E premte, 18.10.2019, 12:09 AM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Forca femërore e Jonida Maliqit

E merkure, 19.04.2006, 08:23 PM


Për herë të parë interpretonte në një duet. Me një paraqitje ndryshe, ashtu si gjithmonë, këtë rradhë arriti të merrte edhe çmimin "Best Female" mbrëmjen e së dielës në Top Fest, së bashku me Tunën. I kënduan forcës së femrës, e padyshim kjo forcë nuk i mungon as Jonida Maliqit vetë, sidomos kur bëhet fjalë për profesionin siç pohon vetë në një intervistë për "Metropol".

"Unë mbahem si natyrë shumë feministe në fakt dhe jam shumë kokëfortë. Unë them se çdokush nuk do të cënohet. E kam tmerr të më cënojnë në profesion. E kam tmerr kur më cënojnë për vokalin, apo për profesionin tim. Është jeta ime, profesioni im", cilëson ajo, teksa rrëfen për bashkëpunimin me Tunën, Top Records dhe projektet e reja.

E cilësuar si këngëtarja më e mirë femër, bashkë me Tunën edhe kënga juaj kishte të bënte me femrën. Ç'domethënie ka ky çmim për ju dhe si lindi ideja për realizimin e kësaj kënge?

Kënga ka të bëjë me forcën e femrës. Faktikisht, mbi të gjitha ideja e bashkëpunimit ishte e imja. Unë e kam njohur Tunën që të vogël. Kemi qenë pjesëmarrëse në festivale të ndryshme. Kemi pasur gjithmonë një raport miqësor, por më shumë jam njohur me të në Vjenë, ku kemi qenë të dyja të ftuara në një koncert. U ritakuam në "Kënga magjike" ku mua më lindi ideja dhe telefonova menaxherin e saj, i cili ra krejtësisht dakord me idenë time, gjithashtu edhe dëshira e madhe e Tunës. Në Maqedoni takojmë Kaliopin një kantautore profesioniste, shumë e mirë që njihet në gjithë Jugosllavinë. Ka shkruar muzikë për teatër, balet dhe deri diku ishte një mësuese shumë e mirë. Përzgjodhëm melodinë e këngës. Duhet të zgjidhnim të dyja për çfarë fliste kënga. Shumë njerëz nuk e marrin parasysh tekstin dhe thonë nëse melodia është e mirë, teksti nuk ka rëndësi. Për mua fjala është shumë e rëndësishme. Dhe donim, meqënëse gjithë kohës i këndohet dashurisë diçka më ndryshe, diçka aktuale. Meqënëse bëhej fjalë për një duet femrash, pse mos të këndonim për to, për revolucionin e tyre. Ideja ishte deri diku e imja dhe më pas Tuna e aprovoi. Tuna donte që autorja të ishte një femër, por në pamundësi të saj tekstin ia dhamë një mashkulli. Shumë tekste të albumit tim i ka shkruar dr.Flori. E di që ai ka shumë marrdhënie të mira me femrat i kërkova të bënte ai tekstin. Ishte natyrë shumë korrekte, rregulluam nja dy gjëra dhe ia treguam Tunës, e cila ishte në dilemë pasi në Kosovë dhe Maqedoni tekstet i kanë paksa abstrakte, jo të thjeshta. Pastaj donim të merrnim patjetër çmim. Përshembull, në momentin kur po nominoheshim ka qenë emocion shumë i madh. U kapëm fort të dyja dhe dora e Tunës djersinte, unë gjithashtu dridhesha dhe në momentin që tentuam të përqafonim njëra-tjetrën nuk u përqafuam. Por, që ia dolëm mbanë. Unë them se e kemi merituar këtë çmim dhe s'mund ta mohoj, ashtu siç e thashë e dëshiroja tej mase. Konkurrenca ishte e fortë.

E dëshironit këtë çmim, por a e prisnit?

Ne morëm vesh në gjysmëfinale që ishim të nominuara për Best Performance, Best Female dhe unë isha për Best Video, por të dyja dëshironim Best Female.

Çfarë mendoni për organizimin e Top Fest-it në përgjithësi dhe për mënyrën se si është organizuar ndarja e çmimeve?

Shumë mirë. Unë them se është një ndër të parët festivale që ka bërë evolucion dhe ka një audiencë kolosale. Dje është çmendur Pallati i Kongreseve. Ka qenë nja kaos

i vërtetë, fëmijë që të kërkonin autografe. Kam provuar orë të mrekullueshme gjatë Top Fest. Më pëlqen dhe mënyra se si e kanë organizuar. Të gjithë artistët në një vend përballë njëri-tjetrit. Disa reagojnë kur kanë rivalitet dhe edhe kjo është shumë e bukur, sepse ka sensin e garës.

Mendoni se në marrjen e çmimit ka ndikuar edhe marrëdhënia, që ju si këngëtare keni me Top Records?

Unë them se jo, se unë këngën e kam çuar përpara se të realizohej albumi. Mendova që albumin, ta realizoja pas parqitjes në Top Fest që të fusja brenda dhe këngën me Tunën, e cila më ka ngjitur shumë që në momentin e parë dhe mendoja se do të bëhej hit. Nuk besoj se, unë them që i kam lënë vend vetes. Kam 14 vjet në skenë dhe besoj se e kam kaluar këtë, aq më tepër në një festival si Top Fest.

Është hera e parë që ju realizoni një duet. Ç'mund të thoni për bashkëpunimin me Tunën?

Është dueti i parë dhe më ka pëlqyer shumë. Ndoshta bëj një tjetër në të ardhmen, megjithëse ishte pak e vështirë marrëdhënia me Tunën, sepse ajo gjatë gjithë kohës ishte në lëvizje, sa në Shkup, në Prishtinë dhe kur vinte që të debutonim në skenat e Top Fest-it e bënim direkt atë ditë, pa asnjë provë por që gjithsesi falë aftësive tona dhe marrëdhënies së mirë që kemi me skenën, ia dolëm mbanë.

Meqënëse kënga flet për forcën e femrës, në fakt cilat janë pikat e forta të Jonidës si femër?

Më mirë po them pikat e dobëta (Qesh). Unë mbahem si natyrë shumë feministe në fakt dhe jam shumë kokëfortë. Unë them se çdokush nuk dëshiron të cënohet. E kam tmerr të më cënojnë në profesion. Kam punuar me shumë dashuri, pasion dhe them se kam arritur çdo gjë falë punës sime. Sigurisht i detyrohem familjes, njerëzve të dashur. Por mund ta quaj fare mirë, meqë vjet jam diplomuar edhe për kanto lirike, se jam një këngëtare profesioniste. E kam tmerr kur më cënojnë për vokalin, apo për profesionin tim. Është jeta ime profesioni im. Unë këngën nuk e kam hobi.

Kë ndienit apo shihnit si rivale gjatë konkurrimit në Top Fest?

Më vjen keq që, ndonjëherë më kanë krahasuar me koleget e mia. Nuk i kam parë asnjëherë koleget si rivale. Mendoja që Mariza mund të ishte një rivale shumë e fortë, pasi gjithmonë me atë kam pasur kontakt shumë të afërt, pasi gjithmonë që të vogla kemi debutuar bashkë, por e kam shumë shoqe, e dua shumë. Madje më erdhi shumë keq, që doli pa çmim. Me të vërtetë më erdhi keq, sepse unë klikoja për të. E kam xhan!

Sa jeni kujdesur për paraqitjen tuaj të jashtme gjatë natës finale të së dielës?

Gjithmonë i kushtoj shumë rëndësi dhe kjo është vënë re, por që të jesh një artist i mirëfilltë duhet të merresh me të gjithë komponentët. Nuk mjafton të kesh vetëm këngën e bukur, por duhet të jesh një shembull i mirë për të tjerët. Dhe të tjerët, ndërsa të shohin teksa këndon edhe të kënaqen. I kam dhënë shumë rëndësi. Mendoja që fustanin ta blija diku jashtë. Në pamundësi që të shkoja e realizova tek stilistja Enada At' Nikolla, të cilës i kam besuar gjithmonë për veshjet e mia dhe them se doli me sukses. Ishte diçka ndryshe: Jonida pak më e zbuluar kësaj rradhe.

E përditshmja dhe fama

Ashtu si çdo këngëtar kudo në botë edhe asaj i pëlqen që fama e saj të shtrihet më gjerë se vendlindja, por në Shqipëri këtë gjë nuk e sheh të lehtë. "Në vendin ku kemi jetuar dhe ku kemi lindur ne është pak e vështirë, kështu që duhet të jem me këmbë në tokë. Jam e kënaqur për këtë që kam arritur, pretendoj më shumë, por për moshën që kam...! Madje, nganjëherë mendoj se jam shumë më e pjekur se ç'duhet edhe nga ana profesionale. Sepse jam 23 vjeç dhe kam 14 vjet që merrem me muzikën. Kam frikë mos abuzohet me imazhin tim", rrëfen ajo, ndërkohë që shton se ndihet mirë që fatmirësisht që në momentin në të cilin ka mbaruar shkollën, nuk ka pasur asnjë moment të lirë, përsa i përket anës profesionale. "Në të vërtetë kam një jetë intensive. Profesioni vihet mbi të gjitha. Fle shumë vonë, zgjohem në mëngjes maksimumi në orën 9.00. Gjithmonë e planifikoj ditën time që në mëngjes, se çfarë do të bëj. Në momentin që kam kohë të lirë rri me shoqet e mia, me njerëzit e mi të dashur. Më pëlqen të lexoj, të shikoj filmat e fundit, të dëgjoj muzikë. Dhe po merrem me nja dy materiale që kam bërë, që janë krejtësisht të reja dhe duhet t'i studioj në shtëpi".

Në verë,videoklipi i ri

Ka vetëm pak kohë që ka nxjerrë në treg albumin e realizuar me "Top Records", të cilët siç thotë ajo "ditën ta vlerësonin si këngëtare". "Albumi u promovua shumë mirë. Pas dy muajsh do të shohim se si ka ecur", thotë Jonida, ndërkohë që gjatë verës do të nxjerrë videoklipin e saj të dytë, i cili do të mbajë të njëjtin titull si albumi, "Nuk të pres". "Kënga 'Nuk të pres' është një këngë me ritme shumë të forta, ashtu sikurse i pëlqen audienca dhe do të jetë një videoklip veror, shumë feminil",rrëfen Maliqi, teksa shpjegon se asaj vetë i pëlqen ajo lloj muzike që quhet e mirëfilltë. "Nuk ka të bëjë rryma. Më pëlqen që nga rroku, rrok-baladat, muzika alternative, baladat, klasike, xhaz. Por veten e gjej totalisht në balada, por ndoshta jam beërë pak monotone me këtë rrymë, pasi shumë herë më duket vetja si qaramane. Por zërin tim të tillë e kam, paksa dramatik dhe këto këngë me të vërtetë i ndiej shumë dhe e di që arrij maksimumin vokalisht. Edhe këngët ritmike, R&B, hip-hop i pëlqej, por gjithmonë rikthehem te baladat ".

Jeta personale

E fejuar prej një viti, ajo ka gjetur mbështetjen më të fortë te bashkëshorti i ardhshëm i saj. "Nuk është artist, megjithëse rrjedh nga një familje artistësh. Është gjithmonë shumë pranë meje dhe them, se është një faktor i rëndësishëm në karrierën time. Gjithmonë e kam pasur në krah të djathtë dhe është kritiku im, ai dhe familja ime. Janë njerëzit e parë ku unë mbështetem", tregon këngëtarja, e cila megjithatë thotë se martesën e sheh si një projekt tepër të largët. "Unë sapo i mbusha 23 vjeç. Nuk është vetëm fakti i moshës, por kur gjërat rrjedhin shumë mirë, pse mos t'i lemë të vazhdojnë kështu. Do të vijë një moment sigurisht, por është ende herët. Të martohesh do të thotë të mendosh edhe për familjen, dhe është herët për mua. Nëse martohem, i bie të mos këndoj për nja dy vjet".

Në skenën e teatrit "Migjeni" në Shkodër, në festivalin mbarëkombëtar të fëmijëve ku kam kënduar këngën e Aleksandër Lalos "S'është e lehtë të jesh muzikant" dhe me të vërtetë kështu është, se shumë të tjerë e mendojnë të thjeshtë. Deri në vitin e parë në shkollë të mesme kam qenë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, ku kam kënduar në çdo festival fëmijësh e gjithmonë kam marrë çmime. Në '95-ën kam debutuar në festivalin e radiotelevizionit shqiptar me Aleksandër Rrapin, në '97-ën kam debutuar me Kastriot Tushën, në '99-ën po në Festivalin e RTSH me këngën "Do të jetoj pa ty", një këngë e pavdekshme për mua. Që n moshën 6 vjeçare ka studiuar për violinë në shkollën "Dëshmorët e lirisë", nga klasa e pestë deri në të tetën në Liceun Artistik, ku studion për tre vjet kitarë, ndërsa në vit të parë të liceut artistik kanto. Ka përfunuar Akademinë e Arteve për kanto klasike.

Ky është albumi im i parë. Me të vërtetë kam punuar shumë. Adi hila ka kompozuar 12 këngë, Kaliopi këngën e fundit. Autorë tekstesh Jorgo papingji, dr flori, pandi laço, Adrian Hila, Ardrian Trebicka, etj. janë të gjitha këngë të reja. Janë pesë këngë të reja dhe të tjerat këngë hite, si: frika se më pëlqen, do të jetoj pa ty, fli tani, nuk kam faj që robëroj, etj. kam variuar në rryma të ndryshme. Jam e ndryshme në album dhe nga mënyra se si kam variuar në rryma të ndryshem. Jam shumë e ndryshme vokalisht dhe nga mënyra se si kam kënduar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT