E premte, 19.04.2024, 01:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Në Emër të Atit, të Birit e të Shpirtit...

E marte, 17.03.2009, 07:22 PM


Suzana Kuqi

Në Emër të Atit, të Birit e të Shpirtit... 

Katerina ka emrin, Rineta e thërrasim. Eshtë një e moshuar që është bërë stërgjyshe, e i ka kaluar të nëntëdhjetat. Kur erdhi, me sy të kaltër e atë buzëqeshje si të një fëmije të zënë në faj... e quajtëm Rineta. Me lëkurë të abronxuar nga dielli e cila i binte më shumë në sy tek mbante një bodi të zezë, ndërsa flokët e argjendtë i zbrisnin poshtë supeve e nuk donte ti priste. Ankohej për dhimbje mesi e i pëlqente të rrinte shtrirë në shtrat. Meqë ishte autofiçente e kishte atë buzëqeshje e zë të ëmbël teksa na thërriste “gëzimi im”, për ne nuk ishte problem, mjaft të zbriste për të ngrënë e pastaj le të shkonte në shtrat. Ka vetëm një vajzë, por asaj ju ka paralizuar i shoqi, ndaj kish qenë e detyruar ta binte të ëmën aty, nuk mund tu shërbente dot të dyve. Fati... punë fati, e asnjë nuk mund të thotë gjë.
Befas, një ditë Rinetën, për çudi, nuk e mbajti më shtrati. Nuk pat as më të voglën dëshirë të rrinte në të. Mesi duket sikur nuk i dhëmb më, gjithë ditën sorollatet dhomave e korridoreve... Një siluetë e hollë, e këndëshme, e drejtë, me një hap të lehtë si hap fëmije... një kukull... nuk e di por nëse bëjnë kukulla të asaj moshe, apo në se do ti bënin... model do të ishte ajo. Rineta me sy të shndritshëm e me... mendje të turbulluar.
Na ndjek pas kur punojmë e pushojmë, kur hamë e pimë e nganjëherë këmbëngul të na ndjekë në tualet, e mezi e heqim qafe. Ku u zhduk ajo pjesë e saj që na buzëqeshte e na thonte vetëm “gëzimi im”, fjalë që na ledhatonte? Tani ajo vetëm flet, pa pushim, çfarë ti vijë për mbarë e ngulmon që të qëndrojmë me të e ta dëgjojmë... nga fillimi deri në fund. Ditët e para u përpoqëm t'ja plotësonim dëshirën, por monologu i saj... diçka për të vjehrrën, për kunatin, të bijën, mbesën, kunatën, fqinjën, priftin... inate të vjetra, fjalë të pathëna në kohën e duhur, një bagazh i tërë jete ankimesh, akuzash e qortimesh.
Shpejt u lodhëm, të gjithë u lodhëm, personeli e të moshuarit e tjerë të azilit. Kur e shohim, ua japim këmbëve... e ajo trishtohet, sytë i mbushen me lotë një çast, derisa pikas ndonjë dëgjues të mundshëm e nxiton hapin me sytë që i shkrepëtijnë, por... dëgjuesi i mundshëm sapo e vë re, ja mbath. I mbeten vetëm ata të mbërthyerit në karrocë. Por edhe ata, pasi e duruan ditë e ditë me rradhë, i dhanë dum, e përzejnë duke i bërtitur e ofenduar.
Rineta, e moshuar dhe e trishtuar, nganjëherë shpërthen në kriza dëshpërimi e pastaj e kap me Perëndinë. Një pasdite, mbetur vetëm në një sallë ku zakonisht rrinë rreth njëzet vetë (të gjithë ja kishin mbathur), ulur mbi një divan, këmbë përmbi këmbë, thërriste:
- Në emër të Atit, të Birit, të Shpirtit të Shenjtë... jeni të gjithë të paaftë...
Qeshëm, sigurisht fshehurazi, nuk mund ta kuptonim se përse e kish kapur ashtu me ata... Por Rineta nuk e kishte as me Atin e as me të Birin e as me Shpirtin e Shenjtë...Një ditë kish ardhur të hante drekë, vjen nganjëherë prifti i moshuar i parrokias që ka ngritur azilin. Nuk më vjen keq kur vjen, pasi ajo lutja që bëhet nga ne përpara se të fillojë shërbimi në tryeza, e që është gjithnjë e njëjta, ndryshon. Kur qëllon ndonjë murgeshë apo prifti, e lutjen e bëjnë ata, është pak ndryshe. Jo kot janë të zanatit. Lutja bëhet më e gjatë e merr tjetër ngjyrë, duke shtuar formula të tjera e duke e lidhur me realitetin e azilit. Atë ditë prifti e kish kapur me melankolinë. Askush nuk duhet të jetë melankonik, tha mes të tjerave ai, ose më mirë këtë kuptova unë. Duhet të jemi të gëzuar në këtë jetë e për më shumë të moshuarit. Dhe në fund e mbylli:
- Jo melankoni!- e këtu e ngriti më shumë zërin.
- Mbylle atë të shkretë! - zëri i Rinetës, i fortë e kumbues sundoi sallën duke na befasuar në atë qetësi që mbretëron në kohën që bëhet lutja. - Niente malinconia? Një shtëpi ta dha im shoq për të larë atë mëkat të vjetër, po unë, duhet të të dhuroj një tjetër që të gjej një njeri që të më dëgjojë? Niente Malinconia? Kam gjithë ditën që flas e nuk më dëgjon njeri. E ti më thua niente malinconia. Turp të kesh e ulu aty të hash bukë.Të gjithë sa ishim, kthyem kokën nga prifti. Kërshëria ishte e madhe, pritnim të thosh diçka, duhej të thoshte... Por prifti bëri sikur nuk e dëgjoi.- Në emër të atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë. Amen.- mbylli lutjen ai dhe shtoi:
- Buon apetito! - e me tonin e zakonshëm u ul të hante i qetë.
I qetë dhe i patrazuar. Më shumë. Me sigurinë e qetësinë e atij njeriu, fuqia e të cilit jo vetëm të gjykon në këtë jetë, por shkon edhe më larg, përtej kufijve të të imagjinueshmes... Bën pazar për të të shlyer mëkatet e për të të blerë një vend në parajsë... në Emër të Atit, Të Birit, e Të Shpirtit Të...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora