E premte, 29.03.2024, 10:49 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Vajhalli i Dardanisë dhe Vajhallia e Rumanisë

E diele, 22.03.2009, 04:58 PM


Impresione

VAJHALLI I DARDANISË DHE VAJVLLAHIA E RUMANISË

(Ibrahim Kadriu, Në Vajhall 1-2, roman, “Rozafa”, Prishtinë, 2008)

Nga Baki Ymeri

Edhe pse Vajhalli si një fshat i vogël shëmbëllen me Kosovën e madhe, një sintagmë që kaplon përmasa të shumëfishta që ta përkujtojnë krizën aktuale me vajhallshmëri sociale, apo ish/perandorinë jugosllave e dirigjuar nga xhandarmeria politike serbe, e cila dikur e dha Triestën, që s’ishte e saj, pastaj e dha Slloveninë, që s’ishte e saj, pas së cilës pasuan Maqedonia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, që s’ishin të saj.

Duke lexuar Vajhallin e Dardanisë të përkujtohet Lugina e Timokut, respektivisht Vajvllahia e Rumanisë, e shtrirë në 300 fshatra dhe 6 qytete tejmatanë vendlindjes së autorit, përballë Nishit dhe Karadakut, pa asnjë shkollë dhe pa asnjë kishë në gjuhën amtare, përveç njërës të cilën e ngriti një prift rumun në oborrin e shtëpisë dhe për shkatërrimin e së cilës serbët tentuan ta dërgonin ushtrinë policinë si në Kosovë. Nuk jemi të ftuar për politizimin e recensionit, por për të thënë të vërtetën se, sipas këtij romansieri të talentuar, në kohën kur Morava paraqiste kufirin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, kur në Vajhall ishte qendra ushtarake bullgare, edhe mbi shqiptarët ushtrohej një torturë e egër... “Ne nuk e kemi ndërmend të merremi me të kaluarën e largët”, thotë një personazh negativ. Kryepersonazhi i veprës është Ballori i hallës Zylë, pas të cilit vijnë Stana e tij, Daut Çeli, një shpifës i madh, Aleksandër Potërçka, apo Acë Pijaneci etj. “Metaforat e shprehjeve të Acës ishin me thellësi të tilla që mund të kuptoheshin pas një jave. Puna qëndron te karakteri e jo te përkatësia etnike. Në Vajhall, shqiptarët më shumë e çmonin Acën e dehur (“i cili e vlerëson situatën e qartë, dënon padrejtësitë dhe u jep të drejtë shqiptarëve”), se sa Dautin e rrezikshëm, bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta të djallit, shqiptari që i shiste shqiptarët te Velimir Stojiqi, ky i fundit i stërvitur në Serbi “për të krijuar atmosferë agresive ndaj shqiptarëve, në mënyrë që këta të fundit, duke ndjerë pasiguri, të largoheshin sa më shpejtë” nga Vajhalli, respektivisht nga Kosova.

Ibrahim Kadriu
Ibrahim Kadriu
Sipas mendimeve të Acës, “Njeri i suksesshëm është ai i cili e mbyll gojën para se të tjerët të mbyllin veshët nga fjalët e tij.”, apo: “Ruaju të ndershmes kur e nënçmon dhe vetmisë së keqe kur i bën konak, dhe njeriut të ndershëm kur e sjell në situatë të keqe”. Aforizmi i shprehur përmes përballjes së personazheve, përmes dialogëve të tyre që “Në Vajhall” janë aq spontane dhe të natyrshme, janë si rezultat i filozofisë së popullit, të bartur brez pas brezi, nga kohët kur odat reflektonin ambientet e mësimit. Duket se Ibrahim Kadriu ka vjelë mirë efektet e mendimit tradicional, shumë herë të shprehur në mënyrë aforistike, përmes të cilave portretet na dalin të kalitur mrekullueshem, siç është portreti i Acës, Ajetit, mandej hallës Zylë, e kështu me radhë...

Dhuratë shekujsh dhe virgjëri mendimesh

Me Kalorësin e Karadakut dhe këtë roman të ri, Ibrahim Kadriu regjistrohet në spektrin e romansierëve më të shquar të Kosovës albano/euro/amerikane. Derisa ngjarjet e romanit të parë, të betejave shqiptare për ç’robërim dhe pavarësi, përbëjnë lëndën e një filmi të imagjinuar, evenimentet e Vajhallit mbeten në kujtesë si një kujtim i paharruar mbi historinë e Kosovës gjatë ripushtimit jugosllav (1945/1999). Atmosfera e përshkruar në të, përmes fateve të njerëzve të mbetur në valët e tronditura, nga erëra të forta politike si rrjedhim e etjeve të pashterura të elementit sllav për të qenë dominues, ofron fakte dhe imazhe tronditëse përmes portretizimit real të bartësve të atyre fateve. Autori përshkruan ambientin kosovar me bujarinë e shpirtit shqiptar; merret me një galeri të tërë personazhesh, duke i identifikuar përmes karaktereve individuale, duke i dhënë prioritet doktrinës humaniste, pa anime fetare apo kombëtare.

Kësisoj, lexuesit i jep mundësi t’i kuptojë realisht ngjyrimet e karaktereve, duke dalluar të zezën nga e bardha, qoftë ajo e zezë në taborin e torturuesit, apo në taborin e të torturuarve. Andaj, në këto dy vëllime, e kemi pasqyrimin e saktë: si në skenë tetari, ku parakalojnë ata të cilëve u duartrokitet, por edhe ata të tjerët të cilëve u fishkullohet  apo u pështyhet në fytyrë, pa kurrfarë konsiderate, qofshin sllavë, qofshin shqiptarë. Përgjithësisht kemi të bëjmë me një realitet ethesh, të bartur nëpër vite, nëpër dekada, gjithnjë në pritje të diçkaje që, patjetër, përkundër të gjitha trishtimeve, do të arrijë duke i shëmbëllyer pranverës... Në këtë rrugëtim të gjatë dalin vlera tradite, mbase edhe vlera të çmueshme mineralesh të vjedhura, madje edhe ilegalisht, nga okupatori serb. Janë joshëse faqet ku defilon kurioziteti dhe hulumtimet e Astrit Palokut që kishte përjetuar trysni nga më të ndryshmet, persekutimi i tij politik dhe Buliçi “që i kishte në shënjestër të gjithë ata që e vazhdonin shkollimin dhe regjistroheshin në ndonjë fakultet”.

Ballina e librit Ne Vajhall
Në roman ndjehet shpirti i fshati shqiptar dhe viset malore me traditë mençurie. “E di virgjërinë e mendimeve të tyre, që e kanë dhuratë shekujsh”, thotë Acë pijaneci për shqiptarët. Aleku dhe fati i tij, respekti i shqiptarit ndaj një serbi të mençur. Gjuha dhe stili ia shtojnë vlerën me sintagma si “kolona drejt varreve me heshtje varri”, “hapësirë ferri për persekutime shqiptarësh”, etj. Pasojnë disa nga faqet më të bukura të ndjeshmërisë shqiptare. Erosi ballkanik dhe viriliteti legjendar i kombit shqiptar, jeta intime mes Ballorit dhe Stanës: “Për se lutesh? – ia ktheu ai i ngutshëm, derisa njërën dorë e lëshoi tutje kurrizit të shpinës, duke ia shtri shuplakën mbi vithe, kurse tjetrën në anën e fundit të barkut, apo më tej: “Me sy të mbyllur, por me lëvizje të dorës shpinës së saj, e dëgjonte me vëmendje frymëmarrjen e ngadalshme të Stanës, të përzierë me ofshamë..., dhe, me një të sjellë, arriti ta fuste nën vete. –Ah shpirt! – qe reagimi i vetëm i saj, para se ta angazhonte gojën me të puthura të zjarrta e të gjata.”

Kosova e Ibrahim Kadriut paraqitet te Vajhalli si një Dritë Magjike, si një Ishull i Pavdekësisë dhe si një Vullkan i Durimit që se duron sundimin e huaj dhe skëterrat komuniste që i përjetuan atdhetarët dhe luftëtarët e vërtetë, Rexhep Mala, Gafurr Loku, Rafi Halili, Binak Ulaj apo Astrit Paloku i cili ishte i bindur se “burgjet e kanë edhe efektin e shkollës, varësisht kush dhe si i shikon ato. Në burgje u hiqet mjegulla shumë dyshimeve, formohen idetë me të vërtetat reale”, ngase “brezi ynë e ka për obligim t’i shtrojmë rrugët ku do të ecim lirisht, pa qenë të varur nga të tjerët të cilët na kanë mbajtur dhe vazhdojnë të na mbajnë në mjegull, duke na nxitur për internacionalizëm  për ta harruar vetveten. Jam i bindur se pa e dashtë vetveten, kurrë nuk mund të duhet tjetri”.  Dhe kush mund t’i harrojë do personazhe tjera pozitive të kësaj vepre me vlerë, Agim Ramadanin e pavdekshëm apo Ballorin e mençur, Stanën apo Alekun e saj që s’i duronte shajkaçat serbe, pa marrë parasysh lugetërit që e mashtruan të rikthehet në Kosovë me kontingjentin e gjakpirësve të Beogradit.

Shqiptarët në kazermat jugosllave “të munduar deri në vdekje për shkak të emrit dhe përkatësisë” ta përkujton Lazim Rexhepin e Shipkovicës në burgun ushtarak të Kikindës, në periudhën e kobshme të Rankoviqit, urrejtjen e hungarezëve të Vojvodinës kundër ushtrisë jugosllave, Raif Tajfunin e Vajhallit, i cili, duke u përballuar me aq shumë peripeci arrin në Temishvar (shqip dhe rumanisht: Timishoara), tejet i lumtur që tashmë gjendej në një tjetër shtet, të cilit filloi t’i përshtatet duke filluar nga gjuha e deri te martesa me një rumune, “ambientin me familje të cilën e përqafoi, siç i përqafoi edhe tre djem që i lindën dhe vazhduan rritën e tyre”, fat të cilin e pat përjetuar edhe Lazim Rexhepi, Luani i Sharrit në Moldovë, burri i Ketit, baba i Ilvies, Silvies, Kurtishit dhe Rexhepit; edhe Tajfuni edhe Lazimi, të ndjekur nga shërbimi sekret i ushtrisë jugosllave. Të befason Diellori i padjallëzuar dhe Berberhanja e Zymberit si vendi më i përshtatshëm ku njerëzit e kalojnë kohën duke bërë shaka, duke e përvetësuar mençurinë e njëri/tjetrit, duke anashkaluar bisedat informative të cilat dëmtojnë shpirtin, njerëzoren dhe natyrën e njeriut, njerëz që e duan sinqeritetin e tyre, kur me atë sinqeritet fillimisht i ndihmojnë shpirtit të vet, pastaj edhe të tjerëve, duke ua bërë jetën e përshtatshme e të lumtur.

 

Vellimi i dyte Ne Vajhall
Vellimi i dyte Ne Vajhall
“Edhe Aleksandër Potërçka e jeton jetën e vet, pa lodhur kokën se çfarë mendojnë të tjerët për të, njësoj si edhe Ajet Zandaku.” Acë pijaneci e çon në të samës Velimir Buliçin, veç pse kishte kërkuar nga ai që ta informonte mbi sjelljet e Ballorit dhe mendimet e tij për pushtetin aktual. Birë bushtre, i kishte thënë Acë pijaneci, “kurse Buliçi ia kishte kthyer shpinën duke e vlerësuar për të çmendur”.  Velimir Buliçi i cili mbi 25 vjet mbajti rendin e frikës përmes Sigurimit, përcjelljeve të lëvizjeve të vajhallasve, sidomos të atyre që me vullnet ia mësynin shkollimit, ose të atyre që merrnin guxim të shprehnin ndonjë pakënaqësi ndaj sistemit shtetëror. Janë rrëfime tronditëse që ta përkujtojnë kryeshefin shqiptar të shërbimit të sigurisë shtetërore në Tetovë, i cili mbi 30 vjet me radhë i ndiqte atdhetarët tanë, madje edhe në diasporë.  Pason Astrit Paloku, flamuri dhe demonstratat e vitit 1981. ”Flamurit të zbritur nga plepi iu bashkuan flamuj të tjerë, të nxjerrë nga arkat e vjetra, nga pajat e nuseve, nga tavanet e, besa, edhe nga gropat apostafat, ku ruhej ndonjë ekzemplar i mbështjellë në masë plastike për t’u ruajtur nga lagështia. Flamuj të madhësive të ndryshëm, por që të gjitha të ngjyrës së kuqe në të mbyllët dhe me shqiponjën e zezë në mes dhe, natyrisht edhe me yllin pesëcepësh mbi kokat e shqiponjës, vërshuan shesheve.(f.128)...

Jemi në mars të vitit 2009 dhe preferojmë të kalojmë nga tema në temë. Vajhalli për shqiptarët e 300 shqiptarëve të shkolluar në shkollat saudite për talibanizimin e Shqipërisë, sipas shijeve paranoike të Serbisë! Jemi në një kohë të turbullt kur strukturat kriminale të shërbimeve të fshehta serbo/greke e stimulojnë faktorin islamik për talibanizimin e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Shqiptarët e mençur kanë filluar ta bëjnë publik këtë rrezik të ri, ngase pas tyre qëndron një histori e bujshme betejash të lavdishme kundër sundimit osman dhe kolonializmit serb. Në Vajhall, sipas Kadriut, “varrimet bëheshin në dy mënyra, varësisht prej fesë që i takonte i vdekuri. Por për Acën ishte pak si vështirë t’i dihej përcaktimi fetar. Më parë do të mund të nxirrej me simpati ndaj Budës, se sa ndaj Krishtit, o Muhamedit.” Pse! Ngase budizmi merret me të vërtetën hyjnore përmes vuajtjes, “duke gjetur shkaktarin e vuajtjes për të eliminuar atë  me gjetjen e rrugës së shpëtimit”. Shqiptari para se të jetë mysliman, i krishterë apo ateist, më parë është shqiptar, gjë e ditur nga çdokush prej nesh, ngase feja e shqiptarit është besa, toleranca, trimëria, dituria dhe dashuria.

Mt: Kanë thënë për Ibrahim Kadriun dhe Vajhallin e tij

Sipas Muhamet Reçicës, Ibrahim Kadriu ka dëshmuar nivel të konsoliduar të prozatorit bashkëkohor, i cili në fokus të trajtimit ka tragjiken e realitetit kombëtar në ambientin tonë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore e deri në luftën e fundit të UÇK-së. Mjeshtëria e ndërtimit të këtyre romaneve qëndron në thjeshtësinë e stilit, në kreativitetin gjuhësor dhe në ritmin e harmonishëm në mes të narracionit dhe idesë. Është ky një kontribut i padyshimtë letrar në pasqyrimin e një periudhe nga më të rëndat e më tragjiket, por njëkohësisht edhe më të dinjitetshmet e më të lavdishmet për popullin tonë.  Urrejtje që s’duhej ta kishin. Vetë emri i romanit të kujton një përmasë tragjike të realitetit kosovar, i mbushur me vaj e halle, me brenga e tmerre, me presione të ndryshme e me dhunë të tmerrshme. Vajhalli, një rajon në lindje të Kosovës, por që personifikon tërë gjeografinë e saj, jeton realitetin e rëndë të përbuzjes etnike e njerëzore.

Këtë përbuzje që e përjetonin banorët e Vajhallit (nënkupto të tërë Kosovës) e ndihmonin edhe bashkëpunëtorët vendës, spiunët, që të joshur nga privilegje, apo edhe të detyruar nga presione të ndryshme ia lehtësonin punën pushtetit serb. Romani, duke shpalosur një të vërtetë historike, trajton me një shkallë të lartë të besueshmërisë përpjekjet e pushtetit serb për realizimin e projekteve për pastrimin etnik të Kosovës. Kështu, nxitjen e shpërnguljes së shqiptarëve pushteti e realizonte me vështirësimin e kushteve jetësore, me imponimin e urisë deri në përmasa mbijetese, me mohimin e të drejtave elementare, siç ishte shkollimi në gjuhën amtare, me dhunën e ushtruar ndaj tyre me pretekste të inskenuara, me burgosje e mohim të çdo gjëje shqiptare, deri edhe të dinjitetit njerëzor. Sado që, nga njëra anë autori shpalos me besnikëri këtë realitet fatalist, nga ana tjetër ai mban gjallë fuqishëm edhe ndjenjën për jetë, për dinjitet dhe krenari. Interesat kombëtare në rrethana të caktuara historike kanë ditur të mbrohen gjithmonë, një rast të tillë dëshmon edhe Ibrahim Lipovica, i cili kishte vrarë konsullin rus në Mitrovicë, pasardhës të familjes së të cilit vuanin dhunën e pushtetit.     

Sipas Ardian Haxhajt, Romani - sagë, apo cikli i fateve njerëzore të rralla romanet që e mbërthejnë një gamë të tërë të motiveve e sidomos të ngjarjeve të njëpasnjëshme, siç ndodhë në romanin Në Vajhall. Nganjëherë krijohet bindja se autori është i interesuar të fokusohet vetëm në portretizimin e disa fateve njerëzore në kohë të ndryshme. Kjo përshfaqet sidomos kur në qendër të vëmendjes është përjetimi i brendshëm dhe gjykimi i protagonistëve. Nganjëherë tjetër duket sikur kjo formë e sagës romanore pretendon të dëshmojë dhe të dokumentojë pikat nevralgjike të historisë së etnikumit tonë. Megjithatë, në tërësi romani Në Vajhall lexohet si gërshetim i përcjelljes së fatit të njerëzve, rrita e të cilëve është e pamundshme pa u ballafaquar në çdo hap me atë që quhet dhunë shtetërore, e cila vendoste për fatin e njerëzve... Mund të konstatojmë se është i dukshëm artikulimi mjeshtëror i perspektivës narrative në këto romane, i mbështetur në bazën realiste me ngarkesa historike, me informacione të sakta e burimore, me ide përshkruese të thellëdepërtueshme në psikologjinë e personazheve dhe përgjithësisht në realitetin jetësor të kohës.

Andaj romanet përveç vlerave të pamohueshme letrare, kanë pa dyshim edhe vlera historiografike për një periudhë historike të caktuar të realitetit tonë kombëtar. Ndërkaq, Ali D. Jasiqi, duke bërë një vlerësim të gjithanshëm këtyre dy vëllimeve, shton edhe këtë: “Organet e Sigurimit të Shtetit të njohur si UDB-a kurdisnin lloj-lloj grackash që të tregonin se shqiptarët nuk ishin qytetarë lokalë të shtetit të quajtur Jugosllavi, disa nga të cilat as që mund të imagjinoheshin si kurdisje mjeshtërore ( vizatimi i portretit të Skënderbeut nga nxënësi për çka akuzohet mësuesi), leximi i veprave “të ndaluara” (“Shejzat” e Ernest Koliqit) e shumë të tjera. Këtyre kurdisjeve u ndihmonin edhe serbët lokalë me veprimet e tyre.
Lënda e romanit shtrihet në gjithsej njëzetë e katër kapituj (pesëmbëdhjetë në librin e parë dhe nëntë në të dytin), që edhe janë titulluar, për t’a orientuar sa pak lexuesin në lëndën që shtrohet. Po përmendim vetëm disa nga titujt e kapitujve:”Nata e vajzave”, “Berberhane,Veliçki me çehre turke”, “Stafeta”, “Nëntoka kërkon dëshmitarë”, “Paralajmërimi i vranësirave”etj. ( të libri i parë) dhe “Rrë mujë”,”Astriti”,”Tretjet”, “Erë shkrumbi”, “Nëno moj” e të tjera (në librin e dytë).

Nga vetë titujt e këtyre kapitujve lexuesi do të kuptojë shumë gjëra që do të përshkruhen në vepër. Marrë në tërësi kemi të bëjmë me një roman që lexohet me kureshtje dhe me një frymë përkundër gjatësisë që ka. Edhe gjuha është e rrjedhshme e pasur e këndshme për lexim. Në përfundim të këtij vlerësimi, apo të këtij tentimi për vlerësim të kësaj vepre me aq shumë gjerësi përmbajtjeje, mund të thuhet se letërsia  (e tërësishme) shqiptare është pasuruar me një vlerë të rrallë, mbi periudhën kohore që për gjysmë shekulli ishte nën embargon e nuhatjes policore dhe në pamundësi që të pasqyrohej. Është një vepër e munguar, por aq shumë e dëshiruar  dhe që, në të ardhmen,  mund t’u shërbejë si inspirim të gjithë atyre të cilët, përmes formës së shkrimit letrar, do t’i qasen asaj periudhe të errët kohore, të cilën brezat e kapërcyen me ethe në vazhdimësi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora