E premte, 29.03.2024, 01:40 PM (GMT)

Mendime

Blendi Fevziu: Shqiptarët e pafuqishëm të Maqedonisë!

E premte, 20.03.2009, 07:28 PM


Shqiptarët e pafuqishëm të Maqedonisë!

Nga Blendi Fevziu

Për herë të dytë në historinë e afërt politike të Maqedonisë zgjedhjet nuk duket se fshehin ndonjë surprizë. Presidenti i ardhshëm pritet të jetë një njeri i përzgjedhur nga Gruevski, pavarësisht se si quhet ai. Në më pak se një vit kryeministri radikal që po i qëndron presioneve të perëndimit për të gjetur një konsensus me Greqinë për emrin e vendit të tij; njeriu që po vendos pathosin nacionalist mbi integrimin, po arrin një fitore të dytë politike që i konsolidon jo pak pozitat e tij. Por krahas rezultatit zyrtar, Nikolla Gurevski ka arritur edhe një fitore tjetër. Një fitore të padukshme, pa triumf, por krejt të vërtetë.
Për herë të parë prej 11 vjetësh, shqiptarët e Maqedonisë, një komunitet prej afro 730 mijë banorësh ose afro 29% e popullsisë së Maqedonisë, janë zhdukur së qeni një faktor real politik në vend. Pavarësisht tre emrave që garojnë për kreun e shtetit, pavarësisht përfshirjes në garë të Imer Selmanit, një emër i njohur dhe rikthimit në betejën lokale të Gostivarit të Rufi Osmanit, një ish-kryetari që bëri një betejë të fortë politike dhe legale në vitin 1998, duke përfunduar madje në burg për të mbrojtur të drejtën e flamurit kombëtar në komunat shqiptare, pavarësisht betejës së fortë nën tavolinë të ndërkombëtarëve për të defaktorizuar dhe nxjerrë jashtë politikës Menduh Thaçin, asnjë produkt politik nuk pritet më nga faktori shqiptar atje.
Në fakt, historia është më e gjatë. Të ndarë pas lëvizjes së UÇK–së dhe marrëveshjes së Ohrit në dy grupime politike të mëdha dhe dy më të vogla, shqiptarët e Maqedonisë filluan të kishin një rol disi real në politikën e vendit. Numrat e tyre në parlament vlenin për të garantuar maxhorancën e njërës apo tjetrës forcë politike maqedonase dhe si të tilla, mund të siguronin një përfaqësim më dinjitoz së paku në pjesën perëndimore të Maqedonisë. Fitorja ushtarake dhe më pas politike ndaj shtetit njëngjyrësh të Maqedonisë që u vulos me marrëveshjen e Ohrit, iu kishte dhënë shqiptarëve një peshë tjetër, që ata nuk e kishin pasur kurrë. Por padyshim që problemet ishin ende të mprehta.
Shqiptarët përbëjnë 83% të Maqedonisë perëndimore, por ata ishin përfaqësuar vetëm 7% në institucionet shtetërore dhe politik në këtë zonë. Sot ata kontribuojnë me taksat e tyre 33% të buxhetit të Maqedonisë, por vetëm 9% e investimeve bëhen në zonat ku banojnë shqiptarë. Shqiptarët vijojnë të jenë pjesa më e pashkolluar e Maqedonisë dhe pjesa e shkolluar me një cilësi shumë të ulët.
Në një logjikë normale dhe në këtë kontekst, hapi tjetër duhej të ishte shumë më i thjeshtë: bashkim i forcave politike shqiptare në një formacion të vetëm dhe imponues nacional. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë dallime ideologjike mes tyre, por interesa kombëtare. Një bashkim i mundshëm do ta çonte në 33 numrin e deputetëve shqiptarë në parlamentin e Shkupit, nga 28 që janë sot. Një parti e tillë mund të ishte madje e dyta në një kontekst të caktuar dhe fuqia e saj do të ishte e pandalshme.
Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Gruevski, si edhe të tjerë më parë, ka luajtur në mënyrë mjeshtërore për të mos e lejuar një bashkim të tillë dhe i ka përdorur shqiptarët sipas interesave të tij politike. Për një kohë ai mbajti në koalicion PDSH e Menduh Thaçit; më pas, në prill të vitit të kaluar shtyu Ali Ahmetin e opozitës të kërkonte zgjedhje të parakohshme, duke ditur fuqinë e tij politike të momentit. Ali Ahmeti e bëri këtë dhe partia e tij u përfshi në koalicion pas zgjedhjeve të qershorit 2008 thjeshtë si standard, sepse Gruevski i kishte vetë votat për të krijuar qeverinë. Më pas PDSH u ça, duke krijuar një pol të tretë të konsiderueshëm shqiptar.
Sot, tre partitë kryesore shqiptare nuk mund të imponohen për asgjë. Ato kanë tre kandidatë për president që s’i merr seriozisht askush dhe që s’i duhen askujt; ato përplasen për komunat ku jetojnë shqiptarë, duke i parë më shumë si feude pushteti se sa si njësi që meritojnë trajtim të barabartë dhe modern brenda Maqedonisë. Ata janë sot të pafuqishëm dhe ndjekin pas politikën e Shkupit, në një kohë, që politika e tij mund të vendosej fare thjeshtë në Tetovë.
Pak rëndësi ka nëse një qasje e tillë konsiderohet nacionaliste apo jo; e kritikueshme apo jo! Ky nuk është nacionalizëm, por interes nacional dhe përpara interesit nacional nuk mund të bjerret askush. Ndaj, në vend të një fushatë pa sens me tre krerë dhe përpara përdorimit nga politika e Shkupit pa mëshirë, politika shqiptare e Maqedonisë duhet të gjejë mundësinë e unifikimit në një për të përfaqësuar siç duhet dhe me nivel atë që realisht shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë. Zgjedhjet presidenciale ishin rasti më i mirë për të filluar këtë eksperiment, duke u paraqitur me një kandidat unik...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora