E premte, 29.03.2024, 11:18 AM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin e shquar Ibrahim Kadriun

E diele, 22.03.2009, 10:30 AM


Ibrahim Kadriu
Ibrahim Kadriu
INTERVISTË ME SHKRIMTARIN E SHQUAR IBRAHIM KADRIUN

SHPIRTI I KRIJUESIT NUK KA REHATI

Intervistoi Bilall MALIQI

Shkrimtari Ibrahim Kadriu si shumë shkrimtarë të njohur të etnikumit shqiptar me veprimtarinë e tij letrare dhe artistike në të gjitha rrafshet krijuese ka bërë një rrugë të gjatë letrare që nga libri i parë, të cilin më pas e shoqëruan edhe shumë vepra tjera të cilat i mveshi me vlera të larta, e që kjo u dëshmua edhe me përkthimet e librave të tij në disa gjuhë tjera dhe nga mendimet pozitive të kritikëve letrar.Ideja ime që ta zhvilloj një bisedë me shkrimtarin e njohur Ibrahim Kadriu ishte prej kur u përurua në Preshevë libri “Kalorësi i Karadakut”.Por nuk ishte shkak vetëm romani historik “Kalorësi i Karadakut” i cili u nderua me çmimin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës t’ia fillojmë bisedës, por interesimi ynë  u zgjerua edhe me pyetje tjera si rrugëtimi i tij poetik, zhanret letrare që i rrah në krijimet e veta, motivet krijuese të tij etj.,  e që shkrimtari me kënaqësi iu përgjigj...

Keni bërë një rrugë të gjatë letrare, nga “Netët e Karadakut” e deri “Në Vajhall”.A mund të na i përshkruani ecejaket e juaja si shkrimtar gjatë gjithë kësaj rruge?

- Kjo periudhë kohore e përcaktuar në pyetje, përmblidhet brenda kornizave të dyzetë vjetëve, domethënë është shumë e gjatë, prandaj edhe e vështirë të rrumbullakohet si përgjigje brenda një pyetjeje e cila, sipas natyrës së revistës për të cilën kërkohet intervista, nuk jep mundësi shtrirjeje. Të përshkruhen ecejaket, rrugëtimet dyzetvjeçare si shkrimtar, jo që duhet kohë, por edhe hapësirë shprehjeje, disponim përqendrimi, ndërkaq dinamika jetësore është aq e pa mëshirshme; një përbindëshi i cili ngatërron të gjitha rrugët dhe dëshirat. Kjo dinamikë, që vazhdon të jetë si e tillë, për fat të keq, largon miqtë, ua mbyll derën planeve, mbase i largon edhe ambientet e dëshiruara, siç janë ato të vendlindjes, por nuk lë as mundësi për t’u marrë me kujtimet, më saktë: për t’u shprehur ashtu siç e kërkon pyetja. Sidoqoftë, dyzet vjetët e kaluara me përkushtim shkrimtari, në një ambient tonin, të ngatërruar në “hesape” politike të interesave të ndryshme ideologjike e nacionale, paraqesin një epokë të tërë, me të gjitha aspektet e ngritje-rënieve; një epokë e mbushur me kundërthënie në të cilën shkrimtari, duke qenë i ngarkuar me ndjesitë fine, gjithherë e ka rolin e viktimës. Të them më konkretisht: roli i shkrimtarit është të perceptojë të gjitha dimensionet e rrethit ku jeton e vepron, dhe ai perceptim shndërrohet në një barrë të cilën shkrimtari e bart gjatë jetës, barrë e cila definohet  me të gjitha ngjyrimet e jetës, qofshin ato të ëmbla apo edhe të hidhura. Kjo domethënë se, gjatë dyzet vjetësh, si shkrimtar më ka rënë t’i provoj të gjitha, por gjithmonë jam përpjekur që të lirohem nga ajo barrë, duke i nxjerrë përjetimet në letër dhe duke i shtrirë ato në letër. Kësisoj kam arritur të rrumbullakoj (para dyzet vitesh) librin poetik “Netët e Karadakut”, për të vazhduar pastaj me veprat tjera siç janë romanet “Kroi i ilaçit”, “Qyteti buzë liqenit”, ‘Zogjtë fluturojnë vetë”, e kështu me radhë kam arritur deri “Në Vajhall”, roman ky që (në dy vëllime) paraqet një rrumbullakim të asaj që, siç e thashë më sipër, quhet përjetim.  

Kahdo që keni ecur, lajtmotiv kryesor keni pasur vendlindjen, Karadakun. Cila është ajo forcë që ju identifikon kaq shumë me këtë reliev përplot plagë , dhembje po, edhe dashuri?

- Me këtë rast më kujtohet një rrëfim i kahershëm, i një të shpërnguluri, i cili kishte qenë (sikur edhe mija shqiptarë të tjerë) i vendosur në Turqi. Ai njeri i cili rrëfehej në një emision televiziv, thoshte se me të arritur në Turqi, ia kishin ndërruar mbiemrin, mbase edhe emrin. Ai nuk fliste për arsyen e ndërrimit, sado që e kuptonte fort mirë se qëllimi ishte të “fshinte” identitetin, të harronte prej nga kishte arritur atje... Por, ai njeri i moshuar, me stazhin mbi pesëdhjetë vjeç të jetës në ambientin turk, thoshte se ëndrrat i kishte të gjitha të Kosovës  dhe se, kurrë në jetën e tij, nuk kishte parë ëndërr me ambient turk. Prandaj ambienti i vendlindjes nuk mund të shlyhet nga kujtesa, pavarësisht se ku gjendesh dhe në çfarë kushtesh jeton. Ambienti me plagë e dhembje, i reflektuar në kujtesë, nuk humbet, përkundrazi, te përkushtimi i shkrimtarit gjithmonë merr forcë për t’u identifikuar. Në aspektin teorik mund të thuhet se identifikimi i shkrimtarit përmes temave që, si lajtmotiv, i shpërndahen veprave me ngjyrime të vendlindjes, është shumë normal. Prandaj, në kuadër të këtij normaliteti, sillem edhe unë si krijues dhe, sa herë që mbyllem në studion time të punës, më vinë imazhe të vendlindjes, në formën e kujtimeve personale, por edhe në formën e rrëfimeve që i kam dëgjuar nga bashkëvendësit e mi në do kohë me plot plagë. Imazhet nga atje paraqesin forcën kryesore të krijimtarisë sime në të gjitha periudhat krijuese, që nga poezitë e para mbi Karadakun, mbi tragjeditë që ju ndodhen karadaklinjve të mi nga  njësitë partizane, të maskuar me pendla pëllumbash, e deri te ngjarjet e fundit, të luftës së fundit, kur paramilitarët i vranë njerëzit në pragjet e shtëpive...

Keni shkruar nëpër zhanre të ndryshme letrare. Në cilin jeni ndjerë më rehat?
Apo mendoni se keni dhënë më shumë prej vetes?

- Nuk di se çfarë kuptoni me rehatinë. Shpirti i krijuesit nuk ka rehati, pavarësisht se përmes cilit zhanër nxjerr reflekset e ndjeshmërisë emocionale që arrijnë në shprehje bashkë me motivin për të cilin shkruhet. Dy format e shkrimit, apo si i thoni – zhanre, poezia dhe proza, paraqesin mënyrën përmes së cilave “lundroj” në botën imagjinare dhe, kur ajo botë më qaset si refleks i rastit, “pushoj” shpirtërisht përmes vargjeve. Të tjerave u jap mundësi të shtrihen në faqe proze, në romane. Me te dy format mbaj aleancën konstante, që nga fillimi, domethënë që nga vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, gjithnjë me përpjekje që të mos e lëndoj as njërën as tjetrën formë. Rehatia ime si krijues në të vërtetë vjen pas aktit krijues; pas rrumbullakimit të asaj lënde me të cilën ndodh të merrem me ditë, javë, muaj, mbase edhe me vjet. Kjo domethënë se krijuesi vështir të gjejë rehati të plotë, për shkak se vështir kënaqet me të krijuarën gjatë kohës kur, vazhdimisht, hulumton motive, i nxjerr ato në shesh dhe bëhet shërbëtor i tyre. Në këtë drejtim, të them edhe këtë, në mënyrë konstante jam i pa kënaqur dhe vazhdimisht e kërkoj kënaqësinë te veprat e reja, te ato që më sillen në kokë; që janë vetëm ide deh bëjnë “revolucionin” e brendshëm që të marrin formën e dëshiruar, qoftë si roman, apo si poezi.

Ekziston një përshtypje se jeni më i suksesshëm në poezi, ndërsa shkrimin e romaneve vetëm sa e keni forcuar. Cila ju tërheq më shumë?

- Përshtypjet (vlerësuese) mbi krijimtarinë e shkrimtarit i takojnë subjektivitetit të atij që merret me to. Te vlerësimet absolutja është e munguar, veç relativiteti e ka mbizotërimin, prandaj nuk iu besoj fort  “përshtypjeve” mbi të suksesshmen dhe të pasuksesshmen; mbi atë se a vlerësohet më shumë romani, apo poezia. Kjo varet nga individi, nga lexuesit... Dikujt i pëlqen poezia, dikujt tjetër proza, kurse unë në rolin e shkrimtarit, në procesin e krijimit, nuk merrem se si jenë shprehur vlerësuesit, se a ju ka pëlqyer më shumë atyre puna ime si romansier, apo si poet. Natyrisht se i përcjell ato shkrime, me të cilat mund të pajtohem ose jo, por në asnjë mënyrë nuk i marrë për këshillë se me cilën formë shkrimi duhet të merrem. Se cila nga ato forma më pëlqen më shumë, do të thosha: të dyja, sepse edhe njëra edhe tjera më ofrojnë shfrim shpirtëror. Kjo domethënë se, kur shkruaj, shfrej shpirtërisht. Lehtësohem prej bagazheve që më rëndojnë, prej bagazheve të mbushur me kundërthënie shoqërore, jo vetëm të sotme, por edhe të më hershme, që i “huazoj” nga realiteti historik i cili më nxit të përballem edhe me protagonistë realë, nganjëherë edhe me emër e mbiemër.

Sigurisht, me këtë rast mendjen e keni te protagonisti historik Idriz Seferi, të cilit ia keni kushtuar romanin “Kalorësi i Karadakut” e që është vlerësuar aq shumë nga estetë...

- Po, pikërisht te Idriz Seferi e kam mendjen, te ajo figurë aq madhështore e historisë shqiptare, që ka qenë e anashkaluar, ose ka qenë përbuzur me mëdyshje të atyre që jetojnë duke improvizuar rrethana historike dhe, në këtë rrugëtim, shkelin edhe mbi emra të kalibrit të Idrizit. Ky roman, e dini sigurisht, është nderuar me çmimin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, dhe me atë rast të nderimit është thënë se ambienti kohor prej tetëdhjetë vjetëve i përfshirë në të, paraqet veçanti pikërisht pse janë figurat reale në të dhe se, ato figura dhe ato kohëra, janë shtruar (e shkruar, natyrisht) pa ekzagjerime. Meqë fjala është për protagonistë realë, janë edhe veprat tjera ku kam vënë “në lojë” figura nga realiteti, siç janë te “Kroi i Ilaçit”, psh, një garniturë e tërë primitivësh të cilët të frustruar me epoleta të sistemit shkelnin mbi masën duke ua mbyllur rrugët e identitetit kombëtar përmes “shtrydhjes” sociale; përmes ndikimit negativ (aspektet e mbikëqyrjes policore) të frymëmarrjes normale. Njësoj edhe te “Zogjtë fluturojnë vetë”, ku vijnë në shprehje masakrat në Karadak, pastaj te “Loja e fundit” mbi të ndodhurat në vitet e tetëdhjeta kur minatorët e mbyllën në zgafelle, apo edhe te romani i fundit (në dy libra) “Në Vajhall” ku merrem me realitetin e hidhur të ndodhur brenda kornizave kohore të pesëdhjetë vjetëve të fundit të shekullit që e lamë pas. 
 
Duket se ju qëllimisht e sforconi vijën e rrëfimit nëpër romanet tuaja ndërkohë që një pjesë i shmangen rrëfimit klasik. Mëtoni edhe më tutje ta ruani këtë formë të të rrëfyerit në roman?

- Nuk jam i prirë të merrem me teorinë e shkrimit, se cili rrëfim është klasik e cili modern. Rrëfimi është rrëfim dhe do të isha i lumtur sikur, rrëfimet e mija romaneske, ta kishin mbështjelljen klasike, ama vërtetë klasike. Romani duhet ta ketë vlerën e një laboratori prej ku, pas eksperimentimit me shpirtrat, protagonistët do t’iu afroheshin lexuesit me aso veti nga të cilat do të kuptoheshin virtytet e tyre në rrethana të një kohe. Gjatë paraqitjes së rrethanave dhe atyre figurave të kushtëzuara nga rrethanat, është me rëndësi (së paku unë kështu mendoj dhe veproj në praktikën e shkrimit) që të mos e lëndoj lexuesin me shprehje eksperimentale, të huajtura nga X e Y shkrimtarë të ndryshëm, të ashtuquajtur modern. Xhojsi, fjala vjen, e kishte kohën e vet edhe si eksperiment, prandaj do ta kisha lënë të qetë. Sa shumë do të dëshiroja ta paraqitja shpirtin e njeriut, ashtu sikur i kanë paraqitur klasikët, qoftë Tolstoji, Balzaku, qoftë Stendali apo edhe shumë të tjerë.   

Në cilin zhanër do ta ndeshim nesër Ibrahim Kadriun,  apo do ta presim kështu nga të gjitha drejtimet?

- Ashtu si deri tash: në të gjitha drejtimet, nëse më mban fryma, natyrisht. Ndonëse, pas kësaj pune aq të vrullshme të deritashëm, dhe në këtë moshë të cilën, dikur, e konsideroja moshë pleqërie,( kurse tashti nuk po ma ka ënda moshën time ta quaj pleqëri), kam nevojë për një relaksim, duke i dhënë vetit të drejtë edhe për pushim. Shpesh mendoj që, tashmë, ka ardhur koha edhe fizikisht të kthehem në vendlindje, për ta shfrytëzuar çdo moment në shëtitje nëpër vise kur, dikur si fëmijë, i “thyeja” këmbët zbathur, i “gjeja” gurët dhe u mëshoja me gishtërinjtë e këmbëve... Ajo kohë (tashti e munguar) sikur më thërret për çdo ditë.  

BIOGRAFIA:

Ibrahim Kadriu, i lindur më 8 janar 1945 në Zhegër të Gjilanit (Kosovë). Shkollën fillore  e kreu në vendlindje, më 1959, ndërkaq shkollën e mesme (Normalen) në Gjilan në vitin 1964. Studimet universitare i mbaroi në Prishtinë. Pas dy viteve të punës si pedagog, më 1968 ka filluar punën e rregullt të gazetarit në të përditshmen "Rilindja", gazetar ee redaktor i kulturës dhe reporter i lirë. Në "Rilindje" i ka vazhduar puna gjer në dhjetor të vitit 1999 kur (në detyrën e redaktorit) kalon  në të përditshmen "Zëri" ku edhe sot punon. Që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta aktivisht merret me letërsi. Deri tash ka botuar këto vepra:"Netët e Karadakut", poezi (1969); "Qyteti i luleve", tregime (1970), "Pranvera shikon nga bregu", vjersha (1972), "Diçka po ndodh", poezi (1972) "E lumi rridhte", novelë dhe tregime (1973), "Armendi", poemë (1974), "Pas kthimit", roman (1975), ribotoi "Naim Frashëri",(1985), "Hapësirë", poezi (91977), "Shpëtimtarët", novelë dhe tregime (1978), "Kohë e të korrave", roman (1979),  "Troku" , poezi, (1980),  Tregime (1980), "Kroi i ilaçit", roman (1982), botimi serbokroatisht "Lekovit izvor" (1987), "Ethet e një dimri", roman (1983),  "Koprena vremena" , serbokroatisht, poezi (Veli i kohës) - (1984), "Zogjtë fluturojnë vetë", roman (1986), "Fjalori i mbrapsht", poezi, (1986), "Epoka në figura", roman (1987), "Nëna", novela, (1988),  Tregime, përzgjedhje lektyre (1988),  "Pastaj harrohet", poezi (1989), "Më shumë se lojë", roman (1990), "Qerrja e dritës", roman (1990), "Loja e fundit", roman (1993), "Përrallorja", novelë dhe tregime (1996),  "Vite me plagë", roman (1998), "Spirale muzgu", roman (2002), "Shqiptarja e gjithë botës", roman, ribotim i UEGEN-it, Tiranë, 2003, ribotim i romanit "Qerrja e dritës"; "Shtëpia e fantazmave", roman, 2004; "Qeni me tenxhere", poemë, 2005, "Dreni dhe Drenusha", novelë, ilustracion shqip-norvegjisht, 2005; "Na ramas timp pentru sarbatori" (S'mbet kohë për kremte), vëllim poetik në gjuhën rumune, Bukuresht, 2005. “Çuni i kohës së Lekës”, roman, (2006),  “Frymëmarrje në shtjellë”, vëim poetik (2007), “Kalorësi i Karadakut”, roman, (2007), “Në Vajhall” (dy vëllime), roman (2008), “Dy plus Dy”, dy drama dhe dy novela (2008).  Botime të tjera: Dhurata letrare, libër leximi për kl. VII (1987), shumë herë i ribotuar, "555 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1995), "444 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1997)  .
Pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut (poezi e fragmente prozash) janë botuar edhe në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht.
Për veprimtari letrare ka marrë mirënjohje të ndryshme, si Çmimin "Shtjefën Gjeçovi," për poezi, Çmimin e Nëntorit (të Prishtinës) për skenarin e serisë televizive "Fidani", realizuar sipas romanit "Pas kthimit", Çmimin e vendlindjes, çmimin "Agim Ramadani", Çmimin vjetor “Ymer Elshani”, Çmimin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës,  e tj. Romanin "Pas kthimit" Radio Tirana e ka realizuar edhe si radiodramatizim të cilin (në disa vazhdime) e ka emituar gjatë viteve të tetëdhjeta.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora