E enjte, 28.03.2024, 05:49 PM (GMT)

Mendime

Berat Buzhala: Lista e turpit

E enjte, 19.03.2009, 07:28 PM


Lista e turpit

Disa prej juristëve të selektuar si kandidatë për Gjykatën Kushtetuese, nuk besoj që as kashtën gomarëve do t’ua ndanin pa ndonjë dallavere. Të më falin dy-tre veta, por pjesa tjetër nuk e meritojnë as ta prekin Kushtetutën, e lerë më që të bëhen garantë të saj

Nga Berat Buzhala

Një Komision i Kuvendit të Kosovës i ka selektuar 23 juristë që të hyjnë në rrethin e ngushtë të njerëzve që shumë shpejt 4 prej tyre të zgjidhen si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Në ketë rreth, kanë hyrë edhe disa prej emrave për të cilët ditëve të kaluara në Gazetën Express u publikuan fakte që dëmtojnë rënd kredibilitetin e tyre.

Me ato fakte të publikuara, përpara se të jenë kandidatë të rrethit të ngushtë për të qenë gjyqtarë të respektuar të Gjykatës Kushtetuese, ata do të duhej të ishin kandidatë për t’u përballur personalisht me drejtësinë. Prej bankës së zezë.

Disa prej njerëzve që janë në ketë listë të aprovuar nga Komisioni i Kuvendit të Kosovës, nuk besoj që do ta ndanin pa ndonjë dallavere as kashtën e gomarëve, e lëre më rolin fisnik të mbrojtjes së Kushtetutës dhe përballjes me furinë politike që herë pas here do t’u bjerë hise.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë aty për të qenë garantë të një kauze të shenjt. Ta mbrojnë Kushtetutën e vendit prej përpjekjeve për t’u keqpërdorur prej pushtetit ekzekutiv. Dhe kjo nuk është detyrë e lehtë, e shumica prej këtyre kandidatëve nuk ma kanë syrin që janë në gjendje ta përmbushin ketë mision.

Janë shumë të freskëta ngjarjet dramatike që po zhvillohen në Pakistanin e largët. Nuk do të udhëtoja kaq kilometra larg për të marrë ketë shembull, po të mos ishte në pyetje pikërisht demonstrimi në praktikë i rolit fundamental që ka për një shoqëri Gjykata Kushtetuese dhe Shefi i saj.

Para dy ditësh, Presidenti i Pakistanit, Asil Ali Zardari, u dorëzua në përpjekjen e tij për ta dëbuar përfundimisht nga pozita e Kryetarit të Gjyqit Suprem të këtij shteti, Iftikhar Chaudhry, që po i qëndron mbi kokë me akuzat për korrupsion. Nëse nuk do të bënte kështu, Zardari rrezikonte ta çonte shtetin e tij nuklear drejt një shpërthimi të paparashikueshëm. Por, duke e kthyer top-gjyqtarin në krye të sistemit, tash Presidenti i Pakistanit rrezikon të përballet me akuzat e korrupsionit, të cilat Chaudhry me asnjë kusht nuk ka pranuar që t’i fusë nën tepih.

Iftikhar Chaudhry është shpresa e vetme në ketë shtet. Ai, në vitet e fundit, ka fituar një numër të madh të çmimeve, si një prej figurave më të dinjitetshme në lëmin e drejtësisë. Kur u dha lajmi se Zardari u dorëzua në përpjekjet e tij për ta rrëzuar Chaudhryn, në rrugët e Islamabadit nisi festa me tupana. Sepse u arrit për pak të ruhej balanci i pushtetit.

Një shembull i mirë i rëndësisë së pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese u demonstrua edhe në Shqipëri, para disa javësh. Kryeministri Sali Berisha kishte arritur që t’ia impononte vullnetin e tij politik Kuvendit të Shqipërisë për ta aprovuar ligjin për hapjen e dosjeve. Ai, për ta çuar në vend dëshirën e tij, injoroi edhe thirrjet e Këshillit të Europës dhe SHBA’së që ta ndalte ketë ligj. E kishte zbutur edhe qëndrimin e Presidentit Bamir Topi. Por, uraganin Berisha e ndali vetëm Gjykata Kushtetuese, duke dhënë urdhër që ky ligj të mos hynte në fuqi për një kohë. Berisha në ketë rast kishte të drejtë t’i varte buzët.

Me Kushtetutë të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës rol vendimtar për ta ruajtur balancin e ndarjes së pushtetit ka Gjykata Kushtetuese. Kjo Gjykatë konsiderohet si “Autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”.

Mirëpo, kjo nuk është asgjë tjetër, pos një fjali e bukur që është shkruar nga ndonjë ekspert kushtetues.

Gjykata Kushtetuese vetvetiu nuk është kurrfarë “autoriteti përfundimtar”. Të tillë e bëjnë njerëzit që do të ulën aty.

Por, cilët njerëz?

Ata mbi të cilët rëndojnë akuza të rënda për kushtëzime seksuale? Apo, ata që në polici kanë dosje më shumë sesa secili hajn ordiner?

Sipas Pakos së Ahtisaarit, Gjykata Kushtetuese do t’i ketë 9 gjyqtarë, prej të cilëve 4 shqiptarë, 3 ndërkombëtarë dhe 2 minoritarë.

E shikova listën e 23 kandidatëve që e kanë kaluar fazën e parë testuese. Jam i bindur që me një përpjekje pak më serioze, do të mund të gjejmë kandidatë shumë më bindës për ta marrë mbi vete barrën e rëndë të ruajtjes se balancit të pushtetit.

U trondita kur e dëgjova në lajme Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, duke thënë se për selektimin e kandidatëve nuk i kanë marrë parasysh shkrimet në media.
Më vonë, më ra ndërmend Pakistani dhe Shqipëria.

Thashë se ndoshta pushteti aktual ka nevojë që dosjet që janë publikuar në Express t’i ruajë për më vonë. T’ua tregojë gjyqtarëve kur ata të ulën në zyrat e tyre të Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, kot po bëjnë këso kalkulimesh.

Disa prej kandidatëve janë aq pa kurrizorë sa nuk kanë nevojë të shantazhohen me dosje. Ata janë të shantazhueshëm prej natyrës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora