E merkure, 24.04.2024, 05:18 PM (GMT+1)

Faleminderit

Alfred Papuçiu: Edhe dy fjalë për Artisten, Vaçen tonë kombëtare

E hene, 16.03.2009, 08:50 PM


Vaçe Zela
Vaçe Zela
Edhe dy fjalë për Artisten, Vaçen tonë kombëtare

Nga Alfred Papuçiu

 « Njerëzit e mëdhenj janë modestë » - më thoshte një ditë një miku im kompozitor kur i fola për artisten tonë të popullit, Vaçe Zela. Shpesh e kujtoj atë dhe dëgjoj kasetën me zërin e saj melodioz, që të jep krahë, të kujton Atdheun, tokën e paraardhësve dhe të mbush me emocion. Si atë darkë kur dëgjoja tek « Çajupi » i Tomorrit dhe Meritonit tek Universiteti Popullor Shqiptar, këngën e saj për « Atdheun » dhe shihja siluetën e saj të bukur, tepër shprehëse. Ajo vërtetë është modeste, por don të komunikojë me dashamirët, dhe atë darkë, megjithëse zëri i saj nga ana tjetër e receptorit ndihej i lodhur, me ëmbëlsi shprehu mirënjohjen për Meritonin, duke dëgjuar zërin e saj. I shpëtuan edhe disa lotë nga sytë. Pastaj si çdoherë, ajo më kaloi bashkëshortin e saj, njeriun me kulturë dhe tepër të sjellshëm, Pjetër Rodiqin. Ai më flet me përzemërsi si kurdoherë, për Vaçen tonë kombëtare dhe shprehet se është më mirë. Shkembejmë disa mendime bashkë dhe kuvëndojmë edhe për mundësinë që një ditë Vaçja të vijë në Gjenevë dhe të dëgjojë tek Universiteti Popullor Shqiptar, këngët e saj të kënduara nga të rinj të talentuar…Ashtu siç shkoi me miqtë atje në Gjermani para disa ditësh dhe ju bë zemra mal nga mikpritja e shqiptarëve në Diasporë.

Në enciklopedinë Wikipedia (Enciklopedi e lirë) për Vaçen tonë shqiptare thuhet këto fjalë të përmbledhura por që flasin shumë : « Vaçe Zela. Lindi më 7 prill 1939. Këngëtare me famë të madhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela ka një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Prej kohësh Vaçe Zela e ka reduktuar në mënyrë dramatike aktivitetin muzikor. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet « Zëri » i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Disa nga këngët e saja janë ‘ Çelu si mimoza’, ‘Djaloshi dhe shiu’, ‘E dua vendin tim’, ‘Ëndrra ime’, ‘Lemza’ , ‘Nënave shqipëtare’, ‘O diell i ri’, ‘Sot mbusha 20 vjet’, ‘Të lumtur të dua’. Që sa vite e sidomos këto të fundit gjindet në shërim në Zvicër ».

Vaçja filloi të këndojë qysh në moshën dhjetëvjeçare. Vaçja ishte fëmija më i madh e një familjeje me gjashtë fëmijë dhe siç shprehet ajo « këngën e trashëgova nga nëna ». Edhe vëllai i saj, Hysniu,  e ndoqi pas në këtë rrugë. Prej këngës së saj të parë, ajo ruan në kujtesë vetëm refrenin e saj : « O pëllunb i bardhë, kur po don me ardhë »…Në Institutin e Lartë të Arteve, megjithëse kishte dëshirë të bëhej aktore, nuk i kërkuan asnjë etyd, ushtrim sikuri, recitim, apo të paktën një monolog a pjesë drame, ajo mori kitaren dhe filloi t’i bjerë instrumentit dhe të këndojë. Siç shprehet prof. asoc.  Nexhat Agolli, në librin e tij të arrirë me titull « Vaçe Zela…magjia e këngës shqiptare », « ndoshta e solli në këtë ‘zgjedhje’ dikushi apo fati ? Gjithsesi, ajo asnjëherë nuk do të paragjykonte se si ndodhi : atë që nuk e bëri komisioni i kantos për t’u bërë këngëtare e bëri komisioni i dramës. Por Vaçja nuk u bë kurrnjëherë aktore, por artiste e këngës : e këngës popullore dhe e këngës së lehtë. Kështu mund t’i ndodhë shpesh njeriut, veçanërisht artistit ».

« Të gjitha këngët e Vaçes i kam dëgjuar dhe i kam mësuar përmendësh. Vaçe është përjetësuar në këngët e saj. Vaçe u shëndrit rrugën këngëtarëve të rinj si dielli që shëndriste tokën. Rallëherë lindin këngëtare si Vaçe. Vaçe Zelës i uroj shërim. Respekt për këtë këngetare të madhe », shprehet Taibja.

Ja si shprehet Sokrati për diskun « Kënga ime » : « Disku është i përkyer, si nga cilësia e dëgjimit, po ashtu nga niveli muzikor dhe poetik i këngëve. Mua më ka pëlqyer gjithmonë Vaçe Zela dhe jam munduar të gjej sa më shumë këngë të saj. Nëpërmjet këtij disku u njoha me këngë që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Do të këshilloja cilindo që të dëgjonte këngën « Rrjedh në këngë e ligjërime » çdo mëngjes, ose të paktën kur duan pak frymëzim. Do t’ju ndihmojë shumë në kohë të vështira…Dhe nuk është aspak për pleqtë, përkundrazi unë besoj se zëri dhe këngët e Vaçes japin më shumë rezultate tek të rinjtë sesa tek të moshuarit ».

Ndërsa Elona thekson : « Sapo e bleva CD e Vaces dhe jam shumë kurioze ta dëgjoj të gjithën. Jam 20 vjeçe dhe jam frymëzuar nga prindërit e mi ta pëlqej këtë këngëtare të paarritshme shqiptare ».

« Vace Zela is Albania's secret weapon and anyone who wants to sample Albanian music at its best should buy this CD »- David Mitchel.( Vaçe Zela është një armë sekrete e Shqipërisë dhe çdonjeri që dëshiron të shijojë muzikën më të mirë shqipëtare, duhet të blejë këtë disk ».

Këto fjalë më mbushin me krenari si çdo shqiptar në diasporë dhe ashtu siç kam shkruar për Celine Dyon në ditën që u vendos ylli i saj në « Hollivud Bulevard » do të dëshiroja të shkruaja edhe për Vaçen tonë kur ta propozojnë shqiptarët tanë në diasporë në Amerikë.

Vaçe Zela ja dedikon suksesin e disqeve të saj tre faktorëve kryesorë : në një anë fatit që i dha atë dhunti, zërin melodioz, por edhe punës së saj të madhe prej vitesh, si edhe dashamirësisë së shqiptarëve kudo që janë. Të gjitha disqet e saj kanë një sukses të jashtëzakonshëm dhe turnetë e saj në Shqipëri, por dhe në skenat botërore kanë qënë të paharruar. Ajo ka kujtim të bukur ditën e nderimit të saj para tre vitesh me titullin « Nderi i Kombit » nga presidenti Alfred Moisiu :

“Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

…Njerëzit e pranishëm atje në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dëgjonin zërin melodioz të Vaçes dhe ajo këndonte prej së largu, këngët e saj të rinisë. Ajo artiste e vogël e një qyteti myzeqar, shkonte me grupet e shkollave për të dhënë shfaqje nëpër fshatra. Shoqja e saj e fëmijërisë, Violeta Librazhdi,  kujton Vaçen kur ishte nxënëse shkolle dhe veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një kocert shkolle. Atje këndoi këngët « Piva ujë me dy bardhakë », « Qilimi me mollë » dhe mori duartrokitjet e të pranishmve, bashkëqytetarë lushnjarë. Me kitaren e saj do të këndonte Vaçja më vonë këngë spanjolle, italiane dhe amerikane që i kishte mësuar « vjedhurazi ». nga dëgjimi i radios. Një koncert i bukur, kujton Violeta, atje në atë shtëpizën në Tiranë, kur papritur ishin mbledhur dashamirë të shumtë që ishin ngjitur pranë dritares…Perlat e muzikës shqiptare do të vazhdojnë për vite të tëra të mbushin me gëzim zemrat e shqiptarëve të thjeshtë…Atë mbrëmje tek Lidhja e Shkrimtarëve Pjetër Rodiqi, bashkëshort i Vaçes, falenderon miqtë dhe adhuruesit e saj që duan të japin ndihmën financiare për kurimin e saj dhe shpreh mendimin që fondi i mbledhur të dhurohet për fëmijët Talasemikë në Shqipëri. Ai theksoi atëhere  se Vaçe Zela nuk ka probleme financiare. Kaloi me të vërtetë një çast shumë të vështirë për shkak të problemeve shëndetësore, por për fat të mirë financat nuk përbënin shqetësim për të dhe familjarët e saj. « E vetmja mungesë e pazëvëndësueshme për të, tha ai, është largësia nga miqtë dhe publiku shqiptar ».

Shpesh herë, si shumë dashamirës të Vaçes, flas me të në telefon dhe mbrëmjeve pas ditës së lodhshme, dëgjoj kasetën me muzikë të artistes sonë të Popullit. Mallëngjehem atje tek Parku Geisendorf, apo buzë liqenit Leman dhe zëri i saj kumbues dhe i fuqishëm më bën të ndodhem pranë Atdheut tonë, pranë Myzeqesë, Devollit, Valbonës, Lezhës, Fierit, Pogradecit, Lushnjes, Sarandës. Më kujtohet dhe miku im, inxhinjer Budjon Pojani atje në Clearwater të Floridës që më pyet gjithmonë për Vaçen, për Pjetrin. Ndoshta puna, hallet e përditshme nuk na kanë lejuar të shkojmë e të vijmë shpesh tek të gjithë bashkëbesëlidhësit tanë në Zvicër e mbi të gjitha me një artiste të madhe e cila e ka kohën e kufizuar dhe lufton çdo ditë për të patur një shëndet të mirë. Pranë i qëndrojnë bashkëshorti i saj i përkushtuar, dhe të afërmit e tjerë, vajza e saj. Urojmë që së shpejti, pa pritur Ditën Kombëtare të Shqipërisë, të kemi në gjirin tonë Vaçen tonë artiste të Kombit e cila me zërin e saj, me këngën e saj qëndron pranë vatrave tona dhe na shoqëron çdo ditë me mirësinë, me modestinë e saj.

Të duam shumë Vaçe, prandaj, mos u dorëzo, përballo me forcë sëmundjen, pasi e ardhmja e afërt do të sjellë patjetër një shërim edhe për ty. Mjekësia po bën hapa të reja përpara dhe mjekë të përkushtuar po punojnë me ngulm për të transformuar edhe genet defekzoze me ato të shëndosha. Prandaj të jeni e durueshme, jo sentimentale, por e prirur nga dëshira për të ndryshuar gjithçka, si në kohën tënde të rinisë, për të na dhënë shpresa, guxim, dashuri, mirënjohje, solidaritet ! Të presim së shpejti në Gjenevë për të dëgjuar koncertin me këngët e të rinjve dedikuar ty !  Zoti të bekoftë, e mira jonë Vaçe !

Nga libri « Me zemër të pastër », shtëpia botuese « Alor », Gjenevë, 2008. Libri është dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht, por përmban dhe disa tregime në anglisht



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora