Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Koncerti në kishën e Sakrë-Kër të Gjenevës

| E marte, 24.03.2009, 08:50 PM |


Koncerti në kishën e Sakrë-Kër të Gjenevës

Nga Alfred Papuçiu

S’ka shumë kohë që isha ftuar në kishën e Sakrë-Kër për një koncert , të realizuar nga Koralja Ibéro amerikane në Gjenevë. Grupi i 36 koristëve të 18 kombeve quhet « Kantares ». Ai drejtohet nga Alfredo Lavalley, qysh nga nëntori 2000. U mrekulluam nga këngët e të gjithë koristëve, (përfshirë dhe mikeshën tonë Karolinë dhe të shoqin tepër human Michel Porcher), që na shpinte në një botë hyjnore, të qetë, plot emocione dhe dashuri për njëri tjetrin. Ne dëgjuam këngët tradicionale meksikane, këngët popullore argjentinase, portorikene, braziliane, venezueliane, kolumbiane, peruane. Cdonjëri nga ne duartrokiti këtë grup të mrekullueshëm.
Mendoj se është një arritje për Zvicrën dhe sidomos për Gjenevën multietnike që në sajë të mirëkuptimit të autoriteteve kantonale apo federale, grupet artistike të popullsive që vijnë nga katër anët e botës mund të shprehin kulturat, këngët e tyre : qoftshin portugeze, spanjolle, shqiptare, franceze, afrikane, arabe etj. Ata kanë të gjitha të drejtat për të krijuar grupe artistike, siç janë grupet artistike shqiptare që shpesh na japin shfaqje në sallat më të mira të Gjenevës. Apo fëmijët e tyre ose ata vetë mund të ndjekin kurse në gjuhën amtare në Universitetin Popullor shqiptar, në Bibliotekën Ndërkulturore të Kryqit të Kuq të Gjenevës, në « Camarada » etj. në Gjenevë. Ata kanë libraritë e tyre ku mund të gjejnë libra dygjuhësh, si edhe në gjuhën e tyre amtare. Personalisht, kam dhënë ndihmesën time modeste për integrimin e shqiptarëve në Zvicër : kam realizuar me profesoreshën Francine Koch përmbledhjen dygjuhëshe  shqip dhe frëngjisht: « Fëmija shqiptar me sy të zinj », « Përrallat e Zvicrës » (dygjuhësh shqip dhe frëngjisht) të akademikut, shkrimtarit dhe profesorit shqiptar të pedagogjisë dhe psikologjisë Bedri Dedja, si edhe « Karruzelin e ëndrrave » të shkrimtares zvicerane, Marie-Luce Dayer në shqip. Me shkrimtaren zvicerane jemi duke përgatitur një vëllim tjetër dy gjuhësh me tregimet e saja të bukura që përfshijnë edhe motive shqiptare. Ajo është edhe profesoreshë në një kolegj dhe ka shumë nxënës shqiptarë.
Të gjithë popujt që jetojnë në Gjenevë, në sajë të legjislacionit, edhe pse janë natyralizuar zviceranë, për të cilën ata i janë mirënjohës Zvicrës, mund të ruajnë nacionalitetin e tyre të vendit nga kanë ardhur : atë italiane, spanjolle, afrikane, etj. Pra, ato kanë të drejtë të kenë dyshtetësinë, fëmijët e tyre mund ta dijnë se nga vijnë dhe cila është prejardhja e tyre, një mundësi që nuk është e zakonshme në vende të tjera të botës. Një ditë, këta fëmijë mund të vendosin të kthehen në vendet nga e kanë prejardhjen, si edhe të qëndrojnë në Zvicër. Bravo për Gjenevën, një qytet ndërkombëtar, i qetë dhe i begatë, një qytet i turizmit, i bankave, por që pret gjithashtu në gjirin e vet mijra të huaj që punojnë dhe jetojnë aty në harmoni.