E marte, 23.04.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kujtim Kaziu: Si vdisnin ne miniera te denuarit politik

E diele, 15.03.2009, 10:29 AM


Nga Xhevahir Gradica

Flet Kujtim Kaziu, ish i burgosur politik. Si u burgos vetëm 18 vjeç dhe ndenji me të birin vetëm një vit pas lirimit

Komunizmi më mori jetën dhe tim bir

Peripecitë e një njeriu të pafajshëm, të cilin e detyruan të divorconte gruan dhe të largohej përfundimisht nga jeta e tim biri

DURRES- Kishte plot 12 vjet që nuk e kishte parë të birin. Djali i Kujtim Kaziut kishte ardhur në jetë në kohën që i ati i tij torturohej në qelitë e bodrumeve të errëta të degës së brendshme në Krujë. Asnjëherë nuk e kishte parë më sy djalin e tij, që nga çasti kur erdhi në jetë. Tani Alfredi qe rritur, por… Në çastet që Kujtim Kaziu lë pas telin me gjemba, hijet e policëve dhe gardianëve, imazhet e të burgosurve të vdekur para syve të tij dhe qindra episode e kujtime tragjike, niset të kërkojë djalin. Ishte mars i vitit 1990. Kishin kaluar shumë vite nga dita kur e arrestuan. Asokohe ishte fare i ri, pak më shumë se 19 vjeç. E kishin dënuar me burg, internim dhe heqje të të drejtës elektorale për të mos e lënë më që të thithtë si të gjithë ajrin e pastër në këtë botë. Por tani nuk kishte shumë kohë për të menduar. I ndarë nga gruaja, i mbetur me një nënë që e kishte porositur që po vdiq pa e parë të birin jashtë burgut t’i dërgonte një lule tek koka varrit, Kujtim Kaziu nis udhën e kërkimit. Rrugën nga Plepa të Durrësit deri tek Currilat, e përshkoi plot ankth. Alfredi, djali i tij, banonte me mamanë, Sadijen. Këtë gjë Kujtimi e dinte nga e ëma e tij, Thomajeda, vizitorja e vetme e të birit në të gjitha vitet e burgimit.

Gjëja e parë që vendosët ditën që latë burgun ishte takimi me djalin. Si u ndjetë në ato çaste?

Herën e fundit që më erdhi mamaja për të më takuar, kur kishin mbetur edhe pak ditë për të hequr dënimin e gjatë të burgut, i thashë se sapo të lirohesha do të takoja djalin në Durrës e më pas do të shkoja në Fushë-Krujë, tek shtëpia. Shpirti po më digjej të takoja tim bir. Sa më shumë kalonin muajt e vitet, aq më tepër malli shtohej. Që ditën që Sadija, erdhi në burg e më tregoi se kishte lindur djalë, në 12 vjet unë flija e zgjohesha me kujtimin për të. Hyja e dilja në galeri duke mbajtur në mendje Alfredin tim, duke menduar çdo ditë se sa ishte rritur, si i kishte sytë, flokët, zërin e kështu ecnin orët e burgut që së fundi më hoqi prangat. Ishte 31 mars 1990, ora 9. Vuajtjen e dënimit e mbylla në Plepa të Durrësit. Datën e lirimit ma kishin komunikuar. Lashë pas kapanonin dhe iu drejtova daljes. Polici ngriti traun dhe për herë të parë që nga 21 qershori i vitit 1978 mora frymë lirshëm. Më dukej vetja në ëndërr. Nisa të ecë në këmbë. Në xhep kisha vetëm 30 lekë. U qetha tek një berber te Hekurudha në Plazh dhe mora rrugën për në Currila. Djali jetonte me të ëmën, Sadijen, pranë Bërrylit. Atëherë nga Vollga deri në Currila kishte pak apartamente. Përgjatë bregut të detit gjëja e vetme që të binte në sy ishin bunkerët pambarim. Askush nuk më njihte kështu që ecja i shkujdesur. Sa dëgjoja ndonjë zë fëmijë ndalesha, shikoja dhe ecja përsëri, por jo rrallë duke kthyer edhe kokën pas për t’u bindur nëse isha i sigurt që ai zë e ai fëmijë me atë paraqitje nuk ishte Fredi im. Nuk i kisha parë kurrë fytyrën dhe as dëgjuar zërin. Mbaja mend vetëm fjalët e Sadijes ditën e parë dhe të fundit që e takova në burg. Më pati thënë se djali ishte biond, kaçurrels, me sy jeshil. Më kishte ngjarë mua. Ky qe i vetmi imazh që ruaja dhe që kërkoja. As edhe një herë të vetme nuk ma solli njëri tek burgu për ta përqafur krijesën time. Ecja rërës dhe shikoja në ana e kodrës. Diku, në një ndërtesë luanin shumë fëmijë. Lashë rërën e detin dhe nisa të ecja drejt pallatit në ndërtim. Gjunjët nisën të më dridhen. Edhe frymëmarrja më ndryshoi. Kisha duruar shumë tortura e vuajtje në qeli e kampe burgu, në galeri piriti e në kantiere ndërtimi, por këtë herë forcat po më linin. Kur u afrova tek fëmijët ata pushuan së luajturi. Ia drejtova sytë fëmijës që ishte biond dhe i kërkova të afrohet. M’u bind dhe bashkë me të erdhën edhe shokët e tij të vegjël.

A mund të kujtoni se cila ka qenë biseda e parë me djalin tënd?

E kisha menduar këtë takim dhe madje kisha thurur të gjithë bisedën para se ta takoja. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç e pata imagjinuar. Isha i sigurt se para meje qe Alfredi, im bir. Sytë m’u mjegulluan dhe zëri nisi të mos më bindej. Hapa krahët dhe meqë këmbët nisën të më dridhen u ula në gjunjë të ngulur në rërën e pallatit dhe kërkova që fëmija të vinte pranë meje. Kështu nisëm bisedën që e shkëpusja nga gulçet që vinin e në ngecnin në fyt. Më tha se quhej Alfred dhe se ishte i Sadijes. Vetëm Zoti e shpirti im e dinë se si jam përmbajtur ato çaste. Gjunjët u futën edhe më thellë deri sa njëri nga gjunjët ndeshi në një gur që më përmendi për të rimarrë vetën. Fëmijët e tjerë dëgjonin e na shikonin herë mua e herë Alfredin, moshatarin e tyre, shokun e lagjes e të pallatit. E pyeta se si ia quanin Babanë dhe ku e kishte. “Babi im quhet Kujtim dhe ka vdekur në burg”,-më tha djali. Ai më tregoi se këtë ia kishte thënë mamaja në kohën që Alfredi kishte këmbëngulur të mësonte se ku e kishte babanë. Me sy të përlotur i thashë se babai i tij jeton. Bebëzat e tij shndritën dhe u dukën sikur morën jetë e dritë. Në fytyrë u çel dhe u kthye nga shokët e tij. “Po të jetë gjallë babai im, unë do të jem njeriu më i lumtur në këtë botë”,-u përgjigj djali. Nga xhepi nxora një letër. Ishte letra që tregonte lirimin tim nga burgu në të cilin shkruhej edhe emri. E lexoi dhe Fredi filloi të më përqafojë. Fëmijët e tjerë nisën të thërrisnin me sa zë kishin duke u shpërndarë gjithandej “Erdhi babi i Alfredit, erdhi babi i Alfredit”. E mbërtheva në kraharor dhe nisa të qaj. Ia përkëdhela flokët, e putha gjithandej. Në sy, në ballë, faqe, shpirt, flokë, ia mora duart e ia lava me lot. Edhe Fredi qante dhe lotët e mi e të djalit binin mbi rërë duke krijuar gropëza gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më të mëdha. E shtrëngoja dhe e liroja sikur kisha një frikë se dikush do të ma rrëmbente. Sapo e shikoja në sy, e ngjeshja pas vetes. Di që kanë kaluar disa minuta ashtu pa folur, vetëm duke qarë. E mora dhe nisëm të shëtitim në anë të detit. Më tregoi shumë gjëra. Alfredi ishte djalë i çiltër dhe mësova se ndaj tij ishte ushtruar presion të më harronte përgjithmonë. Ndenjëm më shumë se 2 orë dhe i tregova se më kishin arrestuar dhe dënuar pa bërë asnjë faj dhe se kisha vuajtur shumë për të gjithë. Djali kërkoi të ikte në shtëpi se vinte e ëma dhe e rrihte ngase ishte vonuar. E qetësova dhe i thashë se këtë herë nuk do e rrihte mamaja. Sadija, ish-gruaja ime, asokohe punonte tek Nish Kimike në Porto Romano. Sapo qe kthyer nga puna komshinjtë i kishin treguar të gjitha dhe ajo doli për të kërkuar djalin. E pashë Sadijen nga larg. Unë qëndrova pas bunkerit, kurse Alfredi qëndroi duke pritur të afrohej mamaja e tij. Në kohën që e pyeti “Ku e le babin”, unë dola dhe u afrova. U pamë pas 12 vitesh edhe me Sadien. Marrëdhëniet tona qenë ftohur, por Sadija qëndroi, më pyeti për vuajtjet, mësova se nuk ishte martuar më dhe se kujdesej për të rritur djalin. I kërkova të më jepte djalin për 3,4 ditë dhe pasi Sadija pranoi së bashku me Fredin u nisëm për Fushë-Krujë ku më priste mamaja ime.

Djali të bashkoi me gruan tuaj me të cilën i pate shkëputur lidhjet që në ditët e para të dënimit…

Unë kam qenë sportist i ekipit të të rinjve të “Kastriotit” të Krujës. Në moshën 18-vjeçare u njoha me Sadijen, vajzë durrsake, e cila punonte në sera tek kooperativa “Partizani”. Ne u martuam me datë 16 tetor 1976. Vetëm disa muaj më pas, në kohën që unë s’i kisha kapur të 19 vitet arrestohem në fshatin e dajës tim Lilo Mingo në Qershov të Përmetit. U dënova për agjitacion e propagandë me 10 vjet burg, 5 internim dhe 5 vjet heqje elektorale. U dënova i pafajshëm, me dy dëshmitarë të rremë dhe humba shpresat se do të dal i gjallë nga burgu. Sadijen e doja shumë dhe nuk pranoja dot që edhe ajo të humbiste rininë e saj duke më pritur mua. Pasi më arrestuan një ditë vjen mamaja dhe më thotë se Sadija ishte shtatzënë. Ajo lindi 8 muaj pasi unë isha arrestuar. Në të tilla çaste provova shijen e hidhërimit e të gëzimit. Nuk kaloi vetëm disa javë dhe një ditë më thonë se në takim më kishte ardhur gruaja. Biruca, keqtrajtimi, mërzia dhe vendimi i dënimit më kishin dobësuar. Kjo i ra në sy Sadijes, e cila nuk e fshehu dot tronditjen dhe ma shprehu. Më dha një kaush me karamele dhe më tha se ato ishin për t’ua shpërndarë shokëve të mi me rastin se qemë bërë me djalë. I mora dorën dhe e falënderova që më kishte sjellë në jetë një djalë, dhuratën më të çmuar në jetë. E pyeta se cilit i kishte ngjarë më shumë. “Është kaçurrels, biond dhe me sy jeshil si ti”, -m’u përgjigj në çast. Se si u bëra në ato momente, u burrërova më shumë pas atyre fjalëve. Nuk i fola Sadijes asgjë për atë që kisha vuajtur vetëm se i bëra të qartë se nuk kisha turpëruar askënd, as atë e as mamanë time dhe se më kishin dënuar pa bërë asnjë faj. Unë vuaja brenda burgun, ajo përçmimet, shpifjet dhe intrigat jashtë burgut. “Mos hajde të më takosh herë tjetër Sadije. Nuk ke pse vuan për mua. Jeta jote nuk duhet të ikë si e imja. Mos më prit. Nuk dihet nëse dal apo jo i gjallë”,-i thashë teksa më mekej zëri. I gjithë takimi zgjati vetëm 15 minuta. Një ditë e prisja Sadijen të më vinte në takim, pra e kisha menduar mirë edhe vendimin për t’u ndarë. Sadija qau me dënesë duke më parë në dritë të syve. Edhe unë u përlota. Isha i sigurt se qe takimi i fundit me njeriun që kisha menduar se do të më ndante vetëm vdekja. Takimi mbaroi shumë shpejt dhe Sadija më ktheu krahët për të mos e parë më kurrë në vitet e vuajtjeve të mia deri sa u takuam në Currila me djalin. Kisha marrë dënimin dhe prisja të më nisnin për në Spaç. Në qeli isha me Murat Karaj nga Cudhi e Krujës, i dënuar me pushkatim. I tregova edhe për vendimin e ndarjes nga gruaja. Më shikoi dhe uli sytë në shenjë miratimi. Nga njëra anë ndihesha i çliruar, nga ana tjetër më mbyste vaji. Isha shumë i ri dhe nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të kishte gjë në këtë botë të më ndante nga familja.

Pas burgut ju ndeshët në të tjera të papritura. Djali ikën dhe ju nuk e shihni më pas vitit 1991?

Dashuria për djalin më shtyu të kthehem tek Sadija për të biseduar për të ardhmen e Alfredit. Fakti se me ish-gruan time nuk ramë në një mendje lidhur me vendin e banimit, unë munda të takoj edhe një herë djalin për të mos e parë më edhe sot e kësaj dite. Tre ditë pasi e kisha në shtëpi në Fushë-Krujë erdha në Durrës. Takova djalin dhe sapo nisi të flasë më thotë “Babi unë do të ik”. Durrësi kishte nisur të trazohej. Alfredi ishte shumë i njomë, fëmijë 12 vjeç. E hipi në anijen panameze dhe përfundoi në Brindisi. Ishte i vetmi fëmijë pa prind në atë anije. Në Brindisi e kishte marrë një familje italiane me të cilët ka edhe sot lidhje. Që nga ajo kohë nuk e kam parë më. Kanë kaluar 18 vjet dhe malli po më këput jetën. Vendosa ta kërkoj. Shkova në Greqi dhe pasi punova disa kohë me paratë që mora nisa të kërkoj djalin. Shkova dy herë në Itali. Në Ravena qëndrova tek shtëpia e durrsakut Gentian Maksakuli, i cili më mbajti e më trajtoi shumë mirë. Kërkova gjithandej, por nuk e gjeta dot Alfredin. Edhe herën e dytë në Padova nuk lashë vend pa shkuar dhe njeriu pa i kërkuar ndihmë. Kisha vetëm një foto që kisha dalë me djalin ditën që kisha përfunduar vitet e dënimit dhe me atë foto e kërkova ku munda e si munda deri sa u lodha. Nuk e gjeta adresën e Alfredit. U ktheva i zhgënjyer dhe me shpresa edhe më të këputura. Ish-gruaja ime, Sadija, kishte emigruar në Itali dhe djali takohej më mamanë e tij. Më vonë mësova se edhe ai kishte ardhur dy herë në Shqipëri dhe më kërkonte mua në kohën që unë isha emigrant në Greqi. Mamaja ime nuk kishte asnjë numër telefoni nga ana ime dhe kjo e bëri të pamundur takimin me Alfredin. Kështu ikën vitet. Për të parën herë kam biseduar në telefon me Alfredin më datë 20 prill 2007. Përmes njerëzve të njohur iu luta Sadijes të më dërgonte numrin e djalit. Më datë 20 prill dëgjova për herë të parë pas viteve të eksodit të 1992 zërin e djalit tim. Ishte bërë burrë. Qanim të dy në telefon, ai në Itali, unë në Shkozet. Më tregoi se ishte martuar me një vajzë tiranase që quhet Eda dhe bashkë me të fejuarën dhe familjen që e strehoi kur ishte fëmijë punonin në një piceri në Perugia. Më premtoi se do të vi të më takojë, por duke më bërë një surprizë. Nuk më ka treguar asgjë më shumë. Bisedoj tani shpesh, por më ka marrë malli ta shoh. Gruaja më të cilën jam martuar më ka ndihmuar të kapërcejë tragjedinë e rëndë. Zoti më ka falur me të tre fëmijë dhe i jam mirënjohës, pasi ajo tregon dashuri të veçantë për nënë time, e cila jeton në Fushë-Krujë.

Ike për të festuar tek daja, përfundove në birucë dhe si armik i popullit. Ç’ndodhi?

Arrestimi im ka ndodhur më datë 21 qershor 1978 para hotelit të Përmetit. Në fshatin Qershov të Përmetit banonte daja im Lilo Minga dhe unë shkova me rastin e 24 majit, ditë që përmetarët e festonin për të respektuar Kongresin e Përmetit. Fshati i dajës ishte zonë kufitare, por unë mora leje kufiri. Qëndrova gati 1 muaj tek daja dhe në kohën që daja ikte në punë shëtisja zonën. Tek Ura e Zhepës takova dy barinj. Njëri më kujtohet, quhet Tano B. I pyeta se sa larg ishte kufiri me Greqinë, si quheshin ato male dhe pyetje të tjera. Ata më raportuan dhe unë e pashë veten në mbrëmjen e 21 qershorit 1978 të lidhur. Ishin dy burra të gjatë. Njëri thoshte: emri- Kujtim, atësia-Idriz, mbiemri-Kaziu, kostum-jeshil, flokët-biond, sytë-blu etj. Tjetri që më rrinte pranë miratonte me gojë dhe më pas më vunë hekurat në duar në sy të dhjetëra qytetarëve që kishin dalë në xhirot e pasdites. Një javë më lanë në një qeli në Përmet. Pastaj erdhi shefi i krimeve të Krujës Murat Hoda me një tjetër e më transferuan për në birucat e Krujës. Aty për gjashtë muaj më ka marrë në pyetje hetuesi Ilir Barometra, i cili më merrte në pyetje vetëm pas orë 2 të natës. Më kërkonin që unë të pranoja se doja të arratisesha, por e kam mohuar gjithmonë. Në qeli më futë një ushtar për të më rekrutuar. E kishte emrin Gëzim, ishte nga Tirana. Më tha se ai kishte bërë 4 përpjekje për t’u arratisur. E kuptova se donte të më spiunonte. E rraha me shqelma deri sa erdhën policët dhe e nxorën. Mua më lidhën si dënim një javë në duar e në këmbë, ashtu ushqehesha i lidhur, ashtu flija. Pas 6-muajsh më nxorën në gjykim. Ishin të gjitha femra, trupi gjykues, sekretarja që shkruante dhe prokurorja. Plot 5 femra. Dënimin ma dha gjyqtare Liliana, e cila më akuzoi për agjitacion e propagandë. Dy çobanët përmetarë më dolën dëshmitarë në gjyq. Kur u lirova shkova në Përmet dhe sa e mori vesh njëri prej tyre vdiq nga infarkti. Kishte kujtuar se unë kisha shkuar për ta vrarë.

Në dimrin e vitit 1979 nisin vitet e vuajtjes nëpër kampe, miniera, galeri. Çfarë mbani mend?

Në Spaç më caktuan të punoja në minierë në zonën numër dy, nxirrnin pirit. Në galeri temperatura ishte 60 gradë dhe plasje vape, kurse jashtë temperatura ishte -17 gradë dhe sapo nxirrnim vagonin mbuloheshim në avull bore nga kondensimi i temperaturës së trupit me atë që ishte jashtë. Në këto fronte kam punuar me Haxhi Hoxhën (kreu i organizatës antikomuniste në Shkozet që ra në burg në moshën 18 vjeç), Sokrat Manen, Bujar Gjinin, Ali Gjuzin etj. Dy vetë shtynim deri në 1 km vagonin 2 tonësh të mbushur me pirit. Ishim të rinj dhe e përballonim mundin e madh. Në front kishte edhe djem të fuqishëm që ndihmonin të tjerët si Bedi Blloshmi, Zef Buzhxhoka, Foto Stefani. Në galeri rrinim lakuriq dhe këmbët na qulleshin nga uji që depërtonte në çizme. Na trajtonin si skllevër. Ushqeheshim shumë keq, me 700 gr.-800 gr. bukë në ditë dhe supë me spinaq që kur fusnim lugën mbushej me zhavorr ngase spinaqi nuk lahej fare, futej në kazan me gjithë baltë. Xhelati i Spaçit, Pjetër Koka edhe për të ngrënë bukën e mykur dhe supën me krimba, miza e gurë na mbante dy orë në rresht jashtë në të ftohtin e Spaçit në temperaturë deri në – 20 gradë. Kur ktheheshim në kamp të rraskapitur e të torturuar na zhvishnin lakuriq për të parë nëse kishim me vete ndonjë mjet të fortë, levë, dërrasë a sende të tjera. Në vitin 1984 gjatë punës theva këmbën. Ndenja dy javë në Rrëshen dhe më pas në spitalin e burgut në Tiranë. Më vunë në allçi dhe më transferuan në burgun e Shënkollit në Lezhë. Dy vite më pas, transferohem në kampin e ndërtimit të Bulqizës së Re. Më kishte marrë malli të shikoja një krutanë. Me kamion vjen një shofer nga Fushë-Kruja, i cili sillte materiale ndërtimi. Ishte Sejfulla Halili dhe unë e njihja. Ishim rritur me të dhe më kishte marrë malli. Edhe ai dukej se donte të fliste me mua pasi kishte të njëjtin mall. Mora guximin dhe fola më të. Sapo iku kamioni më janë sulur oficeri i punës Kol Toska, polici Beqir Vreneci dhe polici tjetër Ndue Jaku. Më futën në kapanon dhe më lidhën për krevati. Morën një restelë dhe më nxinë trupin duke më qëlluar sa njëri-tjetri deri sa u lodhën. Nuk lëviza dot për më shumë se një javë nga plagët. Në vitin 1988 një pjesë të të burgosurve na dërguan për të bërë kampin e Tërnovës, pastaj tek 325 në Tiranë për ndërtime të reja, në kampin e Bardhorit në Kavajë dhe së fundi për të bërë vilat tek blloku në shtëpinë e pushimit në Durrës. Këtu edhe u lirova më 31 mars 1990 duke dalë gjallë pasi kishin nisur të ndiheshin proceset e përmbysjes së atij sistemi të ndyrë, vrasës e barbar.

Torturat dhe synimi për eliminim

Pashë me sytë e mi se si vdiqën nga shembja e galerisë dy të rinjtë

Kujtim Kaziu tregon dhe 12 vitet e tij të burgut, shumë prej të cilëve i kaloi në një nga burgjet më të egër, atë të Spaçit. “Unë kam parë më sytë e mi se si kanë mbetur në galeri të burgosur, si kanë vdekur duke kërkuar ndihmë dhe si janë gjymtuar e masakruar. Në vitin 1983 isha në front, në galeri. Pranë frontit tim punonte Luc Vukaj nga Vermoshi i Shkodrës dhe Manush Çuka nga Erseka. Fronti kishte vetëm 4 vagonë pirit. Polici i punës quhej Dod Ndreka, kurse brigadier i lirë Preng Deda. Ata panë frontin dhe duhej të vendosnin për të lejuar punimet apo jo. Galeria kishte dhënë shenja shembje të dukshme dhe këtë si Luci edhe Manushi ia bënë të qartë. Të dy ishin djem të rinj, ishin dënuar për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Polici dhe brigadieri u dha urdhër të futeshin në galeri. “O normën, o shpirtin”, -u thanë ata dy të rinjve. “Luc Vukaj dhe Manush Çuka u frikësuan pasi u kërcënuan se nuk dilnin gjallë nga galeria nëse nuk futeshin në front. Kishte kaluar mesi i natës. Ishim turni i tretë. Galeria dha shembjen tjetër dhe pas pak një masiv i madh ra mbi të dy. Dëgjova britmat e Lucit që erdhën e u shuan. Manushi kishte tub ajri në gojë dhe meqë tubi i mbeti jashtë masivit të shembur ne mundëm ta çanim materialin e ta nxirrnim të gjallë. Luc Vukajn e nxorën pas tre ditësh që kishte mbetur në galeri. Mesa më kujtohet asnjëri prej tyre nuk i kishte mbushur 20 vitet. Pas kësaj ngjarje Manushi nuk u bë më njeri. Tmerri që pa dhe që përjetoi i dha goditje mendore”. Kujtimi tregon dhe se si protestonin pas aksidenteve të qëllimshme apo dhe vrasjeve në burg. “Sa herë që ndodhnin aksidente të renda dhe vdekje për shkak të mossigurimit të kushteve teknike ne gjenim mënyra e protestonim. Nuk ishte i pari Luc Vukaj që mbeti në galeri. Meqë unë e pashë me sytë e mi të gjithë skenën e vdekjes së llahtarshme të Lucit i shkrova një letër Hekuran Isait. Atëherë Hekurani ishte ministër i Brendshëm. I tregova me hollësi se si kishte ndodhur ngjarja. Unë shkrova në këtë letër, të cilën e dërgova për ta postuar tek korrieri i burgut, ministrit se polici Dod Ndreka dhe brigadieri Preng Deda ishin shkaktarët e vdekjes së të burgosurit Luc Vukaj. Letra nuk kishte dalë nga burgu i Spaçit. Këtë e mësova jo shumë ditë më pas. Një i burgosur më tregoi se asnjë letër nuk shkonte as në shtëpitë tona pa u lexuar nga komanda e burgut. Kështu kishte ndodhur edhe në këtë rast edhe pse unë i drejtohesha ministrit. Më thërritën në komandë, më bën presion, më këshilluan se po të hapja gojë për atë që kisha parë do të më vrisnin. Policia e burgut, ata që kishin miqësi me dy autorët e krimit, donin të më eliminonin. Kur e morën vesh të burgosur që më njihnin nuk më linin vetëm asnjë çast dhe aksidenti që pësova në galeri një vit më pas më shpëtoi nga vrasja. Unë nuk u futa në galeri për 2 javë. Nuk flija gjumë dhe u bëra me fiksime. Më dilnin para Luc Vukaj dhe Manush Çuka, britmat dhe lëngimet e fundit të Lucit, të burgosurit që gërmonin materialin me lopata e thonj. Të burgosurit e ndërgjegjes janë ndeshur në këto kampe me të tilla gjëra që nuk besohen. Shumë u ekzekutuan në një formë a në një tjetër duke u deklaruar si vdekje aksidentale, të tjerë u gjymtuan apo humbën kujtesën. Shumë u ndanë nga gratë e fëmijët dhe pësuan depresion. Por pati edhe nga ata që mbijetuan për të dëshmuar krimet dhe masakrat e atij regjimi”.

Presidenti tha se ajo i ngjante shumë nënës së tij

Si e zgjodhën nënën time për të pritur Xhorxh Bushin

“Dy javë para se presidenti Amerikan Xhorxh Bush të vinte më 10 qershor 2007 në Shqipëri, në Fushë-Krujë vijnë shumë agjent të CIA-s. Qyteza ishte planifikuar për një vizitë dhe agjentët investigonin çdo gjë për të krijuar garanci gjatë vizitës historike të Bushit në Shqipëri. Agjentët pinin më së shumti kafe tek lokal “Docland” lokal në qendër. Mamaja imë, Thomajana Kaziu është grua e mbajtur edhe pse ka më shumë se 70 vjet në sup. Unë e motra jemi rritur jetim pasi babai na ka lënë 10,11 vjeç, por mamaja edhe pas rënies sime në burg nuk është mposhtur. Agjentët e CIA-s e kanë parë disa herë duke pirë kafe në këtë lokal si dhe duke blerë ushqime e bukë. Pra, e pikasën mamanë si qytetare që do të vendosej në radhën e parë të takimit me Bush. Mamaja është e thinjur e gjitha dhe për fat ngjason deri diku me të ëmën e presidentit Bush. Kjo qe edhe një arsye më shumë, të cilën më pas agjentët ia kishin thënë pasi kishin vendosur ta rreshtonin në radhën e parë. Një javë para se presidenti i SHBA-së të vizitonte vendin tonë mamanë e thërrasin në bashki dhe i tregojnë se nga do të kalonte, ku do të hynë dhe si do të qëndronte. Nga gëzimi që do t’i jepte dorë Bushit shkoi tek vendi 2 orë më parë dhe nuk luajti aty deri sa Bushi përfundoi vizitën. Në kohën që presidenti amerikan është afruar tek gruaja fisnike flokëthinjur Bushi është tërhequr një çast dhe i habitur ka folur në anglisht që dikush aty pranë e përktheu me të shpejtë “Mos është kjo nëna ime?” dhe Bushi ia hodhi të dy duart në qafë. Më pas presidenti amerikan i ka dhënë një stilolaps të cilin nëna e ruan edhe sot”.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora