Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arsim Halili: Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Bilall Maliqi

| E diele, 22.03.2009, 10:24 AM |


Bilall Maliqi
Bilall Maliqi
POEZIA PASQYRË E NDODHIVE NËPËR KOHË
 
Intervistoi
Arsim Halili
 
Bilall Maliqi shkrimtar, autor i nëntë veprave letrare, autor i sërë publikimeve, vështrimeve letrare, eseve dhe shkrimeve tjera gazetareske, nuk është i vetmi  krijues nga Kosova Lindore që shpirtërisht punon për kulturë, është mishëruar me krijime poetike dhe mundohet me mish e shpirt ta ngrisë në nivel më të lartë kulturën në vendin ku jeton dhe vepron.Në saje të punës së palodhshme në krijime poetike dhe shkrime tjera publicistike si udhëheqës i shkëlqyeshëm i të vetmit Klub  “Feniksit” që është legjitim në tërë territorin e Kosovës Lindore, së bashku me kryesinë arriti që me sukses ta promovojë kulturën e një krahu të shkëputur të shqiponjës e që quhet Kosovë Lindore…
Emri  i shkrimtarit Bilall Maliqi është tashmë i njohur në gjitha trevat ku flasin shqip, si në  Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetiu, ku me veprat e tij arriti të bëhet i njohur në këto vende ku i përmendëm më lart dhe të ketë bashkëpunim të sinqertë me krijues të këtyre vendeve.
Edhe pse i zënë me punët e tij të përditshme si në gazeta të ndryshme, por edhe me krijime letrare shpreha një dëshirë të  kamotshme  që një ditë ta zhvilloj një bisedë me Bilallin, t’i shpalosim disa mendime lidhur me kulturën letrare në përgjithësi, vlerat e krijimeve të fundit, lidhur me kritikën letrare, pse jo edhe për rrugëtimin e tij nëpër suksese të vargëzuara.Me kënaqësi poeti Maliqi iu përgjigj insistimit tonë, por me një buzëqeshje të kufizuar m’u lut që mos t’i shtroj pyetje rreth politikës, sepse “politika dhe kultura kanë kahje të kundërta” theksoi ai…
 
Nga t’ia fillojmë- zanafilla në krijimtari dhe “Rrugëtimi” juaj në rrafshin e krimijeve letrare?
 
-Eh, zanafilla ime në krijime-të hudh mendime në letër kam filluar qysh në moshë të re, pa e ditur se ndonjëherë do të botoja edhe kaq libra. Më kujtohet edhe poezia e parë e botuar në faqen e kulturës në “Rilindje” e poezia titullohet “Fjalë të zjarrtë”, në vitin 1994. Të them  të drejtën të shkruaj kam filluar edhe më herët  si nxënës i fillores Të më nxisë të shkruaj dhe të punoj rreth finalizimit të librit të parë ishin shkrimtari i njohur Mexhid Mehmeti dhe profesori i nderuar Xhemaludin Rexhepi të cilët më përkrahën moralisht  dhe më treguan rrugën finale të botimit të librit të parë të titulluar “Rrugëtimi” 2004, libër ky me poezi për të rritur, i ndarë në katër cikle, me motive të larmishme. Ky libër i hapi rrugë librave tjerë si me poezi për të rritur, për fëmijë dhe proza për të rritur dhe për fëmijë…
 
Në përmbledhjet tuaja poetike çfarë motive lexuesi mund të gjejë dhe çfarë tematike keni përdorur në vargje?
 
-Në gjitha librat me poezi rrahi më tepër motivin patriotik dhe social. Inspirimet lindin vetë. Nëse marrim parasysh ndodhitë që ishin në vitet e ’90-ta, të cilat ishin fatzeza për gjithë shqiptarët, dhuna, represioni, lufta dhe spastrimi etnik që u zhvillua në Kosovë, krijuesi ka mjaftë inspirime ta rrahë motivin patriotik, t’i shkruaj të zezat kuptohet me figura letrare, por edhe më herët t’i përkujtojmë me anë të vargjeve edhe figurat madhore të kombit si poezi përkushtimore.
Të gjitha librat me poezi si për fëmijë, por edhe për të rritur me anë të figurave letrare me sukses arrita të jap një pasqyrë të ndodhive nëpër kohë. Zaten këtë obligim moral e ka çdo krijues t’i shkruaj atdheut, flamurit e të mbeten shkrimet e tyre udhërrëfyes për gjeneratat e reja secili në kualitetin e vet të shkrimit.
Për secilën libër si në poezi por edhe në prozë kritika ka dhënë vlerësim pozitiv, kjo është ajo që më jep krah të punoj, veproj dhe të lundroj nëpër “oqeanin” e gjerë të sukseseve ku nëpër këtë oqean  kaluan edhe shumë shkrimtarë të dëshmuar para meje dhe pse jo do kalojnë edhe pas meje…
Pjesë e të gjitha krijimeve poetike është edhe motivi social. Poeti duhet që krijimet e veta t’ua përshtatë kohës me qëllim që të mos i marr era, pra poezitë apo krijimet tjera të jenë koherente, të jenë aktuale edhe pas shumë kohësh. P.sh., motivi social. Duke e parë përditshmërinë tonë gati nëpër çdo skaj të komunave tona shihen rrugëve një shtresë e lënë në harresë pa përkujdesje as shoqërore, as institucionale, shihen çdo ditë lypsarë ulur e disa të shtrirë nga plogështia-vallë a nuk ka inspirim krijuesi të merret me këtë problem serioz e për fat të keq ende të pazgjidhur, sepse shumica e tyre janë edhe bonjak, prindërit e tyre dhanë më të shtrenjtën-jetën, e ata shtrijnë dorën për lëmoshë.
Kjo mua më ka shkaktuar dhembje në shpirt dhe përmes vargjeve u mundova t’i ngushëllojë ata me një anë dhe në mënyrë indirekte apo gjysmë hermetike jap mesazh të qartë shoqërisë dhe institucioneve që gradualisht t’i integrojnë në shoqëri edhe këtë shtresë të popullit dhe qytetet tona më mos ta kenë këtë pasqyrë të shëmtuar edhe në këtë shekull. Duke e parë çdo ditë këtë pasqyrë dhembjeje në dorëshkrim kam një përmbledhje poetike që e shkrova me motiv social, pra tërë libri do të ketë karakterin social.
Temë tjetër në poezitë e mia është edhe motivi i kurbetit, plagë kjo shekullore ku koha-kohës si duket ia la amanet. Por nuk është vetëm “Amaneti” në pyetje, por shkak për të ikur ishte edhe gjendja e rëndë ekonomike e popullit tonë, një pjesë e popullit u largua për shkaqe politike dhe u detyruan ta lënë atdheun dhe kontributin e vet patriotik ta zhvillojnë jashtë atdheut. Pra motive për të shkruar ka pasur, ka dhe do të ketë.
Për librat me poezi kanë shkruar pozitivisht kritikë dhe analist kulturor:Prof.dr.Faik Shkodra, Ali D.Jasiqi, Nexhat Rexha, Jonuz Fetahaj, Hysen Këqiku, Avni Aliu, për tregimet Arsim Halili etj., dhe librat e mia janë prezantuar edhe nëpër gazeta të Kosovës-vitrina të librit në “Zëri” etj
 
Ju përpos  në poezi jeni të suksesshëm edhe në prozë, këtë e dëshmoj nga fjala e kritikëve që merren me këtë lëmi .Çka mund të  na thuani për përmbledhjen me tregime “Gëzim dhe drojë” dhe përmbledhjen tjetër “Shtëpia afër pyllit”?
 
            -Është e vërtetë se edhe librat me prozë janë mirëpritur  nga lexuesi, por është vlerësuar edhe nga kritikët. Libri me tregime “Gëzim dhe drojë” është përmbledhje me tetë tregime për të rritur, me motive të ndryshme si:motivi i jetës së përditshme, motivi patriotik dhe ai moral. Jam munduar në disa tregime të këtij libri t’ua përkujtoj moshës së re lojërat nëpër oda të Malësisë së Karadakut, kulturën, odat fshatare të shtruara me qilima, muret me fotografi të heronjve kombëtarë dhe çiftelitë varur në mur, ku çdo mbrëmje këngëtarët i këndonin trimave që i prodhoi kombi. Pra prej kësaj del një mesazh për ruajtjen e këtyre adeteve ku në disa katunde edhe më tutje luhen këto lojëra. Motiv tjetër është edhe ai patriotik. Duke e parë egzodin e vitit 1999, gjatë luftës dhe spastrimit etnik shkrova një tregim që titullohet “Kolona e të ikurve”.Ky realitet i hidhur më futi në shpirt dhembje e ofshama andaj shkrova këtë tregim të këtij karakteri që të ruhen këto të bëme në arkivin e çdo biblioteke shtëpiake dhe së lexuari të këtij tregimi para lexuesit del një skenë e realitetit e një kohe jo të largët.
             Përmbledhja me tregime “Shtëpia afër pyllit” përbëhet prej tetëmbëdhjetë tregimeve për fëmijë. Shumica e tregimeve të këtij libri shoqërohen me motivin edukativ, por disa tregime edhe të motivit patriotik. Me këto tregime jam munduar ta jetësojë trekëndëshin: mësues-nxënës-prindër, për t’u mishëruar fëmijët me kulturë, edukatën qytetëruese etj. Ky libër është mirëpritur nga lexuesit e vegjël. Janë tregime të shkurtra me mesazhe pozitive që i përshtaten kohës dhe mundësisë dhe janë të kuptueshme, ku secili lexues i ciklit të ulët e gjen veten në tregim apo në përditshmëritë e tyre. Librat e tilla me tregime të shkurtra për fëmijë janë deficitare dhe çdo botim i këtij lloji është i mirëseardhur për shtresën e ligjërimit poetik për fëmijë…
 
Ju pos që jeni shkrimtar, jeni edhe analist kulturor e publicist, na thuani me cilat revista bashkëpunoni dhe sa është e rëndë të merreni edhe me analiza , vështrime e shkrime tjera gazetareske dhe sa ju mbetet kohë për krijimet tuaja?
 
-Është e vërtetë se përpos shkrimeve të mia që janë primare, merrem edhe me shkrime tjera si vështrime, analiza dhe shkrime tjera publicistike. Jam gazetar i të përjavshmes “Perspektiva”, që mbulon tërë territorin e Kosovës Lindore i faqes së kulturës , bashkëpunëtorë i revistës për fëmijë dhe të rinj “Diellori”, gazetar i revistës që del në dy gjuhë “Hapi”.Herë pas here shkruaj edhe për gazetat ditore të Kosovës në rubrikën e kulturës, vështrime letrare të librave të ndryshme, në “Zëri” dhe “Epoka e Re” etj. Më pyetët, sa ju mbetet kohë për krijimet e mia-mund të ju them se mbetet mjaft kohë edhe për krijimet e mia. Është kënaqësi e madhe kur botohen libra të mirë dhe t’ju them të drejtën libra të mirë krijohen shumë rrallë, dhe kur marrë t’i analizoj disa libra të mirë kënaqem, por kohëve të fundit po dalin libra si kërpudhat pas shiut me pak vlerë apo pa vlerë dhe pa asnjë redakturë të mirëfilltë-thënë shkurt libra pa kriter dhe i dëmtojnë seriozisht librat me vlera artistike.
 
Çka mendoni për kritikën letrare sot?
 
-Është obligim moral i njerëzve kompetentë që merren me studime e kritikë letrare të punojnë në atë drejtim që t’i ndajnë vlerat nga pseudovlerat, pra të japin një kritikë të fuqishme për librat pa kriter.Është fjala e fundit e tyre që ta ndërprejnë këtë “prodhim” të egër nëse mund të thuhet. Sa punohet në këtë drejtim?.Diçka megjithatë po punohet, shpresojmë se në të ardhmen do të punohet më shumë  në këtë drejtim…
 
Çka mendoni sa përkrahet kultura letrare në komunat tona, pasiqë jeni edhe sekretar i Klubit të Shkrimtarëve “Feniks” për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?

 
-Pyetjes suaj do të filloj t’i përgjigjem me një aforizëm të shkrimtarit dhe eseistit të njohur frëng Alen Bosket ku thotë :
“Shpirti i një populli pasqyrohet me poezinë e tij më mirë se në çdo formë tjetër të artit”.
            Deri para disa muajve është përkrahur kultura në maksimum, Klubi letrar ka funksionuar me të gjitha planet e parapara me proces. Vitin që lamë pas janë botuar edhe dy libra ku bartëse e mjeteve ishte Shtëpia e kulturës “Abdulla Krashnica”, Preshevë, ku unë isha autor i njërit botim. Mendoj se edhe në të ardhmen duhet komuna gjegjësisht resori për kulturë të na përkrahë sikurse përpara me qëllim që të vazhdojmë me suksese të mëtutjeshme, në të kundërtën kultura letrare do të kalojë në pasivitet e pastaj peshën e përgjegjësisë sigurisht se do ta bartë dikush…
 
Jeni anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës çka do të thotë kjo për juve dhe për Preshevën?
 
-Po vitin e kaluar në “Mitingun e poezisë” që mbahet tradicionalisht në qytetin e Gjakovës u pranova anëtarë i saj unë dhe Demush Berisha, ku kryetar i jurisë ishte shkrimtari Mexhid Mehmeti.Për mua është një privilegj dhe kënaqësi e veçantë se u bëra anëtarë i asaj “familje” ku kemi të bëjmë me krijues të mirëfilltë e të zgjedhur. Ndërsa çka do të thotë kjo për Preshevën-mendoj se edhe Presheva e meriton t’i ketë përfaqësuesit e vet në këtë institucion të lartë të Kosovës, ku ne në çdo manifestim që organizon Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës” marrim pjesë dhe e përfaqësojmë denjësisht Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen, pra mendoj se duhet të jenë të kënaqur.
 
Planet tuaja në të ardhmen dhe çka jeni duke punuar këtyre ditëve?
 
-Unë vazhdimisht shkruaj jam para finalizimit të librit me intervista shkrimtarësh dhe të një përmbledhje poetike për të rritur. Kam në dorëshkrim një mori shkrimesh që në të ardhmen presin dritën e botimit. Të shohim kushtet materiale e bëjnë të veten, jam, i papunë, megjithatë do të shkruaj dhe jam optimist - presim kohë më të mira…
 
Biografia
 
Bilall Maliqi lindi më 08 prill 1969  në katundin ElezBali të Karadakut të Preshevës. Shkollën fillore dhe të mesmen grafike me cikël të lart i kreu në Preshevë.Për shkak të kushteve të dobëta materiale nuk mundi t’i vazhdojë studimet e grafikës në Zagreb të Kroacisë.
Ka ndjekur kursin e gazetarisë dhe aftësimin në fushën e trajnimeve gazetareske në B.K.SH  Perspektiva, Bujanoc. Është gazetar i revistës “Perspektiva”, revistës për fëmijë dhe të rinj “Diellori”, revistës “Hapi”.Shkruan herë pas herë edhe në “Zëri”, “Epokën e Re “.
Veprat letrare:
“Rrugëtimi”, -poezi për të rritur, 2004,
“Rrugëtim përjetësie”-poezi për të rritur, 2005,
“Gëzim dhe drojë”-tregime për të rritur, 2005,
“I lutemi Zotit”-poezi fetare, 2006,
“Perëndim i varur”-poezi për të rritur, 2006,
“Kodra e luleve”-poezi për fëmijë, 2007,
“Vula e kohëzezës”-poezi për të rritur, 2007,
“Shtëpia afër pyllit”-tregime për fëmijë, 2008,
“Gërfyejtë e shpresës”-poezi për të rritur, 2008.
 
Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës,
Sekretar i Klubit Letrar “Feniks” për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Është i prezantuar në Panoramën e krijuesve të Kosovës Juglindore “Psherëtimë për tokën” të shkrimtarit Hysen Këqiku.
Jeton dhe vepron në Preshevë.