E shtune, 20.04.2024, 02:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Tonin Tërshana: Kur më doli nami, si djali i vogël që këndonte bukur

E shtune, 14.05.2005, 08:48 PM


Ka tetë vjet që është larguar nga Shqipëria me barrën e varfërisë mbi supe, por mendjen dhe zemrën i ka në këtë vend, ku ka kënduar dhe ka marrë duartrokitjet e para dhe ato më të fundit. Tonin Tërshana, këngëtari që dikur emociononte publikun shqiptar me zërin e tij të plotë dhe interpretimin serioz është sërish në Shqipëri. I ftuar nga organizatorët e spektaklit "100 Këngët e Shekullit", këngëtari 56-vjeçar ndihet shumë i emocionuar teksa ritakon ato që ka lënë, aq sa nuk mund t'i përmbajë dot lotët. Ka shumë mall, por edhe kujtime që i vijnë natyrshëm dhe Tërshana vendos t'i rrëfejë në një intervistë për "Tirana Observer".
Kur dhe si ka filluar të këndojë Tonini? Cilët ishin ata persona që zbuluan tek ju këngëtarin e ardhshëm?
Fillimet e mia i kam pasur në Shkodër. Më ndihmuan dy komshinjtë e mi që i binin kitarës; Paç dhe Ndoc Martini. Më dëgjonin kur këndoja në shtëpi gjithmonë, derisa një ditë më erdhën në shtëpi e më thanë: të të mësojmë ne këngë italiane? I mësova disa këngë për një periudhë të shkurtër gjatë viteve 1962-1963. Në atë kohë, unë isha 13 vjeç, Paçi i binte kitarës në turizëm dhe më morën të këndoj atje dhe një natë këndova nja tri-katër këngë që kisha mësuar. Drejtori i turizmit u tha që të filloja punë me rrogë, 2400 lekë në muaj dhe unë u aktivizova. Mua më doli nami si djali i vogël që këndon bukur.
Po më pas si vazhdoi udha e "djalit të vogël që këndonte bukur"?
Mark Kaftalli, dirigjent i Orkestrës së Estradës së Shkodrës kompozoi për mua këngën "Kthjelltësi, lumturi". Që prej këtej këndova për një periudhë kohe. Në një rast takoj një oficer: Mersin Maksuti, i cili më tha: "Kam biseduar me ata të Estradës së Tiranës dhe i kam thënë se sa bukur këndon një djalë i vogël në Shkodër. E ke rrugën e hapur të shkosh të punosh atje. Po të presin". Në fakt, unë nuk shkova shpejt pas kësaj bisede, por në gusht të '65-ës ( isha 16 vjeç). Shkoj të provohem në estradën ushtarake, por ata ishin nisur në turne. Mirëpo më thanë që një djalë nga Orkestra e Ushtrisë nuk kishte shkuar në turne, por i binte saksit në lulishten e Sahatit. Ky ishte Platon Mezini, i cili më vonë ka kompozuar disa këngë të cilat i kam kënduar unë. E takova dhe më tha: Ti je ai djali i vogël që këndon në Shkodër? Do të na këndosh ndonjë këngë? Këndova këngë romane, spanjolle. Që atë natë më erdhi përgjigjja për të kënduar në lokal. Më thanë të këndoja në verë e të paguhesha 250 lekë në natë.
Çfarë kujtoni nga kjo periudhë?
Ishte shumë e vështirë për mua. Nuk kisha njeri në Tiranë. Isha vetëm. E bëja këtë lloj pune, por nuk kisha se ku të rrija. Flija jashtë se as në hotel nuk mund të shkoja, se nuk kisha pasaportë. Kam fjetur sipër disa arkave mbrapa bankës, të cilat i shtroja e më pas shtrihesha mbi to. Nganjëherë kisha edhe frikë të flija vetëm, por ç'të bëja! Kjo kohë zgjati rreth 20 ditë. Një natë erdhi Ferdinand Deda në lulishte dhe më thirri në tavolinë. Mora komplimentet e rastit, që këndoja bukur dhe pastaj ai më tha: Nesër në mëngjes të vish te Radio Tirana ( atëherë Radio Tirana ishte te "Rruga e Kavajës) të të provoj. Atje takoj Abdullah Grimcin, Nikolla Zoraqin, Tonin Harapin, të cilët ishin të interesuar të më dëgjonin. Këndova nja dy këngë me Tonin Harapin. Ata më pëlqyen dhe më thanë që do të këndoja në anketën muzikore që atë shtator hapej për herë të parë në Radio Tirana. Ishte fundi i gushtit 1965, kur do të regjistroja këngën, që do të transmetohej në shtator. Mësova një këngë të Abdullah Grimcit, "Gjeologu". Anketa përbehej nga katër kë ngë. "Kënga e gjyshes" e Vaçe Zelës me kompozitor Agim Krajkën ishte fituese e anketës. Në atë kohë ika në Shkodër.
Si arritët të ngjit-eshit në skenën e festivalit dhe çfarë kujtoni nga përvoja juaj e parë në festivalin e fundvitit?
Në Shkodër fillova punë si nxënës-këpucar. Mirëpo, adresën time ia kisha dhënë Ferdinand Dedës. Ata më premtuan që do të më merrnin në festival. Në nëntor më njoftojnë në shtëpi të paraqitem në Tiranë. Ndërkohë, në fillim të dhjetorit, Tonin Harapi ishte i interesuar të këndoja këngën e tij "Të dua det", me të cilën fitova çmimin e parë në Festivalin e IV të Këngës. Gjatë gjithë kësaj kohe vija e ikja në Shkodër, derisa javën e fundit të provave më mori në shtëpinë e tij, Tonin Harapi, se s'donte të më linte të lëvizja. Provat i bëja bashkë me Toninin, në Orkestër shkoja bashkë me Toninin, pra kudo isha për dore me të, derisa u realizua festivali.
Pra, kurorëzimi me fitore që në festivalin e parë ku morët pjesë, do të thoshte se për ju ishte e hapur udha e këngës... Mund të na tregoni si rrodhi jeta juaj pas kësaj?
Pas festivalit ika në Shkodër, ku fillova punë në fabrikën e cigareve, që kishte një staf shumë të mirë të estradës me aktorë si: Gjosho Vesia, Gëzim Kruja, këngëtarët Fatmire Puka, Marjeta Çuni, Xhuliana Marshi, Gjok Vata, të cilët ishin shumë të njohur në Shkodër. Më vonë, deri në vitin 1968 kam qëndruar këtu, derisa shkova ushtar e fillova të angazhohem në Estradën Ushtarake. Bëra dy vjet ushtri, e më pas fillova atje me rrogë, deri në 1994 kur Estrada e Ushtrisë u shkri. Mbeta pa punë dhe u ktheva në Shkodër për nja dy vjet. U angazhova me Estradën e Shkodrës dhe këndoja në ndonjë klub në qytet, deri më 1996 kur erdha në Tiranë dhe mora shtëpi me qira. Futa të gjithë paratë e mia në firmat piramidale, se thashë mos merrja ndonjë lek më tepër e të blija shtëpi, sepse ekonominë nuk e kisha mirë. Ishte koha kur "Sudja" e kishte fitimin 100 për qind dhe thashë të fitoj para, por i humba të gjitha. Kështu, në korrik 1997 ika në Greqi ku jam edhe sot.
Me çfarë jeni marrë gjatë kësaj kohe në Greqi dhe a vazhdoni të këndoni?
Në Greqi kam punuar çfarëdolloj punësh nga më të rëndomtat dhe të vështirat. Por e keqja ishte se edhe nuk të merrte kush në punë, përveç ndonjë shoku në ndonjë rast të veçantë. Kjo kohë në Greqi është e mbushur vetëm me: vuajtje, halle, stres, depresion. Se ne nuk e kemi vendin atje, por këtu. Kam bërë punë nga më të rëndomtat për ekzistencë: hamall, ndihmës, murator etj., por për kohë të shkurtra, pasi s'i përballoja dot as nga mosha. Në raste të veçanta bëjmë edhe mbrëmje shqiptarësh, ku këndoj, por vetëm kaq.
Mendoni të ktheheni përgjithmonë në Shqipëri?
Edhe sonte të na jepnin shtëpi nuk do të ktheheshim fare në Greqi. Por do të vijmë të rrimë për njëfarë kohe, në gusht kur të marrim pushime.
Ju ka shkuar ndërmend të bëni një koncert për publikun shqiptar, ku të përmblidhni të gjithë këngët që keni kënduar në vite?
Do shumë punë një gjë e tillë, si dhe të interesohet dikush tjetër. Pra, s'është në dorën time dhe kërkon shumë shpenzime. Po të ishte për mua, unë do të kisha shumë dëshirë edhe të nxirrja një disk, por...
Çfarë mendoni për këngëtarët e rinj në Shqipëri dhe prirjet e reja muzikore?
Tani janë bërë shumë këngëtarë. Por unë kam nostalgji për bashkëkohësit e mi. Këngët që kemi kënduar ne, më duken më këngë se këto. Këtyre këngëtarëve do t'u thosha të mos harrojnë se kënga ka edhe melodi dhe të punojnë më shumë me këngën nga ana melodike, sesa të merren kaq shumë me efektet e jashtme.

“Atëherë kur këndoja me kostum”

I vijnë ndërmend shumë kujtime prej të cilave nuk di kë të veçojë, e fatkeqësisht mes tyre ka edhe gjëra të trishta. "Por këto nuk dua t'i kujtoj", thotë Tërshana, duke shtuar se për të do të mbeten si kujtime të bukura disa koncerte të veçanta që ka bërë në Estradën e Ushtrisë. "Trupa jonë përbëhej nga 20 veta, kishim 10 ushtarë spektatorë, por edhe pse 10 vetë entuziazmi ishte sa për 200 spektatorë”, kujton Tonini, ndërkohë që mallëngjehet lehtë dhe sytë i lagen. Teksa kujton Festivalin e 11-të dhe këngën e tij "Kur vjen pranvera", që atëherë fitoi çmimin e parë, nuk harron të shtojë se ai nuk ka pasur probleme me regjimin edhe për shkak të shijeve të tij në të veshur dhe paraqitje. " Nuk kam pasur persekutime, sepse në fakt, edhe nuk kam qenë tip i tillë që të krijoja probleme. Për shembull në një rast më kanë thënë të dilja me golf në skenë, por nuk mundesha dhe dola si gjithmonë me kostum, sepse ai ishte qëndrimi im natyral", shpjegon Tërshana. Megjithatë, i ka mbetur peng që nuk ka fituar gjë në atë kohë, përveç respektit në popull.

Jeteshkrimi

Emri: Tonin

Mbiemri: Tërshana

Vendlindja: Shkodër

Vendbanimi: Selanik

Datëlindja: 1 qershor 1949

Preferencat: Pjetër Gaci

“Më duket sikur u bëra burrë para kohe”

Duket se ajo që e ngacmon më shpesh Toninin, nuk është e sotmja, por fëmijëria, siç e pohon edhe vetë. "Kam ndenjur shumë pak në Shkodër, megjithatë e kujtoj shpesh fëmijërinë, ajo ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime. Atëherë e përballojnë jetën të tjerët dhe nuk bie gjithë përgjegjësia mbi ty", thotë paksa me mall Tërshana, duke mos harruar të shtojë, se megjithatë ka pasur një fëmijëri të varfër. "Që i vogël kam jetuar i pavarur nga prindërit dhe e kam përballuar herët jetesën, pasi edhe prindërit nuk kishin mundësi të më shoqëronin dhe ndihmonin. Kam çarë vetëm në jetë", thotë ai teksa tregon për mbështetjen morale, që i ka dhënë familja, sidomos vëllai i madh, "i cili zëvendësoi babën që vdiq shpejt dhe më la kur isha pesë vjeç". "Megjithatë, mu duk sikur u bëra burrë shpejt", thotë Tonini, i cili është babai i tri vajzave; Anilës që tani është 34 vjeç, Ornelës 32 vjeç dhe Donatelës 18 vjeç. "Anila ka mbaruar studimet për Kanto në vitin 1996 në Tiranë dhe ka filluar si soliste në Operën e Selanikut. Ndërsa gruaja e tij, Meri, punon në rrobaqepësi te një firmë rrobash greke", thotë këngëtari Tërshana ndërsa tregon për familjen e tij. E mesa duket, ai është burri më i dashur dhe më i mirë që mund të mendonte ndonjëherë gruaja e tij, Meri. "Është bashkëshorti ideal", thotë ajo dhe buzëqesh lehtë.

Çmimet

Festivali IV (1965)- Çmimi i parë me këngën "Të dua o det". Kompozitor Tonin Harapi.
Teksti: Mark Gurakuqi
Festivali X (1971)- "Kënga e nënës" ( varianti tjetër i kënduar nga Sherif Merdani).
Kompozitor Agim Prodani. Teksti: Agim Shehu
Festivali XI (1972)- "Kur vjen pranvera".Kompozitor Pjetër Gaci. Teksti: Fatos Arapi
Festivali XXII (1983)- "Vajzë moj, lule moj".Kompozitor Luan Zhegu. Teksti: Adelina Balashi
Dy çmime të para në Festivalet e Interpretuesve.Viti 1984 me "Këngë për Fato Berberin", kompozitor Pjetër Gaci.
Viti 1985 "Kthjelltësi, lumturi", kompozitor Pjetër Gaci

VLERËSIME për ...

Pjetër Gacin
Kam punuar më shumë me Pjetër Gacin dhe kam kënduar shumë këngë të tij. Një ndër bashkëpunimet me të është Festivali 11-të, kur fitova çmimin e parë me këngën "Kur vjen pranvera". Ishte një ndër kompozitorët e mi të preferuar.

Ferdinand Dedën
Për herë të parë drejt Radio Tiranës dhe festivaleve të këngës, më ka drejtuar Ferdinand Deda.I dedikohem shumë atij. Një natë kur këndoja në lulishten e Sahatit erdhi Ferdinand Deda dhe më thirri në tavolinë dhe më tha: Nesër në mëngjes të vish te Radio Tirana të të provoj.

Luan Zhegun
Më kujtohet se kur ka kënduar Luan Zhegu për herë të parë në Festivalin e 14-të këngën "Shokët", megjithëse këndonte për herë të parë në festival e kam uruar me gjithë shpirt, se këndoi bukur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora