E shtune, 04.02.2023, 04:56 AM (GMT)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Piktori i merituar Agim Faja, Shqipëria, Kosova dhe figurat e ndritura të Kombit tonë

E diele, 22.03.2009, 12:05 PM


Piktori i merituar Agim Faja, Shqipëria, Kosova dhe figurat e ndritura të Kombit tonë

Nga Alfred Papuçiu

Në këto çaste, më vijnë ndërmend fjalët e Michel de Montaigne, humanist francez, ku ai shprehet: „Vlera e një jete nuk qëndron në numrin e ditëve të saj, por se si i përdor ato. Një njeri mund të jetojë gjatë pa mbajtur mend shumë gjera nga jeta e tij. Për të patur kënaqësi nga jeta, nuk duhet patur parasysh numri i viteve, por vullneti i njeriut“. E tillë është edhe jeta e piktorit tonë të merituar, Agim Faja që feston me të afërmit, miqtë dhe shokët e tij të shumtë, 70-të vjetorin e ditëlindjes së tij. Kur shkon në studion e piktorit të merituar Agim Faja gjen piktura, grafika, vizatime, akuarela, libra të shumtë, fotografi, shënime…Aty janë mbledhur gjithçka nga veprimtaria e tij 50-të vjeçare. Përveç veprave të tija të çmuara në pikturë gjen edhe librat e tij të shkruara me aq ndjenjë, apo edhe qindra artikujt e shkruar në shtyp. Titullin „Piktor i merituar“ e ka marrë qysh në vitin 1987. Agim Faja është edhe „Qytetar nderi“ i qytetit të tij  ku jeton, Shijakut.

Shkrimtari ynë i mirënjohur Dritëro Agolli është shprehur: „Nga Shijaku kanë dalë njerëz të shquar në histori dhe në kulturë, ku jeton dhe piktori me emër të madh, Agim Faja, miku im gjysmëshekullor, ku kam lidhje familjare edhe nga motra, edhe nga nipërit dhe mbesat“. Dhe duke dëgjuar këto fjalë të Dritëroit, më vjen para sysh veprimtaria krijuese e Agim Fajës, piktorit modest nga shpirti por tepër njerëzor, prodhimtar i madh dhe me vullnet të papërshkruar që përveç qindra e qindra pikturave me vlerë, ka hedhur në letër qindra kujtime, mbresa, hulumtime, kryesisht të karakterit historik dhe dokumentar.

Në vitin 1954, Agimi nisi studimet në Liceun Artistik „Jordan Misja“ në Tiranë për pikturë. Në vitin 1960 vazhdon studimet në Institutin e Lartë të Arteve Figurative. Është një nga studentët e parë të këtij instituti. Diplomën e mbron me tablonë “Ndërtuesit e lumturisë”. Përveç pikturave ai është nga ilustruesit e parë të revistës „Fatosi“, qysh në vitin 1959 deri më 1975, sëbashku me Safo Markon. Ai është ilustrues i mbi 100 librave për fëmijë dhe të rritur, si dhe i abetares së gjuhës shqipe. Sa bukur ka ilustruar librin „Një sirtar i veçantë“ të tim eti Tunit, të cilin e kishte një nga shokët e tij më të mirë dhe më të afërt. Ai e ka cilësuar atë „njeri me zemër të madhe dhe tepër fisnik“. Letrat e Agimit ku flet për shokun e tij të afërt që iku shpejt nga kjo jetë, në moshën 53 vjeçare i ruaj me kujdes në arkivin tim të familjes. Me sa dashuri flet për të në kujtimet e tij, ashtu siç flet për mjeshtrin e madh të pikturës shqiptare dhe europiane, Ibrahim Kodrën, apo „duke kujtuar njeriun e mirë dhe të dashur Andon Kuqali“, ish profesor i tij. Kujton udhëtimin e tij në Itali, bashkë me bashkëshorten Durrijen, i ftuar nga një ish-nxënësi i tij. Hulumtimi i tij „Historia e Tiranës, në foto të rralla“ është rimarrë edhe nga shtypi i huaj. Në kujtimet e tij „Boshnjakët, mysafirët 100 vjeçarë të Shijakut“, ai kujton fëmijërinë e tij, boshnjakët ku ai blinte kallama sheqeri, lojrat e ndryshme në rrugicat e vogla. Libri i tij „Trimat e Skënderbeut“ është botuar edhe në Itali. Ndërsa libri i Agim Fajës „Gjashtë ditë në tokën ëndërr“ përmbledh përshtypjet e tij nga udhëtimet në Kosovë. Ai është një dëshmi e kulturës dhe vlerave të përbashkëta të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Një kopje të këtij Ditari mallëngjyes, Agimi ja ka dërguar edhe Z. Ullmar Quick, kryetar i Shoqatës suedeze-shqiptare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Suedi, me të cilin ka korrespondencë që nga 1 gushti 1997. Në një nga letrat e tij, Z. Ullmar i përgjigjet Agimit: „Ditarin“ tuaj e kemi përdorur pjesërisht në emisionet e „Radio Arbërise“, një radio lokale për shqiptarët e qytetit të Norkopingut…“

Tek libri „Gjashtë ditë në tokën ëndërr“, Agim Faja flet me respekt të veçantë për ish-presidentin amerikan Bill Klinton, ku ndër të tjera shprehet: „Në shekujt e ardhshëm, Kosova do të kujtohet si shesh beteje i forcave të fundit postkomuniste (me qendër në Beograd dhe përfaqësues Milosheviçin), me forcat përparimtare demokratike (me qendër në Amerikë dhe përfaqësues Bill Klintonin“.

Me shumë respekt ka folur Agimi edhe për Nënë Terezën, për të cilën ka shkruar dy poezi. Në njërën prej tyre të shkruar më 12 shtator 1997, shtatë ditë pas vdekjes së saj, ai shprehet:

Ti u bëre Nënë e gjithë njerëzimit,
Gjithë njerëzit e ruzullit qenë fëmijët e tu,
O Nënë Terezë, o Nënë e Madhe,
Jetove me botën vuajtje e halle.

Pa lindur, Nënë nuk bëhesh kurrë,
Ti u bëre Nënë, pa lindur e pa burrë.

Dy ditë më vonë, Agimi shkroi poezinë tjetër „ O Nënë Terezë, pa ty bota do të mbetet jetime!“

„Kur isha nxënës në Lice, shkruan Agimi në këtë libër të tij me kujtime, shkoja vazhdimisht të shtunave, që kishim liridalje, në pinakotekën, e cila ndodhej në rrugën e Kavajës, për të parë pikturat e piktorëve tanë dhe të huaj, apo skulpturat, që ishin më të pakta. Bashkë me shokët, rrija me orë duke i soditur. Midis tyre më ka bërë përshtypje kompozimi i profesor Buzës „Refugjatët“, sa i vogël në format e sa i madh në mesazh, vizatuar fort dhe me një kolorit dramatik shumë të pasur dhe interesant. Nuk e teproj po të them se prof. Buzën ne e kishim idhull. Ai qe një piktor i veçantë, me gjurmë vërtetë të veçantë në artin tonë“. Tani, Agim Faja don të realizojë botimin e një vëllimi historik për qytetin e tij të lindjes, Shijakun.

Agim Faja në moshën 29 vjeçare fitoi të drejtën për të dalë në profesion të lirë. Qysh atëhere janë me qindra e qindra pikturat e tij, si dhe ka marrë pjesë në dhjetra e dhjetra ekspozita, ku ka fituar 18 çmime për veprat e tij (nga këto tre çmime të para kombëtare).  Nga viti 1969 deri më 1992 ka qënë anëtar i Komitetit Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe për disa kohë edhe Kryetar i saj për rrethin e Durrësit.

Kujtim Buza, Piktor i merituar, si dhe shumë mjeshtra të artit e kanë vlerësuar shijen e hollë dhe origjinalitetin e punimeve të Agimit. Unë ruaj si një kujtim të veçantë pikturën e bukur të dhuruar prej tij me pamje nga fshati shqiptar e cila pëlqehet edhe nga miqtë e mij zviceranë dhe të kombeve të tjerë. Shumë prej veprave të Agim Fajës janë ekspozuar në Bienalen e Egjiptit, në Francë, në Gjermani, Angli , Itali, Algjeri etj. Pikturat e tij gjenden edhe në studiot  apo artdashësve në Itali, Kosovë, Australi, SHBA, Turqi, Hungari, Kolumbi, Venezuelë, Skoci, Zvicër, Britani e Madhe etj. Tani me rastin e 70-të vjetorit të lindjes së tij, ai paraqet punimet e tij më të mira në një ekspozitë retrospektive. Ekspozita me titull: „Vite-jetë-punë“ organizohet nga Bashkia e qytetit të Shijakut, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve Figurative të Durrësit dhe Galerinë „F“ në Shijak. Agimi është i lumtur se nipi i tij Franci po ndjek rrugën e tij të gjatë dhe të bukur, duke mbajtur çdo ditë penelin në dorë dhe duke pikturuar çaste nga jeta dhe bukuria e natyrës sonë.

Në 70-të Vjetorin e ditëlindjes së tij, i urojmë piktorit tonë të merituar Agim Faja, jetë të gjatë dhe prodhimtari të bollshme në fushën e pikturës dhe të letërsisë.


• Shkrimtar, publiçist, Gjenevë, 15 mars 2009

Botuar tek „Tirana Observer“, 18 mars 2009

Disa pjesë nga libri i piktorit Agim Faja « Gjashtë ditë në tokën ëndërr » Përshtypje udhëtimi nga Kosova (botues OMBRA GVG)

« Për mua ka qënë fat i madh që e kam patur mësues  tim at, pasi jam rritur midis librash, fletoresh e revistash; midis kalemash, penash e penicash, që në atë moshë që nuk kam ditur as të shkruaj e as të lexoj. Edhe më pas, kur u rrita dhe fillova të shkoj në shkollë e të ruaja ato shtatë krerë dele që kishim (se ne ishim gjysëm fshatarë), prisja me padurim të vinte mbrëmja që të kthehej Diu (Hamdiu-i jati) nga Shtraza e unë të shikoja figurat e fotografitë nëpër librat e revistat e tij. Ndiqja me kënaqësi edhe kur ai korrigjonte hartimet e diktimet e nxënësve të vet. Ndodhte që ndonjë revistë a libër ia merrja tinëz, pa leje, dhe kënaqesha duke i shfletuar, atje tek livadhi ku çoja delet. Kujtoj « Vatrën e rinisë », « Normalistin », « Shkëndinë « , « Bletën », « Shkollën Kombëtare » etj. Veçanërisht në kopertinat e revistave « Shkolla Shqiptare » » e « Shkolla Kombëtare », kujtoj që kam parë tre fotografitë e vëllezërve Frashëri (apostujt e idealit kombëtar), fotografinë e At Gjergj Fishtës, të fëmijëve shqiptarë me veshje kombëtare ; por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, ka qënë fotografia e shtëpisë ku u mbajt Lidhja e Prizrenit…Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit qe për ne simbol i qëndresës. Pikërisht në këtë shtëpi « …bëhet një kthesë e madhe e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare »

KOSOVA DO TË RINGJALLET

«  Po. Dhe kjo nuk është utopi, por gjë e vërtetë.
Turmat e pafund të dyndjeve të kosovarëve dhe shpërndarja e tyre nëpër botë, më kujtojnë eksodet biblike të atyre kohërave të mugëta, veçse me përmasa shumë më të mëdha. Ndërsa Kosova më ngjan me Jezu Krishtin, që po kryqëzohet, për të lindur një kohë e re : koha e demokracisë botërore. Ashtu si Jezu Krishti, ajo do të ringjallet, për t’i dëfryer botës së re, si Ai, Kosova është demokratja e fundit e erës së vjetër dhe demokratja e parë e erës së re.
« Në shekujt e ardhshëm, Kosova do të kujtohet si shesh beteje i forcave të fundit postkomuniste (me qendër në Beograd dhe përfaqësues Millosheviçin), me forcat përparimtare demokratike (me qendër në Amerik¨èe dhe përfaqësues Bill Klintonin) »

« … Tek shoh në televizor rreshtin e pafund të kosovarëve të dëbuar nga serbët, kur futen në kufirin tonë, të lodhur, të raskapitur e të munduar ; kur shoh ata pleq e ato plaka, të parruar e tërë rrudha, ato gra e nuse, ato nëna e fëmijë të vegjël, që qajnë për tokën e tyre, shtëpitë që ua kanë djegur dhe të dashurit që i kanë humbur, mendja më shkon tek izraelitët e biblës, që hoqën aq shumë nga romakët. E kam thënë edhe më lart. Nga bisedat me ta, se si për të mbijetuar në tokën e tyre, për t’i bërë ballë represionit serb, u është dashur të bëjnë sa më shumë fëmijë, gjer më dhjetë e mbase edhe më tepër. Ose, për të ruajtur identitetin, u është dashur të ngjitin sa më shumë emra shqiptarë, si : Vlora, Elbasan, Erzen, Valon, Flamur, Arbër, Sarandë, Abetare, Shqipe e sa e sa të tjerë të panumëruar. Një grua kosovare që lindi këto ditë në maternitetin e Shijakut ia ngjiti djalit emrin Erzen, për hir të lumit, që kalon përmes qytetit tonë, Shijakut ».

« Ndërsa prisnim të na vinte mikrobuzi, pamë në një pallat 15-katësh një stendë të madhe me ngjyra, ku paraqitej në këmbë Presidenti i Amerikës, Bill Klinton, duke përshëndetur me dorën e djathtë. Qe vënë në pjesën e sipërme të pallatit dhe zinte për të gjati-poshtë tre kate të fasadës pa dritare. Qëndronte bukur. Dhe në fakt Kosova dhe kosovarët, jetën e tyre të pas vitit 1999 ia dedikojnë vetëm atij, atëkohë President i Amerikës. Pas Skënderbeut, në historinë e Kosovës, figura e Bill Klintonit, mendoj se është e dyta për nga rëndësia. Se ishte Klintoni ai që e rrëzoi atë përbindësh nga froni dhe e dërgoi të gjykohet në Hagë, ku gjykohen kriminelët e popujve. Dhe them, se s’do të jetë e largët dita kur, ashtu sikundër monumenti i Skënderbeut, do të ngrihet diku, në ndonjë shesh të Prishtinës edhe monumenti i Bill Klintonit“.
 
 „…Në Prishtinë nuk u bë zbulimi tradicional i monumentit të Skënderbeut, sepse ai hyri kaluar aty dhe kjo thjeshtë për një rastësi fatlume…Skënderbeu nuk arriti në kohë, që të vendosej në piedestal natën (siç ndodh në raste përurimesh), që në mëngjes populli të „zbulonte“ ardhjen e tij. Ai hyri në Prishtinë ditën, i shoqëruar nga populli dhe zuri vendin e vet. Hyrje origjinale e denjë për hyrësin. „Skënderbeu“ udhëtoi katër ditë nga Tirana për në Prishtinë, mbi një rimorkio të ulët dhe dukej sikur shkonte kaluar, me një shpurë shoqëruese, jashtë epokës së tij, duke çarë rrugën mes telash elektriku të pakuptimtë për heroin e lashtë e megjithatë i veshur me gjithë hijerëndësinë e tij prej trimi, princi, prijësi“.

„Në materialet aq të shumta që kisha lexuar edhe më parë, sidomos në shtator të vitit 1997, kur Nënë Tereza u largua nga kjo botë, mësoja se ajo kishte lindur në Shkup të Maqedonisë, me prindër shqiptarë nga Prizreni i Kosovës. Ndaj dhe e kërkoja në Prizren shtëpinë e gjyshit të saj, ose të paktën vendin e shtëpisë.
Si ëngjëll i të varfërve të të gjithë botës, ajo iu përkushtua së mirës, për të luftuar të keqen, duke u udhëhequr nga ideja fikse:“Bota bëhet më e mirë, kur lufton për t’i hequr të keqen“. Dhe me punën e saj, arriti të angazhojë në misionet e veta, të quajtura „Misionet e Dashurisë“, 4.700 motra e vëllezër nga e gjithë bota… Nënë Tereza është pjellë e mënçurisë së gjerë dhe e humanizmit të thellë tradicional shqiptar; ajo është një person konkret për t’u admiruar për shenjtërinë e vlerave të saj dhe për origjinën shqiptare, që e ka deklaruar kudo e kurdo. Ajo kurrë nuk tha se ishte maqedonase, madje as edhe atëhere kur E.Hoxha dhe lakejt e tij nuk e lanë të vinte për të hedhur një grusht dhe, apo për të vënë një kurrorë mbi varrin e Nënës Drande dhe të motrës Age“.

„Dhe atyre që e akuzojnë atë për detyrime ndaj Shqipërisë, do t’u kujtoja këto rreshta të Nënë Terezës, shkruar me dorën e saj në gjuhën shqipe për shqiptarët, në ditën e marrjes të çmimit të madh Nobel:

Unë gjithmonë e kam
Në zemër popullin tim shqiptar,
Shumë luti Zotin qi paqja
E Tij të vijnë në zemrat
tona në gjithë botën,
në të gjitha familjet.
Lutuni shumë për fukaratë
E mij-dhe për mua
Dhe motrat e mija
Unë lutem për ju“.
Oslo, 10.12.1979

„Gjithnjë kam insistuar dhe insistoj në atë që cilido prej nesh, veçanërisht intelektualët kanë detyrim ndaj historisë.Ky detyrim bëhet akoma më imperativ, në situatat që po kalojmë, fill pas rënies së komunizmit, kur po hidhet shumë baltë mbi historiografinë tonë…Kam lexuar diku në një gazetë, në vitet „95-96, se edhe Skënderbeu paska qënë imoral, se gjoja kur i paska rënë rruga diku në një stan mali, paska hyrë brenda për të pirë një tas dhallë dhe paska bërë seks me atë bareshën. Kush i pa? Këto sajesa i bëjnë vetëm budallenjtë, që u skalavaren gratë, ose që për pesë parat ë qelbura dikujt i shërbejnë. Historianët e vërtetë që janë marrë me Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, i cili për njëzet vjet u tha „ndal“ hordhive turke, shkrimtarët, poetët, piktorët, skulptorët, grafistët e kompozitorët (dhe shumica e tyre të huaj), s’kam dëgjuar e lexuar të merren me marrëdhënie seksuale të tij…Veç të mos harrojmë atë që shkruan poeti ynë, Lasgush Poradeci:“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, më i madhi ndër gjeneralët e botës, vdiq në kulmin e lavdisë, kurse tërë gjeneralët e mëdhenj të botës kanë vdekur të mundur, që nga Hanibali e gjer tek Napoleon Bonaparti. Gjergj Kastrioti qe ai që futi në dhe dy sulltanë dhe nul i la t’u jepnin tagji kuajve në altarin e Shën Pjetrit…“ Apo atë që shkruan Noli: „Thonë se, kur lajmi i vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar 1468, arriti në vesh të sulltanit në Stamboll, ai thirri: „Azia dhe Evropa tashmë janë të miat. Mjerë krishterimi, që i humbi shpata dhe mburoja!“
Po kujt i intereson përbaltja? Me siguri atyre që  nuk u pëlqen pavarësia jonë, demokratizimi dhe veçanërisht europianizimi ynë. Është shumë domethënës fakti që monumenti i Skënderbeut u vendos në Prishtinë vetëm pas rrëzimit të piramidës kriminale serbe me faraonë të tillë si car Dushani, Tito, Millosheviç e sa e sa „viçë“ të tjerë“.

„Në Llahushë e Prekaz të Deçanit u zhvilluan luftime të mëdha nën drejtimin e komandantit legjendar Adem Jashari, nga familja e të cilit u vranë njëmbëdhjetë burra dhe sa e sa gra e fëmijë. Tek ecnim, më bëhej se na sho¨qronte, si një kolonë zanore filmi, kënga popullore e njohur e Leonora Jakupit dhe më vinin në mendje vargjet e poetit popullor:

Në Llahushë e Prekaz,
zjarr e flakë ka marrë shtëpia,
në bark t’nanës digjet fmija.
Bjeri, mor Adem Jashari,
atij shqau, atij dusmani!
Trimëreshat e Prekazit,
bija e mbesa t’Adem Jasharit,
n’atë transhe rrëke e gjak,
Djepin e flamurit e mbajtën lart.


„Të faleminderit Kosovë për mikpritjen! Sa shumë dëshirë kam të të vizitoj dhe një herë! A thua do të mundem?“

Pjesë nga libri „Gjashtë ditë në tokën ëndërr“, zgjedhur për ZSH nga A. Papuçiu



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora