Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihallaq Andrea Dëshira ime, recital në Tiranë

| E marte, 11.04.2006, 08:58 PM |


Mihallaq Andrea
Kur ishte në moshën e rinisë, në kulmin e krijimtarisë dhe të lavdisë së tij, bukuroshi korçar 182 cm, Mihallaq Andrea, në atë kohë 26 vjeç, iu nënshtrua një operacioni të frikshëm. Mjeku i shquar dhe shoku i tij më i ngushtë i atyre viteve, Ylli Zicishti, i përlotur dhe me bisturinë e tij të pagabuar në dorë, i preu këmbët. Kishte ndodhur një gangrenizim në fizikun e këngëtarit, kryesisht për shkaqe emocionale, që si rrallë këngëtarë sot, ngjet që të përlotet duke kënduar serenatat e tij. Mjekësia e Shqipërisë së izoluar gjatë asaj periudhe, dukej qartë se e kishte të pamundur të bënte më shumë…Mihallaq Andrean, fare rrallë e shikojmë të jetë i ftuar nga “sundimtarët e medias muzikore” në Tiranë, pavarësisht faktit se, ai zotëron një zë shumë intim, melodioz dhe magjepsës, ashtu siç janë magjepsëse lulet e egra të livadheve pranverore.Asnjëherë nuk e shikojmë në ndonjë juri “misesh” edhe pse Andrea është autori i 330 serenatave të dashurisë (me përjashtim të një serenate, kushtuar një djaloshi të hijshëm kosovar, që ra me armë në dorë në mbrojtje të Junikut, pasi kishte refuzuar para disa muajsh, të merrte pjesë në një sfilatë aristokratike të bukurisë mashkullore). Shumica e miqve të tij nga “mediatikët”, renditen në radhët e gazetarëve e të politikanëve dhe kjo e ka një arsye. Kjo kategori njerëzish të mençur, kanë nuhatur nganjëherë edhe pa e patur mendjen se, vështirë të gjendet ilaç më pikant, për të mposhtur streset e përditshme që po na shtohen dita-ditës, sesa serenatat e Korçës së Mihallaqit. Këto ditë lexuam në shtyp rreth gjakmarrjes e vrasjeve për një fjalë goje. Kushedi se sa njerëz, do të ishin shtruar e qetësuar si pas një tufani të tmerrshëm, në rast se do të kishin bërë një terapi me serenatat e gjeniut nga Korça. Sa e veçantë do të kishte qenë kjo terapi pas marsit të ’97-ës, kur jo pak njerëz kërkonin zgjidhje me gjuhë kallashnikovësh! Mbase dikujt i duket jo aq e besueshme kjo që po përmend përpara bashkëbisedimit me njeriun pa këmbë, që nget makinën nga Korça në Tiranë dhe kthehet me mjeshtrinë e një shoferi të regjur. Unë kam shkruar pjesën më të madhe të një romani katër voluminoz, që do ta nxjerr në botim gjatë këtij shtatori, duke dëgjuar papushim, lehtë dhe thuajse pa u ndjerë, serenatat e Mihallaq Andreas.
- Sa e lodhshme ishte rruga që nga Korça deri në Athinë? Patët ndonjë shofer dublant?
- Jo, absolutisht. U nisa herët dhe rrugët andej janë shumë të rregulluara e me një trafik të kontrolluar mirë. Pastaj, makinën time nuk mund ta ngasin të gjithë shoferët, pasi unë e komandoj atë vetëm me duar.
- Sa zgjati koncerti në Athinë dhe si ju pritën?
- Kam kënduar pa ndërprerje, pothuajse për shtatë orë dhe më kanë pritur shumë ngrohtë, me aq dashuri, sa nuk mund t’a gjej askund këtë ndjesi, përveçse në mes të shqiptarëve. Në njoftimin e koncertit tim, shkruhej se, “kush e ndjen veten korçar devolli dhe kolonjar, të vijë menjëherë në koncert, sepse na vjen Mihallaqi ynë që nga Korça”.
- Në koncertin tuaj, në Athinë, publiku prezent në sallë ishte vetëm nga qyteti i Korçës?
- Jo, absolutisht. Gjithashtu prezente ishin edhe disa vajza e gra shkodrane që sapo mbaroi koncerti, u sulën të më puthin me lot në sy. Më thonin se ju dukej sikur ishin duke puthur atdheun e tyre, që e dëshirojnë dhe dashurojnë aq shumë në emigracion, (përlotet). U dhashë fjalën se, do të shkoj atje përsëri në tetor dhe sigurisht, që do ta mbaj fjalën. Për hir të asaj dashurie, unë do ta jepja edhe jetën time, e jo më, të mos shkoja për të kënduar serenatat e mia.
- Do të doja t'ju bëja një pyetje intime. Serenatat tuaja janë që të gjitha si të dala nga shpirti. Sa e vërtetë është kjo?
- Po është e vërtetë. Unë nuk kompozoj dot, në rast se diçka nuk më del nga thellësia e shpirtit tim.
- Ju keni në repertorin tuaj 330 serenata. Mund të na thoni nëse i dedikohen një femre, apo femrave të ndryshme?
- Sigurisht që bëjnë fjalë për dashuri të ndryshme nga njëra-tjetra.
- Dashuri të ndryshme të dala nga një shpirt! Atëherë keni pasur 330 dashuri në jetë?
- (Qesh). Po çfarë më thua kështu? Unë duhej të isha Don-Zhuan po të ishte siç po më pyet. Sekreti i intimitetit të serenatave të mia është ky, "vjen një shok, një shoqe, apo një i panjohur dhe më flet me zemër të dridhur për dashurinë që ka përjetuar. Unë hyj në dhimbjen e tjetrit dhe ulem e shkruaj këngën, të cilën e këndoj, vetëm unë i pari... Ja, kështu ka ngjarë".
- Po nëse sot, një vajzë, një djalosh, apo një çift me rastin e dritës hyjnore të martesës, do të dëshironin një serenatë nga dora juaj dhe nga zëri yt, a do të ishte e mundur ta kishin edhe sikur të mos banonin në Korçë?
- Natyrisht që po. Normalisht, ata duhet të takojnë në Tiranë poetin tim, me të cilin bashkëpunoj kohët e fundit dhe si t’ia ketë poetizuar dashurinë ai, unë nis nga puna. Gjithmonë, kam qenë shumë sqimëtar tek tekstet. Gjithsesi, kushdo mund të më telefonojë mua, ose në celularin tim, ose në shtëpi në Korçë. Këto ditë, unë kam siguruar edhe një program modern orkestrimi dhe këtë, të gjithë të dashuruarit mund ta kenë nga dora ime.
- Cila është serenata e parë që keni krijuar?
- “A të kujtohet ajo natë”, titullohet. Atëherë kam qenë katërmbëdhjetë vjeç dhe në Korçë erdhi një vajzë nga Tirana për pushime. Ajo kishte shkruar tekstin e serenatës në fjalë dhe unë e bëra mishin dhe gjakun tim. Kur e kompozova, nuk i tregova as babait dhe asnjërit nga pjestarët e familjes sime. Kjo këngë nuk është dhënë asnjëherë në radio apo Televizione. Megjithatë, "A të kujtohet ajo natë", këndohet anë e mbanë në dasma. Pas dyzet viteve isha tek vajza e turpshme tiranse, që unë nuk e takova më asnjëherë që nga ajo verë. Më ka telefonuar, menjëherë sapo kisha dhënë një intervistë, ku i isha përgjigjur kësaj pyetjeje. Ajo më dha të falat e bashkëshortit të saj dhe unë, nga ana ime, i dhashë të falat e Irenës sime të mrekullueshme, nënës së dy fëmijëve të mi.
- Po serenata e fundit?
- Një poeteshë nga sektori i mjekësisë në Tiranë, më dhuroi një libër të sajin dhe m’u lut që, po të më pëlqente ndonjë poezi, t’a kompozoja. Unë zgjodha njërën prej tyre. Është shumë të bukur. Bëhet fjalë për një mjeke të re në spital. Është natë kur,… i troket dera. Në derë ndodhej një koleg i saj, që dëshironte të kalonte çaste të natës vetëm me të. Ai i pëshpërin, “jam unë”. Nata është e lodhshme dhe plot dehje. Ai troket dhe vajza është në dilemë, nëse duhet t’ia hapë derën atij mashkulli, apo jo.
- Pse nuk ju kemi parë të merrni pjesë në festivale kombëtare?
- Kam dashur të marr pjesë. Madje, vitin që kaloi kisha një tekst shumë të veçantë dhe intrigues. Titulli ishte “Hajdut, të lutem, eja e më vidh”. Mirpo, duhen një "qerre" para për të orkestruar një këngë, fatin e së cilës nuk e di njeri, deri sa të kalojë tek komisioni. Nga ana tjetër, ngado flitet për korrupsion e dallavere…Unë, i dashur mik, serenatat e mia i kam, aq të shenjta, siç e kam të shenjtë nderin e vajzës, apo gruas sime. Unë nuk mund të lejoj nëpër krahët e tyre, qoftë edhe pakëz "pluhur dallavereje" apo rryshfetesh. Oh, kurrë mos vafshin vajzat e mia, serenatat e mia, aq të pastra e aq të sinqerta, në vende ku ka njerëz që flasin për terma grykësish.
- Kemi dëgjuar se në Irlandë ndodhet një këngëtar i shquar me të njëjtat probleme si të fizikut tuaj…
- Po, është e vërtetë. Quhet Ronan Tajnën dhe është shumë i pasur. Veçse, të mos harrojmë që Irlanda është vendi nga kanë dalë gjashtë nobelistë, vetëm në letërsi. Populli irlandez është një popull shumë impulsiv dhe që e respekton kulturën si iranianët.
- Pse, çfarë ju lidh ju me kulturën e persëve?
- Unë kam kompozuar nëntë serenata me tekstet e gjeniut të tyre, Xhelaludin Rumiut, për nacionalitetin e të cilit grinden turqit, irakenët dhe iranianët.
- Meqenëse u shprehët kështu për brilantin irlandez, mos ndoshta kjo është një kritikë e tërthortë për ne, në Shqipëri?
- Në të vërtetë, në atdheun tim, në Korçën time, mua më respektojnë njerëzit e thjeshtë aq shumë, sa mbase nuk e meritoj. Një herë ka ndodhur kështu, "Në një qytet të Greqisë, u afishua një lajmërim, ku thuhej se ka koncert M.Andrea dhe unë nuk dija absolutisht asgjë, pasi isha në Korçë. Kur ishte salla plot, organizatori i shfaqjes u tha: “Mihallaqi u sëmur e nuk mundi të vinte. Ai ju falenderon për ardhjen sonte këtu…Ne kemi ftuar në vend të tij për të kënduar…”
- Pse, ju kërkoni shumë para për koncertet?
- (Qesh). Paratë janë gjëja e fundit që unë bisedoj. Paratë nuk kanë ekuivalencë të mirëfilltë me artin. Ke vënë re ndër dasma se si, njerëz hallexhinj në kulm e të varfër, kur i rrëmben kënga, sulen e lenë paratë e shpirtit që kanë nëpër xhepa, për t’ia vënë në ballë këngëtarit? Unë nuk para shkoj ndër dasma, por vite më parë, pata shkuar në një dasëm. Atje, një dasmor më vërviti një sasi të madhe parash. Unë i mblodha mënjanë. Dikush më pëshpëriti në vesh se, ai person më kishte dorovitiur paratë, me të cilat donte të blinte një televizor për familjen, ishin tv bardh e zi në atë kohë. Sigurisht, që ja ktheva paratë që të gjitha. Ama, kjo tregon fuqinë e artit dhe mos pasjen e ekuivalencës së tij me paratë.
- Kur do të shkoni sërish për koncert në Athinë?
- Në tetor, për tre ditë.
- Po në Tiranë, kur do të jepni një recital?
- E ku e di unë? Unë di të them vetëm këtë. Për mua një recital në kryeqytetin e vendit tonë, në Tiranë, ka më tepër rëndësi sesa të dy koncertet që kam dhënë në SHBA, atë që kam dhënë në Selanik dhe atë në Athinë.
- Pas Tiranës, ku do të kishit dëshirë të jepnit një recital?
- Pa asnjë dyshim, në Shkodër. Unë jam çuditur shumë, kur më ka dalë në telefon një ditë njeriu më i fortë i Shqipërisë, Asim Belinovi shtangist, i cili m’u lut që t’ia dërgoja kasetën time të fundit dhe më tha se adhuronte serenatat e mia. Më tha se, shumica e sportistëve të sporteve të rënda në Shkodër, që ai i kishte shokë, i donin shumë serenatat. Do t’ia dërgoj kasetën që kam bërë me Roland Llupon e “Elrodit”, por edhe tjetrën që kam pregatitur me Florin, që aktualisht punon në një televizion, por që ende nuk e kemi publikuar.
- vA i pëlqejnë serenatat tuaja në Kosovë?
- Eh! Në Gjakovë është një kompleks rinor që këndon serenatat e mia. Ishin një herë disa vajza shqiptare nga Suedia, të cilat më thanë se m’i kishin regjistruar këngët nga interneti, po unë nuk e di se kush i ka futur në internet ato, gjë e cila, sigurisht që më gëzoi shumë. Gëzim Zherka, ka ardhur brenda një dite që nga Prishtina dhe është kthyer po atë natë, vetëm që të merrte këngën e kompozuar për djalin e tij, Eltonin. Këngë kjo, që më pas u transmetua në të gjitha radiot kosovare, me rastin e 12 gushtit, ditës së rënies së dëshmorit të UÇK-së, Elton Zherka…Eh! Është edhe një këngëtar ulqinak, Fadil quhet, i cili ka ardhur të më takojë kastile dhe këmbëngul të këndojë serenata të kompozuara e të orkestruara nga unë. Madje, më ka thënë se do të vijë në Korçë, pas sezonit të plazhit, të rrijë një muaj dhe të “mësoj shkollën tënde, zoti Mihallaq”, siç thotë Fadili i mrekullueshëm.
- Mos doni të thoni që kur të na jepni një recital në Tiranë, duhet ta keni mirë edhe me politikanët?
- Po mua edhe politikanët më duan mor bir. Kur ka raste që i takoj, më respektojnë shumë, më thonë se çfarë halli kam që të m’a zgjidhin menjëherë, por unë s’u them gjë, thjesht se më vjen rëndë.
- As për recitalin tuaj nuk u keni thënë?
- Jo. Gjithsesi, recitali në Tiranë, do të ishte një shpërblim për artin tim, që unë nuk do ta harroja për tërë jetën.
- Meqenëse ra fjala, me cilën parti jeni?
- Unë dua që, kur të vijë koha e të vdes, në xhenazen time të vijë e tërë Korça, të vijnë të gjithë ata që ua kam prekur shpirtin me serenatat e mia. Po jemi vëllezër të gjithë, na ka bërë një nënë, Shqipëria.

Riza Lahi