E marte, 23.04.2024, 10:23 AM (GMT+1)

Faleminderit

Flori Slatina: Varre të thjeshtë, njerëz të mëdhenj - Tefta Tashko Koço

E hene, 23.03.2009, 09:16 PM


Tefta Tashko Koço
Tefta Tashko Koço
Varre të thjeshtë, njerëz të mëdhenj - Tefta Tashko Koço

Nga Flori Slatina 
 
Një ditë pas 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, po nisim rubrikën e re “Varre të thjeshtë, njerëz të mëdhenj”, me historinë e një prej personaliteteve tona të shquara, sopranos Tefta Tashko Koço! Kjo rubrikë e re që do të vijë një herë në javë, çdo të hënë, e cila do të sjellë në vëmendjen e lexuesit një kujtesë dhe një homazh mbi varret e disa prej personaliteteve të mëdha që kanë lënë gjurmë në artin e kulturën tonë, por që sot prehen mes njerëzve të tjerë, në varrezat publike, në varre të thjeshtë. Vendi ynë nuk ka një Panteon për njerëzit e mëdhenj, siç ndodh, fjala vjen në Francë, apo gjetkë. Anembanë vendit, nga jugu në veri, në varreza publike ku prehen prej vitesh, madje shekujsh, prehen në paqe e qetësi, me mijëra e mijëra njerëz, por ka mes tyre disa emra që nuk fshihen dot nga kujtesa e as pluhuri i kohës nuk i fshin dot.

1.

Në mesnatën e  22 dhjetor të vitit 1947, mes një ere e shiu të dendur, u fik jeta e një artisteje të shquar, një bukurie dhe një zëri të artë që s’e kishte shoqen. Nata qau me litarë shiu, ndërsa era ulëriu nga dhimbja. Mes të qarave dëgjohej edhe e qara e një fëmije të vogël tre vjeçar. Ai s’e dinte, por kishte humbur gjënë më të shtrenjtë në jetë, atë që e kishte sjellë në jetë, pas një dashurie të vërtetë.
Dimri ishte i ashpër dhe nga dimrat e rëndë që bënin atë kohë. Varfëria ishte e madhe, pasi vendi kishte pak vite që kishte dalë nga lufta.
Varrmihësit e varrezave të Bamit ishin porositur të kishin kujdes. Varrimi i radhës nuk ishte si dokudo, por kishin të bënin me një njeri të rëndësishëm. Ata kurrë nuk kishin shkuar në ndonjë koncert, por zërin ndoshta ia kishin dëgjuar. Për varrimin e artistes së madhe u kujdes vetë udhëheqja e lartë dhe pas nderimeve të mëdha që iu bënë, ajo u pre aty për afro 15 vjet. Në vitin 1962 Varrezat e Bamit u shpërngulën  prej andej dhe me një vendim të KM, një pjesë e varreve të Bamit u çuan në Tufinë, ndërsa pjesa tjetër tek varreza e re në Sharrë. Në radhën e parë të varrezave, aty ku prehen njerëzit e rëndësishëm, gjendet sot varri i thjeshtë i Tefta Tashkos.

2.

Sapo kishte mbushur 37 vjeçe, pas një karriere të suksesshme për t’u pasur zili. Para dhjetë vitesh, në 1937 ajo u njoh me baritonin me një zë të bukur Kristo Koço, dhe ky një artist i kthyer në atdhe. U martuan së bashku në 1940 dhe në 1941 nisen në Milano ku Tefta incizon disa këngë popullore. Me kthimin e tyre në atdhe në kohën e luftës, u lindi djali Eno, që mbushi jetën e saj. 
Pas dhjetë vitesh sëmundja sa vinte e po i rëndohej. Ajo i ishte rishfaqur në Itali, por që nga kjo sëmundje e rëndë ajo vuante që nga viti 1937. Shtrohet në spital, u kurua edhe në BS, falë ndërhyrjes nga lart. Edhe pse mjekët bënë të pamundurën, ajo nuk mundi të ngrihej më. Në agoninë e ditëve të fundit prit plot miq e njerëz të artit, dhe la amanet të kujdeseshin për djalin e saj të vogël 3 vjeç, Enon.

3.

Tefta Tashko (Koço) është një nga figurat më të shquara të interpretimit vokal e skenik në Shqipëri. Një simbol i bukurisë, zërit e artit shqiptar. Jeta e shkurtër e Teftës ishte mjaft aktive, e lidhur me shumë shtete, mjaft ndërkombëtare. U lind në 2 nëntor 1910 në Misir, në qytetin e vogël Fajun, pranë Kajros. I jati i saj, me origjinë nga Frashëri i Korçës, pati emigruar në Egjipt, në fund të shekullit të kaluar. Shkollën e mesme për muzikë e kreu në Montpelier të Francës. Për arsye ekonomike nuk mundi të vazhdojë menjëherë shkollën e lartë. Punoi disa kohë në një cirk të Parisit për të siguruar jetesën. Studimet e larta i kreu me sukses duke u dalluar për talentin e saj të rrallë. Rreth viteve 1935-36 kreu një kurs kualifikimi në Romë . Vitet 1935-1939 kanë qenë vite të një pune të madhe artistike të saj. Më 26 nëntor 1935, pas kthimit të saj në atdhe, Tefta jep koncertin e parë të saj në Korçë, ku korri një sukses të madh. Kjo periudhë shoqërohet me dhjetëra e dhjetëra koncerte në të gjithë Shqipërinë: në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, etj. Të shumta kanë qenë vështirësitë dhe pengesat që ka kaluar ajo në atë kohë. Ka kënduar në salla të papërshtatshme pune, që s'kishin as kushtet minimale, pa asnjë ndihmë shtetërore dhe për më tepër me humbje të mëdha financiare. Në një letër drejtuar Baki Kongolit, shkruan: "Koncerti u prit mirë me entuziazëm nga dëgjonjësit. Këngët elbasanase u pëlqyen shumë. Sukses i plotë. Kaq për anën morale. Sa për anën materiale na u desh të paguanim 37 franga ari nga xhepi për shpenzime të pianos dhe lokalit." Ajo këndoi e regjistroi dhjetëra disqe me muzikë popullore të cilat i interpretoi me dashuri të madhe. Tefta Tashko Koço kishte një zë të bukur dhe ka meritë se ajo nuk interpretoi vetëm këngë të një krahine të vetme, por të gjithë Shqipërisë. Të njohura janë këngët: "Kroi i fshatit tonë", "Dola në penxhere", "Kur më vjen burri nga stani", "Oh, ku po shkon moj goce e vogël", "Ishin dy kunata, moj zonje", "Zare trëndafile",  etj. Në këto koncerte Tefta në fillim u shoqërua nga pianisti Tonin Guraziu e më pas nga Lola Aleksi (Gjoka).

4.

Në vitet e para të pas luftës Tefta dha një sërë koncertesh në radio e në qytete të ndryshme të vendit. Për pak kohë u muar edhe me përgatitjen e talenteve të reja në Liceun Artistik si pedagoge, por që u shkëput shumë shpejt për shkak të sëmundjes. Nderoi vendin në skenat e huaja, duke interpretuar me sukses role nga operat "Traviata", "Bohemë", "Berberi i Seviljes", "Peshkatarët e perlave", etj.  Tefta Tashko Koço mbetet një pioniere e artit vokal, një yll në muzikën operistike, për zërin e saj të ngrohtë e për të magjishëm. Pas vdekjes ju akordua titulli i lartë "Artiste e Popullit" si dhe për nder të saj jepen çmime e organizohen konkurse, ka një shkollë me emrin e saj, ka buste, ka edhe një rrugë që përjetëson emrin e saj.

5.

Kanë kaluar 61 vjet nga ajo kohë e largët. Djali u rrit dhe u bë një artist i shquar, në gjurmët e së ëmës. Me fat pasi e përjetësoi afërsisht emrin e nënës tek e bija, Teuta, e cila ka edhe ajo një kulturë e formim perëndimor dhe pse jo në të ardhmen, një famë si gjyshja e saj.

6.

Në këto ditë të ftohta të shkurtit 2009 trupi i saj prehet poshtë atij varri të thjeshtë, me mermer të bardhë të rregulluar para shumë kohësh. Nuk ka as epitaf, nuk ka as dedikime e fjalë të tjera, mjafton vetëm emri i saj i shkruar bukur dhe një foto e bukur në profil. Një varr i thjeshtë, i rrethuar me kangjella të ulëta, në të cilin prehet një njeri i madh, një emër që s’do të harrohet kurrë. Përpara vdekjes të gjithë njerëzit janë njësoj. Ndonjëherë vdekja nuk kursehet as për njerëzit e mëdhenj, por këta të fundit kanë shansin që nuk e kanë njerëzit e zakonshëm, se vdesin fizikisht, por mbeten të pavdekshëm për të gjitha kohërat, pavarësisht se ku prehen...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora