Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dhurata Hamzai: Leximi postum i veprës së Vilson Blloshmit

| E merkure, 18.03.2009, 10:32 PM |


Poetët Martirë Vilson Blloshmi e Genc Leka
Poetët Martirë Vilson Blloshmi e Genc Leka
BOX:

Dy vëllimet përmbajnë krijimtarinë e Vilson Blloshmit që në 17 korrik u pushkatua nga shteti diktatorial. Promovimi i kësaj vepre përkon me datëlindjen e tij që ai nuk donte ta festonte kurrë. Vepra shkëputet më në fund nga kthetrat e sigurimit të shtetit komunist

Leximi postum i veprës së Vilson Blloshmit

Nga Dhurata Hamzai

-Më në fund, del në dritën e botimit vepra e plotë e Vilson Blloshmit. Në gjallje të tij, nuk la asnjë rresht të botuar nga vepra e vet. Autori i përmbledhjes, studiuesi Sadik Bejko, pohon se po përgatitet për botim edhe krijimtaria e Genc Lekës, i pushkatuar së bashku me Vilson Blloshmin nga dikatura komuniste

Vilson Blloshmi do t’ishte 61 vjeç. Ai s’donte kurrë ta festonte ditëlindjen. Në copat e ditarit dhe në hetuesi shkruante se “unë kam lindur në një ditë të mallkuar, që kurrësesi s’duhet festuar...”. Megjithatë autori i librit “Vilson Blloshmi, vepra I,II” me përmbjedhje të krijmtarisë së plotë, profesor Sadik Bejko, dje bashkë me nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë i morën një leje shpirtit të poetit për ta festuar së paku njëherë ditëlindjen e tij. Blloshmi, 61 vjeç do të ishte ende i ri edhe në këto ditë. Në orën 9.00, dje në gjimnazin “Qemal Stafa” nisi promovimi i librit të Vilson Blloshmit. Autori i librit e nis promovimin me këtë projekt, sepse në arkiva dhe ditarin e tij kishte zbuluar që Vilson Blloshmi kishte shumë dëshirë të ishte mësues. Për nder të kësaj ëndrre fisnike gjimnazistët i bën atij një festë shumë intime dhe emocionale. Gjimnazistët kishin përgatitur 6 qirinj dhe i ndezën, kishin përgatitur një ekran dhe nëpërmjet një laptopi shfaqën një minidokumentar të heshtur me fotografi dhe fakte nga jeta e tij. Poezitë i recituan me një zë të ulët që i ngjante po aq një gjysëm heshtjeje, dhe kjo i shkonte shumë për shtat poezive të Vilsonit, sepse ato janë poezi tragjike. Këta nxënës bënë që të përjetohej shumë emocionalisht libri. Kjo nisje do të ishte një nga më emocionalet jo vetëm për autorin e librit, por edhe për të afërmit e poetit. Madje, atmosfera që u krijua dje në mes të rinjve gjimnazistë ishte shumë herë më e bukur, se ajo atmosferë akademike që do ta pasonte 2 orë më vonë në promovimin e radhës në mjediset e ministrisë së Turizmit dhe Kulturës.
Vepra e Vilson Blloshmit i kishte bërë mjaft kureshtarë gjimnazistët, të cilët e kthyen edhe njëherë kokën në vitet e diktaturës komuniste, për të cilën patën shumë pyetje. Një pjesë të përgjigjeve duke mos qenë ata vetë dëshmitarë okularë të asaj kohe, i kanë pasur të vështira t’i imagjinoin, por njëri prej tyre ka pohuar se tani janë shumë më të qartë, pasi kishin lexuar edhe veprën e sapobotuar të Vilson Blloshmit. Ndër të tjera është pohuar dje se tek shkrimet e tij ata gjenin në një farë mënyre të mëshiruar ëndrrat dhe shqetësimet e tyre rinore.

Vepra shkëputet nga kthetrat e sigurimit të shtetit komunist

Edhe në mjediset e MTKRS-së promovimi i librit ishte menduar që të kishte sa më shumë pjesëmarrje nga intelektualë të fushave të ndryshme. Dita e 18 marsit u kthye në një festë të madhe me rastin e daljes në dritë të dy vëllimeve me poezi të krijimtarisë së Vilson Blloshmit dhe ditëlindjes së tij. Autori i përmbledhjes së veprës së Vilson Blloshmit, profesor Sadik Bejko, poet dhe studiues, pohon se tashmë po bëhen përpjekje që pas kësaj veprimtarie të dalë në dritë edhe krijimtaria e Genc Lekës, e cila përfshin jo vetëm krijimtari letrare, por edhe një pjesë të asaj krijimtarie kritike e publicistike, botuar para se të dënohej dhe ekzekutohej nga regjimi komunist.
Në promovimin e djeshëm, në mjediset e Ministrisë së Kulturës, rreth krijimtarisë së Blloshmit kanë mbajtur ligjëratat e tyre; autori i përmbledhjes së veprës së Blloshmit, zoti Sadik Bejko, i cili ka pohuar se së fundi kjo vepër nuk vjen në dorën e lexuesit si një mesazh politik, por si një mesazh i përjetshëm letrar dhe filozofik. Profesor Sadik Bejko, duke falenderuar ministrinë e Kulturës për financimin e botimit dhe shtëpinë botuese “Almera” për përgatitjen e botimit, tha se “Për të ardhur te ky botim me rreth 400 faqe në dy vëllime i veprës së plotë të Vilson Bloshmit është dashur një punë e gjatë kërkimore në arkiva, punë që ka zgjatur mbi dhjetë vjet. Përkushtimi i vëllait të poetit Bedri Blloshmi në kërkimet, gjetjet është në themel të gjithë kësaj pune kërkimore”. Studiuesi Bejko rrëfeu ndër të tjera se dy vëllimet përmbajnë krijimtarinë e Vilson Blloshmit që në 17 korrik u pushkatua nga shteti diktatorial. Promovimi i kësaj vepre përkon me datëlindjen e tij që ai nuk donte ta festonte kurrë. Bejko e konsideroi daljen në dritë të dy vëllimeve me krijimtarinë e Vilson Blloshmit si një ngjarje për kulturën dhe letërsinë shqiptare. “Po botohet një vepër e plotë krejtësisht postume”, tha ai. Duke kujtuar se edhe Serembja, edhe Migjeni dy poetë që u bënë të famshëm pas vdekjes kishin arritur të botonin diçka në të gjallë të vet, studiuesi Bejko shprehu keqardhje për faktin që Vilson Blloshmi në gjallje të tij nuk pa asnjë rresht të botuar nga vepra e vet. Vilson Blloshmi krijoi i izoluar dhe larg rretheve letrare. Punoi në punë të vështira si druvar në sharra, minator, etj, dhe gjithë sa shkroi dhe krijoi e mbante në fshehtësi të plotë. Regjimi komunist atë e kishte përjashtuar nga e drejta për t’u marrë me punë intelektuale, për të punuar si mësues, për t’u marrë me letërsi për shkak të biografisë familjare: Familja e tij që në 45-ën, ishte shpallur zyrtarisht armike e shtetit shqiptar.
“Në historinë e letësisë shqipe ky është një rast unikal, tha Bejko, po mbase dhe më gjetkë duhet të themi në gjithë historinë e lindjes komuniste, ky është një rast unikal, sepse gjithë sa kemi botuar është nxjerrë nga arkivat e policisë sekrete. Nga arkivi i policisë dhe i sigurimit të shtetit diktatorial komunist. Krijimtaria e Vilson Blloshmit katër muaj se poeti të arrestohej u sekuestrua nga sëndukët e shtëpisë së tij në fshatin Bërzheshtë, u përpunua në zyrat e sigurimit, u përdor is akuzë në gjyq kudra tij, deri më sot u varros në arkiva, pas pushkatimit të autorit. Dje në këtë promovim, poeti dhe shkrimtari Agron Tufa theksoi se vepra e Blloshmit është një vepër e kyçyr, një monolog me veteveten, që nuk ka komunikim me shoqërinë, por në përmbajtje të saj ajo është modeli i rilindjes, dëshmuar saktë në kundërvenien ndaj kohës. Kundëvënia është e gjatë dhe rezistuese, pohoi ai, ndaj ka vlera përtej kohës. Tufa tha se: “Fatkeqësisht, Shqipëria i vriste këta njerëz, ndryshe nga shumë vende komuniste që i hodhën ne Europë shkrimtarët e tyre disidentë”. Në diskutime të mëtejshme për librin Pandeli Koçi çmoi anën proefsionale të përgatitjes së librit, në të gjitha detajet dhe pasqyrimet, jo vetëm kohore, por edhe të rrethanave biografike e historike që kushtëzuan krijimtarinë e Vilson Blloshmit. Këtë e konsideroi si një punë shumë të mirë dhe të bërë me përkushtim e profesionalizëm të lartë nga studiuesi Bejko. Mandej, Gjergj Titani, tha se “duke lexuar krijimtarinë e Blloshmit, unë e di se ç’do të thotë ky njeri. Unë vi nga 18 vjet burg politik. Vepra e tij flet në emër të të gjithë të dënuarëve nga regjimi i Enver Hoxhës.
I pranishëm ishte edhe shefi i katedrës së frëngjishtes, Ilia Lengu, i cili kishte ardhur në këtë promovim për të nderuar kujtimin e krijimtarisë së Vilson Blloshmit në fushën e përkthimit. “Poezia e tij afron me Bodlerin, sepse Vilson Blloshmi ashtu si Bodler ka poetizuar temat më jo poetike”. Folën në këtë promovim edhe Ndue Gjika, Bedri Blloshmi e të tjerë.
Botimi i veprës së përmbledhur, vëllimi I, II i Vilson Blloshmit sjell para lexuesit e studiuesve një autor të talentuar. Sipas studiuesit Bejko, ai ka një talent dhe pasion të lindur për të shkruar poezi, por edhe për të përkthyer nga letërsia botërore. Ai i është kundërvënë ndalimit, përjashtimit duke u vetëpshprehur në heshtjen e shenjtë të eremitit të shpellave. Poezia e tij është katërcipërisht e kundërt me parimet estetike të metodës së realizmit socialist. Është një poezi mediative që jep kënaqësi estetike për vërtetësinë dhe thellësinë e saj, një dëshmi letrare e një njeriu të nëpërkëmbur padrejtësisht nga një e keqe që nuk është vetëm e tij.
Vilson Blloshmi diti ta sfidojë edhe estetikisht edhe me ide kohën. Nuk e shiti artin, as veten e tij kur u ndodh nën torturat e policisë sekrete të dikaturës komuniste.

Fragmente nga vepra e Vilson Blloshmit

(Nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, 8.8.1976, fq. 213.)

……Me shprehjen në ditarin tim se 26-vjetorin nuk do ta festoj, kam shprehur shqetësimin se vitet kalojnë dhe mua nuk më kanë sjellë ndonjë ndryshim, përkundrazi, më gjejnë ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit. Jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Shokët e mi kanë ecur përpara, kurse unë kam mbetur në vend. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Kur e shkrova këtë, isha në tunel dhe me dhimbje në stomak. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Mirë prindërit e mi gabuan, po unë ç’kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Humnera të gëlltit, them për ditëlindjen time. Se unë dua ta harroj ditën time të lindjes, se koha që jetoj është pa asnjë gëzim, pa asnjë brohori, thjesht punë dhe halle, këtu është reduktuar gjithë perspektiva ime.

E di se këto janë koncepte dhe pikëpamje fataliste mbi jetën. Mbase një gabim. Po ky gabim lidhet me mungesën e besimit në një të ardhme. Karakteristika ime ka qenë vetmia, por kjo nuk do të thotë se kam qenë larg njerëzve. Kam qenë në frikë e në panik, edhe nga provokimet, por këtë nuk e absolutizoj, sepse kam biseduar me njerëzit.

Forca e arsyes nuk më mungon t’i kuptoj fenomenet. Mundësitë në thellimin e gjërave i kam. Kam lexuar shumë libra, midis të cilave, librat e Bodlerit dhe të të tjerëve dhe këta kanë ndikuar tek mua.

Në ditar kam shkruar se ka njerëz që janë si hija ime, ata nuk më ndjekin veç në ditët me diell. Me këtë kam dashur të them se ky është një përgjithësim mbi njerëzit. Kam lexuar një proverb latin ku thuhet se, po të jesh i lumtur, rrethohesh nga shumë miq, në fatkeqësi nuk të ndjekë njeri pas. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Kjo është dobësia ime shpirtërore: kam zemër të ulët dhe bëhem shpesh pesimist në jetë. E quaj meritë që të bindem për gabimet e mia, të bëhem i ndërgjegjshëm.

Unë shpeshherë kam dashur të shkruaj, bile kam përgatitur një poezi për minatorin, por këtë nuk e dërgova për botim.

Në datën 2 dhjetor 1973, unë kam shkruar një poezi që ia kushtoj vetes sime. Aty kam shprehur mërzitjen time, dhe e quaja veten jetim, megjithëse nënën dhe babanë i kam, por kam dashur të shpreh vetminë time, izolimin tim, atë që nuk po e gëzoja jetën, qenien gjithmonë në brengë. Gjithmonë mendoja, vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin...