E premte, 19.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Teuta Koço: Mbesa e Tefta Tashko Koços, këndon në Nju-Jork

E premte, 14.04.2006, 09:23 PM


Teuta Koço është sopranoja e re shqiptare, që me zërin e saj do të nderojë komunitetin shqiptar në Nju-Jork në datën 3 shkurt 2005. Teuta nuk është thjeshtw një soprano shqiptare, ajo është gjithashtu vajza e dirigjentit të mirënjohur shqiptar Eno Koço dhe mbesa e Tefta Tashko Koços. Tradita e vjetër muzikore e familjes Koço merr trajtë moderne nëpërmjet zërit të Teutës dhe aktiviteteve të saj, që nga sallat e Francës tek filmi hollivudian që ajo po xhiron momentalisht në Londër dhe së shpejti në Carnegie Hall në Nju-Jork.

Njihemi me punën e gjyshes si dhe të babait tuaj, por do dëshironim të dinim se kush është Teuta?

Teuta është vajza e Enos, mbesa e Teftës, kwshtu që e ardhmja ime ishte paksa e vendosur që në fillim. Gjithashtu unë jam një vajzë që u rrita gjysmën e jetës në Shqipëri dhe gjysmën tjetër në Angli, dhe shumë vendime të jetës si, për shembull, për të kënduar, i mora vetë. Pra, ishte fati im që të këndoj, duke patur parasysh traditën muzikore në familjen time, por në të njëjtën kohë ishte edhe zgjedhje e imja. Një kompleks ose bashkim gjërash është Teuta, diçka e trashëguar dhe diçka e krijuar nga unë vetë.

Ju momentalisht jeni në Londër, ku po realizoni një film të një karakteri të veçantë. Mund të na tregoni pak më tepër rreth këtij projekti?

Është film i një opere, i ‘Flautit Magjik' të Mozartit. Eshtë film i vërtetë në kuptimin e fjalës. M'u desh të bëja konkurse të shumta për të marrë rolin e “First Lady” ose të Zonjës së Parë dhe është një film që realizohet nga një regjisor dhe aktor i famshëm hollivudian, Kenneth Branagh. Gjithashtu incizuam operën në Abbey Road Studios, që ishte një fat i madh për ne muzikantët, nën dirigjimin e James Conland, po ashtu një emër tjetër i njohur amerikan. Momentalisht, jemi ende në fazë provash dhe në datën 18 janar fillojmë filmimin. Eshtë një eksperiencë krejt e re dhe jemi të gjithë tepër të lumturuar nga ky projekt. Filmi xhirohet në Shepherton Studios, ku janë filmuar ‘James Bond' dhe filma të tjerë të famshëm. Gjithnjë duke qëndruar në lidhje muzikore patjetër, sepse është një film i operas.

Ju së shpejti në datën 3 shkurt do të jeni pranë publikut njujorkez nëpërmjet një recitali në "Carnegie Hall", një nga sallat më të famshme botërore. Do donim të dinim pak më tepër rreth këtij recitali... Si u krijua mundësia, përse në Nju-Jork dhe çfarë shpresoni më konkretisht prej këtij recitali?

Recitali, ashtu si shumë gjëra të mira në jetë, erdhi papritur. Bëra një konkurs në Manchester, ku fitova një çmim dhe m'u dha mundësia që të shpenzoja një sasi parash në një shtet jashtë Anglisë, duke m'u hapur kështu mundësia të provoja shansin tim si këngëtare jashtë Evropës. Zgjodha një konkurs të muzikës kontemporane në Nju-Jork dhe dërgova një CD, me të cilin kalova fazën e parë. Për fazën e dytë m'u desh të shkoja në Nju-Jork dhe përfundova në finale, ku fitova çmimin e dytë. Pjesë e çmimit është një recital në ‘Weill Recital Room' në "Carnegie Hall". Këtë recital e ndaj me fituesen e çmimit të parë, Helena nga Suedia dhe gjatë gjithë përgatitjes së recitalit në Amerikë më kanë mbajtur mend si shqiptare. Pra, i gjithë publiciteti është bërë si soprano shqiptare, gjë që më gëzon pa masë, duke patur parasysh që vitet e shkollës i kam kaluar në Angli.

Dihet që Nju-Jorku është një qendër e vërtetë e diasporës shqiptare në botë dhe, patjetër që ju i prisni ata në sallë. Çfarë shpresoni prej publikut shqiptar atje?

Shpresoj, së pari, të ketë publik.... (Qesh) E di që për mua do ishte shumë nostalgjike të takoja shqiptarë të tjerë në Nju-Jork, ku nuk kam asnjë të njohur. Prindërit e mi do më shoqërojnë gjatë këtij recitali dhe shpresoj që të mbahet mend si eksperiencë si nga mua, por edhe nga familja. Eshtë një lloj krenarie për mua dhe për familjen time, duke patur parasysh që është falë babait tim që unë studiova kanto.

Çfarë përmban recitali?

Recitali përmban sigurisht muzikë kontemporane, meqë vetë konkursi ishte i tillë. Do ketë pjesë nga kompozitorë anglezë si William Walton, Nicolas Small dhe Thomas Ades. Por këndoj gjithashtu edhe muzikë kontemporane shqiptare të kompozitorëve Aleksandër Peçi, Vaso Tole, Shpëtim Kushta dhe përfundoj me një duet me sopranon tjetër. Do ketë gjithashtu edhe pak muzikë amerikane nga Bernstein, meqë jemi në Nju-Jork. Recitali do zgjasë rreth 40-45 minuta dhe do kombinojmë me sopranon tjetër, me të cilën e ndaj këtë recital.

A nuk do të ishte mirë që një ditë të realizohej një regjistrim modern i të njëjta këngëve të kënduara nga Tefta Tashko... por këtë radhë të kënduara nga ju?

Po, më ka shkuar në mendje dhe jam e sigurt që babait tim i ka shkuar edhe më tepër në mendje. Do ishte një ide shumë e mirë, por si gjithmonë, problemi është te sponsorizimi. Inçizimet nuk janë as të lira dhe as të lehta. Do duhej që të bëhej saktë dhe duhet zgjedhur repertori dhe studioja korrekte për një projekt të tillë. Të them të drejtën, kam patur shumë impenjime kohët e fundit, që kur kam përfunduar studimet dhe realizimi i një albumi të tillë me këngë shqiptare është një lloj luksi për mua në këtë periudhë të jetës sime.

Teuta, ju këndoni në Francë, Angli dhe së shpejti në Nju-Jork. Po në sallat e Shqipërisë, kur do t'ju shohim?

Kur të më ftojnë... Kam bërë dy koncerte orkestrale me babain. Mendoj se këtë vit mund të ketë një lloj bashkëpunimi tjetër. Pas një letre që i shkruajta z.Zhani Ciko, kam marrë një përgjigje shumë të ngrohtë, ku ai shprehte dëshirën e tij për të më ftuar.

Pra, jeni e hapur për Tiranën...

Po. Patjetër!

Së fundi, kur do kemi kënaqësinë t'ju shohim në sallat kinematografike, pra kur do të jetë gati filmi “Flauti magjik”?

Mendoj që do dalë midis fundit të 2006-ës dhe fillimit të 2007-ës!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora