Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Shamata: Zonja e Djallit, edhe sot krenare për kobet që i ka sjellë Shqipërisë

| E shtune, 21.03.2009, 11:42 PM |


Zonja e Djallit, edhe sot krenare për kobet që i ka sjellë Shqipërisë

Nga Halit Shamata
 
Me lejoni te shpreh kenaqesine time per botimin me te ri ne frengjisht, te librit te Fahri Balliut “Nexhmije Hoxha, Zonja e Zeze” nga Shtepia Botuese, Favre.
    Botimi i ketij libri eshte ndër ato raste kur autori dhe lexuesi ndaj ngjarjen me njëri - tjetrin. Ky libër, duke qenë një ngjarje për lexuesin shqiptar që ka provuar njërën nga diktaturat më të egra që historia ka koleksionuar, përbën një ngjarje edhe për lexuesin francez qe ka rastin të njihet, së brendshmi dhe se afermi me kupolen e regjimit komunist shqiptar, si dhunuesit me ekstrem e te drejtave dhe lirive te individit.
 Libri “ Nexhmije Hoxha, Zonja e Zeze” është ndër ato pak vepra qe bejne skanimin e diktatures permes skanerit te publicistit dhe stilit të shkrimtarit. Per fat te keq ende i kemi te pakta, deri ne te rralla ato vepra qe tregojne se ç’ka qene diktatura dhe diktatori shqiptar, nje “Robiesper stalinist” siç thote autori. A mund të gjendet nje shartese me e keqe. Nuk besoj! Por këndveshtrimi i Balliut eshte krejt i veçante.
Libri i Balliut eshte nje liber i domosdoshem qe te mos riciklohet historia e diktaturave, eshte nje liber i dobishem per dekomunistizimin e shoqerise shqiptare, si nje kusht pa realizimin e te cilit, ajo nuk mund te emancipohet plotësisht, per te ndertuar demokracine dhe shtetin e se drejtes.
    Autori ka hedhur drite mbi te vërteta te medha e demaskuese te historise se diktatures, i fokusuar tek e veja e tij, qe ka qene bashkepunetorja e tij kriminale qe siç thote Ismail Kadare ne parathënien e këtij botimi, u shqua per mendjelehtesine dhe egersine e pashoqe, çka beri qe populli shqiptar ta quante “Pantera e Zeze”.
Qemtues i fakteve nga me tronditëset, argumentave te pazevendesueshem, perballjes se drejteperdrejte me personazhet e vepres se tij, stilit dhe vizionin e shkrimtarit, Balliu ka dhënë në menyre të personalizuar historine e diktatures, të mbushur me masakra dhe krime, intriga e prapaskena, me hije dhe njerëz, dhunim te te drejtave dhe lirive njerezore dhe mjerim ekstrem.
    Enzo Biaxhi, publicisti i shquar italian, thote se komunizmi nuk pati Nurembergun e tij. Asnje nga xhelatet nuk kërkoi falje dhe asnjë nga viktimat nuk kërkoi shpagim. Shqiperia postkomuniste eshte vendi me tipik i kësaj dikotomie ironike. Zonja e djallit e cila jeton ende, eshte bere sot avokatja me e palodhur e djallit, pa e fshehur krenarine e saj te kobshme. Ndersa viktimat e saj nuk reshtin se kërkuari nje ligj per denimin e krimeve te komunizmit, nuk reshtin se luftuari per te drejtat dhe lirite njerezore, ne emer te te cilave ata u denuan nga regjimi komunist.
Ne mbyllje me lejoni te falënderoj se pari Moderatorin e Republikes Franceze, Zhan Pol Delevuaje per organizimin e shkelqyer te promovimit te librit, shtepine botuese Favre per botimin cilësor, te falënderoj përkthyesin, gjithe te pranishmit dhe nje falenderim te veçante per publicistin dhe shkrimtarin Fahri Balliu duke i uruar njekohesisht suksese te metutjeshme

                                  
Përshëndetja e zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës në ceremoninë e promovimit të librit “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, në frëngjisht të shkrimtarit Fahri Balliu

***

I nderuar nga vlerësimi që i bëri librit tim Mediatori i Francës

Nga Fahri Balliu

I nderuar zoti Delavoye, Mediator i Republikës Franceze, e nderuar zonja Garrigo, presidenti e Amnesty France! I nderuar zoti Shamata, zv/ministër i Arsimit i Shqipërisë, i nderuar zoti ambasador Aliçkaj, të nderuar zonja e zotërinj pjesëmarrës!
Duke shprehur falenderimin më të thellë për zotin Delavoye, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për botuesin, zotin Favre, unë ju them se ky promovim është një vlerësim jo vetëm për librin, por është më së shumti një homazh për të gjithë shqiptarët që vuajtën diktaturën komuniste, është një vlerësim për dokumentin historik - nga më të mëdhenjtë - të shkeljes së të drejtave të njeriut në kohët moderne.
Ju zoti Mediator, nesër do të paraqitni raportin tuaj të veprimtarisë së institucionit tuaj të shquar përpara presidentit të republikës franceze, zotit Sarcozy. Natyrisht aty do të përfshihen të gjitha faktet e jetës franceze, në mbrojtje të të drejtave të njeriut në ditët e sotme, dhe shumë e shumë probleme të tjera që i mbulon institucioni juaj, por ju siguroj, zoti Mediator, se ky promovim që ju inicuat sot, është po kaq i rëndësishëm dhe ju jeni i vlerësuar shpirtërisht nga qindra e mijëra shqiptarë, të cilëve ju u dhatë rast tua bëni edhe njëherë të njohur ndërkombëtarisht dhimbjen.
Fati i librave është si fati i vajzave që bëhen gra. Mund të ndodhi që prej një rasti, rastësie ose domosdoshmërie të martesës së tyre të burojë më së fundi një jetë e tërë e mbarë, e lumtur, apo ndryshe... Në rastin konkret, ju i dhatë librit një rast dhe fat që të zhvillohet e të bëjë një udhë të suksesit në mes të lexuesit. Unë ndjehem i nderuar nga vlerësimi juaj dhe dekorata e lartë që më jepni, sepse ju dhe unë dhe të gjithë ne bëjmë punë për të tjerët, e cila është pika më e lartë e ndërgjegjes intelektuale e qytetërimit tonë dhe e qytetarit të botës së lirë.
Edhe njëherë shpreh falenderim dhe mirënjohje!

Përshëndetja e publicistit Balliu në ceremoninë e promovimit të publikimit “La femme du diable”

Gazeta 55