E merkure, 24.04.2024, 03:56 AM (GMT+1)

Mendime

Grid Rroji: Vizioni meskin i varrmihësve të shpresës

E premte, 20.03.2009, 06:13 PM


Vizioni meskin i varrmihësve të shpresës

Nga Grid Rroji

Në fushatën elektorale të këtij viti fjala shpresë po përdoret nga disa individë karrieristë nën siglën G99 për të hyrë në politikë me anë të mashtrimit dhe negativitetit mohues pa pasur asnjë atribut apo kontribut në jetën publike të vendit. Mungesa e një vizioni pozitiv për të ardhmen është karakteristikë e forcave politike që nuk prodhojnë alternativa reale, por imazhe të sajuara mediatike. Erion Veliaj dhe partneri i tij politik Rama paraqiten si “të rinjtë e shpresës”, por në realitet janë varrmihësit e saj.
Përqafimi i shpresës si çelës i suksesit politik nuk është një koncept i ri i shpikur nga karrieristët e rinj shqiptarë të G99. Abrahan Lincoln, Winston Churchill, Francis Delano Roosevelt, Ronald Reagan dhe së fundmi Presidenti Obama janë disa nga politikanët e suksesshëm, të cilët arritën të shndërrojnë retorikën e shpresës në kapital politik. Shpresa e Linkoln-it për drejtësi për të gjithë i dha jetë pajtimit të kombit amerikan, shpresa e Churcill-it për një botë pa nazizëm e udhëhoqi Anglinë drejt fitores së Luftës së Dytë Botërore, shpresa e Roosevelt për një Amerikë më të drejtë ndryshoi përgjithmonë fibrën sociale të SHBA, shpresa e Reagan-it për një botë të lirë për të gjithë i dha shtytjen e fundit murit komunist të Berlinit, dhe shpresa e Barack Obama-s rrëzoi përgjithmonë barrierat racore në politikën amerikane.
Por çfarë shprese servir Erion Veliaj?
Veliaj ashtu si partneri i tij Rama, thotë se atij i dhimbsen viktimat e aksidentit të Gërdecit, dhe se qeveria nuk është kujdesur për to. Veliaj nuk ka dhënë asnjë qindarkë për këto viktima, por vetëm sa i përdor në mënyrë të paskrupullt për foto-oportunitetin e radhës. Ai ka frikë nga Gërdeci i rindërtuar me paratë e dhëna nga qeveria dhe shkel në mënyrë makabre mbi dhimbjen njerëzore të familjarëve të viktimave, duke marrë pjesë në mitingje elektorale mortore si ai i djeshmi. Partnerët Rama-Veliaj shkelin mbi të vdekurit për qëllime pushteti personal, duke vërtetuar se përfaqësojnë oportunizmin e ndryshkur të së kaluarës dhe jo moralin shpresëdhënës të së ardhmes.
Veliaj ashtu si partneri i tij Rama, thotë se ai shpreson tek një politikë e pastër, transparente dhe pa korrupsion. Veliaj e ka ndërtuar figurën e tij publike si drejtor i një OJQ-je të pa-audituar kurrë, kompjuteri i llogarive i së cilës “vidhej nga të panjohur” sa herë që ambasadat e huaja kërkonin të shqyrtonin menaxhimin e fondeve. Gjithashtu, z. Veliaj nuk është i punësuar zyrtarisht, e megjithatë shëtit në Tiranë nga një studio televizive tek tjetra me “Range Rover” të ri me vlerë 80.000 euro, duke vërtetuar se ai kërkon të përfitojë llokma të majme, por jo të luftojë korrupsionin.
Veliaj ashtu si partneri i tij Rama, thotë se ai shpreson tek një Shqipëri pa politikanë të vjetër, pa kulisa dhe pa mbeturina nga sistemi komunist. Ndërkohë Veliaj bën aleancë me politikanin e stazhionuar Edi Rama dhe ish-ministrat komunistë Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo. Ai kundërshton ligjin për lustracionin dhe është aleat me një parti që ende nuk e dënon komunizmin publikisht, duke vërtetuar se ai beson tek e vjetra për të kapur pushtetin dhe jo tek shpresa për të ardhmen e qytetarëve.
Veliaj ashtu si partneri i tij Rama, thotë se ka për zemër sigurinë e qytetarëve dhe kritikon qeverinë që, sipas tij, nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Ndërkohë, Veliaj dhe G99 nuk shpjegojnë pse bëjnë aleancë me ata që dje ia lanë Shqipërinë bandave kriminale dhe bosëve të tyre. Janë pikërisht ata kriminelë që u gjurmuan, ndoqën dhe arrestuan nga kjo qeveri në Shqipëri dhe në gjithë botën, duke e nxjerrë Shqipërinë nga harta e krimit, siç vërteton raporti i fundit i OKB-së. Kjo tregon se partnerëve politikë Rama-Veliaj nuk u bëhet vonë për sigurinë e qytetarëve, por gënjejnë publikun për interesa meskine politike.
Kjo është mënyra më e mirë për ta varrosur shpresën e shqiptarëve për një shtet modern europian, dhe për të institucionalizuar gënjeshtrën mediatike si mjet politik “progresist”.
Nëse e kaluara publike është tregues i asaj që pritet në të ardhmen, vizioni i varrmihësve të shpresës Rama-Veliaj për të ardhur në pushtet parasheh mashtrimin mediatik, shpifjen si institucion politik dhe dyfytyrësinë politike si karakteristikë përcaktuese. Ata përfaqësojnë një grup njerëzish pa moral, të cilët përdorin retorikën e shpresës dhe ndryshimit për të mashtruar qytetarët dhe ardhur në pushtet.
Partneriteti Rama-Veliaj nuk përfaqëson shpresën e shqiptarëve, por instrumentalizimin e saj për të kapur pushtetin. Për këtë arsye ata janë të destinuar të dështojnë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora