E premte, 19.04.2024, 08:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Nuredin Pisli: Im bir pengmarrës por human

E hene, 23.03.2009, 09:55 PM


Im bir pengmarrës por human

PENGMARRËSI I AUTOBUSIT GREK/ Babai i Flamur Pislit kërkon rihapje gjyqi për djalin e vrarë

Nga Gjergj Marku

MAT-Gjithçka tek shtëpia e viktimës në Patin të Matit ka mbetur thuajse pezull si para 10 vitesh, që kur Flamuri u vra nga ndjekja policore. Shtëpia që pati nisur duke kaluar disa herë për të punuar në Greqi që fëmijë, ka mbetur po ajo e para një dekade, kati i parë i papërfunduar dhe telat e ngrehur nga muret mbajtëse për katin e dytë. "Kjo ishte dhe ëndrra e djalit, - shprehen Nuredini dhe nëna e tij, - ëndërr që nuk e realizoi dot. Madje, duket se kjo "ëndërr" për një shtëpi më të mirë, për një jetesë më të mirë, i mori dhe jetën, - thonë ata. - Tetë vite, që kërthi ai u nis rrugë e pa rrugë për të punuar në Greqi, ndërsa me punë të ndershme arriti të mblidhte aq të ardhura sa dhe ne të kishim një shtëpi për të qenë këtu në fshat. Por nuk qe e thënë, pasi pikërisht kur iu desh të merrte paratë, pronari grek nuk denjoi t'ia jepte, madje i bënë kurthin për ta degdisur në burgjet greke, ku e torturuan dhe e masakruan".
Të gjithë e kujtojnë historinë e famshme të Flamur Pislit nga fshati Patin i Matit, që, nëse nuk do të kishte rrjedhur e tillë, do të ishte thjesht njëri prej mijëra emigrantëve të shpërndarë gjithandej botës. I quajtur si terrorist, pasi kishte marrë peng një autobus me shtetas grekë, ai u shoqërua për orë të tëra nga Selaniku për në kufirin shqiptar, ndërsa më pas nga policia shqiptare në brendësi të territorit tonë, për t'u qëlluar me snajper në dalje të Elbasanit, rrugës së Qafë-Kërrabës. Është nga rastet e veçanta kur vjershëtarë anonimë popullorë i thurën vargje e këngë, ndërsa sot e asaj dite zyrtarisht vazhdon të quhet pengmarrës. Por që nga ajo kohë prindërit e tij dhe sidomos i ati nuk ka reshtur së kërkuari të drejtën në mënyrë ligjore, duke kërkuar rihapje të gjyqit për të rivënë në vend jo vetëm nderin dhe emrin e djalit të tij, por dhe për të marrë dëmshpërblimin që, sipas tij, i takon.

Biseda me Nuredin Pislin

Si është historia e djalit tuaj?

Djali im, Flamuri, pasi mbaroi ushtrinë në vitin 1996, duke parë gjendjen e vështirë financiare, u nis të punonte në Greqi, ku u vendos në familjen e një polici atje. Pasi punoi dy vite e gjysmë në dhe të huaj, nuk iu dhanë paratë e fituara me djersë, madje i punuan rreng për ta dërguar në burg.

Si e trajtuan atje?

Për dy javë e mbajtën në burg, duke e torturuar keqas, dhe prej andej doli më shumë i vdekur se i gjallë, me 13 plagë në trup. Po aty i grisën letrat. Më pas u kthye në shtëpi.

Ç'ju tregoi kur erdhi?

Na tregoi gjithë atë që kishte hequr, ndërsa e mbajtëm në shtëpi me ilaçe që i morëm nga jashtë, pasi ishte bërë shumë keq, gati kufomë.

U nis sërish për në Greqi?

Po, shkoi në këmbë si refugjat, pasi nuk i kishte letrat. Qëndroi 10 ditë atje.

Shkoi te familja ku kishte punuar?

Po, shkoi dhe kërkoi paratë, por ata i thanë: "I gjallë je akoma?!". Ai u ka thënë se do të më njihni, do të njihni shqiptarin që ia keni nxirë jetën. Po aty pas plagosjes së një polici grek, ka marrë një autobus me njerëz duke u rrotulluar disa herë rrugëve të Athinës.

Ua kishte thënë se do ta kryente ndonjë veprim të tillë?

Jo, edhe pse ishte shumë i rënduar nga gjendja fizike dhe shpirtërore. Por ishte tip shumë i prekshëm dhe sidomos nëse cënohej në dinjtetin e tij si shqiptar. Ndaj mund të ketë vendosur që të bënte diçka të madhe publike, por jo me qëllim vrasjeje, siç e kanë cilësuar. Ai është sjellë si njeri pavarësisht rrëmbimit që kishte bërë, pasi ka ulur më parë fëmijë e të moshuar dhe vetëm ata të moshës së tij i ka mbajtur në autobus.

Çfarë ndodhi më pas?

Për disa orë ka vazhduar rrugën me autobus në drejtim të kufirit shqiptar, ndërkohë që brenda në autobus ka hyrë një gazetare greke me emrin Helena, të cilën e ka pranuar dhe ajo ka bërë negociatoren me policinë dhe qeverinë greke.

Ka kërkuar dhe marrë garanci?

Po, ka kërkuar djersën e tij, d.m.th 50 milionë dhrahmi, të cilat ia kanë sjellë pas negociimeve.

Por pse nuk u ndal?

Me sa duket, e kishte vendosur t'i merrte udhëtarët e atij autobusi për t'i sjellë në shtëpi, që të shikonin se ku jetonte një familje shqiptare, për t'u treguar grekëve dhe botës se shqiptarët nuk janë kriminelë, por hallet i kanë detyruar të punojnë në dhe të huaj.

Si u soll policia greke?

Është interesante se pavarësisht sjelljeve brutale dhe shkatërrimit që m'i kanë bërë djalit në burgje, në këtë rast veproi me profesionalizëm, pasi plotësoi çdo kërkesë të djalit deri sa kaloi kufirin shqiptar. Më pas ka vazhduar ndjekja e dy policive.

Më pas ai u vra në dalje të Elbasanit për në Qafë-Kërrabë, gjë që njihet nga opinioni. Ç'mendim patët për këtë. Mendoni se policia u tregua joprofesioniste?

Jo vetëm e tillë, por më vranë tim bir, dhe nuk kam çfarë emri t'i vë kësaj.

E vranë se ishte i armatosur dhe se është akuzuar për vrasjen e një pengu aty në autobus...
 
Nuk është aspak e vërtetë. Dhe për këtë kërkoj drejtësi, pasi djali është goditur nga një snajper shqiptar, plumb i cili ka kapur edhe pengun grek, dhe ka plagosur dhe gazetaren greke që e shoqëronte.

Ç'ndodhi më pas?

Djalin ma kanë sjellë natën në shtëpi të vdekur, më 29 maj 1999, ndërsa media në Shqipëri, sidomos, bënte përgjegjës djalin si vrasësi i pengut grek. Unë kam thënë kaq gjë në prani të shumë njerëzve: nëse djali është fajtor, do ta varros në një gropë dhe nuk dua askush të më vijë në shtëpi për ngushëllim. Por e dija shumë mirë se djali im nuk bënte punë të ndyra, nuk ishte as trafikant e as vrasës, dhe se ai kishte shkuar thjesht të na ndihmonte për gjendjen e keqe ekonomike që kishim ne, dhe se kishte derdhur shumë djersë që nuk i ishte shpërblyer.

Po më pas?

Më kanë ardhur shumë njerëz duke më thënë se djali yt është i pafajshëm dhe se reagimi i tij ka qenë nga halli, por nuk ka vrarë njeri. Janë dhjetëra njerëz që më kanë ardhur, qindra e mijëra letra e telegrame, sidomos nga emigrantët, derisa u shkruan e u këndua dhe këngë për të. Jo thjesht se ishte im bir, porse kishte mbi vete tërë vuajtjen e emigrantëve shqiptarë atje dhe sjelljen brutale që bëhet në kurriz të fëmijëve tanë. Madje këtu në shtëpi më ka ardhur dhe një gazetare greke, Penelopes Trendafiles, së bashku me të fejuarin dhe ka bërë një libër. Po ashtu më pas u bë dhe filmi "Pengu", ku flitet për një pengmarrës human!

Po tani çfarë do të bëni?

Kam kërkuar rihapje të procesit, pasi më kanë vrarë djalin me të padrejtë dhe ma kanë denigruar, ndërsa kanë fshehur dhe vrasjen e pengut grek, duke ia lënë si vrasje djalit tim, gjë e gënjeshtër. Në këtë pikë më kanë dhe borxhin tjetër, pasi më kanë vrarë mikun në shtëpi, duke ia faturuar djalit tim. Madje, policët arritën deri aty sa pa pikën e turpit të marrin dhe paratë që ishin në autobus. Nuk është se kërkoj paratë tani, por dua të vë në vend dinjitetin e fëmijës sim edhe nga pikëpamja ligjore. Kam kërkuar në gjykatën e Elbasanit, ata më janë përgjigjur se nuk është bërë kërkesa sipas afateve. Unë do të shes shtëpi e tokë, çfarë kam pas shpirti, derisa të zbardhet çështja e djalit tim.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora