E merkure, 24.04.2024, 12:46 AM (GMT+1)

Mendime

Sabit Rrustemi: Reformimi, zhurma dhe ecja e drejtë e LDK-së

E merkure, 25.03.2009, 09:33 PM


Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi
REFORMIMI, ZHURMA DHE ECJA E DREJTË E LDK-së

Shkruan Sabit RRUSTEMI

Zhvillimet politike brenda LDK-së, që nga themelimi e këndej, përherë kanë qenë  të bujshme, transparente dhe të debatueshme. Herë – herë edhe interesante. Qoftë nga struktura organizative e saj, prej aktivit e deri në kryesinë qendrore, nga anëtarësia, simpatizantët e, besa edhe nga konkurentët politikë.
Në veçanti këto zhvillime kanë qenë intriguese për mediat e shkruara dhe elektronike, si brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat thuaja kanë qenë pashmangshëm të pandashme nëpër të gjitha proceset që ka kaluar LDK, pikërisht për shkak të rëndësisë së madhe që ka pasur kjo lëvizje politike në zhvillimet e të gjitha ngjarjeve që kanë karakterizuar këtë pjesë të Ballkanit, me epiqendrën e saj, Kosovën.
Prandaj, nuk është çudi që kjo vëmendje , si brenda LDK-së, ashtu edhe përreth saj, nga oponentët, mediat dhe publiku i gjerë, është shtuar, veçmas pas kalimit në amshim të liderit të saj historik, presidentit Ibrahim Rugova.
Për një parti politike, të qenit në qendër të vëmendjes dhe të të gjitha zhvillimeve politike për dy dekada, madje edhe si protagonist i këtyre zhvillimeve, nuk do të thotë pak. Përkundrazi.
Por, përqëndrimi i shtuar apo kujdestaria e përditshme në hyrje-daljet e LDK-së dhe zhvillimeve të saj, madje edhe duke i identifikuar aktivistët e saj se me kë po rrijnë dhe, me kë po ulen nëpër dreka e darka, nuk do të thotë se ka pasur për synim një çasje konstruktive apo edhe vënien në dijeni të opinionit për gjithë ato ndodhi që janë zhvilluar e po zhvillohen brenda apo rreth saj.
Kur e them këtë, nuk mendoj në mediat si një oponencë e pavarur  por, më shumë në oponentët e saj politikë dhe filialat e kësaj oponence nëpër media të shkruara dhe elektronike.
Në mediat e kontrolluara nga oponentët politikë të LDK-së, gjithnjë ka pasur një çasje negative në kundrimin dhe plasimin e këtyre zhvillimeve në publik. Jo pak herë edhe kanë pasur rezultate, pavarësisht se sa këto të vjela, të servuara më pas  në publik kanë qenë në favor të Kosovës dhe fatit të saj nëpër këto dy dekada.
Ky kundrim tendencioz  e ka përcjellur LDK-në sidomos për të gjallë të Rugovës, madje edhe përmes një inati të pashpjegueshëm që, më shumë se ballkanik, është inat shqiptar dhe, nuk e ka lënë të qetë as më pas, anise me tone pak më të zbutura.
Gjithnjë në emër të një transparence dhe kinse në shërbim të një informimi të shpejtë dhe ekskluziv për publikun, LDK-ja ka qenë dhe ka mbetur shënjestra mediatike e Kosovës, mbase, edhe nga fakti se ka qenë gjithashtu dhe ka mbetur edhe partia më toleruese dhe më e komunikueshme po, edhe më jokërcënuesja për këto mediume.
Oponentët politikë të LDK-së në skenën politike kosovare, duke mos pasur mundësi vetë të përballen drejtëpërsëdrejti me LDK-në në terren , shkaku i shtrirjes, organizimit dhe ndikimit të saj, zgjodhën ballafaqimin e tërthortë me LDK-në përmes një pjese të  mediumeve, përballje kjo që, megjithatë pati efektet e veta.
Brenda këtij njëzetvjetëshi, ka pasur raste që,disa nga këto media, më shumë janë përqëndruar, kanë shkruar dhe përcjellur veprimtaritë e një aktivi të LDK-së se sa të një partie të regjistruar në nivel Kosove e cila, dorën në zemër mund të mos kishte anëtar as sa ai aktiv i LDK-së. E mos të flasim për fushatat e parreshtura mediale kundër figurës së Presidentit Rugova, të kryesive të saj  apo edhe të zyrtarëve të tjerë lokal me ndikim nëpër komuna të rëndësishme të Kosovës.
Këta oponentë politikë dhe mediatikë (pjesë e luftës së përbashkët për ta gjunjëzuar LDK-në) armën më të fortë për ta goditur LDK-në , i kanë pasur thashethënat dhe gjysmët ë vërtetat mbështetur gjithnjë thuaja në  “burimet e brendshme”, “burimet e mirëinformuara”, “burimet e sigurta”, burimet e afërta” dhe zërat e një oponence të përhershme brenda vetë LDK-së që, edhe sot, anise tepër e margjinalizuar,  është prezente.
Pjesa dërmuese e strategjisë për t’i përcjellur dhe plasuar në tregun kosovar “sihariqet” e pashterrshme nga LDK-ja   është ndërtuar mbi këtë alenacë thashethënash të konstruktuara që, të koordinuara dhe të përsëritura si shpesh, patën efektet e veta dhe sot LDK-ja nuk është më partia e parë në Kosovë. Sepse, duke e nënçmuar këtë luftë të vazhdueshme të oponentëve të saj, duke u sjellur me një papërgjegjësi ndaj gjitha atyre goditjeve dhe, duke mos nxjerrë mësime nga notat  e dobëta që i shënoheshin në publik, ajo injoroi edhe sanimet nga riparimet e brendshme, derisa u përgjysmua gati me zgjedhjet e fundit.

RREZIQET, SFIDAT

Edhe në procesin reformues që, rishtas e ka kthyer brenda gjirit të saj dhe për të cilin gati një vit po orvatet ta bindë strukturën e saj dhe anëtarësinë e gjerë, qoftë ate që i ka mbetur, qoftë ate që ju ka pasivizuar apo edhe ate që i iku në ndërkohë dhe, po pret t’i kthehet, meqë ka  një koncenzus, ajo duhet të flas me një zë, të veprojë në një linjë dhe, të godas atje  ku synon.
Duket se paraprakisht nuk janë  studjuar sa duhet rreziqet dhe nuk janë  identifikuar sfiduesit , sidomos sfiduesit që  vijnë prej oponentëve politikë dhe filialave të tyre mediatike. Po, edhe sfiduesit nga brenda, atë oponencën e përhershme që, në pamundësi për ta marrë kalanë prej brenda, po e rrënon atë nga brendësia.
Kryesia aktuale e LDK-së, ashtu çfarë është, në krejt këto zhvillime që i ka përpara dhe në sfidat që e  presin, do duhej ta intensifikojë dhe unifikojë edhe më shumë procesin reformues. Madje, për të qenë më efikas dhe më të mbarë, do duhej të fillonin nga vetja.

SFORCIMI I PROCESIT REFORMUES
 
Pakoja  reformuese, përveç hartimit dhe aprovimit nga kjo kryesi, do duhej ta ketë edhe miratimin e Këshillit të Përgjithshëm si organi më i lartë, duke dëshmuar se Reforma është në suaza të normave dhe rregullave partiake. Po, edhe duke e sforcuar gjithë këtë proces reformues.
Me këtë akt , do të arrinin koncenzus edhe  me oponencën e brendshme po, do t’ia pakësonin në minimum “municionin”edhe  oponecës së jashtme dhe filialave të tyre mediatike.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, asnjëherë në historinë e kësaj partie nuk i ka zmbrapsur vendimet që më parë i ka aprovuar kryesia e partisë. Një gjë të tillë nuk do ta bënte as tash, meqë është pranuar dhe kuptuar si  interes dhe domosdoshmëri ky proces reformues.
Tjetra, duke qenë unikë në zbatimin e Pakos reformuese dhe, duke nisur me shembuj konkret nga vetë kryesia e LDK-së, ata do krijonin hapësira angazhuese edhe për një numër të konsideruar aktivistësh dhe zyrtarësh të lartë të LDK-së që për momentin janë të paangazhuar po, posedojnë potenciale të mëdha vepruese në terren. Po, edhe për një mori kuadrosh të reja që po aderojnë apo edhe po i rikthehen LDK-së.
Gjithashtu, në këtë proces që do duhej të jetë racional dhe, në asnjë mënyrë përjashtues (sepse reforma nuk eliminon, ajo vetëm legjitimon përmes votës) , ata do duhej ta respektojnë edhe pozitën momentale të liderit të partisë, Presidentit të Republikës, dr. Fatmir Sejdiut dhe, ta sforcojnë koncenzusin ndaj tij, meqë liderët as nuk krijohen e as nuk rriten brenda natës,  duke e bindur anëtarësisë se nuk po bëhet luftë për lider tjetër po, për një veprim tjetër dhe tepër të ndërgjegjshëm, shoqëruar edhe me vizion të ri, me program që përputhshet  me realitetet e krijuara në Kosovë dhe përcaktimet ideologjike si dhe me strukturë të re që do del në fund përmes një procesi të rregullt zgjedhor, proces i ndërtuar në qëndrime, kritere dhe votë demokratike.
Në tëra këto veprime, qasja e LDK-së do duhej të pësojë ndryshime edhe në raport me oponentët politikë  me të cilët do përballet nesër në procese tjera politike.
LDK-ja duke verifikuar qartë përcaktimin e saj politikë në rrjedhat e reja kosovare, do të vihej në ballë të së djathtës politike kosovare dhe do t’i ridefinonte raportet me oponentët e përafërt  politikë si dhe do krijonte distancë të qartë me oponentët tjerë që i përkasin tjetrës linjë  politike.
Me këtë, ajo do ta përgjysmonte oponencën e saj politike, do diktonte në masë të mirë edhe një imazh të ri mediatik. Sepse, me reformimin e LDK-së, pashmangshëm do reformoheshin dhe profilizoheshin edhe partitë tjera e, me këtë edhe vetë mediat, të cilat ose do të përcaktohen krejtë të pavarura ose do të tregonin më qartë se në cilën strehë partiake struken.
Më parë se të themelojë  ndonjë medium të vetin, LDK-ja mund t’i përforcojë  mekanizmat informativë e propogandues që i ka brenda vetes si dhe të formulojë një qasje të re dhe tepër të diciplinuar me mediat , të cilave do t’ua respektonte deri në fund pavarësinë po, edhe do t’i saknsiononte në shpifjet dhe fushatat që mund t’i ndërmarrin ndaj saj, Krejt sipas një normeje ligjore. Po, duke hequr dorë për t’u bërë mish për top nëpër tytat e tyre. Tyta që bazën e kanë tek oponenca e saj politike.
LDK, si partia më e madhe politike për një kohë të gjatë e ka rastin më të mirë që, përmes kësaj Pakoje reformuese dhe një procesi normal që do duhej shtrirë deri në vijat e fundme horizontale, njëmend të rikthehet atje ku e kishte vendin dhe ku e meriton.
E gjithë zhurma, sidomos kjo mediake, që vie kryesisht prej atyre oponentëve politikë që janë edhe konkurentët më të mëdhenj të saj në skenën politike dhe, që mjerisht ju frikësohen reformave në LDK (sepse këtë e kanë dëshmuar në vazhdimësi), do ta  ulin tonin e zhurmës  dhe çirrjeve posa ky proces të nisë e të ecën drejt, ashtu edhe  si pritet.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora