E premte, 03.02.2023, 09:57 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Stili ''Tallava'' në jetën tonë muzikore

E hene, 23.03.2009, 11:10 PM


Gjurmëve të traditës sonë muzikore

STILI “TALLAVA” NË JETËN TONË MUZIKORE

Nga Demir KRASNIQI

Stili i muzikës “Tallava” është krijesë tipike autoktone e muzikës tradicionale jevge , stil ky , që e ka prejardhjen që nga Bashkësia e Parë Primitive . Vet nocioni i emërtimit :”Tallava” , është një shprehje jevge , që ka kuptimin :”Tollovi” , e që nënkupton krijimin e një ahengu , apo atmosfere tollovie , ku nuk dihet fare se çka do të këndohet , çka do të interpretohet me instrumente muzikore dhe çka do të vallëzohet?!
Shprehur thjeshtë, muzika , këndimi dhe vallëzimi “Tallava” është shumë i afërt me atë proverbin popullor:”Nuk dihet kush ha, kush pi, as kush paguan”!
 Kjo do të thotë: këndo çka të vjen për goje , improvizo çka të vjen për dore dhe vallëzo çka të vjen për këmbe !
 Karakteristikat e këtij stili të muzikës dhe këndimit janë si vijon:
1. Ritmet e këngëve dhe valleve të këtij stili , janë shumë të thjeshta , të lehta , të kapshme për të gjitha moshat dhe gjinitë , qoftë për vallëzim, qoftë për këndim . Ato ritme , bazohen kryesisht në dy masa të thjeshta kohore dhe atë: 2/4 dhe 4/4 .
2. Meloditë e këngëve dhe valleve të këtij stili , janë shumë të thjeshta , pa ndonjë zhvillim të theksuar melodik , diapazoni i të cilave rrallë herë e tejkalon intervalin e kuintës . Ato melodi bazohen vetëm në një stil dhe më tepër kanë karakter të lirë improvizues , në bazë të disponimit momental shpirtëror të solistit vokal , apo interpretuesit instrumental , të cilët orientim kryesor i kanë “gazelet” e vendeve orientale dhe rome .
Këto melodi dhe ritme , qofshin vokale , apo instrumentale , janë shumë të përshtatshme për vallëzime të përbashkëta te të dy gjinive dhe te të gjitha moshave , që i ngjajnë një treni të përmbushur përplot me udhëtarë të cilët udhëtojnë gjatë tërë natës mbi të njëjtit binarë, pa u shmangur asnjëherë prej tyre.
3. Tekstet e këngëve të stilit “Tallava”, janë shumë të thjeshta , të shkurtra , pa ndonjë porosi , pa koncept, apo qëllim të caktuar . Ato krijohen aty për aty , nga ana e solistit vokal , i cili kryesisht bazohet në disponimin momental të masës dhe personazheve më interesante të atij mjedisi shoqëror . Ka madje , raste, kur solisti vokal e kalon një kohë të gjatë të ahengut , duke i kënduar dhe përsëritur në vazhdimësi vetëm nga dy – tri rrokje , apo fjalë , të cilat nuk kanë kurrfarë kuptimi , rime , as metri muzikor, si për shembull :

“Of! Of! Of! Aman, aman!
Aman, aman !Of!Of! Of!”...

 Stili i muzikës “Tallava” , në skenat , ahengjet dhe tregjet e muzikës shqiptare , filloi të lulëzoi , fill pas përfundimit të luftës së viteve 1998, 99 , kur mendohej se vendi është demokratizuar , krijimtaritë dhe shprehjet janë liruar nga censurat e hekurta të ideologjisë komuniste dhe mendohej se në shoqërinë demokratike , njeriu mund të bëjë gjithë çka të dojë, mund të shprehet , të krijojë dhe të këndojë gjithë çka t’ i teket dhe gjithë çka të dojë ?!
 Në anën tjetër , populli ishte lodhur me shumë shekuj e dekada , duke dëgjuar vetëm këngë që i nxehin gjakrat , në stilin:”E vrau , e preu , e griu”!...ku në këngët e këtilla , nuk kishte vend për disponim , argëtim e vallëzim .
Duke dëgjuar këngë të këtilla , njerëzit shumë herë i nxinte gjumi nga monotonia që krijohej aty për aty .
Kjo dukuri , ishte më e shprehur nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore , po edhe nëpër restorante të ndryshme publike .
 Tradicionalisht , në dasmat dhe ahengjet popullore shqiptare , janë kultivuar tri lloje të valleve :
1. Valle të rënda burrash ,
2. Valle të grave dhe
3. Valle të përziera, apo të përbashkëta .

Vallet e rënda të burrave janë kultivuar ekskluzivisht në meset dhe ahengjet ku kishte vetëm meshkuj . Edhe vallet e grave , kultivoheshin ekskluzivisht në ahengjet ku bota femërore ishte e izoluar larg syve të botës mashkullore . Vallet e përziera , apo të përbashkëta fillojnë të kultivohen shumë më vonë , në botën e civilizuar, të arsimuar dhe të qytetëruar , sidomos në qendrat e mëdha urbane .
 Stili i muzikës “Tallava”, vjen mu në fazën e parë të këtij qytetërimi , në kohën kur dasmat dhe ahengjet popullore fillojnë të organizohen  nëpër salla e restorante , me gjini të përziera . Andaj, në ambientet e këtilla, dukej absurd i kohës që femrat të vallëzojnë ndaras e meshkujt ndaras !
 Meshkujt , nuk ishte e natyrshme që t’ i vallëzojnë vallet e femrave, por as femrat që t’ i vallëzonin vallet e rënda të burrave, sidomos ato me karakter luftarak .
 Kështu që, stili “Tallava”, ua mundësonte kushtet normale, që të vallëzojnë të gjithë së bashku , pa ndonjë lodhje e problem të madh .
 Pa dyshim, se në futjen e stilit të muzikës “Tallava” , në jetën tonë të përditshme muzikore , kanë pasur gisht edhe disa indikatorë të tjerë “të pa dukshëm”, të cilët me çdo kusht , janë angazhuar që tradita jonë muzikore të harrohet duke i lënë anash këngët tona tradicionale dhe ato valle aq të begatshme , të cilave shumë kush nga bota ua kishte lakmi dhe zili !
 Në këtë kontekst , nuk mund të thuhet se futja e stilit të muzikës “Tallava”, në jetën tonë muzikore , nuk ka edhe ndikime ideo politike !
 Në kohën kur Kosovën e bashkëqeverisin 54 shtete nga mbarë globi tokësor , nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara , atëherë në skenë na dalin njerëz servil , të cilët përmes artit dhe kulturës , mundohen që të tregohen para botës, si “njerëz të civilizuar”,”bashkëkohorë” , “të dëgjueshëm”, “universal” dhe “simpatizantë “ të stileve të huaja muzikore , por gjithnjë duke i degraduar dhe nënçmuar vlerat e kulturës sonë tradicionale kombëtare !
 Me një fjalë, porosia finale e stilit të muzikës “Tallava”, është bastardim i vlerave të mirëfillta të këngëve dhe valleve tona popullore , nëpërkëmbja e tyre , harresa dhe qitja graduale e tyre prej përdorimit, repertorit dhe programit .
 Interpretuesit që e preferojnë më tepër këtë stil të mjerë, janë pikërisht ata njerëz, të cilët janë shumë larg talentit dhe vlerave të mirëfillta artistike që i posedojnë këngët dhe vallet tona tradicionale .
 Ata, të cilët nuk kanë vesh,  shije , as aftësi për t’ ua mësuar tekstet dhe meloditë e këtyre këngëve dhe ata që nuk kanë diapazon të zërit për t’ i interpretuar ato këngë me ritmet dhe meloditë e begatshme që i posedojnë .
Të njëjtën gjë e bëjnë edhe instrumentistët, të cilët nuk janë të aftë që të ushtrojnë , t’ ua mësojnë meloditë origjinale këngëve dhe valleve tradicionale dhe nuk ua kapë veshi as ritme e tyre të rregullta dhe të kombinuara !
 Stilin e  muzikës “Tallava” , e preferojnë pseudo – këngëtarët dhe pseudo – muzikantët , të cilët nuk i nxitë dashuria ndaj këngës dhe artit të muzikës , por që i nxitë lakmia dhe ëndrra për të fituar para në mënyra të pa merituara .
 Pra, këngëtarët e këtillë e kanë shumë më lehtë të bërtasin gjatë tërë natës , duke recituar fjalë banale nga zhargoni i rrugaçërisë dhe citate të çoroditura pa fije kripe, se sa të këndojnë melodi e tekste të kultivuara artistike .
 Po edhe instrumentistët e kanë shumë më të lehtë , që ta kurdisin vetëm një ritëm muzikor , vetëm një shkallë muzikore përmes një suste automatike të sintisajzerit , se sa t’ i hulumtojnë aftësitë dhe mundësitë teknike , melodike e ritmike të instrumentit në të cilin luajnë .
 Indikatori tjetër , i kësaj dukurie shëmtuese në muzikën tonë , pa dyshim se është futja në përdorim e instrumenteve sintetike , për të cilat shumica e instrumentistëve nuk e njohin teknikën e manipulimit me to , mundësitë melodike dhe ritmike që afrojnë ato !
 Kështu që , me mosnjohjen e këtij instrumenti , na imponojnë një ritëm – makinë monotone , e cila më tepër i përngjet binareve të trenit , prej të cilave as se si nuk mund të largohet treni . Bashkë me trenin , duhet të adaptohen edhe udhëtarët të cilët kushtimisht duhet të udhëtojnë me te !
 Në futjen në përdorim masiv të instrumenteve sintetike , ka ndikuar shumë edhe lakmia  për përfitime më të mëdha materiale . Pra, leverdia financiare , nga se ky instrument mund t’i zëvendësojë disa instrumente tjera .
 Kështu që , rrallë herë mund të shohim në skenë grupe e orkestrina të kompletuara si dikur ! Në ditët e sotme , mund ta shohim një sintisajzerist, një klarinetist dhe solistët vokal .Bile, në shumë raste ka fillua të hiqet nga përdorimi klarineta dhe në vend të tij, na i shurdhojnë veshët me saksofona , të cilët në mënyrë origjinale na e japin ngjyrën e muzikës rome .
Kjo ndodhë për shkak të interesave materiale, sepse në vend se të ndaheshin të ardhurat e fituara në më shumë instrumentistë, tani do të ndahen vetëm në dy – tre vende .E sa i përket vlerave , kjo nuk ka rëndësi aspak për instrumentistët e tillë .
 Kultivimin dhe mbajtjen gjallë të muzikës së stilit “Tallava”, e mundësojnë dhe e sponzorojnë një kategori e njerëzve egoistë , që ushqehen me dashurinë ndaj vet- vetës, skizofrenë të cilët i shfrytëzojnë dasmat dhe ahengjet e të tjerëve , për t’ u  afirmuar e eksponuar para masës së dasmorëve , se gjoja , ata janë shumë të pasur , kanë shumë para , kanë kushte të mira jetësore dhe janë adhurues të flakët të këtij stili !
 Të tillët , e uzurpojnë grupin muzikor dhe këngëtarët , duke iu dhënë shumë para “bakshisht” dhe duke ua imponuar me porosi këndimin e këngëve “Tallava”!
 Njerëzit e këtillë , janë të prirë dhe të sëmurë, që edhe qindarkën e fundit t’ ia  nxjerrin nga xhepat dhe t’ ua hedhin muzikantëve , vetëm e vetëm që atyre , përmes mikrofonit t’ iu përmendet emri sa më shumë që është e mundur !
 Madje, ata kërkojnë nga këngëtarët që t’ iu thurin këngë e vargje aty për aty , duke ua përshkruar dhe lavdëruar bukurinë , rrobat, këpucët , stilin e veshmbathjes , tipin e veturës, mënyrën se si ata vallëzojnë , si dhe tiparet tjera të karakterit dhe jetës së tyre private ! Kjo bëhet me të vetmin qëllim, që personat e këtillë , të reklamohen brenda atij rrethi dhe të afirmohen se gjoja, vetëm ata paskan para dhe ditkan se si duhet jetuar ?!
 Me këndimet e këtilla , në vend që t’ iu këndohet figurave më të shquara historike e patriotike , heroizmave të kombit, si që ishte dikur traditë tek ne dhe në dasmat tona , tani në stilin “Tallava”, krijohen figura “heronjsh” dhe “patriotësh” aty për aty, duke ua rritur mendjen atyre , që iu qesin para të majme këngëtarëve dhe instrumentistëve muzikor . Në anën tjetër , me këndimin e këngëve të këtilla , mundohen që t’i nxisin edhe dasmorët e tjerë , që të ju qesin sa më shumë para “bakshisht”!
 Pra, kënga dhe muzika e stilit “Tallava” , nuk paraqet asgjë tjetër në artin tonë popullor , pos një varfëri dhe primitivizëm të  shfrenuar kulturor . Varfëri krijuese, interpretuese , shpirtërore dhe morale, që nuk ka art, kuptim as porosi edukative .
 Aq më tepër , ky stil muzikor , nuk afron argëtim, disponim, as frymëzim tek masa e njerëzve të civilizuar, të arsimuar, të emancipuar dhe të kulturuar .
 Stili i muzikës “Tallava” , është stil që i kthen njerëzit në botën e Shoqërisë së Parë Primitive , por me interpretimet e lira në stilin e “gazelave” të vendeve orientale dhe rome , shpesh herë na e rikujton edhe stilin e muzikës së xhazit  të zezakëve të Afrikës së Jugut .
 Andaj, me krijimin e shtetit ligjor , me funksionimin e institucioneve shtetërore të kulturës , me funksionimin e ligjeve dhe mediumeve të mbikëqyrura publike , të gjitha këto dukuri dhe antivlera , do të përfundonin në kontejnerët e mbeturinave historike, kurse kultivuesit e tyre , do të përfundonin në bankat e të akuzuarve, para gjykatave kompetente dhe prapa grilave të burgut .



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora