E enjte, 28.03.2024, 04:34 PM (GMT)

Kulturë

Flet Turjan Hyska, pjesëtar i grupit "Produkt 28"

E premte, 14.04.2006, 07:37 PM


Ata janë tre djem dhe kanë të njëjtin qëllim, muzikën. Të përcjellin tinguj, që më pas të kthehen në kolona zanore të ditëve të atyre që i dëgjojnë. Është "Produkt 28", grupi muzikor që përbëhet nga tre djem, Turjan Hyska, Fabian Basho dhe Alban Kondi. Grupi u krijua më 28 nëntor 2002 dhe që prej asaj kohe numëron shumë këngë të kthyera në hite si "Trokas", "Shqipe", "Mirmëngjes". Por duket se djemtë e "Produkt 28" do të vazhdojnë të shijojnë akoma më shumë suksesin që u sjellin këngët që janë produkt i vetë atyre në bashkëpunim me Dr. Florin. Që prej fillimit të festivalit të muzikës moderne "Top Fest", ata qëndrojnë në majë të klasifikimit, duke qenë më të votuarit nga publiku. Kënga e tyre "Larg" është kthyer në një hit të momentit dhe Turi, i cili është edhe autor i tekstit, shprehet se uron që kënga të kurorëzohet me çmimin e parë në "Top Fest".

E kishit menduar se do të renditeshit në vend të parë në klasifikimet e Top Fest?
Nuk e kishim menduar se mund të ishim në vend të parë. Që ditën e parë ne morëm 40 vota, u gëzuam, por s'na e mori mendja se votimi do të vazhdonte të rridhte kështu.
Mendoni se do të arrini të fitoni vendin e parë në këtë konkurs muzikor?
Meqenëse se publiku deri tani na ka votuar vazhdimisht, duke na mbajtur në vend të parë, normalisht që shpresojmë të fitojmë. Por, sidoqoftë, konkurrimi është shumë i vështirë, pasi ka këngë të tjera shumë të bukura. Nga këto unë do të veçoja këngën e Tunës dhe Jonida Maliqit, këngën e grupit "Kthjellu" etj.
Kush e mban autorësinë e këngës "Larg"?
Tekstin e saj e kam bërë unë, ndërsa muzikën dhe orkestrimin, dy djemtë e tjerë të grupit, Fabi dhe Albani në bashkëpunim me Dr. Florin.
Cili është mesazhi që përcjell kënga?
Është rrëfimi i një personi që ka humbur një njeri shumë të dashur. Ka momente dobësie, ku ndihet i braktisur, por ideja është se më vonë kupton se e ka gjithmonë pranë atë njeri të dashur, në çdo hap, në momentet e vështira dhe ato të gëzuara. Është një histori që u ndodh të gjithëve.
Kush është më i entuziazmuar nga pjesëtarët e grupit, përsa i përket fitores suaj të mundshme në Top Fest?
Kësaj radhe e përjetojmë të tre njësoj. Emocioni është shumë i madh, sepse është evenimenti më i madh i këngës moderne në Shqipëri dhe shpreh realisht shijet e publikut.
Çfarë projektesh keni, a keni në plan një album të ri?
Fillimisht do të bëjmë një videoklip për këngën "Larg". Spunto e mirë për albumin do të ishte nëse fitonim Top Fest, por megjithatë albumi do të dalë patjetër brenda këtij viti dhe do të jetë tërësisht stil. Kemi disa këngë jo të përfunduara, të cilat do të punohen për të ardhur së shpejti me albumin e ri. Do punojmë fort për albumin, sepse është përgjegjësi e madhe ndaj publikut.
Po familjet tuaja sa ju kanë mbështetur në rrugën muzikore dhe konkretisht si e kanë pritur suksesin e këngës suaj "Larg"?
Familjet tona në fillim nuk kanë qenë shumë të entuziazmuara nga ideja jonë për t'u marrë me muzikë, pasi mendonim se duhet të kishim prioritete të tjera, siç është shkolla. Familja e Albanit ishte e mësuar me këtë gjë, sepse Dr. Flori (vëllai i Albanit) e kishte arritur suksesin më përpara. Kurse familja e Fabit dhe imja na mbështetën pak më vonë, ndërsa për këngën "Larg" të treja familjet janë të një mendimi, që është shumë e bukur.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora