E shtune, 20.04.2024, 01:46 AM (GMT+1)

Faleminderit

Behar Gjoka: Skënderbeu, Simboli dhe miti i tij në letrat shqipe

E shtune, 16.01.2010, 09:09 PM


Skënderbeu, Simboli dhe miti i tij në letrat shqipe  
 
Nga Behar Gjoka

Shpesh, në mjediset mediatike, opinionbërëse dhe politologjike, për Skënderbeun është hedhur ideja e amplifikimit në shek. XIX e këndej. Madje, ka shenja të trajtimit absurd se zbulimi si mit dhe simbol i përkon pikërisht kësaj periudhe. E vërteta e dokumenteve arkivore, sidomos literatura që i kushtohet Gjergj Kastriotit, në gjuhën shqipe dhe të huaj, konfirmon një situatë tjetër, madje krejt të përkundërt. Pra, historiografia, letërsia dhe arti, më tepër dëshmon një vijimësi të pashkëputur në shtjellat e historisë të pranisë së tij, si simbol dhe mit që i përket shek. XV. Skënderbeu në letërsinë shqipe shpërfaqet i plotë, si protagonist dhe frymë, personazh dhe parafytyrë, pashkëputshëm në linjat gjithëkohore dhe gjithëhapësirat, në forma të larmishme:
- Bashkëkohësia e tij shpërfaqet në letërkëmbimet me Papën, me Republikën e Venedikut, më Napolin, por edhe në libra të bashkëluftëtarëve si Dhimitër Frëngu, kryefinancier i princit të shqiptarëve, me librin "Komentar i çështjeve të turqve dhe të zotit Skënderbe", ndonëse botohet në vitin 1539, Marin Biçikemi me "Panegjerik" 1503 etj., duke e trajtuar si luftëtar, prijës dhe simbol të qëndresës arbënore në motet 1444-1468, pra për njëzet e katër vjet. Këtu zë fill periudha e gjatë e sundimit osman, e cila u shoqërua edhe me emigrimin e shqiptarëve dhe vendosjen e tyre në jug të Italisë, matanë detit duke krijuar ngulmimet e diasporës arbëreshe. Në ikjen e tyre arbëreshët morën me vete këngët, rrëfimet dhe kujtimin e Skënderbeut dhe i ruajtën si gjurmë të identitetit të dheut të parë, dhe mbi bazën e letërsisë gojore, mbeti në mendjen dhe shpirtin e tyre, u bë shkaku kryesor i bulëzmit të pandërprerë të ligjërimit të mirëfilltë letrar.
- Humanizmi si lëvizje dhe botëkuptim solli një përmbysje të madhe në marrëdhënie me Skënderbeun dhe me çdo figurë të përbotshme, duke e paraqitur më tepër si një mit, çka duket në librat e Marin Barletit, "Rrethimi i Shkodrës", 1504 dhe "Historia e Skënderbeut", 1508-1510. Imazhi i tij, si mit dhe simbol i qëndresës, madje si "atlet i krishtërimit", përcillet pashkëputshëm në literaturën botërore, që duket në vizatimin e Martin Bjelskovit (1495-1575), në librin "Kronika e përbotshme". Pikërisht kjo vepër bëhet shkas që të botohet në rusisht: "Rrëfenja e lashtë ruse për Skënderbeun", nga V. Modestov, në shekullin e XVII. Për të ardhur tek poema "La Scanderbeide", në Romë, 1606, "Kënga e lavdisë për Skënderbeun", e Jakob Kokertit, në Lybek 1643, "Poema epike" e Joannes de Buissieres, 1656. Gjithashtu, u shkruan romane nga B. Betley, "Skënderbeu i madh" në Londër 1690; romani "Skënderbeu apo aventurat e princit të Arbërisë", nga Chevilly në Paris 1732. Po ashtu, Luys Velez de Guevara boton komedinë: "Princi Skënderbe", më 1634, ndërsa në vitin 1735 shfaqet në Paris tragjedia lirike "Skënderbeu", e la Motte. Fjalori i ri historik ose "Historia Përmbledhtas" prej Mikele Morelit i vitit 1794, që ka pasur një botim në frëngjisht në vitin 1789, si një përfshirje në personalitet më të shquara të botës, ku në faqet 445-447 (dykolonëshe) shpaloset figura e Skënderbeut. Drama për Skënderbeun u botuan në vitin 1835, në Stokholm nga F. G. Rudbek, po ashtu në Amerikë, Henri Logfefellou me poemën: "Kthimi i Skënderbeut në Krujë", që vjen në shqip nga F. Noli më 1916, në Paris nga Kazimir-Pertus, për të ardhur deri tek libri i Oliver Shmidit, në 2008. Pra, në literaturën e përbotshme, me vepra letrare dhe historiografike, Skënderbeu ka qenë i pashkëputur në qindra libra. Gjithashtu, në shumë prej librave të huaj, Skënderbeu është përcjellë edhe nga arti, madje në të gjitha momentet e veta, me veçanësinë që arti përgjithësisht, pikturat dhe gravurat paraqesin figurimin konkret të Skënderbeut. Vepra e njërit nga mjeshtërve të Renesansës, Xhentile Belini, paraqet Skënderbeun në moshën e thyer, pra larg mitit që ndeshim në literaturë.
- Mund të flitet për vazhdimësi të saj, që përkon me përkujtesën dhe mbrojtjen e pashmangshme, në librat e letërsisë së hershme shqipe, tek Budi, si "Vise të Skënderbeut", çka përmendet tek letra e 15 shtatorit 1621, drejtuar Kardinal Gocadinos, ku edhe vihet re se për shqiptarët, "rreziku do të vijë edhe prej muhametizmës dhe skizmës", me Frang Bardhin, që kulmon me "Apologjinë e Skënderbeut", 1636, e cila jep edhe riskun e tjetërsimit të tij. Kjo vepër, nga të parat vepra të historiografisë së shqipes, botohet në latinisht dhe shënon një përpjekje serioze të vetë shqiptarëve, në mbrojtje të qenësisë së tij, si pjesë e "botës sanë". Po ashtu, në poezinë e Lukë Bogdanit, që gjendet tek libri "Çeta e Profetëve", i Pjetër Bogdanit, vjen "kujtim i Gjergj Kastriotit", por edhe nga vetë shkrimtari, ndërsa përmend treqind luftëtarët "maqedonas", siç shprehet ai.
- Mit i krenarisë dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare, simbol i bashkimit dhe qëndresës, Skënderbeu vjen sidomos në shekullin e XIX, në shekullin e Përlindjes së arbëreshëve. Në poemën "Kangët e Milosaos", më 1836 zbulohet epoka e Skënderbeut, kurse poema "Skënderbegu i pafan", 1873 e ka si epiqendër "mbretin epirotas", zotin e shqiptarëve. Ndërkohë zgjimi i shqiptarëve ka ngjarë edhe në anën tjetër të detit. Zef Jubani shkruan librin "Histori e Gergj Kastriotit" 1871 (në dorëshkrim); Zef Serembe e përcjell në vargjet e poezisë "Vrull"; Naim Frashëri në poemën "Histori e Skënderbeut" 1898; Sami Frashëri tek traktati "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet", 1899; Gavril Dara i Riu në poemën "Kënga e Sprasme e Balës", e cila botohet në 1906; Bernard Bilota (1843-1918) shkruan poemën "Shpata e Skënderbeut..."; Kozma Serembe (1879-1938) shkruan poemën me 20.000 vargje "Kënga e Krujës", që ruhet në arkivin e shtetit; në pjesën e parë të shek. XX nga Ndre Mjeda me poezinë "Vorri i Skanderbegut"; Filip Shiroka me poezitë "Gjergj Kastriotit", "Te vorri' e Skanderbegut", "Shqypja"; Andon Zako Çajupi me tragjedinë "Burri i dheut"; Asdreni me "Këmbana e Krujës" 1937.
Kjo periudhë shënon edhe fillesat e adhurimit të skajshëm, madje të mitizimit të Skënderbeut, e cila erdhi pikërisht prej rrethanave historike, të sundimit shumëshekullor osman, si dhe prej ndikimit dhe përhapjes së rrymës letrare romantike, që e ka si princip kthimin në të kaluarën. Një shpërgjumje që erdhi edhe duke i shuar ndasitë fetare, që kumbon si jehonë e asaj kohe në vargun e Pashko Vasë, shkodranit "Feja e shqiptarit asht shqyptaria", një klithmë që pati ndikimet e veta në jetën e shqiptarëve. Qasje të një vështrim historiko-letrar, duke tentuar, ka gjasa për herë të parë, edhe zbritjen në tokë të kësaj figure, të papërsëritshme dhe specifike të ekzistencës së shqiptarëve, përbëjnë trajtimet letrare dhe shkencore të Fan Nolit, posaçërisht varianti letrar i 1921, vijon hullinë e çelur prej Barletit, dhe si sidomos në tekstin e mirëfilltë historiografik, kushtuar figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, më 1949.
- Periudha e verifikimit modern, si vijim i mitizimit, por me shenja dhe gjurmë edhe të çmitizimit, duke i mveshur edhe tipare të patriotizmit ideologjik, preken nga mesi i shekullit të kaluar. Prirja e mitizimit të figurës së Skënderbeut, formatohet në trajtime klasike, siç është fjala në romanin "Kalorësi i Skënderbeut" i Haki Stërmillit në vitet '50, ose në romanin "Skënderbeu" të Sabri Godos, në vitet '70, që ngjet në një masë të konsiderueshme me jetëshkrimin e heroit, tashmë të rrëfyer si letërsi, duke ruajtur dhe përforcuar adhurimin dhe mitizimin. Kjo vihet re edhe në prozën moderne, siç ngjet më romanin "Kështjella" të Ismail Kadaresë, ku nga ajo kohë vetëm sa merret shkas, pra duke u nisur nga e sotmja depërtohet në të kaluarën historike të epokës dhe të vetë figurës. Alternativa e çmitizimit real, shpaloset në prozën "Mekami", të Kasëm Trebeshinës, që në fakt sendërton antihistoriken e kësaj figure, si frymë dhe atmosferë e kohës. Një tentativë çmitizimi, tani së fundmi rreket që të sendërtojë edhe Ben Blushi, me prozën e gjatë "Të jetosh në ishull", shoqëruar me shenja të dukshme të rivlerësimit të Gjergj Aranitit. Në shtjellimet, mitizuese dhe çmitizuese, në letërsi, adhurimi dhe mosadhurimi, nuk vështrohen me optikën atdhetare, pra si lexim patriotik dhe antipatriotik i letrares, por tekstet vlerën dhe mungesën e kanë në marrëdhënie me letraren, pra sa kanë mundur shkrimtarët që ta dekodojnë kohën dhe Skënderbeut, me ligjësitë dhe përthyerjet letrare.
Mendimtaria dhe shkrimtaria e letrave shqipe, por edhe më gjerë, pra literatura e përbotshme, vazhdimisht e ka pasur në qendër të vëmendjes Gjergj Kastriot Skënderbeun, ndonëse herë është goditur Gjergji, herë Skënderbeu, pra kryesisht në përfaqësimin fetar, si dhe në qenësinë e tij si shenjë identiteti dhe qëndrese. Të dyja së bashku, literatura në gjuhë të huaj, po kaq edhe ajo në gjuhën shqipe, kanë bërë shumë për ta vizatuar dhe plazmuar si simbol dhe mit Skënderbeun. Në varësi të prirjes ku edhe ka lëvizur mendimi shqiptar dhe ai perëndimor, në të gjitha fushat e veta, pra mendimi politik dhe historiografik, etiko-filozofik dhe letrar, prania e Skënderbeut, ka njohur dy kahe:
- Idealizmin dhe lartësimin e epokës së shek. XV, padyshim dhe të përmasave dhe rolit të tij.
- Zbritja në tokë e figurës historike duke e çmitizuar dhe paraqitur në nivele reale atë.
Këto dy kahe të trajtimit të Skënderbeut, në letrat shqipe, ku dhe është përqendruar ligjërata më tepër, pa harruar edhe gjurmët e literaturës së përbotshme, pa mëtuar shterjen e asnjërës prej tyre, por thjesht me synimin e një verifikimi të tezës së shenjimit të Skënderbeut si simbol dhe mit, bartin edhe rrethanat ndërkohore dhe ndërhapësinore të mendësisë së gadishullit ku gjallojmë prej shekujsh. Kahet e prekshme, qoftë idealizimi, e po ashtu nihilizimi, adhurimi ose zvjerdhja, janë shkasi dhe ndër arsyet thelbësore të krijimit të mitit të tij.
Skënderbeu, përpara se mit, ishte simbol i qëndresës së arbëreshëve në shekullin e XV, pra një figurë historike, në luftë me osmanët, që ia kishin mësyrë gadishullit dhe kontinentit të vjetër. Sipas dokumenteve dhe librave, për atë kohë Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte edhe simbol i mbrojtjes së krishtërimit. Kuptohet, fondamenti simbolik dhe historik, në shtjellat e kohës u shpërndërrua në fondament gojëdhanor dhe legjendar. Këto tipare, çuan në krijimin e mitit të Skënderbeut, luftëtarit dhe prijësit. Ky mit, që ka shenjuar forcën e luftëtarit kundër osmanëve, në kuptimin letrar të kujton mitin e Vilhelm Telit, heroi zviceran. Po ashtu, si përfaqësues i mbrojtjes së lirisë, ngjan me mitin e Robin Hudit, të literaturës dhe kinematografisë angleze. Ngjashmëri ka me mitin e Zhan D'Arkës, të heroinës së pamposhtur franceze. Atëherë, simboli dhe miti i Skënderbeut nuk erdhi në tokë të shkretë, nuk u krijua as në një mot, por u ngjiz nëpër qindra vite dhe në mbi pesë shekuj. Miti dhe simboli i Gjergj Kastriot Skënderbeut, madje është në rrjedhë të shëmbëlltyrave të përbotshme, duke u formuar si tillë përveçse prej shqiptarëve, pashkëputshëm u shpall si i tillë nga qytetërimi europian. Duke qenë një mit dhe simbol i dyfishtë, i Europës dhe shqiptarëve, kudo që jetojnë, kohërat vetëm sa do të gdhendin si dëshmi e qëndresës ndaj sundimit osman, si gur kilometrik i qytetërimit europian.
Nuk ka komb dhe popull në botë që të mos ketë mite dhe simbole, që të mos ndiejë dobinë e shpëtimit në çaste të hidhura, që buron prej kësaj marrëdhënie shpirtërore. Nuk ka komb dhe shtet pa shenja simbolike, si flamuri, himni dhe heroi kombëtar, dhe ndaj tyre, qytetërimi i të gjitha pikave të horizontit ndien veçse adhurim dhe mirënjohje. Pra, qenia mit ose jo e Skënderbeut, në shumicën e vet nuk ka të bëjë dhe aq me figurën faktike dhe historike, përkundrazi është një mëveshje që hidhet mbi supet e njerëzve të shquar. Mitologjia bashkëkohore na ofron edhe mitin e humbjes. Është proverbial miti i shkatërrimit të ushtrive të gadishullit në Fushë-Kosovë, në betejën e 1389, që përfaqëson humbjen, i cili në mënyrë fatidike dhe tragjike përdoret dhe shërben, çuditërisht edhe tani, që Kosova të shpallet djepi i Serbisë. Këtij miti, si për ta çmitizuar, i është qasur Kadare në librin me novela "Tri Këngë zie për Kosovën", ku përveç se kaq, shpaloset edhe ndërrimi i kaheve të përshkrimit të qëndresës së shqiptarëve, si metamorfozë autoriale. Nëse historiografia, herë pas here, ka rrëmuar në jetën dhe biografinë e tij, madje edhe ka gjetur dhe shpallur gjurmë të "kleçkave biografike" mbi prejardhjen e tij, mbi besimin dhe rolin e ushtruar në epokën e vetë, pavarësisht faktit se i ati dhe vetë ai e kanë ndërruar besimin fetar disa herë, në shenjim të tri besimeve kryesore; katolik, mysliman dhe ortodoks, veprimtarinë e tyre, luftërat aq sa bënë, realisht i kanë ushtruar në këto troje, dhe jo në dhena të tjera, ku shpesh mëtohet ta "atdhesojnë".
Triniteti fetar i Skënderbeut, i asaj kohe, por i pranishëm edhe sot në trevat ku gjëllijnë shqiptarët, flet për "elasticitetin" dhe "prakticizmin" e këtyre banorëve. Përmasat e Skënderbeut, luftëtar i paepur, kryezot i shqiptarëve, shpërfaqet edhe në bëmat e Muhamed Ali Pashës, që i dha lirinë Egjiptit, po ashtu shpërfaqet në përpjekjen e Kara Mahmud Pashë Bushtlisë, "adhurues i Skënderbeut", sipas Pukvilit, por edhe në bëmat e "gjarprit që drodhi dhenë", siç i ka kënduar populli Ali Pashë Tepelenës, "Iskanderi tjetër", sipas Bajronit, që përsërisin atë rregull, të shkruar dhe të pashkruar, "gatishmërinë luftarake" të shqiptarëve, të cilën të tjerët e kanë vënë në shërbim të pikësynimeve, por edhe na ka veçuar nga banorët e tjerë të Gadishullit Ilirik, si pasardhës të Skënderbegut.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora