E enjte, 25.04.2024, 05:04 PM (GMT+1)

Mendime

Petrit Selimi: Monologu i të krisurve

E premte, 20.03.2009, 08:26 PM


Monologu i të krisurve

Murtaja moderne - kanceri, po na shkreton. Ata që kanë mundësi, ia therrin jashtë, me shpresë që kursimet jetësore do t’u dalin ta fitojnë betejën për jetë a vdekje. Fukaraja është i dënuar që në start me vdekje. Ministrin Gashi as që mund ta shoh në sy tek bën pantomimë në Kuvend, a restorante prishtinase, me arsyetime banale për mospunë dhe mosdije

Nga Petrit Selimi

“Ke kancer në zorrë të trashë me metastazë në mëlçi”. Kjo ishte fjalia kryesore, që mjeku gjerman ia tha babait tim.

Besoj se fjalët tjera as që i ka mbajtur në mend. Ato të parat, ishin fjalët që do t’ia ndërronin jetën e mëtutjeshme. Babait iu dridh buza. Kishte ca ditë që dinte për tumorin. Por, shpresa vdes e fundit, e ai kishte shpresë që tumori, megjithatë, do të dalë beninj. Ne, familjarët, nuk ia prishnim dot.

Më 17 shkurt, për Ditën e Pavarësisë, teksa kosovarët festonin rreth e rrotull tij, ai shikimin e kishte të humbur në largësi. Është sëmundje e rëndë, e cila shpesh e tretë pacientin në Kosovë, pa e ditur i shkreti se çka e ka gjetur, ngase familja as që ja përmend emrin kësaj murtaje të kohës moderne.

Që në fillim, t’ju them që përkundër fatit të keq të ballafaqohemi e tërë familja me sëmundjen e babait, ishim fatlumë që arritëm të organizohemi e të shkojmë për mjekim jashtë. I bëmë vizat, i mblodhëm të hollat, dhe gjetëm miq anekënd botës, mjekë që nuk na njihnin fare por që na u gjetën me këshilla dhe ndihmë.

Kam miq që humbën më të dashurit nga sëmundja e paemër, që sot e kësaj dite u ka mbetur shija e hidhur dhe një zhig i madh – që assesi nuk arritën t’u ofrojnë ndihmë më të afërmve, edhe pse ndihma ishte e mundshme. Jashtë kufijve.

Në geton e mallkuar të mjekësisë kosovare, nuk gjejnë dot shpëtim. Nuk ka mjete të sofistikuara rrezatimi. Lexoj një punim të një onkologu të mirënjohur kosovar Dr. Nderim Juniku, ku citohet se mesatarja e aparateve të rrezatimit në Europë është 7 për një milion banorë. Në Slloveni 4. Në Kroaci ka 3.3 aparate. Në Serbi janë 2.7. Në Kosovë është një i vetëm. Jofunksional. I prishur, me gjasë me qëllim, pak muaj pasi që është blerë me para të donatorëve. Tani është ndryshkur komplet dhe u ble edhe një tjetër, pa pasur staf të edukuar që di ta përdorë.

Ilaçet për hemoterapi janë të shtrenjta ose jepen me intervenca. Ca nga to shiten me afate të skaduara. Nuk ka parandalim të organizuar, p.sh. me mamografë mobilë për gratë kosovare. Badihava na viziton Nicole Kidman nga Australia që t’i bindë kosovaret me buzëqeshje që duhet të kontrollohen për kancer në gjinj. Më mirë ta merrte një stupc të aborixhinëve australianë që t’i rrahë qeveritarët tanë.

Nuk ka regjistër të të sëmurëve nga kanceri. Nuk ka plan afatgjatë ose hulumtime serioze shkencore, edhe pse jemi të prekur më shumë se mesatarisht nga kjo sëmundje me shumë krena. Spitali i përparshëm i mushkërive është rinovuar dhe shndërruar në zyra komode për zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Qendra Onkologjike në Klinikë kurrë nuk është aftësuar. Donatorët as që mendojnë të ndihmojnë mjekësinë, sepse aparatet zhduken në ordinanca private. Një ambasadore më patë thënë që kurrë nuk do të jepnin donacione më për mjekësi, sepse është kot. Mjekët bëjnë greva ditën, e natën shtrenjtojnë çmimet në ordinancat e tyre private. Dhe kanë fytyrë të dalin në televizion e të kërkojnë ende para.

Klinika shtetërore universitare është një epiqendër e neglizhencës, zdralit, zhyllit dhe jomoralit. Banjot kanë mut deri në gju, gjersa motrat pinë çaj e cigare dhe u bërtasin pacientëve të shkretë që s’kanë ku t’ia mbathin. Drejtorët krekosen me lidhje politike këndej e andej spektrit politik. Dhe lajnë gjakun nga duart me ndonjë poster të UÇK’së në murin qendror të zyrës.

Problemet strukturore janë aq dramatike dhe masive, sa që kërkojnë plan afatgjatë dhe dedikim shumëvjeçar.

Tek ne, Ministri as nuk ka plan, as nuk ka qejf të merret me këtë punë. E dimë që synonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, të përfaqësonte Kosovën në vend të Skënder Bubit tmerrësisht josimpatik, por ja që jolojalitetit i tij ndaj partisë iu hakmor, dhe mbet “vetëm” Ministër i Shëndetësisë. Dhe arriti të krijojë suficit të hatashëm në MSH gjatë vitit të parë të punës.

Sipas Entit Statistikor, mbi 7000 raste të kancerit janë të shënuara vitin e kaluar në Kosovë. Një nga ata 7000, doli të ishte edhe babai im.

Kur prekeni nga kjo sëmundje, çdo gjë tjetër duket dytësore. Edhe kjo kolumne më duket e kotë. Më kujtohet një rrëfim, fragment nga një libër i francezit sherraxhi Michael Houellebecq: “Jam në një kabinë telefoni, pas apokalipsës. Mund të bëj thirrje telefonike sa të dua, pa ndonjë kufi. Nuk kam ide nëse dikush ka mbetur gjallë dhe më dëgjon, apo nëse thirrjet e mija për veprim janë vetëm monolog i një të krisuri. Nganjëherë, biseda është e shkurtër, thuaja se dikush ma ndali telefonin; nganjëherë flas gjatë, thuaja se dikush po më dëgjon me kuriozitet të dikujt që ka bërë një faj. S’ka as ditë as natë; situata nuk ka fund.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora