E premte, 29.03.2024, 01:49 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Kujtesë që Majko me kompani të mos flasin për shqiptarët si lakenj të nazizmit a komunizmit

E diele, 15.03.2009, 09:59 AM


Kujtesë që Majko me kompani të mos flasin për shqiptarët si lakenj të nazizmit a komunizmit

Nga Reshat Kripa*
 
Dëgjova deklaratën demagogjike të deputetit Pandeli Majko në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe, të them të vërtetën, nuk i vura rëndësi pasi e konsiderova si një lajthitje të tij, si ato që kemi dëgjuar shpesh. Por kur vura re se pas tij filloi një kor korbash të ligjëronin me zërat e tyre të dalë jashtë mode, atëhere mendova se duhej të shkruaja diçka. Nuk ia vlen të shkruaj as për pseudohistorianin Paskal Milo dhe as për “ledin Makbeth” të Shqipërisë, se ata janë papagaj të njohur të së ashtuquajturës histori e vendit tonë, të dalë jashtë loje nga vetë historia e këtij vendi qysh në vitet ‘90. Ata do t’i këshilloja të zinin ndonjë qoshe të ngrohtë dhe të pleqëronin  si bullari nën rrezet e diellit. Por dua të shkruaj për deputetin e sipërshënuar.
Hedh vështrimin në të kaluarën jo shumë të largët, në ato vitet e lëvizjes studentore dhe gjithë popullit shqiptar për përmbysjen e sistemit komunist. Në atë lëvizje u përfshinë shumë shtresa të ndryshme të vendit, duke filluar që nga ish komunistët dhe deri te përfaqësuesit e shtresës nacionaliste, të shtypur dhe torturuar gjatë atij sistemi. Midis tyre ishte edhe një student i ri, Pandeli Majkoja. Përse u bashkua ky pinjoll i konunizmit me këtë lëvizje. Logjika pranon se nuk duhej të ishte dakord me sistemin shtypës të ushtruar deri atëhere. Deri këtu në rregull. Por lind një pyetje. Në rast se hodhi poshtë vijën diktatoriale komuniste, a hodhi poshtë edhe platformën e saj? Të gjithë në atë kohë besonim se po. Por vitet treguan të kundërtën. Deklarata e fundit në kuvend dhe disa deklarata të tjera të tij, tregojnë se ai mbetet një ithtar fanatik i rregjimit komunist dhe se ngritja e tij kundër në vitin 1990, ishte vetëm një maskë, një hipokrizi, një servilizëm i paparë ndonjëherë.
    Vështroj zotninë në fjalë dhe shoh flokët e tij të thinjura para kohe por, për çudi, më duket sikur edhe mendja e tij është thinjur para kohe. Vështroj buzëqeshjen e tij cinike dhe më duket sikur para syve kam Guinplenin e Hygoit, në librin “Njeriu që qesh”,  që ishte i detyruar të buzëqeshte për tërë jetën, pasi kompraçikosët i kishin bërë operacion në buzë. Po zoti Majko, përse i mban dhëmbët gjithmonë përjashta, kur nuk ka bërë asnjë operacion? I vetmi shpjegim i kësaj është nostalgjia e tij e sëmurë për atë periudhë që edhe vetë ai nuk arriti ta jetonte mirë. Për një moshatar një gjë e tillë ndoshta do të ishte e kuptueshme, por jo kurrë për një të moshës së tij.
    Ndoshta u zgjata pak si tepër në këto konstatime, por le të kthehemi në temën e sotme, në faktet reale të saj. Zoti Majko i quajti “Plehra” të gjithë të pushkatuarit pa vendime gjyqësore. Këtë shprehje që, në kuptimin më të thjeshtë, do ta quaja fare vulgare, e thotë një ish-kryeministër i vendit, detyra e të cilit duhet të jetë  respektimi i të gjithë qytetarëve të vendit, qofshin këta simpatizantë apo kundërshtarë të tij.  Fatkeqësisht një gjë e tillë i mungoi ish kryeministrit.
    Le të vazhdojmë më tej. Kush ishin plehra, zoti Majko? Mos vallë 65 bujqit e pafajshëm që i groposi brenda një dite në një varr të përbashkët udhëheqësi juaj Mehmet Shehu, apo 105 martirët e Libohovës të vrarë në një ditë. 17 të pushkatuarit në Gjirokastër apo sulmi i pabesë i tre batalioneve partizane, “Asim Zeneli,“, “Halim Xhelo” dhe “Antonio Gramshi”, kundët nacionalistëve në fshatin Dukat të Vlorës, ku u vranë 23 djem, 15 nga partizanët dhe 8 nga nacionalistët. Populli i Dukatit i varrosi të gjithë  pranë e pranë, sipas zakonit të vendit dhe nënat dukatase i qanë së bashku: “Korba na u vranë djemtë?/Ca këtu dhe  ca në çetë?/ Ca këtu, ca në parti/ Vaj medet moj Shqipëri!”.             Kush ishin plehra? Mos vallë Hysni Lepenica që ra së bashku me 35 komandantë çetash në luftë kundër pushtuesit italianë, apo Skënder Muçoja që e vranë gjermanët së bashku me dy shokë të tjerë, sipas spiunimit të dokumentuar kohët e fundit të komunistëve të Vlorës? Kush ishin plehra? Mos vallë kryengritësit e Malsisë së Madhe dhe Postribës apo ata të Zhabokikës dhe Mirditës? Më thoni një emër prej këtyre dhe ma dokumentoni dhe unë do të jem i gatshëm t’ju kërkoj të falur, në të kundërt pranoni që jeni një tru ndryshkur të cilit i ka mbetur ora në vitin 1945, megjithëse në atë kohë ju nuk kishit lindur ende. Në cilin ligj të botës së qytetëruar është shkruar dënimi kolektiv siç bëni juve?
Dua t’ju pyes gjithashtu: Si keni kurajon të mohoni të vërtetën  në këtë mënyrë? Ku e latë kontributin e Abaz Kupit në luftën kundër pushtuesve? Po kontributin e Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut, Gjon Marka Gjonit dhe të tjerëve në këtë luftë? Po betejat e Gjormit më 29 dhjetor 1942--2 janar 1943, Voskopojës më 14 janar, Greshicës 5 shkurt, Ruzhdijes 13 mars, Selenicës 1 prill, Mogilës dhe Miricës në qershor, Krujës dhe Matit në gusht apo Drashovicës në shtator 1943, a nuk ishin beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste me ato të Frontit Nacional-Çlirimtar? Nëqoftëse nuk ishin të tilla, nëqoftëse paskëshin bashkëpunuar me okupatorin, si u ulët me ta në gusht të vitit 1943 për të biseduar për të ardhshmen në Mukje? Përse i mohoni? Kjo ndodh se ju nuk keni kurajon të pranoni të vërtetën.  Ju vetëm i shërbeni asaj klike që populli e përmbysi në fundin e vitit 1990.
Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së  Këshillit të Europës “Për dënimin e krimeve të rregjimeve komuniste” tha:
    Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë”.
Faktet tregojnë se i tillë mbeteni juve.
Nuk e di nëse ati juaj jeton apo jo. Po të ishte gjallë do t’ju rekomandoja ta pyesnit për historinë e këtij vendi në ato vite të turbullta.  Ai, në rast se do ishte i ndërgjegjshëm , të paktën juve, do t’ju tregonte të vërtetën historike dhe ju nuk do të kishit më gojë të flisnit. Megjithatë një gjë e tillë varet në ndërgjegjen tuaj.
Zoti Majko. Ju jeni i ri dhe ndoshta nuk i dini prapaskenat e sigurimit të shtetit komunist. Unë po ju sjell vetëm një shembull, të nxjerrë nga dosja ime që ndodhet në arkivën e Ministrisë së Brendëshme, me numër 8445, mbi pretencën e prokurorit Gaqo Bexho, nga e cila po citoj vetëm pak rreshta:
“Populli ynë ka shfarosur edhe armiqtë më të mëdhenj, të armatosur deri në dhëmbë si italo-gjermanët dhe mercenarët e tyre të ballit dhe legalitetit, si dhe pasardhësit e tyre, këlyshët e  anglo-amerikanëve dhe jo këta dobiçë të borgjezisë, të cilët i kapëm si macja miun dhe i prumë para jush shokë gjyqtarë.”
Mos harroni zoti Majko, në atë kohë ne nuk ishim më të mëdhenj se 15 vjeç. E pra, ne pesëmbëdhjetëvjeçarët, ishim bashkëpuntorë të anglo-amerikanëve? Kjo ishte logjika e shtetit të diktaturës, e shtetit të paraardhësve tuaj, që ju me fanatizëm vazhdoni ta mbroni. Sidoqoftë  turpi është i juaji.

*Autori është Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora