E merkure, 24.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Idrizi: Cikël me poezi?

E hene, 23.03.2009, 08:11 PM


Sabit IDRIZI u lind më 16 shtator 1955 në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Deri më tash ka botuar këta libra:

1. Pesha e fundshekullit, poezi, 1995
2. Përderisa është e martë, poezi, 1997
3. Diell me dhëmbë, poezi, 1998
4. Finalja e zhgënjimit..., ditar, 2000
5. Mbretëresha është gjallë, poezi, 2006
6. Zarfi, roman, 2008

Përveç çmimeve tjera letrare, Sabit Idrizi ka marrë edhe çmimin letrar në nivel gjithëkombëtar “Kostandin Kristoforidhi”, i cili jepet në Elbasan. Që nga mbarimi i luftës është shef i Sektorit të Kulturës në komunën e Mitrovicës, punë të cilën e kryen edhe tash. Tani e shtatë vjet me radhë është edhe kryeredaktor i revistës letrare Fjalë e valë, të cilën e financon Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, e të cilën e nxjerr Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”. Është redaktor, recensent apo redaktor gjuhësor i mbi 60 librave të autorëve të ndryshëm. Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin anekënd trojeve shqiptare. Që nga viti 1997 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Mitrovicë.

Adresa elektronike: sabit_r_idrizi@yahoo.com

Për adhuruesit e nderuar të poezisë, në vijim po  publikojmë disa nga poezitë ende të pabotuara të Sabit Idrizit:
 

KA KOHË

Ka kohë që përpiqem për t’ju thënë diçka
Diçka për kurrgjënë, diçka për gjithçka

Ka kohë që n’shurdhësi po m’përplaset fjala
Për do kohë të mira, për do kohë t’përdala

Ka kohë që po pres të ma vëni veshin
Ju që iu ka dalë tambli mbi përsheshin

S’di pse ndiej nevojë për ta thënë një fjalë
Se ende s’kam vdekur, se ende jam gjallë

S’di pse ndiej nevojë t’më dëgjoj dikush
Kur thellë brenda meje diçka djeg si prush

Ka kohë që jam mbyllur n’timen dashuri
Lamtumirë o fjalë, lamtumirë njerëzi...

PËRDITSHMËRIA

Më tmerron, më çmend kjo njëjtësi
Që nesër do të kthehet në mall
Në dashuri...

PRAPË

Prapë diqysh si tym
Diqysh si mjegull
Edhe pas gjithë asaj stuhie

Prapë diqysh si natë
Diqysh si terr

Dikush këtu prapë po ma vjedh diellin

VËLLAZËRISHT

Për hir të paqes
(Që aq shumë i duhet këtij vendi të shumëvuajtur)
Hisen time të Atdheut
Sërish ma vodhën pronarët e lirisë

E shoh përditë kah e bartin poshtë e përpjetë
Me vetura luksoze
Ata me të cilët dikur u morëm vesh ndryshe

Nga gjithë ato ëndrra të përbashkëta
Që dikur i ushqenim vëllazërisht
Sërish vëllazërisht më ra hise skamja

Edhe ajo e pafytyrësisë, natyrisht...

POROSI

Përpiquni që ta kapni në horizont rrezen e parë të diellit
E ta shpërndani gjithandej nga ka natë

Përpiquni që ta prisni në qepallë pikën e parë të vesës
E ta derdhni gjithandej nga ka etje

Përpiquni që ta bluani në shuplakë kokrrën e parë të pjekur
E ta gatuani gjithandej nga ka uri

Përpiquni që kurrë të mos ketë urrejtje
Përpiquni që përherë të ketë dashuri

LIRIA

Liria është e drejta që të mos kesh kurrë të drejtë
Ta bësh pazar diellin

Ajo është gjithçka e mirë që e dëshiron
Edhe për atë tjetrin

Liria është vënia e dorës në zemër
Kur të vjen në shteg të bësh çka të duash

KËRKOJ TË ZHVILLOHEN HETIME

E di
Të gjitha fajet për vdekjen time
Do t’m’i shkarkojnë aty tek varri

Eh, i shkreti
Do të thonë
E mbyti veten për kurrgjë hiç

Dhe do të kthehen ashtu pikëllueshëm
Për t’ia hëngër sërish mushkëritë
Ndonjë poeti

PA IDENTITET

Ju mund të më vidhni diçka nga lashtësia ime e heshtur
Siç vidhej dikur Pema e Ndaluar në Kopshtin e Praruar të Edenit

Ta vendosni në ballë si mëkatin që s’falet
Dhe të niseni përpara ashtu hajnisht

Mund të ecni ashtu me shekuj
Me mileniume mund të ecni

Dhe vetëm kur të mbërrini atje ku s’mbërrihet kurrë
Do ta kuptoni se sa pak keni ecur
Brenda vetvetes suaj të rreme

DIALOG ME NJË PUSHTETAR

Tha:

- Thonë se poetët jetojnë vetëm pas vdekjes.

- Po, ia ktheva. - Prandaj ne i mbysim ata përditë nga pak.

RRUGËTIM

Të gjithë e dimë se cili është fundi
Dhe prapë ngutemi andej nga ai cak

Në fillim diqysh krejt ëndërrt
Krejt shtruar e marrim këtë rrugë

Dikur ngadalë nis e na lodhet pritja

Nis e na lodhet çasti i mbërritjes diku

Pastaj fillojmë e i shfletojmë përmallshëm ditët
I shfletojmë përmallshëm kohët e lëna peng

Përmallshëm kërkojmë diçka të fshehur
Diku atje krejt përtej tyre

Kërkojmë diçka që kurrë nuk e dimë çka është

ATDHEDASHURI NË DY VERSIONE

Deri kur dysh-dashuri
Ju kafsho, unë vjell mushkëri 

SOT

(17 Shkurt 2008)

E ngjeva penën në buzëqeshjet e vonuara të fëmijëve
Dhe e shkrova vargun më të bukur për dritën

I përzjeva ngjyrat e të gjitha puthjeve të zjarrta
Dhe e pikturova ylberisht dashurinë më të virgjër

I vesova lotët e të gjitha nënave zemërplasura
Dhe e kompozova himnin më të dhembshëm për diellin

E mpreha daltën e ndryshktë në kujtimet përvëluese për të rënët
Dhe e latova shtatoren më të lartë të krenarisë

I mblodha të gjitha ëndrrat e plagosura
Dhe e qëndisa kurorën e amshuar të lirisë

KA DIELL PËR TË GJITHË

(Shkruar më 17 shkurt 2008)

Asgjë e jashtëzakonshme, biri im
Dielli lindi

Në gjoksin tënd të njomë
Në ballin tënd të hapur
Po dritëson

Merre hisen tënde të qiellit
E qëndisi shekujt e dashurisë
Me rreze

E as mos ia lë
E as mos ia merr kujt kurrë

DIÇKA MË KUJTOHET

Më 21 mars 2008
Në bibliotekën e qytetit tim
Para disa dhjetëra dashamirëve të letërsisë
I pata lexuar dy poezi të shkruara më 17 shkurt

- Sihariq!!!
M’u drejtua dikush
Me të mbaruar manifestimi
- E ndaluan sërish revistën letrare të qytetit

- Jo, bre!!!
Kisha pas klithur
Dhe kisha pas dalë nga vetja
Krejtësisht...

Ishte Dita Botërore e Poezisë
Muaji i Dytë i Pavarësisë

GJUHË SHIKIMESH

I vjedhim diçka njëri tjetrit me nga një shikim të vetëtimtë
Për çdo ditë pune aty përballë Stacionit të Autobusëve
Ku takohemi “rastësisht” mëngjeseve të hershëm

Por as përshëndetemi kurrë, as prekemi ndonjëherë
As puth buzë të saja, as ledhatoj bel
Ndaj kjo gjuhë shikimesh, vallë, ç’ka që gërryen kaq thellë

KULLOTËSIT E ATDHEUT

Dikur
I përpija vuajtjet si pilula veremi
Për hir të do rrezeve të praruara që na takonin këtu

Tash
Me mushkëri të thithura frymoj mbi këtë dhé
Me do grykës të mjerë që kullosin atdhe

SHQETËSIM

Kemi filluar të hamë me sy
E të shohim me tyta
Në këtë xhungël zorrësh

Të duam me xhepa
Të urrejmë me bark
Kemi filluar

Kaherë s’kemi qeshur me shpirt
S’kemi qarë me zemër

Kah kështu, o Tokë?!
Kah kështu pa kokë?!

KOZMETIKË

Sa shëmtitë
Sa qelbësirat fshihen
Pas kësaj perdeje të aromtë
Plot ngjyra

FËMIJËVE TË MI

Këmbëkryq tek dera ua lash zanatin e skamjes
Dhe të drejtën për ta shikuar atdheun
Përherë në sy

POEZI

Të pafatët s’të kuptojnë
Të marrët çmenden pas teje
Të çmendurit të krijojnë

LAMTUMIRË E DASHUR

Vetëm kështu të braktisur
Nga jeta ime prej ëndrrash
Të shoh ashtu siç je

As Mollë e Ndaluar
Që joshë për kafshim
As ethe drithëruese
Në gjoksin tim

Je veç një hije
Që s’ekziston pa diell
Për diell s’më deshe
Tash lamtumirë

DASHURI NË VENDLINDJE

E shtrij brishtësinë e gruas së përndeztë
Në ashpërsinë e gurtë të vendlindjes sime
Dhe bëj dashuri

Deri në shterje
Deri në përjetësi
Do të përpëlitem këtu
Midis këtyre dy shemrave paqësore

Qykë –

Edhe kjo koka ime e malësortë



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora