Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Ekstaz

| E enjte, 19.03.2009, 08:07 PM |


EKSTAZ

Nga Edison Ypi

Jo ç’do gjë që ndodh është “e shkruar” nga Perëndia. Kur kupton se me tekst s’ia del dot, Perëndia heq dorë nga e shkruara; Flak penën, rrëmben penelin dhe pikturon, merr daltat dhe gdhënd, vete tek një piano dhe këndon.
Atë mbrëmje pranverore Perëndinë e gjeta në periferi të Tiranës tek po pikturonte një rrugë të gjallë nja njëqind metra të gjatë. Rruga edhe deshte edhe s’deshte të pikturohej, bënte naze. Por perëndia s’tutej, vazhdonte ta pikturonte.Mbi trotuarin e “Bankë”-s, shitet “Bar Miu”. Rrëzë murit të “Change”-it tregëtohet “Far Djathi”. Mbi vetrinën e “Fustane Nusërie”, janë nderë të mbathura. Mbi restorantin ku hahet mish viçi dhe pihet raki’, lexohet “Mish Derri i Freskët”. Atje ku lexon “Berber”, është instaluar një zgarë prushi me pula të shkuara në një hell. Në “Farmaci” nuk kuptohet se nga mund të hysh veçse nëpërmjet derës së dyqanit ku shiten patate me shumicë futur në thasë. Para një “Cash Point”-i, mbajnë rradhë për të tërhequr para’ pesë shqiptarë; Njëri nga Veriu, tjetri nga Jugu, njëri me mustaqe, tjetri pa dhëmbë, dhe një ushtarak. Në një dyqan të vetëm, në murin e të cilit mbështetet “Cash Point”-i,  shiten në të njëjtën kohë, edhe biçikleta, edhe Vajra Makinash, edhe Makarona, edhe shapka. Po ashtu tek “Travel Agency” ku priten bileta avionësh dhe tragetesh për të çarë qiejt dhe detet e Botës, po aty, luhet Bilardo dhe vihen Baste Sportive. “Këpucë të Vjetra” rrinë varur mbi ca kosha me presh. Ngjitur me koshat blegërijnë dy qingja të bardhë që blegërijnë ngaqë kanë nuhatur se pas pak do theren. “Pastiçeri”-a e të ëmbëlave i bën karshillëk një guve të errët pa dritare super të kripur, të piperosur dhe të yndyrosur të quajtur “Rostiçeri” brenda së cilës shqiptarë të kërrusr kullufisin male mishi shoqëruar me pilaf dhe kos. “Qilima”-t në trotuar mbulojnë “Telefona Celularë Orëndreqës”. “Elektroshtëpiake” ka mbushur trotuarin me hekurishta të ndryshkura. “Klinikë Dentare” që ndoshta ndodhet në ndonjë kat të epërm, ka vetëm tabelën. “Sallon Bukurie” dhe “Shërbime Funerale” i ndan një derë e vogël dërrase mbyllur me lloz që s’merret vesh ku të degdis po të hysh nëse çelësin e drynit të llozit e gjen. Një kamion, shoferi i të cilit s’duket kurrkund, është futur së prapthi në një si magazinë. Një e treta e kamionit brënda në magazinë, e treta tjetër mbi trotuar, e treta e tretë ka blllokuar gjysmën e rrugës. Tek “Berber”-i nuk mundesh as të rruhesh as të qethesh, sepse nga brenda ku piqen pula hungareze del një tym i zi pa shumë lidhje me bardhësinë e frikshme të brisqeve të rrojes dhe synetit. Benz-a dhe Mitsubisha dhe motoçikleta pafund. Disa “Piceri”. Pesë a gjashtë “Ëmbëltore”. “Dyer të Blinduara” sa duket ka blinduar edhe vetveten përderisa është mbyllur dhe nuk ka asnjë shënim orientues kur mund të hapet. “Fotograf”-i ka përmbledhur në gjirin e vet jo vetëm “Internet Kafe”-në, “Lojra Kompjuterike në Rrjet”, por edhe “Punime Duroalumini”. “Fizioterapist”-i rri sikletshëm një “Class Restorant” sipër, një “Picaso Bar” nga e majta, dhe “Gëlqere” nga e djathta
E pamundur t’i rezistosh kësaj rrënqethjeje.
Drejtohem tek “Berber”-i prej nga del tymi i pulave të pjekura në hell me prush nën të. Shtje syt’ brenda; Mal me pula të ngrira Hungarie hedhur drejt në dysheme në pritje për tu shkrirë. Pulapjekësi është një tip i qeshur, një hokatar nga Mati. Duket që n’surrat që i shkon mirë biznesi. I them të lezeçmit nga Mati; Dua qofte ! Patjetër, përgjigjet. Por unë nuk kam, shton, ik merri tek ajo Zonja atje. Dhe më drejton pak metra më tutje atje ku hahet mish viçi por lart lexohet “Mish Derri i Freskët”. Zonja në fjalë, paksa e bëshme, brenda lokalit të të cilës katër shqiptarë të ngrysur në gjysëm errësirë seç llafosin me zë të ulët kok’-më-kokë, tregohet e gatshme. I sjell vet qoftet tek matjani i qeshur, i cili thotë me shaka; Siç e sheh pulat i shita të tëra, tani më ka mbetur helli bosh dhe prushi. Do t’i pjek qoftet e tua dhe nuk do të të marr asnjë lek, se sot kam fituar boll. Mirë qoftet, po bukë, i them, dhe një birrë, ku t’i gjej ?! Birrën, ose te minimarketi përballë, ose përsëri tek Zonja e qofteve. Bukën ik merre atje tek “Bukë Speciale”. Marr birrën dhe drejtohem tek Specialja ku rrëmbej dy panine. Të papame paninet, të rrumbullakta, të ngrohta, me ullinj, spec, dhe erëza brënda.
Duke kafshuar qoftet si Pranverën, duke ndukur bukën si Jetën, duke rrëkëllyer birrën si Elisirin, më shkundin ca vibracione vertebrale që mund t’i shprehi me mënyrat e veta Ajoo që përmenda në krye, Perëndia
Tek ha dhe pi dhe dehem, ka rënë nata, është errur. Pamja është vështirësuar sepse s’ka korent. S’ka video, por ka audio, ka muzikë, buçasin motorrët e dritave.
Por Perëndia që i di dhe i ndjen të gjitha i ka marrë masat. Pas penës së tekstit, ka flakur tashmë edhe penelin dhe ngjyrat, dhe është ulur mbi piano.
Klithma dhe piskama të mbytura të pa deshifrueshme nga të katër anët. Një Golf 4 me 5 veta brënda, dreqi e di pse dhe si, nga rruga e ngushtë bën të hyjë i tëri brenda një dyqani. Tek merr kthesën flak përtok’ një motoçiklist me Honda. Ulëret motoçiklisti, klithin kalimtarët. Por pas një minute qetsohet gjithçka sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Një Benz i madh me të gjitha dritat ndezur ka bllokuar rrugën. U bien boriave dhe bërtasin sa kanë në kokë ata që nga pas presin. Hajdutë xhepash vërtiten si hije. Nga një furgon i vjetër plot zhurmë e tym bien mbi asfalt ca arka bosh. Një i përndjekur ish-i burgosur që ka njohur vëllain t’im në Spaç më jep të njohur me të uluritura të gëzueshme. Avitet berberi i pulave të pjekura më pëshpërit në vesh; Më quajnë Budallai i Mëhallës. Heheheeee ! Le të më quajnë. S’më bëhet vonë fare. Fitoj mirë. Të gjithë fitojnë këtu. Unë pak më mirë se ata që më quajnë budalla. Unë budallai ha buk’ me domate dhe djathë. Të mënçurit hanë bukë me gjizë.
S’e dëgjova mirë matianin. Se po mendohesha;
Për këtë palcë, këtë poezi, zjarrmi’, delir, ekstazë. Për këtë përsosmëri kaotike që quhet Shqipëri e Vërtetë. Këtë këtu ku dëshpërimi për zararet e burokratëve, hilet e politikanëve, mburrjet e sharlatanëve, shpifjet e gazetarëve, dredhitë e zagarëve, të qarat e dembelëve, ankesat e të dështuarve, pretendimet e sondazheve, të gjitha zhduken për pak minuta si me abrakadabra.
Po mendohesha për këtë mrekulli këtu; Ku gratë mund të jenë që ç’ke me të joshëse edhepse paksa të shëndosha, ku Moda s’para ndiqet, ku eduakata s’para lypset, ku pastërtia nuk është fort e domosdodhme, ku e folura s’gjen arsye të jetë e rrjedhëshme, e megjithatë gjejnë përgjigje të gjitha pyetjet.
Ika nëpër fusha nëpër ferra të marr penën ku e pat’ flakur Perëndia, por dot s’e gjeta. Pash’ ç’pash’, bëra-ç’bëra, guxova. U ula, u krrusa, me kompjuter e shkrova.