            Vite të tëra kotem (mos është vallë kjo heshjta)           u besoj ëndrrave  të mira

            e plagët më rrjedhin gjak (faqe 36)

Ose:

            E humbëm  rrugën

            dhe e kërkojmë

            e kërkojmë

            e kërkojmë

            e kurrsesi ta gjejmë”

            Jemi

             në fshatin e lindjes

            medet

           

            Libri “Rrobat e Engjëllit” mbyllet me një figurë shumë shpresëdhënëse. Ajo është “Lulejeta” përkatësisht

e vërteta, e cila herëdokurë do të vijë me të gjitha ngjyrat e ylberit. Ajo nuk ka hile, pikërisht për këtë edhe poeti e lut të vijë e të mos bëhet zemërkatile. Poeti është i sigurt se e vërteta mund të vonohet, të t’hollohet por të këputet jo kurrë, prandaj edhe Lulejeta  do të vijë me “këngën e bilbilit”. Ajo është “përplot jetë  e ngrohtë, e bukur dhe e dashur “si lulja e prillit”.(faqe 60).

            Gjuha që përdorë Sinan Sadiku në veprën e tij është e ngjeshur me shprehje poetike, me frazeologji të begatshme dhe me fjalë e fjali semantike.

            Autori na del njohës i mirë i  letërsisë popullore dhe tërë veprën e tij e vë mbi tabanin e kësaj letërsie që në vete përmban një filozofi të pasur dhe shumë  jetike. Si e tillë, kjo vepër, na del edhe më e afërt  dhe më e pranueshme nga shtresat e gjera të lexuesve.

            Sinan Sadiku edhe kur shkruan  me rimë, edhe kur shkruan me varg të bardhë shquhet për një natyrshmëri dhe zgjuarsi.

            Vepra “Rrobat Engjëllit” e Sinan Sadikut, e ka begatuar dhe nderuar letërsinë shqipe.

2000

 



[1] Sinan Sadiku, u lind më 12.11.1961 në fshatin Gjyrishec të Dardanës. Shkollën fillore  e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë ndërsa Fakultetin juridik në Prishtinë.

Vepra letrare:

Rrobat e Engjëllit”,  botoi “Nositi” Dardanë 1999

Jeton në Dardanë.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora