E enjte, 25.04.2024, 06:27 AM (GMT+1)

Faleminderit

Flori Slatina: Fllad mëngjesi pranë varrit të Ramiz Kovaçit

E enjte, 19.03.2009, 07:51 PM


Fllad mëngjesi pranë varrit të Ramiz Kovaçit

Nga Flori Slatina

1.

Një copë shkëmb nga vendlindja, nga Kruja  e tij e dashur, për ta pasur në vend të jastëkut për të mbështetur kryet. “Artisti i popullit”, baritoni i shquar Ramiz Kovaçi prehet edhe ai pranë ish-kolegëve të tij, në varrezat publike të Sharrës, atje në një varr të thjeshtë, me mermer të bardhë e të pastër, një varr mes popullit të tij, që e deshi dhe e duartrokiti gjatë për zërin magjik e artin që i dhuroi si rrallëkush, një varr që mban brenda një emër e figure të madhe, siç ishte ai.

Po mbushen 15 vjet nga lamtumira e tij, e parakohshme, nga ikja pa kthim për të mbetur i pavdekshëm, në panteonin e madh të vlerave dhe kulturës së popullit të tij. Por për artistin ka vetëm lindje dhe, për fat të mirë lindja e tij përkon me ditën e pranverës, përkon me ardhjen e demokracisë, me festën e sulltan Nevruzit. Janë gjithë këto mirësi pasi ai vetë rrezatonte mirësi deh kulturë të madhe.

2.

Në këto ditë të ngrohta pranvere rreth varrit të artistit ka mbirë bari i gjelbër, si një kurorë e freskët. Mbi shkëmbin e mermertë janë gdhendur me germa kapitale emri, titulli i lartë që ai e meritoi për artin dhe kontributin e tij të gjithanshëm. Fotografia e artistit qëndron në zemër të shkëmbit, si për të treguar lidhjen fuqishme të tij me këtë tokë, me vendlindjen e tij. Shpesh herë në vit, sidomos këto 15 vite që ai nuk jeton më, pranë varrit të tij bëjnë homazhe edhe njerëz të tjerë, ata që e kanë njohur, që i kanë dëgjuar emrin apo zërin e artë, nderojnë kujtimin e tij dhe vendosin buqeta e lule të freskëta. Ashtu do të ndodhë edhe pas treditësh, në ditën e tij të lindjes.

3. Fëmijëria

Ramiz Kovaçi u lind më 22 mars 1929, në qytetin e lashtë të Krujës. Dita e lindjes së tij përkon me ditën e madhe të festës së madhe të Sulltan Nevruzit dhe me ditën e triumfit të Demokracisë në Shqipëri.

Portretin e këtij artisti të madh e kam bërë edhe herë tjetër por kësaj here dëshiroj që të sjell fakte të reja nga i paharruari i skenës shqiptare.  Kruja ky qytet i lashtë, ashtu si i thonë, mbeti i paharruar brenda artistit gjatë gjithë jetës. Lindi në një familje me bazë intelektuale dhe me tradita të thella patriotike, me dashurinë për atdheun, diturinë si dhe për muzikën popullore krutane e shkodrane.

Familja Kovaçi përbëhej prej pesë vëllezër dhe një motër. Hyseni, Kamberi, Hasani, Fatimja, Aliu dhe Ramizi. Ata kishin krijuar

kompleksin e tyre muzikor, ku përveç këngës përdornin kitarën, mandolën dhe mandolinën. Shtëpia e Kovaçëve gjendet poshtë kalasë dhe është e mbuluar me ullishta dhe për gardh ka dafina të mëdha që duken si pemë shekullore, gjatë gjithë vitit ato përhapnin një aromë të mrekullueshme. Kjo shtëpi e bukur me një portë madhështore, kur hapen të dy kanatat mund të hynë 15 burra njëherësh. Stërgjyshët e Kovaçëve hapën shkollën e parë shqipe në Krujë, është shtëpi me vlera historike. Lagja mban mbiemrin e familjes, kjo është një nga lagjet më të lashta të Krujës. Ajo shtëpi mbahet si një nga më mikpritëset në Krujë-karakteristikë e të gjithë krutanëve.  Shtëpia ishte e madhe, zemra ishte e madhe dhe përherë ushqim kishte për të gjithë. I Ati i tyre Jahja Kovaçi- burrë që edhe sot krutanët, shkodranët, durrsakët e moshuar e mbajnë në gojë dhe e përmendin me admirim, për ndershmërinë, mençurinë, karakterin e tij të fortë, autoritetin si dhe kapacitetin e tij si një nga financierët më të zot të asaj kohe. Punoi me nder nëpër bashkitë e qyteteve kryesore të Shqipërisë. Disa herë u vu edhe në krye të aksioneve të ndryshme antikorrupsion, antikintrabandë që organizonte qeveria e Mbretit Zog. Ai përmendej jo vetëm si burrë i zoti në profesionin e tij por edhe si prind i mrekullueshëm. Jahjai i dha një edukatë të përsosur fëmijëve, ata mbetën shpejt pa nënë sepse ajo vdiq shumë e re. Ai e përmendte me shumë dashuri dhe respekt dhe i thoshte “ Zoja ime e nderume”. Vendin e saj nuk e zuri dot askush tjetër. Para syve ata kishin një baba të përsosur që nuk gabonte kurrë, dhe kishte vetëm të drejtë.

Djemtë u shkolluan të gjithë falë dëshirës dhe këmbënguljes për shkollim, edukatës së punës dhe kulturës së babës. Është e vërtetë që mbetën që të vegjël pa Nënë, dhe Nënë për ta u bë motra e tyre e dashur Fatimja. Jahjai ishte njohës i mrekullueshëm i turqishtes, persishtes, arabishtes dhe italishtes.. E mbaj mend kur isha e vogël hyja në dhomën muze të babës (gjyshit por kështu kishte patur dëshirë që nipërit e mbesat t’i thërrisnin babë), që ishte një dhomë e bukur për kohën dhe plot me libra, babi më tregonte lloj-lloj librash të rilindasve tanë dhe të mjaft klasikëve botërorë dhe revistash shqiptare, turke, persiane dhe italiane, kishte fjalorë dhe enciklopedi të mrekullueshme. Ishte i regjistruar dhe ato vinin rregullisht. Ramizi, djali më i vogël i familjes dallohej për zërin e tij melodioz. Pleqtë e Krujës thoshin  “Ne zgjoheshim herët në mëngjes nga zëri i tij melodioz…këndonte si bilbil Ai dilte lart në bahçe dhe këndonte këngë të vjetra krutane, për Skënderbeun dhe për kreshnikët e maleve”. Zëri i tij i mrekullueshëm përhapej si ajri nëpër dafinat aromëplota dhe ullishteve të shtëpive dhe pastaj përplasej me malin e Krujës, dhe kthehej si fllad mëngjezi nëpër shtëpitë krutane. Pasi përfundon shkollën fillore në Krujë i ati e regjistron në shkollën e Fulcit për agronomi. Si nxënës i dalluar e çuan në Jugosllavi ku edhe atje u dallua për rezultate të shkëlqyera. Edhe atje mendja i rinte tek pasioni i tij i përjetshëm. Pushimet e verës i kalonte në Durrës pranë familjes së vëllait të madh Hysenit. Punonte në hotel “Vollga” para dite në sportel ndërsa pas dite këndonte dhe i binte xhezit në orkestrën e restorantit. Njerëzit kënaqeshin nga zëri tij i mrekullueshëm dhe melodoz.

4. Shkollimi

Në hotel për pushime kishte ardhur Doktor i njohur Hamdi Sulçebe bashkë me Zonjën e tij, një natë duke ngrënë darkë i bën përshtypje zëri i ëmbël i këtij djali të ri, pothuajse fëmijë. Pas darke Doktori bën një bisedë të gjatë me dajlin nga Kruja, ku i foli për operën dhe për këngëtarët lirikë më të mëdhenjtë e skenës botërore. I bëri përshtypje edukata e këtij djaloshi, mënyra si e dëgjonte dhe si i shkëlqenin sytë por edhe kultura e tij. Për këtë bisedë është shprehur më vonë vetë Doktori.

Pas disa ditësh ata u takuan në Tiranë. Ishte një rastësi që ishte koha e konkurseve të praninit në Liceun Artistik, shkojnë sëbashku atje ku Doktori e prezantoi me disa muzikantë të asaj kohe. Por fati nuk e ndihmoj herën e parë. Përgjigja e konkursit ishte “Zë i konsumuar për moshën”I mërzitur dhe i vetmuar Ramizi eci nëpër Bulevardin e gjerë të Tiranës, i dukej sikur shokë kishte vetëm Bulevardin dhe vetëm atij mund t’i shprehej lirshëm, çfarë do të mendonte doktori që po priste me padurim përgjigjen për fitoren e tij?

Papritur si me magji i doli përpara Mustafa Krantja miku i Doktorit dhe e pyeti “ Çfarë ke Ramiz”. “Nuk më pranuan profesor”, “Eja me mua, shkojmë përsëri”. Pas një paraqitje të dytë Ramizin e pranuan. E filloj shkollën e mesme të Liceut Artistik Jordan Misja, ishin vitet 1950, i përfundoi në vitin 1954 me pedagogun artistin Mihal Ciko, ai i nxori shpejt vetitë vokale të nxënësit të tij. Këto mësime, që ishin baza e kantos, patën vlerë shumë të madhe më vonë për Ramizin. Pasi përfundoi me sukses mësimet në Lice, fitoi bursën për në Konservatorin e Sofias. Këtu shpërthyen gjithë dinamizëm-talenti- cilësitë vokale të përgatitura me aq kujdes dhe dashuri nga Maestro Ciko.

Në Sofie Ramizi pati fat të madh të jetë student i këngëtarit dhe pedagogut të madh bullgar Brëmbarov. Vitin e parë e përfundoi me shumë sukses dhe në baxhon e fundit të vitit të parë pedagogu i kënaqur së tepërmi nga rezultati i jashtëzakonshëm i studentit të tij tha :” Studentë të tillë si Ramizi rrallëherë kanë kaluar nëpër duart e mia. Në përfundimin e vitit të dytë u cilësua si” zëri më i bukur studentor”.

Edhe pse student mori pjesë nëpër shumë koncerte dhe festivale rinie. Turne nëpër të gjitha qytetet e Bullgarisë, mori pjesë në festivalet e rinisë të organizuara në BRSS, Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore, Hungari. Ka qenë bashkë student me të njëjtin pedagog dhe kanë kënduar dy herë duete në dy provime, me të madhen Rajan Kabaireanska.  Në provimin përfundimtar apo në diplomë, këndoi repertor shumë të vështirë dhe ajo natë u shëndrua në një shfaqje të vërtetë, i pranishëm ishte edhe Geurovi i madh, u shpreh me shumë intuziazëm duke thënë se ishte “Një zë me shumë prespektivë”

Pasi e përfundoi konservatorin me medalje ari, e caktuan të bëj stazhin në Operan e Sofias, “pra të këndonte dhe të mësonte krahas artistëve më të mëdhenj të qeras së Sofies, kjo ishte një ëndërr për të...”, thotë bashkëshortja e Artistit. “Sa krenare dhe e lumtur isha për Ramizin vlerësimi që iu bë në diplomë ishte me maksimumin e pikëve, dhe anëtarë e komisionit ishin kritikët, kompozitorët, muzikantët, këngëtarët më të mirë të Bullgarisë” Ajo i tha këto fjalë shumë e emocionuar dhe

një lot i shëndrit mbi faqe. Akoma edhe sot ajo e ruan bukurinë e saj, është një zonjë me një fisnikëri dhe kulturë të rrallë. Ata të dy u dashuruan kur ishin fare të të rinj. Në Sofie Ramizi gjeti veten dhe u bë i famshëm që student dhe takoi të mrekullueshmen Nikoleta. Një vajzë me prejardhje krejtësisht intelektuale, me një ndjeshmëri dhe kulturë muzikore të jashtëzakonshme për operan dhe artin. Nikoleta është gruaja e ëndrave të mia, po të mos ishte Nikoleta unë nuk do të bëhesha ky që jam”.  Që nga koha që u njohën dhe deri në fund të jetës së tij, Nikoletës nuk iu nda buzëqeshja dhe ngrohtësia e saj e rrallë.  Ajo la atdheun, nënën, babanë dhe dy vëllezërit sepse ajo është vajzë e vetme dhe erdhi të jetojë në Shqipëri, ku jeton edhe sot. Ajo ishte nga ato gratë e huaja që qëndroj në Shqipëri se e donte familjen më shumë se veten, e gatshme të sakrifikonte për të deri në flijim. Dhe me të vërtetë në sajtë të dashurisë dhe lidhjes së fortë që kishim me njëri tjetrin familja triumfoi mbi të keqen e madhe që e kishte pushtuar Shqipërinë. E ndërpreu stazhin nga një telegram i trishtuar që e lajmëronte për lajmin e hidhur se Baba ishte në momentet e fundit të jetës. Kështu në vitin 1960 u nda përgjithmonë Jahja Kovaçi.

5. Atrist në TOB

Dashuria e madhe për Babën dhe për Atdheun e bënë Ramizin që të shkëputet nga stazhi dhe të fillojë jetën artistike në Tiranë pranë Teatrit të Operas dhe Baletit. Nisi guximshëm të ecë drejt majave të afirmimit të tij, e për dekada me radhë mbajti lart personalitetin e tij krijues. Deputimi i tij i parë ishte në operan e “Berberit të Sevilias” në rolin e Figaros, sot Konservatori – Akademia e Arteve.Tek roli i Figaros dilte në pah shkathtësia interpretative, vokali me përmasa botërore. Kavatina e tij ishte e mahnitshme tre herë biz, atëherë ishte shumë i ri në moshë. Ishte konfronti i parë me publikun e vet, që nuk iu nda për asnjë çast dhe që përherë e priti me shumë dashuri. Ky është një fakt i pamohueshëm. Roli i Figaros është një nga rolet më të vështira të repertorit baritonial në fushën e operas.

Interpretimi i tij në skenë erdhi gjithmonë në ngritje. Pas rolit të Figaros luajti rolin e Zhorzh Zhermonit nga opera “ Traviata” e Verdit. Edhe ky rol si rolet e tjera i solli vetëm urime dhe shumë suksese. Në këtë figurë Ramizi- Zhermon paraqeste babain serioz, të përmbajtur, fillimisht të trishtuar për zgjedhjen që kishte bërë i biri duke u lidhur me Violetën e cila nuk kishte emër të mirë nëpër qarqet e borgjezisë. Në këtë rol Ramizi nxirrte në pah të gjithë mjeshtërinë e tij aktoriale dhe paharruar për asnjë çast atë vokale, për këta komponentë ai thoshte: “Nuk mund të qëndrojë njëra pa tjetrën vokali dhe loja janë pjesë të pandara të operistikës…”. Është e vërtetë se ai gjatë gjithë veprimtarisë së tij artistike këta dy komponentë i ka trajtuar paralelisht.

Interpretoi më pas në operat ”Lulja e Kujtimit”eK.Konos, Sharplesin tek “Madama Baterflaj” e Puçinit Ajdin Muzakësnga opera “Skëndrebeu” e Prenk Jakovës,  Rigoleton në operan “Rigoleto” të Verdit,  në operan -”Paliaçot” e Leon Kavalos, luajti rolin e Tonios,  Zurgai  në operan “Peshkatarët e Perlave” të Bizesë, Marseli  nga “Bohema” e Puçinit, Kristo Borova nga “ Komisari” nga opera “ Borana”, “Zgjimi”, “Pranvera”, ”Karmen”, nga opereta “ Brigada e Grave” në operan “Skënderbeu” etj. Janë plot 40 role të cilat i krijoi, i përsosi dhe ia la operas shqiptare si një dëshmi e pamohueshme.

Kanë thënë për të:

“Ramiz Kovaçi është një ndër figurat më të mëdha të artit dhe kulturës sonë. Me talentin e padiskutueshëm, me mjeshtërinë e lartë artistike dhe me punën e tij të palodhur e të vetëdishme ai u bë një ndër kolonat e forta që mbajtën më këmbë Teatrin e Operas dhe Baletit shqiptar, duke ia rritur atij nderin dhe autoritetin artistik dhe duke ua lënë të sigurtë trashëgim brezave të rinj.”
D. Agolli

“Ramizi duke qenë një artist i madh dhe me një bagazh të madh mbi supe, e ndjente për detyrë që t’i kushtohej edukimit të brezit të ri. Por dua të theksoj se edhe si pedagog ishte i mrekullueshëm, me një disiplinë dhe dëshirë leksionet e tij ishin shembullore, dhe kuptohet rezultatet ishin pozitive. Me punën e tij të palodhur bëri që të dilnin shumë artist.”
G. Çako

“Në skenën bashkohore të artit të interpretimit vokal, vlerat që dhuroi ky bariton i shkëlqyer, përfaqësojnë kontribute të pakontesueshme në zhvillimin e të gjitha gjinive muzikore, vokale, kombëtare. Me emrin e Ramiz Kovaçit lidhen arritjet më kulmore të veprimtarisë së Teatrit të Operas dhe Baletit.”
I. MADHI

“I përgatitur në shkollat më të famshme të kantos, Ramiz Kovaçi i pasuroi deri në kufijtë e një profesionalizmi të nivelit botëror, vokalin e tij me të cilin arriti të krijojë fondin e artë të operistikës shqiptare.”
A. HUSHI

“Njeri me zemër të madhe dhe botë shpirtërore të pasur, modest për vlerat e tij të mëdha, shumë I dashur dhe i afrueshëm si me kolegët dhe një prind i vërtetë për studentët e tij. Ramiz Kovaçi është gjithmonë i gatshëm për t’I kënduar popullit të tij , për t’i ngjallur emocione sa më të fuqishme njerzve, për t’i frymëzuar ata në jetën e tyre.”
T. DAIJA

“Ramiz Kovaçi ka krijuar figura unikale në operat e ndryshme, ku shquhet për atmosferën e ngrohtë me të cilën e ka trajtuar. Zhermoni - në operën  Traviata”, Kristo në “Lukja e Kujtimit”, etj. janë ndër realizimet e tij më të bukura. Këto janë arritje në sajë të muzikalitetit dhe impostimit të mrekullueshëm të zërit, të linjës, natyrshmërisë, teknikës, d.m.th. me mjete krejtësiht vokale. Dhe pikërisht kur këngëtarët nuk spekulojnë në ekspresione të tepruara , më tepër se çka shkruar apo kopozuar autori, atëherë arrihet me ba “muzikë”.
T. HARAPI

Ka thënë:

“Është një koincidencë e bukur, që ditëlindja ime, përkon me ditën e fitores së demokracisë”

“Karriera ime mendoj se ka filluar nëpër dritaret e shtëpisë dhe në bahçen me ullinj, ku unë dilja dhekëndoja këngë të vjetra e të mrekullueshme. Ishin këngët tona, të qytetit tim por edhe të krahinave të tjera. I këndoja me shumë pasion ato këngë, babës I pëlqenin shumë. Baba, ka qenë shumë arsimdashës dhe u mundua që të gjithë vëllezërve të mi dhe mua të na shkollonte dhe ashtu bëri.”
R. KOVAÇI

“Pra jam i lumtur se preofesionin dhe mjeshtrinë time ja kam dhënë jo vetëm brezit të ri të këngëtarëve shqiptar por edhe të huajve atyre turq. Pas koncertit artistët më falenderuan duke më puthur dorën dhe më thanë:” Jemi të lumtur se tek ju ne gjetëm bellcanton dhe Skalën, nuk kemi nevojë të shkojmë për mësime në Itali.”
R. KOVAÇI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora