Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shpikjet që ndryshuan jetën moderne

| E diele, 15.03.2009, 08:57 AM |


Ja lista e hartuar nga "British Science Association"

Teknologji, mjete, madje edhe zakone që kanë bërë revolucion në botën e sotme

Rreth një vit e gjysmë më parë, historiani Riçard Overi publikoi

"The Times Complete History of the World", librin ku përmendte 50 datat më të rëndësishme të historisë njerëzore dhe shpikjet më të mëdha të bëra nga njerëzit në rrjedhën e mijëvjeçarëve. Në mënyrë më modeste, këto ditë disa shkencëtarë të "British Science Association" kanë krijuar listën e dhjetë shpikjeve të fundit që kanë ndryshuar tërësisht botën. Faqja e internetit e londinezes "Telegraph" ka paraqitur listën e plotë.

GPS (Sistemi i Pozicionimit Global)

Si shumë nga shpikjet e fundit, fillimet e teknologjisë u çuan përpara nga Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gps-ja (Sistemi i Pozicionimit Global) përdor një rrjet satelitësh që gjenden rreth tokës për të përcaktuar me saktësi pozicionin e çdo marrësi të pranishëm në planetin tonë. Në të kaluarën, për shembull, ishte përdorur nga Mbrojtja amerikane për ta bërë më të lehtë lëvizjen e anijeve, pozicionimin e trupave, apo për të drejtuar zjarrin e artilerisë. Në fund të viteve

‘70, përdorimi i tij u përhap gjerësisht edhe mes civilëve. Sot përdoret për stabilizimin e pozicioneve të makinave, anijeve apo aeroplanëve që lëvizin në hapësira të mëdha.

"Walkman"

Në vitin 1979, "Sony" hodhi në treg një lexues të kasetave muzikore të quajtur "Walkman". Që atëherë, zakonet e atyre që e dashurojnë muzikën kanë ndryshuar vazhdimisht. Kush donte të dëgjonte muzikë, nuk ishte më i detyruar të qëndronte në një vend të caktuar dhe ta ndante muzikën me ata që e rrethonin. Gjatë viteve ‘80, "walkman"-ët njohën një bum të jashtëzakonshëm shitjesh. Më vonë, fillimisht lexuesit portativë të Cd-ve dhe pastaj MP3-ve e nxorën tërësisht jashtë qarkullimit.

Bar-kodi

E ka bërë jetën e konsumatorëve më të thjeshtë dhe më moderne. Kjo seri elementesh grafikë i lejon sensorët të lexojnë shpejt se cilat produkte ka vendosur të blejë konsumatori. Lloji i tij i parë u krijua nga Norman Uoodland në vitin 1949, por u desh më shumë se 20 vjet para se ideja e tij të bëhej vërtet efikase. Produkti i parë që u shit, ku u përdor një lexues i bar-kodit, ishte një paketë gomash amerikane në një supermarket në Troi, në Ohajo.

Darkat përpara televizionit dhe ushqimet e gatshme

Në këtë rast, më shumë se për një shpikje duhet të flitet për zakone të këqija moderne. Megjithatë, sipas shkencëtarëve të

"British Science Association", bëhet fjalë për një zakon që ka revolucionuar mënyrën tonë të jetesës. Nëse para viteve ‘70 perëndimorët ishin mësuar të hanin rreth një tavoline dhe të diskutonin, me zhvillimet e shoqërisë së konsumit u bënë gjithmonë e më të shpeshta darkat përpara televizionit, duke "shijuar" ushqime të gatshme. Këto vakte na bëjnë të kursejmë kohë (nuk gatuhet më në shtëpi), por për shkak të përmbajtjes së madhe të yndyrave dhe sheqernave që përmbajnë, shumë njerëz i kanë shtyrë drejt jetës sendentare dhe obezitetit.

"Playstation"

"Playstation" është një tjetër shpikje e "Sony"-t që ka ndryshuar jetën tonë e mbi të gjitha mënyrën tonë të argëtimit. I shfaqur për herë të parë në Japoni, në dhjetor të vitit 1994, kjo "tastierë" për videolojëra u bë shumë shpejt një nga ikonat e viteve ‘90, aq sa të rinjtë e asaj dekade nisën të cilësoheshin si "Brezi Playstation". Gjatë rrjedhës së viteve, më shumë se 100 milionë "playstation" u shitën anembanë botës.

Rrjetet sociale

Nëse të rinjtë e viteve ‘90 i përkasin "Brezit të Playstation"-it, ata të sotmit mund të quhen "Brezi Facebook", nga emri i rrjetit social më të famshëm në botë. Sot, miliona njerëz komunikojnë përmes rrjeteve socialë, duke shkëmbyer mesazhe, foto dhe video. I krijuar në vitin 2004 nga një ish-student i Harvard-it, Mark Zuckerberg, "Facebook" sot numëron 175 milionë anëtarë.

Mesazhet

Jo vetëm që i kanë detyruar njerëzit të shkruajnë në mënyrë artificiale, por kanë krijuar edhe një fjalor të ri (shpesh të pakuptueshëm) dhe një gramatikë të re (për shkak të kufizimeve të hapësirës). SMS-të (akronim i "short message service") janë tashmë një nga shpikjet prej së cilave njeriu e ka dhe do ta ketë të pamundur të heqë dorë.

Kartat e kreditit

Janë quajtur ndryshe "para elektronike" dhe sigurojnë besueshmëri dhe siguri. Edhe pse sot numri i mashtruesve që kërkojnë të "klonojnë" kartat e kreditit është i madh, përveç bindjes dhe sigurisë, kjo mënyrë i lejon njerëzit të harxhojnë para në çdo cep të botës.

Mikrovalët

Janë rreze elektromagnetike, me një gjatësi vale nga një milimetër në një metër. Falë tyre mund të përdorim telefonat celularë, sistemin wi-fi dhe televizorin satelitor.

Atletet

Ekzistojnë prej pothuajse një shekulli, por në 40 vitet e fundit nuk janë më vetëm një mjet për të praktikuar sportin, duke u bërë edhe një objekt shumë në modë falë emrave të mëdhenj të sportit, si për shembull, Majkëll Xhordan, që i bën të veçanta dhe të domosdoshme.

G. Shqip