E enjte, 25.04.2024, 01:44 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Tmerr në Kavajë, rrëshqet kodra dhe fundos shtatë shtëpi

E diele, 22.03.2009, 06:10 PM


Nga të dërguarit tanë, Ferdinand Dervishi, Fatos Mahmutaj - Panorama

Të kishte ndodhur në kohëra të largëta, gojë më gojë, do kishte mbërritur tek ne me parametrat e hiperbolave të përrallave. Nga ato të llojit “u ça toka në mes dhe doli uji i zi”. E njëjta skenë, veçse në parametra realë, është regjistruar e vërtetë gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Bardhore të komunës Synej të Kavajës. Fatmirësisht pa dëmtime në njerëz, një sipërfaqe prej mijëra metrash katrorë, një lagje e tërë e banuar, është fundosur dhjetë deri në njëzet metra nën tokë. Shtëpitë dy dhe trekatëshe janë zhdukur në të çarën e krijuar, sikur të ishin kuti fëmijësh të hedhura nëpër grumbuj dheu. Një shtëpi dykatëshe në fillim të lagjes ka mbetur e varur në cep të honit, ndërkohë që në anën tjetër, dy të tjera, janë thyer në mes. Banorët ende të tmerruar, ende me lot në sy, nuk arrijnë të besojnë atë që ka ndodhur. Ndërsa një vëzhgim i kujdesshëm mund të vërtetojë që edhe pse ngjarja është regjistruar në orën 02:00 të natës, dhe kanë kaluar 10 orë, tabani nuk ka zënë vend dhe sërish lëviz. Nga një grumbull me çakull pranë të çarës, herë pas here, shkëputen guriçka, ndërsa në disa nga shtëpitë në buzë të greminës së sapokrijuar, ndihen të qarta lëvizjet e tokës.

Tërmeti i së mërkurës

“Nisi gjithçka pas tërmetit të së mërkurës”, thotë Ali Gjeçi, një nga pronarët e shtëpive të fundosura. Sipas tij, zona ku ata kishin shtëpitë, fare pranë rrugës automobilistike, kishte marrë një çarje të hollë menjëherë pasi një tërmet prej katër ballësh shkundi zonën. “I kushtuam rëndësi dhe njoftuam kryetarin e Komunës”, rrëfen i njëjti, duke theksuar se pikërisht kontakti me kryetarin dhe më tej me ekspertin, i kishte bindur që gjithçka ta merrnin seriozisht. Kjo edhe u kishte shpëtuar jetën, pasi fundosja e gjithë kodrës kishte ndodhur në 20 minuta, kohë e pamjaftueshme për t’u zgjuar nga gjumi dhe për të organizuar evakuimin. Eksperti u kishte thënë që të merrnin fëmijët dhe të vendoseshin pas zonës ku ishte ravijëzuar çarja dhe fjala e tij sërish kishte qenë me vend. Ndërsa rrëshqitja kishte nisur e pandalur menjëherë pas fillimit të shirave të dendur tri ditë më parë. Të gjitha banesat e të evakuarve i përkisnin fisit Gjeçi, por fatmirësisht vetëm 4 prej të dëmtuarave përdoreshin për të jetuar, ndërsa dy të tjerat ishin në ndërtim e sipër dhe i katërti i zhdukur nga faqja e dheut ishte një dyqan njëkatësh. E çara në formë të lakuar në disa raste arrinte në 20 metra largësi, ndërkohë që rreth 200 e ca metra më poshtë kodra është mbështetur në dy të tjera, që e kanë mbajtur të ikë më tej, si dy duar që mbështeten përfund majës së një forme zemre. Në fund të saj, kodra është ngritur përpjetë, duket e përplasur në një formacion më të fortë, ndërkohë që plasaritjet kanë ekspozuar një material tërësisht ranor të përbërjes së saj. Në fakt lagjja ndodhet pranë bregut të detit, apo Plazhit të famshëm të Gjeneralit.   

Zona e pasigurt

“Nuk është vetëm faji i tërmetit”, thotë Hysen Sina, një banor i fshatit që e ka shtëpinë në fund të kodrës që shembur. Sipas tij gabimet kanë nisur që në kohën kur fshati i tyre ishte në kooperativë, në vitet ’80. “Kjo kodër që ka rrëshqitur dikur ishte një korije me dushqe e pemë të tjera të egra, ndërsa në të dyja anët kishte dy përrenj kullues që bashkoheshin përfund saj. Por në kohën e kooperativës, pa asnjë studim, u prenë të gjitha pemët dhe u sheshuan e kthyen në tokë buke edhe përrenjtë e gropat e krijuara prej tyre. Kështu që ujërat nuk kullonin më, ato thjesht grumbulloheshin në gropa. Pra katastrofa që ndodhi sot ka nisur që nga kjo kohë”, thotë Hyseni. Por sipas të njëjtit, por edhe banorëve të tjerë, fshati i tyre këto vite të fundit ka pasur edhe raste të tjera të zhvendosjeve të frikshme të tokës. “Në krahun e majtë, dy shtëpi, po të lagjes së Gjeçajve, që fatmirësisht sot kanë shpëtuar, lëvizën rreth 2 vjet më parë. Ato u fundosën rreth një metër, ndërkohë që 150 metër poshtë tyre trualli u ngrit në të njëjtën lartësi. E njëjta skenë me këtë të sotmen, veçse më përmasa më të zvogëluara”, rrëfen Hysen Sina. Por sipas tij edhe pak më shumë se një muaj më parë në fshatin e tyre pati një rrëshqitje tjetër dheu. Hyseni tregon me gisht në të djathtë, pranë xhamisë, një tjetër shtëpi dhe thotë: “Poshtë shtëpisë së Enver Hallullit, në oborr, krejt papritur, rreth një muaj më parë, toka nisi të ngrihej lart. Erdhi edhe kryetari i Komunës dhe specialistë të tjerë. Ndërsa i zoti i shtëpisë e pastronte me fadromë, toka sërish ngrihej. Patjetër që diku më lart ajo rrëshqiste”, përfundon Hyseni, duke ngritur sytë nga qielli si për të thënë se ditë më të vështira mund të jenë llogaritur në të ardhmen e fatit të tyre.

Meta në Synej: Të rikuperohen sa më shpejt dëmet

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte dje në fshatin Bago të komunës së Synejit në Kavajë, ku si pasojë e rrëshqitjes së dherave u  shembën 7 shtëpi, duke lënë në mëshirë të fatit banorët e tyre. I shoqëruar nga deputetët e LSI, Braho dhe Legisi, Meta është takuar me banorët e kësaj zone, ku dhe ka ndarë me to shqetësimin që i ka pllakosur ata. Kreu i LSI, Meta, u ka shprehur solidaritetin kryefamiljarëve, të cilëve u janë shembur banesat e tyre, duke theksuar me kënaqësi faktin se nga shembja e shtëpive nuk ka pasur ndonjë banorë të lënduar. Meta theksoi se, duhet të merren masa për të parandaluar fatkeqësi të tilla. Ai theksoi se sipas ligjit duhet të rikuperohen të gjitha dëmet materiale të këtyre banorëve në një kohe sa më të shpejtë.

“Si na përpiu dheu pasurinë e jetës”

Nga të dërguarit tanë në Kavajë

Dhe është aq i hutuar sa nuk e shkul vështrimin prej andej edhe kur bisedon me të tjerët. “Është puna e një jete. Më ka rënë bretku”, thotë duke treguar kallot e duarve të ngjashme me cungje pemësh. Gjithsesi lut Zotin që janë larguar në kohë që të gjithë, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe. “Falënderojmë topografin. I doli fjala se kodra mund të rrëshqiste. I kemi borxh jetën”, shqipton Pëllumbi fraza të shkëputura.
Zoti Pëllumb, kur e vutë re që shtëpia po lëvizte?
Pas tërmetit të së mërkurës. Aty ku shkallët ngjiten me shtëpinë vura re një çarje të hollë mbase 2-3 milimetra. U thashë vëllezërve dhe kushërinjve. Ata erdhën, e panë dhe më thanë se nuk ka gjë dhe se çarja është aq e papërfillshme, saqë nuk duhet të merakosesha. Meqë jam usta dhe nuk më rrinë duart rehat, përgatita pak çimento dhe i zura të çarat. Por të nesërmen pashë se hapësira mes shkallëve dhe shtëpisë ishte zgjeruar. Mora një hekur të gjatë, nga ata që përdoren për soleta, dhe e futa në të çarën. Vura re me tmerr që hekuri u fut rreth pesë metra thellë pa hasur asnjë pengesë.
Në këtë kohë komunikuat me kryetarin e Komunës?
Po. Ka qenë një ditë pas tërmetit. E çara ishte madhe dhe vumë re edhe tokën në formë gjysmëharku sipër shtëpive tona që kishte lëvizur. Komunikuam në telefon me Kryetarin e Komunës dhe ai na nisi topografin sipër. Quhet Iljaz Daiu. Pasi e pa nga afër, ai erdhi në mendimin se çështja ishte serioze. Sipas tij, nuk ishte vetëm një e çarë, por disa pranë njëra-tjetrës dhe format e krijuara atij i thoshin se rreziku ishte i pranishëm. Tha prerë se kodra kishte mundësi të rrëshqiste dhe se të paktën ne që kishin shtëpitë brenda perimetrit të zonës së shënjuar, duhet të mos flinim në shtëpitë tona. Dëgjuam atë dhe atë natë dhe në vazhdim nuk fjetëm më në shtëpitë tonë. Ishim katër familje, pasi në ndërtesat e tjera ende nuk kishin nisur të banonin. Dhe i doli fjala topografit, pasi e çara nisi të zgjerohej.
A ka ndodhur ndonjëherë më parë ngjarje të tilla në këtë zonë?
Jo, kurrë. Unë jam gati 60 vjeç dhe nuk kam dëgjuar.
Si e përjetuat humbjen e shtëpisë?
Me tmerr. Ju e shihni tani të qetë përfund humnerës, por ajo nuk iku fare pa zhurmë. Gjithçka zgjati rreth 20 minuta, nga ora 02:00 e mëngjesit deri më 02:20. Ishte shumë e frikshme, dhe për shkak të errësirës. Kur e pamë se e çara u zgjerua dhe telat e tensionit u tendosën, sërish lajmëruam kryetarin e Komunës, zotin Përparim Çaça, që të ndërpriste korrentin. Kështu u bë. Korrenti u ndërpre rreth orës 20:30 të së premtes. Më tej dëgjoheshin krismat e betonit që thyhej. Ishin krisma të forta, pasi siç e shikoni ballkoni i shtëpisë sime ka mbetur këtu lart. Pra ishte i betontë dhe u thye. Por që të thyhet betoni duhet forcë e madhe.
Pra zhvendosja e kodrës ka qenë e ngadaltë?
Në fillim e ngadaltë. Por në orën 2 të natës, sytë na panë tmerr. E para u fundos shtëpia trekatëshe e Indrit Gjeçit, të afërmit tonë. E shihni që dy kate nuk duken fare sepse janë zhytur. Nuk patëm kohë të hiqnim as plaçkat e mobiliet.
Mund të na thoni se sa ka kushtuar afërsisht shtëpia juaj?
Hequr punën time, sepse e kam ndërtuar vetë, shifra mund të jetë jo më pak se 70 mijë euro. Vetëm dyert e të dy kateve kanë kushtuar 10 milionë lekë të vjetra.
U kanë premtuar përfaqësues të shtetit për zhdëmtim?
Jo, ende nuk dimë asgjë. Ende nuk dimë se ku do të fusim kokën.

Topografi: E paralajmërova fatkeqësinë pas tërmetit

KAVAJE - “Paralajmërova banorët para dy ditësh, kur nisi të çahej trualli i banesave të tyre”. Iljaz Daiu, topografi i komunës është i pari që e ka parashikuar tragjedinë që do të rrafshonte shtatë banesa, në fshatin Bardhore të komunës Synej Kavajë. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur janë pasojat e tërmetit të para një jave kur u plasarit toka, ndërsa shenjat e shembjes do të dalloheshin qartë dy ditë më parë, kur uji i shumtë i shiut që ra pandërprerë depërtoi thellë nëpër të çarën gjigande. “Lagështira ka bërë punën e vet, duke stimuluar rrëshqitjen. Kjo është një zonë e palëvizur, prej 30 vjetësh që punoj në këtë profesion nuk e mbaj mend të ketë pasur kurrë probleme të tilla në këtë zonë”, tha Daiu. Më tej ai pohoi se banesat e para në këtë vend kanë nisur të ndërtohen në vitet ’80, ndërsa më pas u ndërtuan një lagje e tërë. I pyetur nëse ka pasur ndonjë studim për ndërtime në këtë vend, Daiu pohoi se ka pasur vetëm një plan rregullues të fillimit të viteve ’90, të miratuar nga Këshilli i Rrethit Durrës, kur kjo zonë varej nga ky rreth. Sipas tij, studimi i përkiste vetëm mbitokës, ndërsa për nëntokën nuk ka pasur kurrë një studim në këtë zonë, por banorët kanë ndërtuar me hamendje, duke u nisur nga përvoja. Duke folur për momentin e tragjedisë, inxhinieri topograf tregoi se sapo ishte sinjalizuar prej banorëve për problemin, kishte bërë verifikimin duke urdhëruar evakuimin e banesave. Ndërsa në momentin e rrëshqitjes, mesnatën duke u gdhirë e shtuna, ai pohoi se ndodhej në vendin e ngjarjes dhe kishte parë sesi për rreth 20 minuta ishte zhytur rreth 30 metër nën tokë një lagje e tërë, ndërkohë një masiv gjigand dheu është zhvendosur dhjetëra metër. Paraprakisht, Daiu dhe specialistët e tjerë të qarkut të Kavajës kanë dalë në konkluzionin se kemi të bëjmë me një rrëshqitje të sipërfaqes së tokës dhe jo fundosje. Sipas tyre, kjo dukej më së miri edhe nga fakti që tre banesa qëndrojnë ende në këmbë, por të zhvendosura rreth 40 metër, ndërsa është krijuar një kodër disa metër e lartë me akumulimin e dheut të rrëshqitur.

Dëmet, Gjanica përmbyti 200 shtëpi

FIER - Një ditë pas përmbytjeve që pushtuan qarkun e Fierit, situata është paraqitur tepër e vështirë përgjatë gjithë lumit Gjanicë. Më tepër kanë rezultuar të prekura lagjet “1 Maji” dhe “Afrim i ri”. Dëmet në fjalë kanë dalë në dritë vetëm mëngjesin e djeshëm, një ditë pas vërshimit të lumit, kur edhe një pjesë e familjeve të evakuuara janë kthyer në shtëpitë e tyre. Vendin e ujërave të turbullt e ka zënë balta e lluca, e cila si përherë ka përfshirë gjithë banesat e dy lagjeve. Janë më shumë se 150 banesa në lagjen “1 Maji” dhe më shumë se 50 në atë “Afrim i ri”, të cilat kanë ndjerë si domosdoshmëri ndërhyrjen e fadromave për të zhbllokuar fillimisht rrugët hyrëse e më pas kanalet anësorë për të kulluar ujërat e balta. “Në të dy anët e lumit janë vendosur fadroma si dhe mjete të shumta zjarrfikëse për të evakuuar banorët si dhe për të evituar përmbytjet në masë. Megjithëse zona nuk është pastruar ende, kemi bërë të mundur kalimin e automjeteve dhe banorëve si dhe rikthimi i këtyre të fundit pranë shtëpive të tyre”, kështu u shpreh Edmond Levanaj, sekretari i shtabit të emergjencës në bashki. Nga ana e tyre, banorët shprehen se janë tepër të zhgënjyer se janë përmbytur dhe më parë e ende nuk janë dëmshpërblyer. m.r

Dherat bllokojnë rrugën

GJIROKASTER - Gjatë 24 orëve të fundit situata mjaft e rënduar atmosferike në Qarkun e Gjirokastrës ka shkaktuar probleme sidomos në bllokimin e akseve rrugore. Sipas burimeve zyrtare nga ndërmarrjet e rrugëve të të tri rretheve, reshjet e dëborës dhe shiut, gjatë natës të së premtes kanë qenë mjaft intensive, duke shkaktuar bllokim në disa prej akseve rrugore. Më problematik ka qenë bllokimi i përkohshëm i aksit nacional Tepelenë-Ballsh në afërsi të fabrikës së fosforit, në qytetin e Memaliajit. Në orën 22:00 të së premtes, aksi nacional është bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dheut anësor pas shirave të rrëmbyeshëm që vazhduan edhe përgjatë ditës së djeshme. Gjendja u normalizua pas ndërhyrjes së policisë. Ndërkohë në rrethin e Gjirokastrës reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar bllokim të përkohshëm të Qafës së Muzinës.                p.n



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora