Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frederik Ndoci

| E premte, 18.11.2005, 05:57 PM |


Supërstari Frederik Ndoci: “Nëse njeriu vdes një herë artisti vdes shumë herë”

NASA për Marsin përzgjedh muzikën “Piano on a Moon”, që rreh me ndjenjë të pastër shqipe

Frederik Ndoci
Historia e një artisti e rrëfyer imtësisht për herë të parë në New York. Tragjedia e gjyshit e gjyshës, që vdesin nga orteku i borës. Adoloshenti 17 – vjeçar Kola (babai i Rrikut), njeriu me zemër të madhe, venit ëndërrat në shkollat e Rusisë për vellezërit e motrat jetim. Si zbulohet talenti i artistit Frederik Ndoci, në moshën 4 - 5 vjeçare në korin e Kishës katedrale? Arti dhe muzika një traditë e familjes Ndoci. Nxënësi me rezultarte të shkëlyera në mësime, bëhet këngëtari numër një për fëmijë me çmime nderi… adodoshenca dhe ndikimi i muzikës kontemporane botërore në kulturën e tij. Shkolla e lartë dhe letra anonimë sajuar për goditur karrierën e “armikut”. Grushti i diktatorit e përgjigjja: “Ule grushtin poshtë more qelbanik!” Lotët e braktisjes së vendit nga Maqedonia në Jugollavi… buzëqeshjet e para të suksesit në Itali... Si bëhet maestro i orkestrantëve në Bergamo. Rruga e albumit të parë në CD e kasetë… E ardhmja me shpresa e zhgënjime, ëndërra e ringritja si Supërstar i Muzikës, nga California në New York. Udhëtimet muzikore të “italianit”, sot nënshtetas amerikan. Si rilindi dashuria për muzikës kristiane… Ambiciet e pragu i një suksesi, prej mbështetjes së sponsorëve amerikanë e “bashkëatdhetarëve” në gazeta... Pse muzika, ambasadore e kulturës nacionale e braktiset nga shqiptarët!?.

Nga Klajd Kapinova, Manhattan New York

Trashëgimia
Është një pjesë e jetës së njeriut që përshkon vite e shekuj. Quhet Frederik Ndoci, aktori me diplomë … këngëtar, poet, instrumentist, piktor dhe krijues i lindur. Me një buzëqeshje fisniku, më fton të ulem në lokalin italian “Aurora”. Pronarët e lokalit, me buzëqeshje e përshndesin lehtë me kokë, duke i uruar mirëseardhjen mikut të tyre. Të duket vetja, se je në mes të Romës. Bisedat në gjuhën italiane me humor tradicional, e bëjnë atmosferën më të këndshme. Kamarieria e lindur në New York, përshëndet e shënon në bllok porosinë.
Muzika italiane, depërton lehtë në veshin tonë. Rriku me buzëqeshje më thotë, a e njeh këngëtarin italian. Duke e dëgjur prej vitësh zërin e bashkëatdhetarit tim, iu përgjigja se në restorant italian, je sërisht me shpirtin shqiptar. Biseda jonë nisi shtruar. Në qendër ishin të parët e familjes Ndoci, në të cilën, ndërthureshin trashëgimia e muzikës, fatkeqësia e humbjes së jetës në një ditë të gjyshit e gjyshës… Markun dhe Katerinën, Frederiku nuk i ka parë kurrë.
“Babait tim në moshën 17 vjeçe, i ka vdekur nëna dhe babai e mbeti jetim. Ata ishin nisur në Malësi, për të marrë pjesë në festën e Shën Gjergjit. Gjatë rrugës i ka zënë orteku i borës... Ai kishte 3 vëllezër e 3 motra, që i ka rritur me përkujdesje e mundime. Qysh në moshë të brishtë fillon të punojë. Ishte talent i vërtetë në muzikë. Këndonte me vokal të ëmbël tek vetëshoqërohej me vegël muzikore. Gishtat e artistit, të lindur për t’u rënë instrumentëve, u bënë kallo prej punës së mundishme në rindërtimin e “Shqiperisë së re”, në hekurrudhë me llaq e beton dimër e verë… Babait, iu dha një bursë, për të ndjekur studimet universitare për muzikë në ish - Bashkimin Sovjetik, por dashuria për vëllezërit e motrat, bëri që shpresa të venitet.”
Koha e Luftës II Botërore kaloi shpejt. Në Shqipëri, vendoset rregjimi komunist. Babai i tij, fillon të punojë, mbasi kështu mund të siguronte triskat e ushqimit për vëllezërit e motrat në rrugën e parë Kukës – Peshkopi, hekurudhën Peqin – Kavajë, kanalin Vjosë – Levan – Fier etj.
Talentin si këngëtar, e shpiegon me genin në familje, trashëgimi e cila, ka vijuar brez mbas brezi. Familja e shoqëria, kanë qenë të dhënë mbas vlerave të bukura të botës perëndimore. Atë e ngacmonte modernia, që prej diktaturës ishte dënuar me vdekje. Artistin, është e vështirë ta mbash të ndrydhur në kafazin ideologjik. Shpirti i pasur i tij nuk vdes kollaj.
Kantautori, kujton: “Isha jo më shumë se 4 - 5 vjeç, kur daja Lec (Kolec Lamshi 1949, piktori e krijuesi i fotoporcelanit në Shkodrës. Ai bëri 2 vjet burg politik, shënimi im K.K.) më merrte për doret nga dëshira ime për të kënduar, më çoi në korin e Kishës katedrale Shën Shtjefni, që e kisha një bllok larg shtëpisë. Për herë të parë, pashë madhështinë e veprës së njeriut përkushtuar Hyjit. Ende nuk kishte zbardhur dita, këndoja sëbashku me të tjerët.
Motra e Kishës Anunciata, që drejtonte korin, më tha: “Zemër, mos e ngrij zërin shumë, por mundohu ta shkrish me të tjerët”. Më kujtohen sytë e saj të përvujtë, të cilat, nuk më janë shlyer nga kujtesa. I thashë, se kam dëshirë të këndoj fort. Dua të më dëgjojnë Engjëjt, që ndodhen lart në tavan. Ata motër, janë duke fjetur dhe nuk i kemi ngritur ende prej gjumit….
Karriera ime i dedikohet shokëve, sepse kishin dëshirë për të futur frymën liberale në muzikë. Fillova të krijoj këngë të reja të mia. Kuptohet pasioni dhe maraku. Me një fjalë kisha afshe rinore... Këndoja për kënaqsi me kitarre në rrugicën e lagjës time, këngë që ishin të ndaluara. Në mbrëmje, mes miqve, të afërmve, përmes magnetofonave me bobina e shiritë, inçizonim e dëgjonim këngë të lira, pa receta e korniza me hiroglife politike.”
Ajo kohë, ishte një test për te, pjesë e jetës, që i kaloi me tramvaje. Ai ka marrë pjesë në Festivalin Lokal e Nacional të Fëmijëve në Shkodër, ku, fiton 4 herë çmime nderi, me këngët: “Hyjo hyjo kalë vrapo” (1967 - 1968) “Jemi gjeologe te vegjel” (1967 - 68), “Tornitorit” (1968 – 1969), “Mira Beni dhe rreqeli” (1970 - 1971), kënduar bashkë me Myfarete Laze, “Vëllai aksionist” (1970 – 1971) etj.
Rriku, ishte një ndër nxënësit më të mirë të shkollës me notën 10. Gjithmonë ia ulte mesataren “fiskultura” me notën 9. Ka marrë pjesë në të gjitha konkurset artistike mes shkollave 8 – vjeçare.
Në Koncertet Variete, të organizuara nga Klubi i Rinisë, kur ishte në klasë të 7 - të, do të interpretojë këngën “Palma cubana”, sëbashku me Ikbal Spahinë. Publiku e ka kthyer 7 herë, për të ripërsëritur këngën.
Ky ishte një mesazh therës për kohën. Një muaj mbas, në një koncert tjetër, iu kërkua të këndojë disa këngë spanjolle e franceze, mbasi publiku e kishte mirëpritur dhe duatrokitur gjatë. Ai interpretoi këngët: “Violin cigano”, “Caminito”, “Caper tua” etj. Nata e parë e koncertit ishte e jashtëzakonshme, me duartrokitje frenetike, ndërsa e dyta… s’u bë kurrë!!!
Ndodhi ajo që pritej herët ose vonë. Ishte koha, kur dënohen për “veprimtari armiqsore” grupi i liberalit Fadil Paçrami, Todi Lubonja etj., sepse shenjat e europianizimit të letërsisë e muzikës, kishin sjellë alarmin në qarqet e boss - ëve të kupolës hermetike komuniste.
Frederiku, kujton muzikantin Nard Bushati, udheheqës dhe ideator koncertesh, i cili, ishte thirrë urgjentisht në Tiranë, për t’iu tërhequr veretje, sepse kishte lejuar vogëlushin të këndonte këngë spanjolle. Fryma e koncerteve ishte perëndimorë. Për ideologjisë e dallkaukëve me banda komuniste, dikush duhet bërë kurban, duke i shtirë frikën pjesës tjetër, që merreshin me art e muzikë…

Instrumentisti
Ai do të ndërpresë daljen në skenë si këngëtar e merret me artin dramatik si aktor e instrumentist me orkestër. Mësimi i instrumenteve, i merrte kohën e mirë të ditës në shkollë e shtëpi. Ishte pikërisht periudha kritike, kur këngëtarit i ndërrohet zëri e ndodh pjekuria. Për te ishte e dëmshme të këndonte, mbasi kordat e zërit mund të pjekën shtrembër e vokali mund të mbesë i kufizuar.
Këtu u njoh me instrumentet muzikor. Në bankat e shkollës, vjelë edukatë për kulturë të përgjithshme. Në Liceun Artistik “Prenk Jakova” në Shkodër për 4 vjet, krahas studimit teorik mjaft të thellë, mbi artin klasik botëror e shqiptar njihet me kryeveprat e muzikës botërore, duke u përpjekur të jetë vetë sa më pranë tyre. Ai merret me veglën e frymës oboe dhe ushtron veglat sekondare: piano, kitarrë, fizarkonikë etj..
Për 5 vjet, mori pjesë në Orkestrën Filarmonike të Shkodrës e Orkestrën Teatrin “Migjeni”. Për të ndihmuar ekonominë familjare e patur ndonjë para ekstra, filloi krijimin e grupeve muzikore (orkestrat e vallzimit), duke argëtuar të rinjtë nëpër mbrëmjet e vallzimit, në shkollat e mesme e Insitutin (sot Universitetin) e Shkodrës.
Filloi aktiviteti i dasmave, gjë që ndikoi mjaft në pasurimin dhe mbështetjen e tij më pas në muzikës së kultivuar popullore qytetare shkodrane. Për te ndryshon bota brendshme shpirtërore. Fillojnë të zgjohen dëshirat rinore për muzikë e art. Tashmë nis udhën e saj krijimtaria…
Artisti, nuk është si subjekt, por edhe objekt. Muzika, është më tepër pasuri e një ndjenjë të brendshme sesa tingujt që dëgjojnë njerëzit, duke u futur në botën shpirtërore të debutuesit e atij, që e dëgjon me andje interpretimin e tij.

Liberali
E kam ndjekur gjithnjë me dashamirësi artistin Frederik Ndoci vite më parë, sikurse tingujt muzikës klasike me perlat kristiane, të kënduar nga Gjokë Vata “Krenaria e Qytetit” (2001), mbas rihapjes së kishave në Shkodër në vitet ‘90 pranë vorrezave të Rëmajit.
Ndikim e gjurmë në kulturën e Rrikut adoloshent, ka lënë muzika italiane “Canconissima”, që shfaqeshin çdo javë në RAI, Festivalet e “Sanremo”- s, që mbahen në qytetin e luleve.
Ai flet me shumë respekt, për “Beatles”, Ray Charles, Tom Johnes, Little Richard, Elvis Presley, grupet e ndryshme, si: “Duran – Duran”, “Queen”, “Genesis”, “Pooh Kamaleonti”, “Bonyem”, muzikën e lehtë moderne jugosllave, etj.
Kënga e muzika jonë në trevat shqiptare, jashtë Shqipërisë dukeshin mjaft të zbehta e diletante, por Nexhmie Pagarusha, hante bukë veç. Ai çuditej me “lirinë”, që kishin shqiptaret jashtë shtetit burg në vendin e shqiponjave. Në fakt, “liria” e tyre, ishte në fe e art, por jo në politikë. Ato kishin shumë të “drejta”. E drejta e shpirtit të identitetit, që ishte valëvitja e lirë e flamurit nacional, nuk ekzistonte.
Pra si andej si këndej (shtetit amë), Zoti, kishte vënë xhelatë. Meqenëse Shqipëria, ishte e izoluar në fushën e artit etj., e vetmja dritare ose mundësi, për të parë e dëgjuar muzikën perëndimore kontemporane, ishin stacionet ish - jugosllave e italiane. Orkestrantët jugosllavë, kishin një hap cilësorë, mbasi kishin studiuar në ShBA.
Ai kujton: “Në çdo darkë familjare (fis i madh), festat fetare, dita e emnit të babës (Shën Kollit), ditëlindje, takime me shokë, këndonim këngët që na linin mbresa. Më vonë krijuam “serenatat”, ku, i këndonim dashurisë, miqësisë, vajzave, luleve etj. Në këto mbrëmje këndoja me kitarre këngë, që i dinin të gjithë miqtë, duke mos harruar edhe çiftelinë për argëtim. Këngët popullore, zinin një pjesë të mirë të repertorit të improvizuar. Kur e njeh muzikën e popullit tënd, e ke të lehtë për të mbërritur tek muzika e lehtë. Nëse dikush nuk e njeh muzikën e tabanit popullor, ka gjasa të imitojë një rrymë ose këngëtar tjetër. Ai nuk është original dhe nuk jeton gjatë. Kjo është e provuar tek autorët botërorë, që kanë shkruar muzikën klasike.
P.sh. Giuseppe Verdi, ka njohur me detaj muzikën e popullit të vet. Ai ka arritur të na dhurojë perla ose kryevepra të muzikës klasike të papërsëritshme. Kështu mund të them për muzikant të njohur, si: Rossini, Bellini, Bethovenin, Haynden, List, Shtraus, Çajkovski, Bach, Grieg, etj. Kur kërkon t’i heqësh identitetin një popullli, vepro në këtë mënyrë, merr muzikën e huaj, shqipëro tekstin dhe rezultati del vetë pa shumë koment.
Me këtë etje të madhe diletantësh, mbas 10 – 15 vjetëve, do të na marrë malli të dëgjojmë muzikë autentike shqipe. Kështu Festivali Foklorik, do të quhet si Festivali i Dinosaurëve. Brezat që do të vijnë do të pyesin për pasaportën e muzikës “origjinale”.
Sot pjesa më e madhe e krijimtarisë së “re” muzikore, që këndohet në Shqipëri është e huazuar ose e thënë më kjartë po ndodh plagjiatura, me tekst të përkthyer me muzikë e dance origjinal të vjedhur. Duhet pasur parasysh, se 5 shekuj të okupimit turk, kanë lënë gjurmë e ndikim oriental në fe, muzikë, kulturë etj. Kritikët e përkushtuar të artit e muzikës çirren e bërtasin, por kush ua vë veshin, ndërsa miopet në fuqi e mbyllin njërin sy.”

Vdekjet e artistit
Si vdes një artist!? Atëherë aktori i vogël sapo kishte filluar klasën e 8 - të. Vdekja e parë, u shfaq në kinoprovat, për xhirimin e një filmi shqiptar: “Nga fundi i errësirës” (1973). Rriku fiton kinoprovën në Kinostudion “Shqipëria e Re” (Tiranë), ku nga 100 pikë mori 96. Më afër tij ishte “aktori”, i cili, arriti deri në kuotën 51 pikë. Konkurentit të afërt, iu besua roli, sepse prindërit e tij punonin në dikasteret më të larta. “Komisarët” e Kinostudios, nuk vonuan e filluan të punojnë, për të bindur aktorin “humbës”, si i përshtatshme për rolin.

E dini vetë biografia
Rriku, detyrohet të braktisë instrumentin e oboe - s, mbasi mundësit, për të pranuar oboistët të aftë ishin shumë të kufizuara. Nga 10 oboist konkurentë, që vinin me krahë të ngrohtë, ishin të sigurtë, se njeri prej tyre do të fitonte. Komisioni shikonte cilësinë e letrave, se kush prej konkurentëve i kishte prindërit në piramidën e forumeve më të lartë të diktaturës. Ishte koha e ditëve të tyre, sepse kishin ngulur “gozhda me krye” për proletariatin...
Artisti vinte i konsoliduar muzikalisht, me një botë të thellë shpirtërore e vokal të pjekur. E ndjera Violeta Deda, me një dashamirësi si dinte ajo, i tha: “Rrik! Të ka falë Zoti një fuqi hipnoteze dhe magjie në art! Unë jam e mendimit, që të provosh një konkurim në Artin Dramatik”. Unë të ndihmoj sa të mundem.
Kështu filloi puna me materialet për konkurs. Frederiku, i vetmi shkodran fiton me vizë të kuqe, përballë 25 të tjerëve. Para se të nisej për në Universitet, babai i tij Kola, i thotë: “A të kujtohet mësimi i shkollës sime si ndihmësmurator. Kur të dukesha si xhelat në punë. Jo kot u solla ashtu. Unë kisha aq mundësi financiare, sa të mos mundoja trupin tënd të njomë, kur një ditë papritur më the, se nuk doje të vazhdoje studimet. Piktura e të ardhmes tënde ishte negative, po të mos përdorja një strategji, që të vije me mua për të treguar se ç’ishte puna? Kur baba yt, është aq i ashpër e kërkues për punën, që ta bësh sa më mirë, po ai tjetri nesër, që do të kesh gjithë jetën në punë si do të trajtojë!? Nëse nuk vazhdon, shkollën ndërtimi të prêt s’ka rrugë tjetër. Sot t’i i ke të gjitha mundësitë, për të qenë i pari. Mos na ço mundin kot.”
Rriku, vijon konservatorin në Artin Dramatik. Mbas pak grupi muzikor “Na bashkoj kanga popullore” (N.B.K.P.), një grup të rinjsh, i propozojnë të marrë pjesë me ta, meqenëse ishte i kompletuar si muzikant e vokalist. Ai pranon ofertën, e del në skenë me orkestrantët: Nimet Salabegu, Fatmir Fani, Nikolin Miraj, Mark Matathia, Filip Thana, Pirro Pano, Agim Duron, Sazan Binjaku, Aleksandër Paloli. Ata ishin 10 vetë, me përkusion qyp, dajre, kitarrë e mandolinë dhe interpretonin këngë popullore qytetare, arbëreshe, korçare, serenata shkodrane e korçare etj.
Një ditë pranë grupit vjen një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, i cili, sjellë lajmin e keq: “Ju Frederik, Filip, Fatmir, Nikolin dhe Pirro, nuk do të merrni pjesë aksionin e madh nderkombëtar. Për një aktivitet të rëndësishëm politik, jashtë shtetit.”
Arsyeja: “E pyeta përsonin, se çfarë kemi bërë ne, që nuk duhet të shkojmë jashtë shtetit!? Dhe përgjigjja e tij ishte troç: “E dini vetë, seç keni një latë të hequr në biografi…”

Vdekja III
Rriku ende vijonte studimet shoqëruar me peripeci në Artin Dramatik në Tiranë. Komisarët e Istitutit të Lartë të Arteve (I.L.A.), nuk e kishin shumë me qejf grupin N.B.K.P. Po çfarë të bënin!? E kishte në “qejf” Komisariati i Komitetit të Partisë Tiranë (K.P.T.). Filloi pingpongu kinez mes I.L.A. e K.P.
Viktimën (Frederik), nuk kishin ku t’a kapnin, mbasi në lëndët profesionale ishte as - i. E ngelën në lëndën histori e P.P.Sh., provim të cilin e mori në vjeshtë. Në vitin e dytë, e rrëzojnë në ekonominë socialiste, duke i humbet vitin e dytë.
Pra, po fitonin komisarët e I.L.A - së. Pjesëmarrja me grupin e ri artistik, ishte mjaft e vështirë, sepse kishte turne të ngjeshur nëpër Shqipëri. Më shumë mundime, pa bursë shteti (bursë familjare), nënës së tij, iu desht sa e sa herë të shiste gjak, për të dërguar paratë, në fillim të çdo muaji, për të cilën, djali nuk dinte asgjë.
Më kujtohet, - thotë artisti me origjinë familjare punëtorë të thjeshtë (nën nivelin mesatar), po përgjigjesha mjaft rrjedhshëm tezës, që më kishte rënë në provimin e materializmit dialektik e historik, ku, ish Dekani, vjen papritur e i shtohet Komisionit. Ai, me një të qeshur cinike kërcënon: “T’i do të përsëritësh vitin, dhe po vazhdove të këndosh me grupin, nuk do t’a marrësh diplomën kurrë!!!”.
Supërstari rikujton: “Faslli Luarasi ishte pro, kurse Xh.M., refuzoi e nuk vuri firmë në librezën e notave, të cilën, e ruan nëna ime. Një vit shkollor, i kushtonte çdo familjeje afro 40 mijë lekë të vjetra. Mbas disa dekadash, Zoti sjell në shtëpinë, ku, jetonin prindërit e mi në Gjermani ish - Dekanin. Imagjinoni, nëna ime i shtron një darkë, kuptohet kurbeti, të bollekshme. “A.P.”, e përgëzon nënën e Ritës dhe Julit me fjalët: “Të lumshin duart! Nëna e artistëve Rita e Juli”… Nana me buzë në gaz, i thotë falëminderit e shton: “Mos harro zotni Professor, se jam edhe nana e Frederikut”… Ai, ul kokën tek tavolinën e ka kjarë për minuta të tëra. Tashti e ndjente dhimbjen në demokraci. Me një larje duarsh: “Ishin kohë tjera!”, donte të mbyllte thesin.
Nana argumentoi: “Sot ka kenë ma e randë për mu, me pregatit sot drekën sesa për ju asokohe, me ngelë në klasë, pa të drejtë (për kuj) një femijë punëtori. Unë jam shqiptare, pastaj e krishtenë, e nuk mundem përveç, se me falë e me harru”.
Ai kishte shkue për arsye shëndetësore në Gjermani. Fëmija i tij i vetëm, kishte nevojë të jashtëzakonshme. Shkoi dhe gjeti prindërit e viktimë, për të ndihmuar jetën e femijës së tij. Si e bjen Zoti punën!?”
Mbas shumë peripecive në I.L.A., në prag të mbarimit, Rrikut, gjysma e ditës i shkonte, duke bërë luftë me komisarët e shkollës, ndërsa pjesa tjetër, kompensohej me duartrokitje e dashuri prej spektatorëve, kur debutonte në grupin “N.B.K.P”. Ai luante me vegla muzikore e këndonte solo e artistët: Irma Libohova, Valdete Hoxha, Ziliha Sina etj.

Frederiku, është Agjent i CiA - s…
Një “suprizë” e papritur, e shqetëson shpirtin e brishtë të talentit dhe përfundon orvatjet tashmë 3 - vjeçare të komisarëve të I.L.A - së. I kishte ardhur radha të goditej jeta private e artistit. Përmes një plani të detajuar, arrijnë që të përfitojnë nga vrullet rinore e mosmarrëveshjet më intime të jetës private.
Në mes të vitit 1983, disa ish përsona të njohur, kishin hartuar një letër anonim në tre kopje: një për K.P. Tiranë, Organizatën e Partisë në Insitutin e Arteve dhe për Teatrin e Operës dhe Baletit (T.O.B.), përmbajtja e së cilave, ishte: “Armik i popullit, spiun i KGB - së, CIA, UDB - së, Vatikanit, sepse gjatë gjithë kohës flet për fenë dhe Krishtin kundër rregjimit, Enver Hoxhës etj…”. Letra mbante emrin dhe firmën e X - t.
Përfundimi ishte i kjartë. Kjo letër, ishte e njëjtë me ato shprehje bajate standarte, me të cilat, u dënuan shumë njerëz të pafajshëm në Shqipëri… “Ç’ke bërë mo i uruar!”, - i tha Thimi Suli, ish n/Drejtori i T.O.B. “Shko e gënjeje atë ish tënden, se do përfundosh keq. Janë familje komunistash ata, të bëjnë gjëmën dhe do të të djegin si Xhordano Brunon”.
Artisti i ri, u ndodh i braktisur nga të gjithë. Kush guxonte t’i rrinte pranë, përveç Zotit e familjes, kur diskutoheshin probleme të tilla. “Njeriu i mirë njihet në ditë të vështira.” Sa vend zë mes shqiptarëve, shprehja që e dimë të gjithë!?. Pak ose aspak!!!… Por në Shqipëri, pas viteve ‘90, të gjithë u bënë të mirë (të afër) brenda një dite!!! Ishte e vështirë të dalloje Engjëllin nga Djalli, sepse ky i fundit, kishte veshur fustanin e nusërisë…
Ditën e parë, u thirr në hetuesi nga punonjësi i Drejtorisë së P.B. të Tiranës. Fundi ishte i kjartë. Tashmë “armiku” dhëndër, do të përballej me Nenin 55, që nënkuptonte “…Agjitacion e Propagandë për përmbysjen e poshtetit popullor në Shqipëri…”. Vendimi i dënimi mban datën 4 gusht 1983...
Njerëzit “dashamirë”, kishin përfituar nga njohja e jetës private dhe përpiluan letrën anonime kundër artistit, në shenjë hakmarrje për ish të fejuaren “D”.
Ndonëse e hidhur, ai e rrëfen historinë: “Të gjitha letrat, ishin përpiluar në emer të ish - fejuares time. Letrat shkuan në Drejtorinë e Brendshme, e cila, i përcolli ato menjëherë në gjyq. U dënova penalisht, gjë që ishte krejt e lehtë. Nuk kishte aspak rëndësi dënimi penal, sesa ai moral. M’u hoqën të gjitha materialet nga televizioni, që kisha bërë me mund e djersë. Kisha gati të inçizuar mbi 60 këngë, me grupin “N.B.K.P.”, kisha fituar çmim dekade të Klasit II – të. Midis tyre kishte këngë solo e duete.” Çfarë i mbetet pemës, kur ia shkulin rrënjët!?
Ai shton: “Sot pas kaq vitesh, konkluzioni im është, se ky dënim, vinte gjoja si masë ndëshkimi fill pas Koncerteve të Dekadave të Majit të vitit 1982. Unë debutova me këngën: “Kjo Kosova ka adet nga një pashë me mbyt përvjet”. Kënga u zgjoll në koncertin qeveritar. Na thanë, se do të asistonte edhe ai. Impenjimi ishte shumë serioz, sepse kisha fituar çmim dekade. Erdhi dita e koncertit, ora, minuti, kisha firuar gati 15 kg. Dola në skenë dhe sytë në mënyrë hipnotizuese shkuan tek lozha, ku, koka e tij binte menjëherë në sy.
Mbasi mbaroi kënga, ai u ngrit në këmbë. Kuptohet, salla si të ishte e përbërë prej atletëve olimpikë u ngritën si me sustë. Ai bëri me grusht… d.m.th. për vëllezërit kosovarë, që i kishte lënë dhuratë në dorë të kasapit. Unë po ashtu ngrita dorën, në formë grushti si ay. E ai prap me grusht e unë sërisht me grusht... More po ai prap me grusht, kur dëgjova nga prapa perdës: “Ule grushtin poshtë more qelbanik!” Kur dola më rrethuan komisarkuqët e vegjël, e me klithma gati sa s’më mbytën. “Kush të tha, t’a ngrejsh grushtin ty more majmun!?” Qe pra, i thashë, ju vetë po pyesni majmunin, pse imiton të tjerët!? E pranoj, që jam majmun dhe e ngrita grushtin edhe unë nja tre herë. Por gjithmonë pas tij.”
Incidenti vinte mbas demostratave masive të vëllezërve kosovarë të vitit 1981. Më pas kënga, kërkohej çdo natë në Radio e TV. Duket se dikush nga Beogradi i tërhoqi veshin bashkëpuntorëve të Tiranës zyrtare. Ata filluan të mendonin eleminimin tim, nëpërmjet saj asgjësonin edhe këngën. Diktaturës asokohe, i interesonte që të nxirrte armik artistin, që interpretonte e jo këngën që e shqetësonte… Kjo është njëjtë me At Gjergj Fishtën, ku, u dënua “Poeti Nacional”, e përmes saj, u varros edhe kryevepra “Lahuta e Malcis”…”

Vdekja IV
Artistin e dërguan mbas dënimit në një vatër kulture në Burrel. Ai, për herë të parë do të mendonte arratisjen, ku, sytë dhe trupin t’a drejtonte andej nga perëndonte Dielli, duke gjetur shtegun për t’u zhdukur nga “lumturia”.
Mirëpo ç’bënte Partia një vëlla t’a pushkatonte, e tjetrin e propozonte për kandidat partie. Ai u dënua, Rita filloi të lulëzojë në skenë. Ajo u bë një nga humoristet e imitueset më të mira të vendit. Artisti mendonte për familjen e tij. Sa fund të keq do të kishin, sikur të realizohej ankthi që e brente sapo fikte dritën e dhomës. Kur zbardhte dita e re, keqardhja për prindërit e mbulonte e i prishte vendimin e pjekur...
Por Zoti e miqësia, e shpëtoi nga aventura e rrezikshme. Tashti pjesëtarët e tjerë të familjes Ndoci, nuk do të internoheshin. Atij i vjen ish autoria e letrës e i thotë: “Ke ca valixhe me plaçka këtu”. Ajo mbasi e merr vesh gjoja arësyen e dënimit, betohet se: “Unë kurrë nuk kam shkruar ndonjë letër!”
Artisti nxitoi për në Tiranë t’a takonte dhe vërtetonte fjalët. “D”- ja nuk përtoi të pohonte ato që tha, e sëbashku shkuan në K.P., ku, përgenjështroi letrën. Ata i thanë, se: “Letra është shkruar nga maqina e shkrimit që keni në shtëpinë tuaj” Kur i sollën letrën, e i thanë, nëse ishte firma e saj, ajo tha: “Po, më kujtohet, kur kam firmosur një letër të bardhë, pasi m’u kërkua nga vëllai e babai.” “Ti jepen gjyqit, ato që e kanë shkruar. Kemi marrë në qafë një njeri të pafajshëm!”, - shtoi sekretari.
Kjo ishte fitore e iluzion për artistin. Njeriu, që e varrosi me urretje, po i dilte zot kështu! Rriku tregon: “Sa kristian të dobët jemi!!! Ndjeva keqardhje për të. Më tha, se do të ndërpres studimet e nuk i bëhej të shkoj në shtëpi, tek ato njerëz që i kanë prishur jetën.” Sipas saj, ai ishte dënuar për çështje politike e morale.
Në moment, harroi vuajtjet, lotët e i tha: “Bëj si të duash”. Atij iu dha transferimi në Shkodër. Mbas një muaji, e emëruan në Estradën e Shkodrës. Ishte një ambient i ri. Ai nuk e njihte mjedisin artistik, që gëzonte një emër të madh.
Gjatë vitit të parë, punon shumë dhe dallohet në takimin e estradave profesionale. Të gjitha gazetat e kohës shkruajnë për artistin e ri mjaft fjalë të mira.
Ai i falënderonte Zotin në heshtje, për të mirën që i kishte dhuruar. Tipe e natyra të ndryshme, gjendeshin në Estradë. Atij, iu desht të bënte punën me heshtje dhe të kalitet me një tip tjetër komisarësh. Falë Zotit, ata nuk ishin me nivel të lartë intelekti.
Atë vit në dhjetor aktorët e Shkodrës, do të bënin rregjistrimet për natën e Vitit të Ri. Udhëheqësit artistik të RTVSh etj., sapo shohin fytyrën e Frederikut, i drejtohen direkt me arrogancë: “Kush të ka lejuar ty të futësh këmbët në TV. Ti duhet të dalësh menjëherë jashtë nga RTVSh. Çfarë pret, lëviz, shpejt, shpejt!”
Letra e vendimeve të Komitetit të Partisë, kundër artistave për Frederikun ishte shumë e freskët, në turrën e letrave për të mos shkelur në TVSh. Shumë e madhe ishte dosja e artistave të dënuar si: Sherif Merdani, Françesk Radi, Justina Alia, Alida Hisku, Besnik Taraneshi, Zija Saraçi, e qindra të tjerë.
Artisti i ri shqetësohet shumë, por nuk shprehet dhe ruan gjakftohtësinë. Me humor, ishte e pamundur t’a kalojë “keqkuptimin”. Vendosmërisht drejtuesit politikë në RTVSh, këmbëngulin, që Shkodra këtë vit, s’do të ketë asnjë shfaqje të rregjistruar për natën e Vitit të Ri ose të zevendësohet Frederik Ndoci!?
Pjesëtarët e grupit, gjenden para një situate të papritur. Si duhet zgjidhur problemi i zmadhuar artificialisht!? Shkurt… Rriku, nuk është fytyrë, që duhet të dalë në televizion. Ata urdhëruan që t’i kthente dietat e të rikthehet në Shkodër me tren!…
“Ka qenë një kohë kur fillova me “sabotu”. Për herë të parë fillova me fut në Teatër lojën e shahut. Dhe aktorët harronin materialet (kishte raste që partneri priste me minuta të tëra në skenë partnerin tjetër, i cili, ishte habitur pas lojës së shahut) e merreshin mbas kampionatit të shahut, ku, në ambientet artistike ekzistonin 25 kuti shahu…”, kujton me humor artisti.

Phoenix
Edhe midis artistëve, regjizorëve në Shkodër e Tiranë kishte njerëz dashamirë të artit, që nuk ishin strikt porosive të debatikasve politik. Këto liberalë, pas shumë viteve, kanë të njëjtin karakter të tërhequr nga jeta e zhurmshme e publicitetit në media e televizion. Ata sodisin me gjakftohtësi, ish – pseudoartistët telpërdredhur, servilëve të boss - ëve të pushtetit të dikurshëm. Ish debatikasit, sot “demokratë”, mbajnë ende me krenari “pllakën monument i kulture, mbrohet nga shteti” dhe dërgoheshin me dieta për të vijuar shkollën jashtë shtetit. Dietat astronomike paguheshin nga skllevërit varfanjakë punëtorë.
Me mediokritetin e trashëguar pa asnjë turp, marrin poza si flamurtarë të vonuar të së resë. Ishin këta “të rinj revolucionarë”, që si bandë e kuqe kishin dënuar me vdekje artin e kulturën perëndimore, ku, viktimë ishte kantautori shkodran. Fillon një përsekutim i ri. “Armiku”, s’duhet lënë të livadhiste shumë. Erdhi urdhëri suprem: “Të dërgohet menjëherë në prodhim”. Alibia (shkaku) krijohet lehtë artificialisht ose ishte e gatshme në tryezat e boss – ëve të së keqes, që mbanin shtetin e kuq të dhunës përmes metodave të survejimeve. Dhe pasojat ishin përpiluar e dekretuar tashma…
Artisti, dënohet nga organizata e partisë në ish “Fabrikën” e Tullave në Shkodër për 6 muaj. Këtu ishte hapur dega e internimeve. Puna ishte me mëditje sikurse në shek. XII. Gjithçka (procesi i punës) bëhej me dorë, pa asnjë kusht higjene, mbrojtje e sigurimeve sociale. Ky ishte një kamp i ri i vdekjes me hap të përshpejtuar…
Nuk e don TV - ja, ndërsa Kinostudioja po, i afron kinoprova, të cilat, pa problem, i fiton falë talentit të lindur. “Shokët” e estradës xhelozë, e dënojnë. “Dashuria”, për të riun bashkëqytetar kishte dalë sheshit.
Frederiku, fillon të debutojë në kinematografi me shtatë filma. Ai ka luajtur role kryesore dhe dytësore në filmat “Në çdo stinë” (1982) me rregjizor V. Gjikën, “Dasma e shtyrë” (1984) e M. Tapallajt, “Fundi i një gjakmarrje” (1983) me rregjizor R. Ljarja, “Kur hapen dyert e jetës” (1986) me rregjizor R. Ljarja, “Flutura në kabinën time” (1987) me rregjizor V. Prifti, “Edhe ashtu edhe kështu” (1989, kinokomedi) me rregjizor B. Kapexhiu. Emri i tij, do të hyjë në librin e historik të aktorëve më të suksesshëm të Kinostudios. (Shih në librin e Abaz Hoxhës – “Arti i 7 - të në Shqipëri”, Tiranë, 1999).
Ai ia var pak punës në Estradë. Do t’a shohim, se artisti ka më shumë interes për rolet në ndonjë film. Dënimi i dytë (nga organizata e partisë), do të vijë menjëherë. Ai vonohet 3 ditë më shumë nga leja, që i kishte dhënë drejtoria për dublime (zëri me figurën). Edhe pse kur u kthye solli me vehte letrën e firmosur nga zv/drejtori i Kinostudios, ku, vertetonte, se: “Frederiku mbaroi mbrëmë dublimet”. Ata nuk donin t’ia dinin, se ishin “vetë Ligji e vetë Maliqi.”
Në prodhimin primitiv të tullave edhe një herë, por vetëm dy ditë mbasi drejtori Kel Rreshpja (mjaft kurajoz) me keqardhje, i thotë Frederikut:
“ - A kanë luajt mendsh ata!? Rrik, je i lirë për 6 muaj, shko ku të duash. Më fal, se para nuk të paguaj, por je i lirë”. Kjo botë ka edhe njerëz të mirë.
Sapo rikthehet ne Estradë, tjetër sulm. Tani strategjia e tyre, arrin kulmin. Çdo ditë të hëne në mëngjez, ai thirrej në Komitet Partisë së Rrethit (K.P.R.) duke e kërcënuar, se do t’i vinte prangat, nëse këndonte ndër dasma muzikë të huaj. Ishte kërcënuar të mos këndonte as këngët e huaja, që jepte Radio “Tirana”. “Tirana ka politikë tjetër”, i thanë, “ndërsa ne tjetër politikë!”
Pas pak kohësh në një mbrëmje me “Peco grosso”, i propozohet të këndojë një këngë e bukur nga ato që dinte ai. “Jo s’mundem, me fusin ne burg”, i përgjigjet artisti, duke shtuar, se “S’më lejohet, as edhe këngët që jep Radio Tiranës. Si bëj dot, mbasi Tirana ka politikë tjetër, e ne si artistë shkodran kemi tjetër politë më tha shoku…”. Pasi qeshën me cinizëm, i bënë me shenjë të këndonte pa frikë të gjitha llojet e muzikës botërore. Ai këndoi i lirë deri në orët e para të mëngjezit.
Të nesërmen sh…, e thërret në zyrë si zakonisht. Këtë rradhë, me pupla të lagura, i drejtohet: “Unë kam dashur, të mos lodhesh me këngë të huaja, se janë të vështira, e kam frikë se të dëmtojnë vokalin. Unë për të mirën tëndë e kam.”

“Nigjo ti Frederik:
Nuk prishet partia me një MUT si ti”
Mbas disa ditësh, një aktor i propozon në emër të organizatës së partisë (e cila, kishte marrë dy vendime dënimi për Rrikun) për t’u pranuar kandidat partie.
Pas disa ditësh i ktheu përgjigje aktorit: “Nuk e meritoj të hyj në parti, se jam shumë i padisiplinuar e pastaj partia prishet sapo të hyj unë. Vetëm pas një muaji, ju do të bëni mbledhje me orë të tëra, që të më perjashtoni prap!” Përgjigja e tij ishte “Ashtu ë!? Do t’a shohim nesër!”
Të nesërmen, bëhet mbledhje që në mëngjez. Një i dërguar i K.P. dhe dy policë të Degës së Punëve të Bredshme (Sigurimi), ishin të pranishëm në sallën e madhe, ku, mbas dy minutash merret vesh tema. “Një artist, refuzon një ditë më parë hyrjen në parti.”
Artisti rikujton: “Rrik thashë, erdhi edhe një herë koha e prangave. Megjithëse kishte rënë Muri i Berlinit, kishte akoma propozime të tilla nga komisarët tanë. Por shansi i madh, më deshti Zoti kaq shumë. Mbasi foli aktori, në fund e mbylli me fjalët: “Nigjo ti Frederik: Nuk prishet partia me një MUT si ti”. Unë qëndrova gjakftoftë, megjithëse i derguari kishte ardhur me mission të paracaktuar. Ishte aktori, që më ndihmoi. Kur m’u dha fjala, fola vetëm kështu: Unë e kam ditur vetën tamam ashtu siç tha ai. Por meqenëse, e dua partinë me shumë se ai, i thashë, se nuk hyj. Ndërsa ai, që pretendon, se e don fort: Pse ka dashtë me fut një MUT partisë suaj!?”
Tonin Ujka, u ngrit në këmbë me të qeshur dhe tha: “No comment!”

Incidente në skena të ndryshme të Shqipërisë
Në një koncert turne në Vlorë, Frederiku po këndonte “Give me hop Johana”. Një vajzë gjimnaziste kalon nga salla në skenë. Artisti me vajzën bukuroshe fillon kërcejnë një break dance. Adolishentja, ishte jashtëzakonisht e zhdërvjedhet e mjaf preçize në lëvizjet. Bukur!
Ai i entuziasmuar sërisht rifilloj të kërcej me të. Në këtë kohë, drejtuesi i orkestrës papritur ndalon orkestrën e këngën në mes. Ishte koha e vitëve ‘90. Kantautori i ofenduar në second, me një veprim shumë të zgjuar, hap kapakun e një pianoje në skenë dhe vazhdoj këngën. Drejtuesi sërisht i gjindosur mbyll kapakun e pianos dhe i zë gishtërinjtë kantautorit. E gjithë salla fillon fishkëllimat me thirrjet vlonjatëshe motër q...
Artisti, rrëmbej kitarren eletrike nga duart e Ylli Drishtit dhe filloj “Uab-bab-a-lu-bab-ba-ba-kan-bloom-tutti frutti”. Drejtuesi i shkret, e kishte humbur fare tek, vraponte pas Rrikut nëpër skenë, që t’i hiqte fishen (kordonin) e kitarres. Partiaku, donte të tregonte, se komisarët e errësirës “qimen e ndryshojnë, por zakonin se harrojnë”.
Imagjinoni, mbyllet perdja, ndërsa salla thërriste motër q… o l... Në darkë, asokohe u bë një mbledhje organizatës së partisë. Ata propozojnë përjashtim nga puna, pa të drejtë kthimi. Motivi ishte…!!!
Por artisti i vetëdijshëm në veprimet e tij, i thotë: “Ju do të më hani me nder m…” Të nesërmen vjen një instruktor nga K.P. Vlorë e i tërheq vërejtje, për aktin e keq, që kishte bërë drejtuesi. Frederiku, nuk kishte bërë, asgjë shqetësuese. Populli vijonte të kishte të njëjtën simpati për te.

Korçë
Ishte së bashku me motrat Rita dhe Juli në një turne në Korçë. Ata jepnin tre shfaqje në ditë. Pas dy ditësh ndalohet shfaqja. Hiqen reklamat artistike të orës 7. Populli që kishte zënë radhën për bileta, që me natë, i indinjuar ofendon, në adresën e artistëve, duke thënë: “Çfarë u kemi bre ne atyre që duan të kthehen!?”
Frederiku, del në pizhame nga hoteli, ku, ishte akomoduar e i thotë, se nuk është e vërtetë, që ne duam të kthehemi. Edhe nëse nuk duan ata, ne jemi gati të bëjmë koncertin falas, në mes të sheshit, deri sa kordat vokale të më copëtohen. Por është dikush tjetër, që nuk do që të vazhdoj koncerti….Mbas pak kohe, artistët shkojnë sëbashku drejt në zyrën e sekretarit të komitetit sh… P.
Artisti kujton: “Na prêt disi i skuqur, e sapo hyjmë brënda na thotë: “E kam ndaluar unë shfaqjen!?” Po për çfarë arësye insistoj unë?! “ Nuk lejoj unë, që njerëz me shfaqje të huaja të këndojnë në Korçë! Shiko flokët sa të gjata i ke!” Unë i them: A e ke me mua?! (sepse nuk e kishte vënë re, që ishte mjaft strabik në sy (shakshir), dhe po shihte nga Rita, shënimi im K.K.) “Jo, jo me ty e kam” Ou me mua e ke!? Flokët e mi janë, si ai heroi atje tek sheshi “Ushtari i Panjohur”. Jeni ju, ai që keni shfaqje të huaja, sepse i ke qethur flokët si kinez, ndërsa unë jam si Mihail Gramenua. Koncertet dhe pamja e jashtme, janë kontrolluar nga njerëz, që i kanë sytë në rregull, e s’kam nevojë për sugjerime mediokre. “Degjo, - më tha: “Nuk je në Shkodër këtu. Mos më fol ashtu, se unë të arrestoj!” S’ke fuqi, i thashë. Koncerti vazhdoi edhe 10 - të ditë të tjera. Erdhi momenti, që të dilja jashtë shtetit. Më erdhi koha, që si debutues në “Festivalin e Zërave të Rinj Botërorë” në Ankara. U pregatita mjaft me dinjitet dhe fituam vendin e dytë ne botë (mes pjesmarrësve). Ndërsa për suksesin e këtij turneu RTV “shqiptar” dha si lajm vetëm 8 sekonda.”

Lamtumirë:
Hapni dritaret Europë
Befas në vitin 1986 Frederiku, rikthehet në skenë si këngëtar, duke pasur një sukses me zërin origjinal. Kthimi i tij nuk ishte pa qëllim. Me këtë rikthim sistemi, kërkonte të tregonte se po zbuste “luftën e kllasave”.
Artisti kujton: “Ishte caktuar data e tregimit të këngës “Pranvera do lule shumë”. Ky ishte debutimi i parë në Festivalin Kombëtar të Pranverës. Unë e kënga ishim pak enigëm. Bashkëpunimi me kantautorin Ardit Gjebrea, i shtinte kureshtjen debutuesve, sepse e dinin se do të ishin të suksesshëm. Unë preferova të përdorur një strategji, ku, provat i bëja në orët e mbrëmjes (7 – 9 p.m.), që mbyllnin sezonin e ditës.
Më kishin thënë se ish - drejtori RTVSh Marash Hajati, ishte shumë despot në pranimin dhe daljen në skenë të artistave me frymë perëdimore. Sipas thashethemexhive, isha i sigurtë, se lojën në të cilën kisha hyrë do t’a humbisja. Por çuditërisht, ndodhi e pabesueshmja.
Në fund të këngës, ai u ngrit në këmbë, më shtrëngoi dorën e ngriti lart, sikur të isha mundës i fituar dhe më uroj mirëseardhjen në RTVSh. Ai, tha se ishte hera e parë, që dëgjonte dikë, duke kënduar profesionalisht. Drejtori iu drejtua këngëtarëve me fjalët: “A dëgjuat ju të tjerët sesi këndohet. Nuk ka ndonjë filozofi. Kështu këndohet.”
Mbas tij e morën fjalën pjesëtarët e komisionit. Kompozitori Çesk Zadeja (“Artist i Popullit” A.P.) në mënyrë profesionale zbërthej pak a shumë botën shpirtërore timen, duke thënë, se “… mishëron shumë elementë artistik, ka vokal të embël, zotëron shumë instrumente dhe është aktor.” Ndërsa Avni Mula (A.P.), më uroj mirëseardhjen në mënyrë demostrative. Ai u emocionua tek kujtoj rininë e tij…
Të njëjtën gjë bënë Tish Daia (A.P.), Tonin Harapi (A.M.), Nikolla Zoraqi (A.M.) etj., Muri i monumentit tim u bë prej supërbetoni. Tashma askush nuk kishte mundësi të më shkelte, sepse ishte vonë… E. Hoxha kishte vdekur. Ky konsolidim, do të vazhdonte deri në vitet 1990. Sa herë kam kënduar në skenë, jam vlerësuar me Çmime Nderi.”
Ishte pragu i fundvitit 1990. Rregjimi përdorte talentet, për të fshehur kthetrat e vet. Kështu Ismail Kadare largohet i shoqëruar nga Shqipëria në Francë. Artistëve, mbasi iu hoq thumbi (thimci), rikthyen në skenë. Sherif Merdani, del nga burgu, Justina Alia kthehet nga internimi e fillon “punën” në Teatrin e Kukullave (Tiranë), ndërsa Françesk Radi në orkestrën e RTVSh…
Por me një lule, s’vjen pranvera. Ai këndonte në sallën e darkave në Hotel “Dajti”. Në letërnjoftimin e tij, kishte 20 viza të dhënë nga ambasadat e huaja, që vinin për të dëgjuar muzikë. Po të ishte puna për të ikur jashtë shtetit, thotë Frederiku, unë isha elektron i lirë.
Në Festivalin e RTVSh “tiranasit”, i sajojnë një hile të madhe. Ishte vdekja e pestë, që i ka ndodhur në skenë. Këngët “Hapni dritaret Europë” dhe “Stinë tjetër”, intepretuar në Festivalin tradicional të muzikës së lehtë (dhjetor 1990), e nxiti aktorin këngëtar t’i jap lamtumirën vendit. Një vit më parë, kishte fituar Çminin I - rë me këngën “Toka e Diellit” (1989), ndërsa në Koncertin e Pranverës, interpretoi këngën: “Liberta, Liberte”, të cilat, morën një jehonë të madhe.
Asokohe ai “përgëzohet” nga drejtori i shfaqjes, i cili, i drejtohet me arrogancë artistit: “Nuk ka erdhur akoma koha e të ngresh gishtat për Kosovën…” Ai po përdorte Kosovën, si pretekst të gishtave dhe kërkonte të dënonte simbolin e fitorës të Kavajës e Shkodrës, që i ngritën gishtat dy muaj më parë se të këndohej kënga…

Kur zbarkuan turqit në Shkodër,
ka fluturuar fugurja “Zoja e Shkodrës”
Artisti kërkoi transferim në Tiranë. Thirret në K.P. prej sekretarit të parë asokohe. Pushtetari e pyet: “A ishte e vertetë, se kishte kërkuar transferim dhe ne si komitet jemi të shqetësuar. Një artist me kaq talent dhe vlera e ka vendin këtu.”, i thotë. Për t’a zënë ngusht i drejtohet: “Frederik, kam sinjalizime, se të kanë parë një herë në Kishën e re, në ditët e para të nëndorit 1990.” Të kanë rrejtë, përgjigjet artisti. “Nuk kam qenë një herë, por për çdo dite. A ka ndonjë gjë të keqe?!” “Jo, - i thotë sekretari, asgjë, por me që je katolik, ty të takon të mos largohesh nga Shkodra!!!”. Artisti i përgjigjet: “S’kam vend edhe si katolik, sepse kur kanë zbarkuar turqit në Shkodër, ka fluturuar si mrekulli fugurja “Zoja e Shkodrës”. Kur ka ikur Ajo, po ne çfarë duam, që rrimë pa Zojën tonë.? Ikën vitet që kalova, kur ishe ti sekretar, e unë dënohesha dhe më vinin shqelmin. Unë i përkas gjithë Shqipërisë.” Nga zyra e tij, artisti u nis në Tiranë.
Sërisht kujton: “Natën e parë, e këndova këngën: “Hapni dritaret Europë”, ku, u ngrit e gjithë salla në këmbë. Xhaketat fluturonin sipër njerëzve, fishkëllimat me urime bravo, më dhuruan suksesin e parë. Kënga nuk ishte aq e bukur sesa ishte mendimi i saj. Kur shkova në shtëpi për të parë këngët e Festivalit në TV, nuk u shfaq kënga ime. Spikerja tha: “Dëgjuat e shikuat këngët e natës së parë të Festivalit.” Të gjithë në shtëpi kishim ngrirë para monitorit të televizionit, që vijonte të jepte sinjalin e lajmeve…. Të nesërmen shkova në RTVSh, e u thashë çfarë keni bërë kështu!? Menjëherë mora përgjigje të parapërgatitura: “Pse tha Partia pluralizëm, u bë deti kos!? U bë Amerikë këtu, që të kërcesh ti ula up!? Çfarë u bërë t’i Frederik Ndoci, duke kënduar e këcyer në skenë!? Çfarë të duket vetja ty!? Ne të fusim edhe në burg! Ti mendon, se burgjet nuk kanë një dhomë për ty!?” Iu përgjigja, menjëherë se nuk ka çilca më. Ato tashmë kanë humbur në det. Ju falëminderit, për këshillat e kërcënimet, por mos keni hallin tim, se unë një copë bukë e ha ku të dua në të gjithë botën, sepse kam 20 viza në passaportë. Ika në mënyrë demostrative…”

Mes fansave në Maqedoni e Kosovë
Frederiku, sëbashku me motrat Rita dhe Julin, kishin oferta artistike në Zvicër e Maqedoni. Ata morën rrugën në këmbë deri në postën kufitare të Qafë Thanës. Një shqiptar nga Maqedonia, i mori me makinë. Gjatë rrugës po dëgjonin një këngë në kasetë të këngëtares Shkurte Fejza: “Ndalo njëherë o burrë i dheut, mos ia kthe shpinën Atdheut”. Ishin vertetë emocione, të forta, ku, atij e motrave, u rrëshqasin lotët e dhimbjes, pse po lënë më keqardhje atdheun, ku, u lindën dhe rritën.
Shkodrani, tregon çastet e dhimbjes, duke përshkuar rrugën për dy orë, që i dukeshin sikur ishin 200 vjet nga ajo këngë. “Aq lot derdhëm, saqë na falt Zoti. Të njëjtën dhimbje emocionale, kam përshkuar kur kam parë në TV eksodet biblike të mijëra shqiptarëve në anije drejt Italisë, eksodi kosovarëve që erdhën në Shqipëri… Kam ndjerë dhimbje në shpirt, kur u rrëzuan (11/9/01) dy Kullat Binjake në Manhattan... Tragjedia e fundit në tre shtetet e pjesës jugore të ShBA – së (Hurricane Katrina and Rita), me skena të tmerrshme në ujë më kanë trazuar shpirtin. Natyrisht kam qarë edhe herë të tjera për humbjen e pjesëtarëve të familjes tonë. Dhimbjes i shtohej edhe dhimbja e dytë e pamundësisë për ti përcjellë në funeral, për arsye të burokracisë së pajisjes me dokumente etj. Mbas 9 viteve, për herë të parë, kam parë nënën time (Marien) në Gjermani…”, përshkruan dhimbjet artisti.

Murator në Itali
Frederik Ndoci, ik me autobuz në Itali. Ishte koha, kur në korrik të vitit 1990, shqiptarët kishin shpërthyer kangjellat e ambasadave të huaja në Tiranë. Në mars 1991, ndodh eksodi biblik drejt Perëndimit. Europa, ishte bërë shpresa e vetme. Ishte një goditje vdekjeprurëse për diktaturën komuniste në Shqipëri, që jetonte grahmat e fundit të jetës fizike…
Ai Italinë e kishte parë në televizion dhe gjuha për komunikim nuk ishte problem. Atje, fillon të punoj në periferi qytetit Bergamo, si ndihmësmurator (manuale) 14 orë në ditë. Mbas punës, bënte një dush të ngrohtë, hante darkë e binte të flinte. Gjatë orëve të lira shëtiste nëpër qytetin e bukur, duke bërë vizita në muzeume, kisha, ambiente kulturore e muzikore, bibliotekë, kinema etj.
Ditët kalonin. Atij filluan disa miq të rinj intelektual vendas t’i afroheshin. Rriku, kërkonte të punonte me dinjitet. E kishte të vështirë (kishte mbetur ende me atavizmën komuniste: “Interesi i përgjithshëm mbi atë përsonal”) të shkonte të merrte 50.000 lireta në ditë, që mund të përfitonte nga asistenca si refugjat në shtetin italian.

Një vdekje e ëmbël…
Një javë mbas, i thotë priftit të qytezës së vogël Endena, që të mbledh disa fëmijë t’u mësojë kitarrën. Meshtari e pyet artistin shqiptar, sa kërkon që të paguajnë ata ty. Me një buzëqeshje të lehtë fisnike, Frederiku i përgjigjet, se nuk dua të më paguajnë asgjë, por këtë e bëj për pasion. Mbas disa ditësh 14 fëmijë nga mosha 13 - 16 vjeç formojnë një klasë të vogël me kitarre, maestro i ri i së cilës, ishte Frederik Ndoci.
Për një kohë të shkurtër (45 ditë) në prag të Krishtlindjeve (Natale), kitarristët e vegjël vendas, dolën debutuan sebashku me Fredrikun para publikut në Kishën e qytetit të vogël italian. Prifti e falënderon shumë atë, për përkushtimin dhe rezultatin konkret që e shihte tek instrumentistët e vegjël, të cilët, për 3 vjet nuk kishin mësuar ushtrimet më elementare në kitarrë. Prindërit e tyre nuk dinin si të falënderonin, për kënaqësinë shpirtërore që u dhuroi. Ata me lot në sy përqafonin artistin shqiptar. Koncerti që dhanë ishte vërtetë suprizë, para prindërve e besimtarëve të shumtë…

Grazzie Frederico!
Muzikanti e aktori Ndoci, për një kohë të shkurtër bëhet i njohur, i nderuar e respektuar. “Më afroheshin njerëzit për t’u bërë mësime fëmijëve të tyre. Ata më thonin sa kushton. I sqaroja, se jam artist, kam humbur spektatorin e artin, kam ikur nga vendi e populli që më kanë dashtë. Sado të më paguani ju, nuk kënaqëm, sepse më është ngrirë zemra. Asnjë pare sado me vlerë, nuk e mbush mungesën e thellë, që kam në shpirt, për njerëzit e vendit tim. E kam dashtë dhe e dua sërisht publikun tim kulturdashës. Mua më mjafton respekti, që keni për mua... Të nesërmen, zemra bujare italiane, e mbushi banesën time me të gjitha llojet e arsotimenteve ushqimore. Ata më ofruan dhuratë një makinë të përdorur për Natale etj.”
Në muajt e verës, katundi kishte festat tradicionale fetare, që vazhdonin për 7 netë me rradhë. Natën e parë, duke shëtitur ndalon për të dëgjuar një grup muzikor, i cili, për nga niveli profesional ishte shumë dobët. Këngëtari, që debutonte e shoqërohej nga orkestra stononte vazhdimisht.
“Të nesërmen, pashë sërisht një grup tjetër të vogël, që ishte njësoj si ata që pashë një ditë më pare, pa nivel. Një ditë tjetër, pashë se prifti ishte shumë i mërzitur dhe më thotë, se nuk i kishte ardhur grupi artistik për të dhënë shfaqjen dhe janë 5000 vetë, që i presin në shesh. I thashë më jep dy autoparlante (spikër) e po këndoj unë për 2-3 orë. Prifti me buzëqeshje më tha: “Këngë shqiptare!!! Ata nuk kuptojnë asgjë!!!” Jo, por këngë të ndryshme italiane, që i kam mësuar, duke ndjekur kanalet tuaja televizive. Ai u habit, dhe shtoi: “Si është e mundur!?”, rrëfen kantautori.
Për të mos humbur kohë, këmbëngula të filloj shfaqjen. Doli prifti dhe më paraqiti para publikut, me fjalët: “Sonte kemi artistin tonë, surprizë, që të gjithë keni për t’a pëlqyer. Është ai, që ka ndihmuar fëmijët tuaj, për t’i rënë kitarrës e kënduan këngë kishtare…”
E fillova me “Marina Marina…”, “Lasciatemi cantare… sono un’albanese vero” dhe vazhdova non stop për disa orë. As unë nuk e di, se ku më dolën gjithë ato këngë të vjetra italiane, spanjole, angleze, shqip, të cilat, u shoqëruan me kërcim e duatrokitje gjithë kohën…
Nga puna si mutator, tashti në profesionin tim të zemrës, më dukej vetja sikur isha në Parajsë. Kjo ishte vdekje e ëmbël. Nuk e shikoja, se djersët më kishin mbuluar gjithë trupin… Atë natë pas shfaqjes së parë në publik, shumë njerëz mu afruan e më falënderuan, duke më dhuruar bisnesscard - at e tyre.
Disa të tjerë më thanë, se ku do të këndoni nesër, në cilën festë, që të vijmë t’ju dëgjojmë përsëri… U kënaqëm sot… Grazzie Frederico! Erdhi prifti shumë i gëzuar, dhe me një buzëqeshje zemre më dha 600.000 lireta italiane. Ky çek ishte sa për dy javë punë. Të shtunën, më tha prifti, “do të vini përsëri, sepse artistët që këndonin më parë nuk do t’i marr më për shfaqje.”
Miku im italian Giuseppe, që ishte mjeshtër si murator, më shikonte gjithë gëzim. Në fund të shfaqjes, më tha: “Frederico, Frederico! Bravo amico questo che canta e il mio manuale!”, shpiegonte dhe i mburrej te gjithëve. Unë duke qeshur i thashë Giuseppe’ s, më fal miku im i mirë, nuk vi më të punoj (ho cominciato un altra cariera,e cosi trovi un altro perche domain, non ci vediamo) ... Dhe kështu filloi karriera…”

Në Liceun Artistik të Bergamos
Në Liceun Artistik të qytetit Bergamo, zhvillohej një mbrëmje argëtuese e maturantëve, të cilët, ishin interesuar të këndonte patjetër për ta, kantautori Frederik Ndoci. Ai, sërisht me mikrofon shetiste në sallë, duke kënduar në italisht, shqip, spanjisht, anglisht etj. Duartrokitjet e përgëzimet të sinqerta, nuk mungojnë në argëtimin rinorë shkruante gazeta: “L’ecco di Bergamo” (Jehona). “Artisti shqiptar, që braktisi skenën dhe vendin, jep koncert në një mbrëmje me maturantët e liceut Donizeti”, vijonte gazetari italian.
Mbas pak ditësh, Rriku formulon një numër telefoni, të bisneskartave që mbante në xhep. Atij i përgjigjet bashkëbiseduesi e i kujton: “Unë të kam thënë, të më therrasësh nesër, por ju po më telefonin mbas dy muajsh!!!… Duhet të jeni nesër patjeterë në TV lokal…”
Pra, Rriku ftohet në studion e TV në Bergamo. Ai këndon 6 këngë dhe jep një intervista Live, duke iu përgjigj pyetjeve të telefonueseve në studio për 60 minuta. Intervistat kishin përmbajtje më tepër humane, për të sensibilizuar italianët në ndihmë të popullit shqiptar, që po zbarkonte në eksod me anije në mars ’91. “Kam kjarë atë natë, kur kam parë në TV bashkëkombasit e mi, që zbarkonin në turma prej anijeve të vjetra, duke rrezikuar shumë…”, shton ai.
Një grup tjetër italian, i ofroi kantautorit shqiptar 1.600.000 lireta (sot në Itali si monedhë këmbimi shërben njësia monetare Euro, shënimi im K.K.), për të kënduar me grupin e tyre. Ai nuk pranon menjëherë, për të parë se mos ndoshta ato i rrisin çmimin. Ishte artisti emigrant, që mbante gjallë grupin. Njerëzit vinin më tepër për të dëgjuar zërin e tij melodios. Tek ai po lindnin shenjat e para të vetëmenaxhuesit të talentit të tij. Atij i vjen propozimi për CD - në e parë, mbas një muaji. Grupi quhej “Rose Rosse”.
Kështu pazari arriti në 2.000.000 lireta, duke pasur free dhomën e fjetjes etj. Me kontratë fillon punën me pagesën e mësipërme për një muaj. Sërisht një grup italian, i ofron artistit një marrëveshje të re. Kësaj radhë, një çift që menaxhonin grupin “Pagina d’album” (menaxher), i afrohen Rrikut dhe ftojnë të bisedoj, për një kontratë të re pune. Çifti italian, i thotë, se ju mund të këndoni afër shtëpisë tuaj në Bergamo, për një shumë 3.000.000 lireta…Okay…Rrikut i pëlqen puna. Ai kishte një arësye tjetër të brendshme. Në grup ishte një bjonde bukuroshe, balerinë elegante veriitaliane tipike, që disi do të krijojë ca shqetësime ndenjash artistit… Eshtë e vështirë të mbash tundimin!

Në shpatull një shqiponjë
Mbas 3 muajve, Rriku, nxjerr në treg kasetën e parë me titull: “Canta Frederik” me grupin italian “Pagina d’album”. Këtu bëhen 5 këngë në videoklip. Dy nga këto këngë, kanë qëndruar 6 muaj si sigël e programit në TV Padova.
Filluan intervistat në të gjitha kanalet televizive te Italise Veriore. Sallat mbusheshin plot. Filluan të vijnë edhe artdashës shqiptarë. Refugjatët kënaqeshin, mburreshin e nxjerrnin mallin për atdheun, me zërin e Rrikut arbëror. Shumë shpejt u bë i njohur nga të gjitha diskotekat. Ishte më i kërkuar nga të gjithë artistët e tjerë italianë në të gjitha “Festa in Piazza”, që organizonin partitë e ndryshme.
Ndonëse pa një eksperiencë, suksesi i albumit të parë ecën shumë mirë. E pabesueshme. Shiten miliona copje (kaseta CD, LP). Ai kupton, se kopertina e kasetës, duhet të jetë një art më vehte. Ndjenja atdhetare nuk humbet. Në shpatull i qëndron krenare një shqiponjë. Këtyre elementëve, u duhet shtuar shumë kujdes, mbasi efekti vizual luan një rol ndikues, tek shikuesit dhe admiruesit e muzikës.
“Sono gitano” (“Pa atdhe”) Frederik, është titulli i një CD të dytë, në të cilën, përfshihen këngë italiane. CD - ja kishte 12 këngë, dy këngë ishin kompozimet e tij (“Dove sei” & “Sognero”), u bënë 24 videoklipe me skenë klasike e moderne. Talenti triumfon mbi kohën.

Kontrata e udhëtimit nëpër botë si italian
Sukseset e CD - së dhe kasetave, bëjnë që menaxheret e muzikës të mendojnë seriozisht për të ardhmen e këngëtarit “italian”, duke e paraqitur atë në turne si një italian i vërtetë. Rriku këndon në diskoteka dhe bashkëkombasit e përgëzonin përzemërsisht me zë të lartë: “Rriku! Rriku!…”. Suksesi shtohet në të gjitha koncertet jashtë Italisë, Zvicër, Francë, Gjermani, Austri, Shqipëri, Argjentinë, Andora, Luksemburg, Suedi, Kroaci, Rumani, Greqi, Turqi, Kinë… Bota sa vjen dhe zvoglon dimensionet e saja në vizionin e artistit tonë.
Menaxheri i ndjerë italian Aldo Zardi (Parma), e propozon artistin, falë talentit të spikatur e begatisë muzikore, të këndojë në Festivalin e famshëm italian “Sanremo”. Ai, e pranon ofertën, e cila, kishte një kusht, ku, kantautori dhe kompania, duhet të paguaj një çek 150.000.000 lireta. Ai bëhet objekt i kamerave televizive dhe faqeve kulturore gazetarëve italian, të cilët, e intervistonin “italianin” e lindur në Shkodër.
Frederiku, shton: “Në një intervistë direkte në TV me gazetarë të televizionit RT4. Ata kërkonin të dinin nga jam, mbasi dëgjuan disa kangë në italisht, spanjisht, anglisht. Më pyesnin: “Kur këndon spanjisht interpreton më mirë se italianët, kur këndon anglisht, italianët sërisht nuk këndojnë si ju. Ju lutëm nga jeni!?”
Ata mendonin se jam nga Argjentina. Unë vazhdimisht e tresja bisedën. Mirëpo sërisht këmbngulnin... Mendoja, se TV4, ishte si stacion shqiptar, sepse ndiqej direkt nga Shqipëria. Si mund të mohoja vendlindjen para spektatorit tim!? Edhe pse e kisha të ndaluar nga menaxherët (punëdhënësit), të mos paraqes nacionalitetin tim, pohova:

Unë jam shqiptar
Sapo e thashë këtë fjalë, konduktori Murizzio Contanza, bëri me shenj, që në ekran të jepet publicita për teleshikuesit…
Gjatë reklamës, kur doli drita jeshile më tha: “More zotëri, pse the se je shqiptar!?… Më fal, që insistova e të lëndova, - tha ai. Unë mendova, se e keqja më e madhe është se ju duhet të ishit polak, por kurrsesi shqiptar! Më ke krijuar një vizion të jashtëzakonshëm dhe jo sikurse ato, që lexoj në editoret dhe faqet e para të gazetave tona.”
Kur rifilloj programi Live, ai u mundua të rikuperonte fytyrën e grisur të shqiptarëve nga shtypi italian. Ai ka menduar se unë nuk do të kthehem sërisht një ditë në vendin tim, të shoh publiku, qytetin e lindjes, vorrezat e parëve të mi etj. Konduktori italian Constanza shtoi, se “kishte njohur piktorin e madh Sali Shijakun, Lin Delinë, Prof. Ernest Koliqin etj.”
Kur rifillova të këndoj, nëpër koncerte, pagesa po pësonte gjithnjë e më tepër firo, vetëm pse pohova identitetin e vendit tim. Kontratave po i binte numëri. Tani në salla vinin më shumë shqiptarë. Italianëve, u kishte hyrë frika e ndonjë murtaje ngjitëse. Më kishte marrë malli shumë për Shqipërinë.
I thashë menaxherit më mungon vendim im. E ai më tha, se ishte dakort të bënim një “Concert in Albania”. Ishte viti 1995... Organizova një turne me grupin tim. Atë e dhamë në “Les Bon - Bon” në Tiranë, Sheshi “Demokracia” (Qyteti i Studentit), Pallati i Kongreseve, Sheshi “Skenderbeg”, dhe në qytetet Shkodër, Vlorë, Laç, Durrës, Berat.
Sukses i madh, por jo mirë me para …, sepse i ndjeri A. H. më ngeli pak borxh (rreth $13 mijë). Ai nuk më dha paratë e koncerteve kryesore, duke m’u fshehur për disa ditë. Kur e takova më tha: “Çfarë parash!? Vjen këtu nga Italia e do para nga ne!? T’i duhet të na japësh para. Pastaj nuk kemi kontratë bashkë. E treta, mos ngul këmbë, se të shqyej edhe passaportën!!!”
Nuk u indinjova nga ajo përgjigje, sa nga zhgënjimi, që pësova ndaj disa liderëve të PD – së. Ata po flisnin me gjuhën e rrugaçëve. Ishin komunistët, njësoj si Gestapoja, të qeshnin dhe t’a fusnin… Ndërsa këta të rinjtë, ish - komunistë t’a futnin dhe të kërcënonin prapa.
Ky ishte rezultati i “njeriut të ri”, që trumpetonte për dekada të tëra E.H. Mbushja nga ke ardh Rrik, i thashë vehtes… “Njeriu i ri”, shan Zotin, e nuk e ka për gja me ba kshtu me ty…!!!”

Udhëtimi drejt Amerikës…
Good News of love: Made in California
Frederik Ndoci and Friends, do të nxjerrin albumin e ri: “Good News of love” realizuar në Califonia në vitin 1996. 11 janë këngët më të bukura kristiane, që Frederiku realizoi për Kishën e një College në San Diego. Pranë kolegjit, ai fillon kursin “English intensive” dhe koncerte në kisha të ndryshme në të gjithe pjesën Perëndimore të Amerikës. Këtu, ai jeton e punon për 1 vit e gjysëm…
Por historia e albumit të ri, ka një ndodhi interesante. Rriku ishte në Europë në një turne. Me grupin po kthehej në Itali (Bergamo). Një çift amerikan, me një makinë të madhe me targën “California”, kishin ndalë në rrugë e po përpiqeshin të rregullonin një difekt në motorr. Frederiku, i bën me shej shoferit të ndalojë, për t’i ardhur në ndihmë turistëve nga California.
Rriku rrëfen: “U fola menjëherë në anglisht, duke i pyetur, me se mund t’ju ndihmoj. Ata menjëherë më falënderuan. Shiu vazhdonte të binte e i ftova të vinin me grupin tonë në autobuz. I sqarova, se hajdeni me makinën time deri tek stacioni i parë i gazit (karburantit) dhe atje mund të kërkoni ndihmë mekanike… Duke udhëtuar me grupin tonë, ata kërkonin të dinin, se çfarë stil muzike luani. I sqarova, se këndojmë këngë klasike romantike, që nga vitet ’60 deri në vitet ’90 dhe njerëzit e lumtur vallëzojnë. A ke provuar të këndosh këngë për Krishtin!? U mundova të justifikohem, se unë Atij i këndoj. “Jo, jo, jo, me këtë zë të mrekullushëm që ua ka dhuruar Zoti, ju duhet t’i këndoni vetëm Krishtit”, shtoi burri, që ishte anëtar i Këshillit të Kishës (Church Decon).
Këto këngë, vijoi ai, i këndon Whitney Houston, Elvis Presly Michael Jackson etj. E lamë të takohemi në Bergamo. Duke më falënderuar për ndihmën e ofruar, ata në takimin tonë në një lokal, kishin marrë me vete disa CD dhe mi dhuruan për të krijuar një vizion mbi muzikën amerikane kristiane. Ata më thanë, se nëse të pëlqejnë na thuaj. I dëgjova me vëmendje. Ishin me të vërtetë këngë të bukura. Pas pak kohe i telefonova miqve të rinj, duke i thënë se këngët më janë ngjitë në zemër. Ramë dakord pas pak kohe, u nisa me avion në California për të bërë CD – në time të tretë…”

Supërstari në Manhattan…
Artisti pëson një traum ex - familjaro - shoqërorë në San Diego. Ai refuzoi, për t’u ripagëzuar në ujin e Kishës Cristiane “Shadow Mountain Church”. I erdhi radha vendimit Gjyqit (Restgerin Order) të El Cajon - nit CA. Sentenca ishte: “Për të mos shkelur këtu aty në San Diego…” Kjo lehtësoi vendimin e tij, për të lënë klimën e bukur të San Diego - s dhe kthehet në të ftohtin e New York – ut. I lodhur nga problemet e jetës, i tradhëtuar në fund të botës, në vitin 1997, Rriku gjendet rraskapitur në Bronx New York, duke kënduar në lokal shqiptare e italiane. Askush nuk e kuptonte gjendjen e tij shpirtërore. Kishte filluar si dikur mijëra emigrantë për të bërë karrierë artistike në tokën e premtuar të Shteteve të Bekuara të Amerikës.
Për herë të parë, bëri një aktivitet kultural natën e Vitit të Ri 1997. Çdo gjë shkoi normal e suksesi ishte i menjëhershëm. Në atë mbrëmje, artisti këndoi këngë popullore, muzikë të lehtë shqiptare, italiane, amerikane, spanjole etj., duke mos lënë mbas dore bejtat dhe barcoletat karakteristike shkodrane, që e bënë ambientin festiv edhe më të këndshëm. Shfaqjet asokohe ishin të një stili rutinë. Pothuajse në të gjitha, këngëtarët me rrallë këndonin me publikun shqiptarë, që hidhnin paratë në ajër.
Në fillim, koncertet muzikore, që kishte filluar Parashevi Simaku ishin mjaft të kulturuara. Ata bëheshin në një lokal me pronar shqiptarë (“Piaza Bella”) në Manhattan. Sëbashku Rriku e Parashevia, nisën të këndonin në lokalet: “Marleks”, “Portofino”, “Al lagheto”, “La Fontana”, “Mamma Francesca”, “Aurora” “Europe Caffe”, “Buongiorno” “Tijuana”, “Bruno”, “Angelina”. Mbas disa kohe, u largua këngëtaria e mirënjohur Parashevi Simaku.
Më 1999, filloi lufta në Kosovë. Mbas një jave iku nga lokalet shqiptare edhe Frederiku. Fatkeqësia e artistit të skenës është se: “Nga skena, ai duhet të përfundojë në lokal, ndërsa këtu në botë nga lokalet artistët ngrihen dhe bëhen të pavdekshëm.”, thotë supërstari shqiptar.
Artistët jo gjithnjë nga bashkëatdhetarët, trajtohen me respektin e artit dhe aftësitë që zotërojnë, duke i detyruar ato që të largohen pa dëshirë prej lokaleve të “patriotëve”, që për fat të keq i shohim shesh tek pushtojnë faqet e para të shumë gazeta shqipshkruese... Ndryshe ndodh me komunitetet e tjera në Amerikë, mburren me bashkëatdhetarët artistë, të cilët, i ndihmojnë si sponsorizues në arritjen e suksesit. Nga ana e tjetër artistët, me modesti ua dedikojnë trofet dhe çmimet ndërnacionale mecenëse të dashur të kulturës… Meqenëse gjendemi në botën e çudirave, çfarë do të kishte ngjarë sikur një bisnesmen shqiptar të kishte zërin dhe talentin e artistit supërstar Frederik Ndoci dhe artisti milionat e tregtarit pa emër!? Le ta jap koha përgjigjen… Emrat e shkrimtarëve dhe artistëve jetojnë më gjatë se koha dhe pasuria.
Shumë herë amatori ka guxim e i flet profesionistit “koleg”. Përpara kush bënte shkollë përkatëse quhej profesonal. Ndërsa sot, kush regjistron muzikë dhe ka CD quhet professional. Të dy palët, nuk mendohet që të vënë para, sepse pirateria në Shqipëri e kudo ështe më e zhvilluar se në Kinë.
Punon “artisti” në ndërtim dhe në fund të muajit, me paratë që merr shkon në një studio dhe regjistron “muzikë”. Jo më shumë se 20% e CD - ve të reja kanë cilësi, dhe mund të jetojnë gjatë, ndërsa të tjerat dhurohen ose dëgjohen nga xhamat e hapura të makinave. Gjatë harkut kohor të viteve 1997 – 2005, Supërstari, ka organizuar shumë aktivitete të bukura, për komunitetin.
Tek ai spikasin vlerat artistike, në spektaklet dhënë në New York, si: “Millenium Show” (Nëntor, 1999), koncertet e natës së Vitit të Ri (2000 – 2005), koncertet e “Valentin’s Day” (2002, 2003, 2004), koncertet për Nënë Terezën (20 Shtator 2003), “Concert’s Polish Center” (Korrik, 2004), “Concert’s V.I.P.” (2002 – 2004), Koncerti i Madh Kombëtar Shqiptar në Boston” (1998), Koncert në Festivalin Shqiptar në Wochester Mass. (Maj, 1999), Koncert në Boston për Komunitetin Shqiptar në Restorantin e Anthony Athanas (Festa e Shën Gjergjit 2001), koncert për shqiptarët e Pipodit (Boston, 1999), Koncert për Shqiptarët e Bostonit në sallën e Letonisë (2002); tre koncerte për grumbullimin e fondeve për Luftën në Kosovë (1998); për Fondin NEARO dy shfaqje (1999, 2001); për “Radio Shqiptare” në Wochester Mass. (Boston, 2003); për Shoqatën “Nanë Tereza”, Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Harsdale New York; grumbullimi i fondeve për përcjelljen e trupave të familjes Bitri, Anita, Sibora (e bija) dhe nënës së saj; Koncert për Ditën e Flamurit (shansi i artistave, se festohet 10 herë brenda muajit) në Pensylvannia (Philadelphia) 3 herë me parti të ndryshme; në California 3 herë; në New Jersey dy herë; në Detroit një herë; në Boston një herë; Ohio një herë; në Connecticut një herë; në New York 6 herë.
Shfaqje të ndryshme, Frederiku ka dhënë për shqiptarët në Detroit 2 herë; në Ohio një herë; Florida dy herë; në California një shfaqje sëbashku me sopranon Inva Mula. Këtu nuk përfshihen mijëra dasma, festa familjare, fetare, pagëzime, krezmime, ditëlindje, ku, njerëzit që e njohin artin e cilësinë, kërkojnë nga Supërstari, që t’ua kthej ambientin e ngrohtë familjar në Show.

Fillimi i një jete të re: njohja me Aiden
Artistin Zoti e kishte parë dhe ndihmuar, që të kapërcej pengesa e rreziqe nga më të ndryshmet. Më në fund e ndihmoi të fluturoj i qetë e të rimbledh sëbashku copat e shqyera të jetës së tij, sikurse David Koperfildi përsonazh i autorit amerikan Ch. Dikens.
Frederiku, kur gjente shqiptarë në Itali, në rrugë njoftë e pa njoftë, i merrte në shtëpi e i ndihmonte. Bujaria e tij, shprehet me veprimet konkrete në ndihmë të bashkëatdhetarëve. Ata nuk janë të paktë.
Jemi në fillim të Luftës së Bosnjës, dhe Frederiku po përcillte një njeri me plaçka dhe makina nga Trieste (Itali). Udhëtimi me traget pezullohet, për arsye lufte. Asnjë shqiptar, nuk mund të udhëtonte ato ditë. Fatkeqësisht, një grup artistësh të Teatrit Popullor, po ktheheshin nga një turne në Gjermani. Ato pak marka që kishin fituar nga turneu rrezikonin që të harxhoheshin nga pamundësia për t’u kthyer në Shqipëri.
Artisti i madh tregon: “Mbasi pashë lemërinë e tyre se çdo të thotë bllokim trageti, fillova të mos kurseja asgjë për to. Atë natë shumë prej tyre u shpërndanë nëpër makinat boshe pa targa. Të nesërmen në mëngjez, sëbashku me Prof. Gëzim Kame dhe dy të tjerë trokita në zyrën e Mayorit të Trieste – s. Unë iu drejtova atij. Përjashta derës, kam përfaqësuesit e një grupi artistësh nga më të mirët e Shqipërisë. Mbrëmë ata kanë fjetur përjashta. Trageti nuk niset jo për fajin e tyre. A mund t’u krijohet një mundësi për t’u ardhur në ndihmë artistëve të pafajshëm nga kjo luftë. Ata nuk kanë të holla të mjaftueshme për hotel dhe restorant. Zoti Frederik, ju falënderoj për njoftimin dhe kërkesën humane…”
Mayor - i e pajisi Frederikun me triska ushqimi për bashkëatdhetarët, për të ngrënë deri në ditën që do të nisej trageti. Dhe mundësinë për të fjetur në tre konvikte, ata e siguruar falë mikut të tyre artist. E sa e sa raste të tilla humane, të cilat artisti nuk kërkon t’i tregojë falë modestisë.
Kuptohet menxyra dhe tortura më e madhe në US, është paisja me dokumente. Rriku, ishte legal me vizë studenti (F1) në Amerikë. Por gjithsesi viza kishte një afat skadimi. Në kapitalizëm, jeta konsumohet me shpejtësi gjeometrike.
Një ditë në telefon, një ish prej tyre e thërret e i thotë, se nëse kishte nevojë për dokumente. Ai i drejtohet artistit shkodranët me fjalët: “Rrik Ndoci, me të tanë ato të mira që ke ba për të tjerët, kujton se s’ka shpërblim. Shkruaj këtë numër telefoni. Thirre dhe thuaj përsonit “B” – së, se jam miku i “S” – së. “B” – ja, është djalë i mirë dhe punon për Shtetin në Federal Plaza.” Por çfarë ndodhi!?
Frederiku mbyll sytë, mori frymë thellë dhe pas një ofshame filloi të tregoj: “Më ndodhi një ndër gafat më të mëdha. Njeriu që do më ndihmonte, ishte një djalë i mirë. Ai nuk kishte gjë në dorë, përveç disa çertefikata lindjeje të ish Jugosllavisë. Unë pa ditur, një gjë të tillë, pa e njohur direkt përsonin (njihja vetëm farefisine tij).
Ishte shkodran, e pyes sesi do të më ndihmojë për hallin tim. Më thotë, se pa problem fare. Pa e zgjatë shumë më bën një çeshtje.
Atë ditë, kur kisha intervistën e lexova hartimin idiot “Unë Frederiku i quajtur Fedrih Kolnoki, i lindur në lagjën Gërmija Prishtinë të Kosovës. Gjoja, kam hequr të zitë e ullirit nëpër burgjet serbe. Kam marrë pjesë ndër demostrata dhe serbët më kanë arrestuar e rrahur… etj.”
Imagjinoni çfarë gënjeshtrash… dhe me sy të zgurdulluar i them: Po kjo!? Kjo është “Kesa”, sqaroi bashkëbiseduesi. S’kam sesi genjej. Këmngula duke thënë, se dua të tregoj të drejtën në Amerikë. Dhe ashtu veprova. Ai shtoi: “Po të thuash të vërtetën do të fusin prangat e të kthejnë në Shqipëri”. S’ka gjë, i thashë më mirë të gënjej para Zotit (gjë që se bëj kurrë) sesa Amerikën.
Herën e parë, në gjygj deklarova, se kush jam CD, kasetat, shtypin që kishte shkruar për mua. Gjykatësi më pyeti: “Kush e ka përpiluar kërkesën për azil!?” I tregova, një njeri, që ka dashur të më ndihmojë. Atëherë gjykatësi, që njihte dallaveret shqiptare shtoi: “Po ai i famshmi, ka menduar, se duke qenë i rrahur nga disa policë ose civilë diku ne botë, mund të fitosh shumë pikë para gjygjit amerikan. Kulmi shtoi gjykatësi, ç’është ky miop, që kërkon të kthej artistin ndërkomëbatr në një ordiner!!!??? Unë nuk i kuptoj shqiptarët e tillë nga vijnë!?”
Kjo i kushtoi artistit afro 60 mijë dollarë për 9 vjet me radhë, duke ndjekur 39 gjygje, avokatë, përkthyesa gjygjtarë. Sot më në fund, pas këtij kalvari peripecish gëzon të drejtën e qytetarit amerikan. Ai falënderon sërisht Zotin, që në kulmin e problemeve t’a gëzon zemrën. I depresionuar këndonte vetëm, për të paguar jetën. Zoti i bjen pranë Aiden…
Ajo i ka qëndruar pranë në të gjitha kohërt më të vështira prej vitit 1998 deri me sot. Aida, është besimtare e devotshme në fenë e Krishtit. Ata janë martuar me kurorë në Kishën “Zoja e Shkodrës”, më 3 tetor 1999. Famullitar ka qenë At John Gibson, irlandez, djalë xhaxhai me aktorin e producentin Mel Gibson. Prifti flet shqip mrekullisht, është me të vërtetë mjaft i pasionuar mbas doktrinës së fesë e dashuron me shpirtë pasardhësit e Nënë Terezes d.m.th. shqiptarët.
Ata sot jetojnë të lumtur e këndojnë sëbashku në të shumtën e rasteve.

Supërstari një CD të re
Ndërsa vitet shkonin, përvoja rritej, artisti, po përgatitej për sfida e nivele të reja. Shpresat për ndonjë mundësi të jashtëzakonshme, pothuajse ishin venitur. Kënaqej me sudisfaksionin e atyre 200 - 300 vetë që mblidhen natën për të ndjekur show - t, prej të enjtën deri të dielën.
Ata e duartrokitnin, takonin e i kërkonin autograf CD – të. Kishte kërkesa dhe kontrata pune (koncerte) për mbrëmje private, martesa, ditëlindje, pagëzime, krezmime etj. Kishte filluar arti t’i kthehej në rutinë. Prap Zoti lëshon rrezen e syrit të Tij. Dhe një ditë fati e përqafon …
Mr. Michael, e pyet: “Si nuk doli një njeri që të besoj në talentin tënd!? Çfarë keni Ju, më pak se artistët me famë botërore!? Më thuaj, çfarë duhet të bëj për ty!?” Ai e pyet nëse kishte dëshirë, për t’u lidhur me ndonjë menaxher, producent, booking agent në fushën e muzikës.
Më pas e njeh me George Gesner “GAG ORDER CO” (prodhues artistash, poet, muzikant, fitues Grammy (US Çertefikat - Çmim)). Ai e ndjek për disa muaj pothuajse në çdo aktivitet. I propozon, për të qenë prodhuesi i tij, në bazë të të gjitha sanksioneve.
Përpara ai shikoi se mos kishte ndonjë dëtyrim ndaj SIAE (Shoqëria Italiane Autorëve dhe Krijuesve). Producenti, kishte kapur me kompjutër antarësinë e tij, pranë kësaj Shoqërie, që prej vitit1993. Ai i dha propozimin e avokatit të tij e i tha: “Dua përgjigje sa më shpejt nga avokati yt.” Avokati George Stein (270 Madison Ave Suitte1410 Manhatan NY 10016), përpiloi në favor të artistit pikat e kontratës, më të cilën, duhesh të firmosnin për diskun e ri.
U vunë firmat. Propozimi i parë ishte Frederik Doci pa “N”. George shpjegoi: “Se askush në botë nuk të njeh. Në Itali njihesh, si “Frederik” pa ndonjë mbiemer. Në Spanjë po ashtu, si “Federikos”, ndërsa në Amerikë, ka shumë këngëtarë me emrin “Frederik”. Ne na intereson tregu. Në treg, nuk ka sukses emri me dy bashkëtingëllore “nd”. Kështu që bota sot e tutje do të njohë me emrin FREDERIK DOCI….”
Kështu për artistin dhe grupin e bashkëpunues, filloi puna në seleksionimin e këngëve. Frederiku, krijoi një kompani: “Skutari musik”. George nga ana tjetër, krijoi një tjeter kompani investuesish me emër “Gypsy Eagle”, dhe producent “BLUE November Records” (215 Penny Lane Building 24 - th Str. Suitte 221 NY., NY.10010).

“Piano on a Moon”, për NASA - n…
George, e pyeti supërstarin, nëse kishte ndonjë krijim origjinal. Ai tregoi, se shumë vite me pare kishte krijuar shumë këngë origjinale me muzikë dhe tekst. Mjerisht ata kurrë nuk e gëzuan të drejtën e skenës ose të Radios. Ata zgjodhën disa: “Zonja Shkoder”, “Zemra dhe qelqi” (“Glass heart”, “Corason de cristal”), “Të dua në shume gjuhë” (“All the love in the ëorld”) “Lëndina e lotëve” (“The crying field”).
Frederiku, në pamundësi për t’u lidhur me ndonjë kantautor shqiptar, kthen sytë nga ndonjë tjetër krijues rreth e rrotull në Amerikë.
Toni Espozito, kompozitor italian, i përgjigjet, se: “Kam materiale për ty.” Vrapojnë me George tek studioja e Tonit dhe dëgjojnë këngët. Artisitit i pëlqyen pothuajse të gjitha, por zgjodhë tre. Më vonë vetëm dy do të fitonin të drejtën për të qenë në Album. (“Canterina” & “Musica”). Këngën “Canterina” u ulën, që t’a përpunonin ndryshonin pak, duke i vendosur tekstin (anglisht - italisht). Kënga “Musica”, ishte e kompletuar.
Në të njëjtën kohë George, kërkonte në internet këngë të reja, për albumin e ri me këngëtarin Frederik Doci.
Filloi dyndja e CD - ve nga të katër anët e botës. Nga New Zelanda, Armenia, South Afrika, Germania, Rusia, Rumenia, Britania e Madhe, Filipine, Brazil, Indonesia, Ekuador, Papua & New Guinea, Australia, nga të katër anët e Amerikës.
Çdo ditë puna e Frederikut dhe George, ishte të hanim mëngjez dhe të dëgjonim këngët e reja, t’i seleksiononin me kujdes dhe të shkruanin përshtypjet. Ata shkonin për drekë e ktheheshin, për të dëgjuar ato këngë, që kishin fituar më shumë pikë.
Kështu me rrallë pothuajse 3 muaj deri sa më në fund zgjodhën një krijim të Luis Moreno dhe Norman Kerner “El dichioso soy yo” (“Jam me fat”).
Pas pak kohe, zgjodhën një këngë të re shumë të bukur “Piano on a Moon”, të cilën, NASA, e zgjodhi si një ndër këngët, që do të jenë “sound non stop life” në sondat e altoparlantëve të vendosura në planetin Mars.
Kështu, kushdo nga shqiptarët që do të shkojë fizikisht në Mars do të dëgjojë zërin e artistit Supërstar shqiptar, që ka dalë nga planeti Tokë, prej Gushtit të vitit 2005…
Pastaj erdhi kënga “Return to me”, kompozim i grupit pop “October Project” (Autorja Julie Anders). Kënga ishte një suference intime. Por ai sapo e dëgjoi, iu duk, sikur zëra nga Shqipëria e thërrisnin “Eja, kthehu ketu”.
Ata pastaj zgjodhën këngën “Falling in love again”(“A ka burrë nanet, që dashuron edhe një herë prej fillimit”) Merilyn Ditriht, këngë e trajtuar në stilin light valz vetëm vocal and harmony.
George, insistonte për “Anche senza di te” (“Vazhdoj jetën edhe pa ty”). Këtë këngë e kishte kënduar në albumin e parë 1992 - 93. U vendos të jetë në CD - në e re…
Meqenëse George, është me prejardhje greke, vazhdimisht i propozonte Supërstarit tonë, këngë të ndryshme greke. Por ai, me diplomaci, i shmangesh këtyre propozimeve deri sa ai dëgjoi një ditë këngëtaren Anna Visi me këngën “Mavra Jyalya” (Vështroj botën me syze të errëta) pop style, këngë mjaft e bukur.
Tashma kjo këngë, u vendos të jëtë në album.
“Malaguenja”, gjithashtu u zgjodh, të jetë në albumin e ri. George Bize “The fisherman of Pearls” (“Peshkatari i perlave”), “La danza” (nga Tarantella Napolitana) e Bellinit (Vallëzimi) technodance. Kënga është interpretuar italisht e frengjisht.
George, gjithashtu pelqente edhe interpretimin e supërstarit shqiptar, në këngën “Caruso” të Lucio Dales. Por sipas Supërstarit, meqenëse kjo kryevepër po shfrytëzohej si shumë, ai i bashkangjiti Caruso – s edhe këngën “Dicitinccelo vuie”.
Atëhere ai zgjodhi nje strofë e gjysmë nga “Diccitincello” dhe një strofë e gjysmënga “Caruso”, e i titulloi “Potpuri Caruso” (Caruso Medley) “Blues Style”.
Me njërën këngë Enrriko Caruso, u bë legjendë, ndërsa Lucio Dala, e ktheu në një legjendë krijimtarine e këngës Caruso (është cilësuar, kënga më e bukur e shekullit).
Këngët pothuajse ishin zgjedhur. Tashtii do të bëhej përgatitja e orkestrimit në studion “GarFish” (20 West 20 - th St. 10 - th Floor, NY. NY 10009).
Inxhinieri muzikant gjerman Harold Stefan, filloi parapërgatitjen e bazave për instrumentistet, që do të vinin për të rregjistruar me rrallë.

Nënë Tereza,
prolog i suksesit të supërstarit
Në të njëjtën kohë George, prezanton njërin nga investorët më të fuqishëm Kubir PURI (multimilioner indian), i cili, më të dëgjuar, se ishte fjala për investuar një artist shqiptar. Ai kishte thënë pyete: “Nga cili qytet i Shqipërisë është?” George, kishte thënë se është nga Shkodra. Ai kishte pranuar në vend të jetë sponsor, duke shtuar: “Jam dakort 100 herë, që të investoj për shkodranin. Të lutëm, kur mund të takoj artistin?” Një i huaj nga India (indiano – amerikan), u tregua më bujar se ne shqiptarët që jemi nga vendi i Nënë Terezës vetëm me fjalë. Ai tashmë është i pari “shqiptar”, që ka ngritur zërin (vokalin e supërstarit shqiptar FREDERIK DOCI), emrin dhe flamurin kuq e zi me shqiponjë në një planet tjetër përmes NASA – s.
Ndoshta një ditë njeriu me zemër të madhe, bisnesmeni i suksesshëm “shqiptar” Mr. Kubir PURI, do t’i kërkoj njërit prej presidentëve të Shqipërisë që ta pajis me nënshtetësi shqiptare, për hir të respektit, mirënjohjes dhe dashurisë mrekullibërese për Nënë Terezës për vendin e tij. Ai e dërgoi emrin e Nënë Terezës drejt amshimit të përhershëm në Mars, ku, nuk depërtojnë statujat, fjalët e bukura vetëmburrëse të shpërlara shpesh nga “patriotët” për Nënë Terezën.
George, organizon një darkë. Supërstari shqiptar, rikujton me respekt: “Përshëndetemi. Pasi ulemi, me pyet: “Çfarë dini ju Mr. Frederik për origjinën e Lumes Nanë Tereza!?” Unë i them se di gjithçka. Ajo jo vetëm se është shqiptare, por e kam nga qyteti im. Më saktësisht ajo është nga Shiroka ime. Ai ngrihet në këmbë, më përqafon e shtoi: “Për këtë arësye, unë nuk kam hezituar të jem sponsori i albumit tuaj. Sapo e mora vesh, se jeni shqiptar u emocionova shumë. Por u gëzova dy herë më shumë, kur u njoftova, se je katolik shkodran nga qyteti i prejardhjes së Lumes Nanë Tereza. Ajo ka bërë aq shumë për popullin indian, saqë të investoja për të gjithë artistat shqiptarë, nuk do të ishte as një e milionta pjesë e shpërblimit të mirave, që Ajo ka bërë në Indi e botë...”