E enjte, 28.03.2024, 08:11 AM (GMT)

Kulturë

Luis Ejlli: Çmimi më tremb për garën e madhe

E merkure, 21.12.2005, 08:24 PM


Luis Ejlli
Fituesi: Qëllimi ynë të preknim Eurovizionin

Si në çdo garë, ku synimi i vetëm është çmimi, e tillë ka qenë edhe për fituesin e sivjetshëm të festivalit të këngës.

Pse jo, pas çmimit vjen Eurovizioni, një arsye më shumë për t'u përgatitur siç duhet dhe për të bërë për vete jurinë. Këtë herë ka qëlluar tamam në shenjë. Një këngë më shumë, një gajde, një trupë shoqëruesish me motive labe, një veshje popullore dhe pak atmosferë gjatë debutimit. E ç'duhej më tepër që juria ta përzgjidhte më të mirin. Në fakt edhe vetë djallëzori 20-vjeçar Luiz Ejlli, jo pa qëllim ka përzgjedhur "Zjarr e ftohtë", një këngë që mbërthen fort, me të cilën do të paraqitet në Eurovizion 2006, në Greqi. Por një ditë pas emocioneve të çmimit është ndryshe për fituesin e "Etheve…". Ka filluar të ndiejë ethet e para, edhe pse gara e madhe ndërkombëtare është në prill të vitit të ardhshëm. Kjo e bën që të harrojë "qejfet" e t'i futet punës me kokë. Aq më shumë trembet kur mendon se do të përfaqësojë Shqipërinë. Megjithatë nuk e ka lënë pa zgjidhje dhe këtë gjë, do të marrë mendimin e para-ardhësve Anjeza Shahini e Ledina Çelo, por sigurisht s'do bëjë si ato. Do mundohet për më shumë. Të paktën këtë mundohet t'i vërë qëllim vetes. Ja si i shpjegon për gazetën "Panorama" të gjitha këto emocione e ankthe, një ditë pas marrjes se çmimit të parë në edicionin e 44-t të këngës, Luiz Ejlli.

Dy vitet e para që merrni pjesë në festivalin e fundvitit dhe në të dy jeni vlerësuar me çmime, vjet çmim të dytë, sivjet çmim të parë. Si e komentoni këtë sukses?
Po ta shohësh nga çmimet, duke parë edhe ngritjen që është bërë gradualisht është mirë. Të them të drejtën më është bërë shumë qejfi, por tani që jam më i qetë se dje dhe që gjithçka mbaroi, jam më në tension, duke marrë parasysh se atë që më pret dhe punën e madhe që do bëjmë më pas. Dua të them se nuk do të kemi më kohë e mendje për qejf. (Qesh)

Si lindi bashkëpunimi juaj me regjisorin e ri, Klodian Qafoku?
Kam bërë një këngë më parë me të, me të cilën jam prezantuar te "Mikrofoni i Artë". Dua të them se asaj paraqitjeje nuk i kushtuam shumë rëndësi, ishte më tepër një provë e jona. Ndërsa për këtë pjesëmarrje në Festivalin e 44-t të Këngës në Radio-Televizion Klodiani më paraqiti këngën, të cilën unë e pëlqeva dhe e pranova.

Në këngën tuaj kishte frymë tradicionaleje. Ishit përgatitur për në Eurovizion?
Të them të drejtën ishte ide e kompozitorit, që në këngë të vihej më shumë theksi te gajdet e isopolifonia, por të mos harrojmë këtu edhe pretendimet e mia për të bërë një gjë sa më të bukur. Dhe them se doli ajo që prisnim. Por po të flasësh për çmim, të thuash të vërtetën çdokush që ka hyrë në këtë festival ka hyrë për të marrë çmime, pasi edhe vetë gara është e tillë. Çdokush i jep kurajë vetes për të dalë mirë, pavarësisht se është fundi. Por unë dua të them se më ka ndihmuar shumë publiku, me duartrokitjet e tij natën e parë, pasi më hoqi emocionet për natën finale.

Sa keni punuar për të?
Për të realizuar këtë këngë është bërë një punë e madhe. Por po ta krahasosh punën e kompozitorit Klodian Qafoku me punën time janë krejt larg njëra-tjetrës. Ishte merita e tij, që punoi fort dhe për shumë kohë në realizimin e këngës "Zjarr e ftohtë". Në fakt nuk ishte këngë e vështirë për t'u interpretuar, por e vështirë ishte ta bënim atë të kuptueshme për të tjerët, pasi aty përfshiheshin motivet e të trija krahinave, Shqipëria e Veriut, Shqipëria e Jugut dhe ajo e Mesme.

"Zjarr e ftohtë", një tekst plot pasion i Dr. Florit. Një bashkëpunim i ri dhe i frytshëm. Çfarë vlerësuat tek kjo poezi?
Eshtë një tekst i Dr. Florit. Po ta dëgjosh me vëmendje këtë këngë, do të kuptosh se bëhet fjalë për një lojë dashurie, pavarësisht nga titulli i këngës, paksa kontradiktor "Zjarr e ftohtë". Bëhet fjalë për lidhjen e një çifti, ku tekat e vajzës shkojnë në maksimum, edhe pse i janë plotësuar shumë dëshira. Sërish ajo gjen shkak për t'u larguar, por edhe pse në largësi nuk ngurojnë t'i thonë njëri-tjetrit "të dua". Eshtë shumë tërheqëse si këngë dhe plot mesazh.

Sa afër me tekstin është vetë Luizi?
Jam komplet brenda.

Pas kësaj gare ju pret një tjetër edhe më e madhe, përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovizion.
Eshtë diçka shumë e vështirë, sepse nuk është gjë e vogël të përfaqësosh Shqipërinë në këtë eveniment ndërkombëtar. Më erdhi mirë që publiku në natën e parë të festivalit më priti mjaft mirë dhe theksoj se do t'ia kthej këtë mirënjohje gjatë spektaklit në Athinë.
Duket se e keni marrë me frikë…
Frika në këtë rast njehsohet me emocionin, nëse s'ka frikë, s'ka emocion, pa emocion, s'ka spektakël, pa spektakël s'ka këngë dhe pa këngë nuk ka çmim. Dua të them se është një ndjenjë, të cilën nuk e kam provuar më parë, por tani që po e përjetoj pak nga pak emocionet po më ikin, duke marrë parasysh atë punë gjigante që duhet bërë, por do bëj mirë të konsultohem me Anjeza Shahinin dhe Ledina Çelon, që e kanë provuar më parë këtë eksperiencë. T'i pyes ku duhet të ruhem dhe çfarë duhet të kem parasysh.

"Karagjozi" i suksesshëm

Ka dy vjet që është ngjitur në skenën e madhe të këngës. E nisi me "Ethet" e para në 2003, ku u skualifikua për herë të parë. Një vit më vonë, edhe më i rritur, djaloshi Luiz Ejlli rrëmben çmimin e parë në edicionin e dytë të garës së madhe të Këngës së të Rinjve. Vitin e kaluar pas sprovës dhe vlerësimit në konkurs mendoi të ngjitet në skenën e festivalit tradicional të fundvitit. Edhe më shumë talent. Prek vendin e dytë të edicionit të 43-të të Këngës në RTSH. Këtë herë nuk kishte mbetur gjë tjetër veç çmimit të parë, i cili e bëri atë të prekë njëherësh dhe garën ndërkombëtare Eurovizion 2006. Dhe tek e pyet çfarë vlerësoi juria këtë herë te pjesëmarrja e tij, plot siguri shprehet; belin dhe brezin e kuq.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora