E enjte, 25.04.2024, 05:43 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ndërroi jetë Petrit Kupi, varrimi në Shqipëri

E diele, 15.03.2009, 10:56 AM


Nga Gazeta 55
 
Të martën me 10 mars 2008, ndërroi jetë në një spital të Nju Jork-ut, Petrit Kupi, i biri i Abas Kupit.
Petrit Kupi lindi në mars 1925 në Krujë. Ai u rrit nën hijen e trimërisë të atit të tij, Abaz Kupi, për të cilin këndoheshin këngë e tregoheshin ngjarje që merrnin formën e legjendave.
I ati i tij, që njihej për trimëri e mençuri, edhe pse vetë nuk ishte i shkolluar në asnjë shkollë,vendosi që djemtë t’i shkollonte. Djalin e tij të madh Petritin e dërgoi për studime në Liceun Francez të Korçës.
Pushtimi fashist e gjeti Petritin student në atë lice. Ai ndjehej krenar që ishte i biri i atij që i vuri gjoksin zbarkimit fashist në Durrës me 6 prill dhe ndjehej mirë, kur dëgjonte këngët që i kushtoheshin atit të tij.
Ishte në moshën ku idealet marrin flatra dhe shoqërohen  nga një ndjenjë romantizmi.Petritin nuk e mbante vendi, kur kolona e makinerisë fashiste marshonte nga Durrësi drejt Tiranës dhe  qielli i Shqipërisë nxinte nga avionët fashistë. Çfarë të bënte, të qëndronte në lice apo të rrëmbente armët? U kthye në Krujë për të qenë pranë familjes e për ta përballuar së bashku të keqen. Familja e kryeqendrestarit të rezistencës antifashiste, Abaz Kupit, ishte ndër të parat që u izolua nga fashistët. Në qershor të vitit 1939 familja u internua në Himarë. Atje ishin të tre djemtë, Petriti,Fatbardhi dhe Rrustemi, të mbledhur bashkë me nënën dhe motrat. Natyrisht, si më i madhi, Petriti ndjehej i revoltuar dhe shprehte në mënyrën e tij revoltën kundër internimit që i bëhej një familjeje, vetëm pse shtylla e saj, Abaz Kupi, kishte kryer detyrën ndaj atdheut dhe popullit të vet.
Nga internimi në burgjet e Italisë/Kur nisi lufta Italo-Greke më 1940, familja Kupi, u zhvendos nga Himara, por nuk u çua në Krujë nga që vlerësohej si e rrezikshme dhe duke mbajtur atë nën kontroll, mendonin se mbanin nën kontroll Abaz Kupin.
Familja Kupi, përfshi dhe Petritin, u dërgua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindizit.
Siç kujton Fatbardh Kupi, për më shumë se një muaj, ata janë mbajtur në një burg të Brindizit, të izoluar plotësisht .
Më pas i dërguan në një kamp internimi në Siena, ku do të qëndronin nën mbikqyrje të rreptë të rojave, deri në vitin 1942.
Më pas italianët menduan që ta ndryshonin kursin e sjelljes me Abaz Kupin, duke shpresuar se ai për hirë të familjes, do të hiqte dorë nga lufta kundër tyre.
Të tre vëllezërit, Petriti, Fatbardhi dhe Rustemi shkojnë në Liceun e Korçës dhe strehohen tek familja e një miku të familjes, Sejfulla Mërlika dhe ditën shkonin në shkollë. Mirëpo projekti i shkollimit nuk mund të vazhdonte gjatë. Milicia kishte rrethuar Abaz Kupin, në Ishëm. Ishte qershori i vitit 1942. Lajmi mbërriti shpejt tek djemtë që vendosën t’i braktisnin studimet dhe t’i bashkoheshin atit të tyre. Natyrisht që Petriti, si më i madhi i vëllezërve, ishte ai që ndikoi në marrjen e këtij vendimi. Petrit Kupi, ashtu si vëllezërit e tjerë më të vegjël, rrëmbyen armët dhe iu bënë krah atit të tyre, që udhëhiqte forcat legalsite kundër italianëve e më vonë kundër gjermanëve.
I armatosur në krah të të atit/Petrit Kupi kishte fituar besimin dhe  iu bë krah atit të tij, që i besoi shumë detyra gjatë viteve të luftës. Në përplasjen e  fundit që Abaz Kupi pati me Enver Hoxhën në takimin e  Shëngjergjit, ishte i pranishëm edhe Petriti.
Kur Abaz Kupi debatoi ashpër me Enverin dhe shpalli divorcin me Frontin Partizan, i biri i tij, Petriti, që  për ironi të fatit kishte qenë student i Enver Hoxhës në Liceun Francez (Julian Amery-“Bijtë e Shqipes”, faqe 122), kishte parë nga afër debatin dhe ishte gëzuar që ati i tij, pa shkollë e kishte vënë në pozicion “mati” ish profesorin e  vet. Kur Enveri,  e kishte ftuar Petritin, që të ndahej nga i ati dhe të shkonte tek partizanët, ai e kishte kundërshtuar ashpër dhe kishte ndjekur pas të atin.
Figurën e Petritit e përcjell të plotë një ndër misionarët britanikë,që gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte i atashuar pranë shtabit të Abaz Kupit, Julian Amery.
Britaniku Amery tek “Bijtë e shqipes” tregon se teksa udhëtonin drejt shtabit të Abaz Kupit në Derje, pas kapitullimit të Italisë fashiste, në fshatin Bruc, u pritën nga i biri i Abazit, Petriti. Sipas tij, Petriti e fliste mirë frëngjishten duke qenë se kishte studiuar në Liceun Francez të Korçës. Sipas Amery-t,  Petriti ishte i zgjuar dhe i etur për lajme jashtë Shqipërie. Ai shkruan: “Vargu i pyetjeve, që më bëhej nga Petriti pengohej vetëm nga fisnikëria e natyrshme e tij, pasi unë isha mik në  atë shtëpi.Në pamje nuk ndryshonte nga i ati, megjithëse ishte i fortë nga trupi dhe kishte lëvizje më të ngadalshme. Ishte dalluar mjaft në luftimet e  Vjeshtës. Përveç kësaj Petriti zotëronte autoritet natyror dhe me gjithë moshën e re, dukej se u frymëzonte respekt malësorëve të rreptë që e shoqëronin”.
Ditën tjetër Petriti e shoqëroi në vendin ku Abaz Kupi kishte vendosur përkohësisht shtabin e tij luftarak. Britaniku, në ditarin e  tij të luftimeve dhe të qëndrimit në Shqipëri, tregon se Petriti ishte një luftëtar i guximshëm dhe me dije të konsiderueshme. I ati i kishte besuar komandën dhe ai kishte autoritet ushtarak tek ushtarët e tij. I njihte mirë ata që komandonte apo përzgjidhte në aksionet që ndërmerrnin forcat legaliste.
Britanikët mbetën të kënaqur, kur Petriti përzgjodhi një çetë prej 12 luftëtarësh, të komanduar nga Ramiz Dani dhe ua vuri në dispozicion atyre për të kryer aksionin e  hedhjes në erë të Urës së Gjolajt, për të penguar e paralizuar kështu forcat gjermane në aksionet e tyre luftarake. Kjo çetë e prirur nga britaniku Smajli dhe Xhenkins, e kreu më së miri aksionin dhe ura u hodh në erë.
Petriti ndeshet shpesh herë në faqet e ditarit 385 faqesh të britanikut Julian Amery. Madje edhe në fund të luftës, kur gjithçka duket se ka përfunduar në favor të partizanëve shqiptarë dhe Misioni Britanik mori rrugën e ikjes, ishte Petriti ai që së bashku me Ihsan Toptanin, të dërguar nga Abaz Kupi, mundësuan gjetjen e mjetit lundrues që do të përcillte britanikët, paçka se komanda e tyre urdhëroi që Abaz Kupi me mbështetësit e  vet të mos udhëtonte bashkë me ata.
Një jetë në mërgim/Petriti dhe vëllai tjetër Rustemi shoqëruan atin e tyre në rrugën pa kthim të mërgimit. Ishte 24 tetor 1944, ku ata lanë atdheun. Udhëtuan bashkë, Abaz Kupi me dy djemtë, si dhe mbështetësit e tij, Ihsan Toptani, Gaqo Goga, Dilaver Berberi, Ramiz Dani etj.Anija me të cilën ata lundruan, pësoi një avari në mes të detit dhe ata u endën për disa ditë nëpër dallgë, derisa një anije angleze u shkoi në ndihmë dhe i nxori në Brindizi.Petriti shoqëroi të atin nëpër kampet e Italisë, së bashku më vëllain tjetër Rustemin. Më pas ata do të ndiqnin të atin edhe në Egjypt, ku u dërgua Abazi me ndërhyrjen e britanikëve. Me ndihmën e Mbretit Zog, djemtë e Abaz Kupit, nisën studimet në Universitetin e Kajros, ku studimet kryheshin në gjuhën angleze. Petriti shkëqeu gjatë studimeve dhe u shpall si studenti numër 2 i Kolegjit. Ai u bë personazh i shtypit vendas.Më pas vazhdoi studimet në Universitetin e njohur
Politeknik të Parisit. Për 10 vite Petrit Kupi do të jetonte në Australi. Diaspora shqiptare e atjeshme e respektoi për kulturën që manifestonte dhe qëndrimet e  tij të prera antikomuniste.
Në mes të viteve ’60, Petrit Kupi do t’i bashkohej të atit të tij në Nju Jork, ku  edhe do të martohej dhe do të krijonte familjen e vet. Ai u mor me biznesin e  restoranteve. Edhe pse nuk ishte pjesmarrës i drejtëpërdrejtë në veprimtaritë e Organizatës “Lëvizja e legalitetit”, Ndrec Gjergji, një ndër veteranët leglaistë, pohon për Illyria-n, se Petriti ka patur një veprimtari të spikatur antikomuniste dhe i ka mbajtur lidhjet e drejtëpërdrejta me Mbretin Leka. Z. Gjergji, tha për Illyria-n se rrëzimi i komunizmit e gëzoi Petritin dhe ai shkoi disa herë në Shqipëri për t’u çmall me vendlindjen. Pavarësia e Kosovës, ishte një tjetër gëzim i tij që e përjetoi me emocion.
Amaneti: Më varrosni në Krujë!/Petrit Kupi e la Shqipërinë në moshën e rinisë pasi kishte luftuar  me armë në dorë kundër pushtuesve italainë dhe atyre gjermanë. Mirëpo komunistët e shpallën të padëshiruar atë, ndërsa babanë e tij, që i vuri gjoksin pushtuesit, e cilësuan armik dhe ia ndaluan kthimin në Shqipëri. Ndërsa ai, babai dhe vëllai Rustemi, morën rrugët e  mërgimit, familja që mbeti në Shqipëri, u plas burgjeve dhe kampeve të internimit. Familja Kupi e burgosur dhe e internuar nga fashistët dhe komunistët, pësoi tragjedi mbi vete. Djali i Abaz Kupit, Fatbardh Kupi, u arrestua që më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të plaseshin në kampin e internimit në Tepelenë e më pas do të endej nëpër kampet e  internimit të Myzeqesë.
Siç pohon Ndrec Gjergji, Petriti e vuante thellë tragjedinë që kishte rënë mbi pjesën e  familjes që kishte mbetur “peng” në duart e komunistëve. Gjithësesi ai e donte Shqipërinë, e donte Krujën e tij të dashur, ku u end fëmijëria  dhe rinia e tij.
I vëllai i Petritit, Fatbardh Kupi, mbi të cilin goditi pa mëshirë diktatura komuniste, e cila e burgosi dy herë, pa shkak, vetëm pse ishte i biri i Abazit dhe e internoi 30 vjet së bashku me familjen, tha për Illyria-n se vëllai e kishte lënë amanet që ta varrosnin në Shqipëri dhe amaneti do të shkojë në vend.
Komuniteti shqiptar do ta nderojë të ndjerin të premten dhe të shtunën, në Nju Jork, duke bërë homazhe në Schwartz Brothers Funeral Home
, Queens- New York. Më pas arkivoli me trupin e  të ndjerit do të nsiet drejt Shqipërisë, për t’u varrosur në Krujë. I ndjeri Petrit Kupi, la pas bashkëshorten, Judy dhe dy djemtë, Abazin dhe Ademin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora