E premte, 29.03.2024, 05:34 AM (GMT)

Mendime

Robert Kote: Muzeu i Krujës ishte një kapriço e Enverit për të bijën

E shtune, 14.03.2009, 10:29 AM


“Para syve të mi Ramizi, kritikoi ashpër Myftiun, Camin, Hankun, që muzeu nuk po bëhej gati në kohë
 
Muzeu i Krujës ishte një kapriço e Enverit për të bijën
 
Nga
Albert Zholi
 
Në datën 20 shkurt në suplementin e gazetës “Telegraf”, “Ne burrat” u botua intervista me skulptorin Genci Hajdari për Muzeun e Skënderbeut në Krujë me titull “Enveri hodhi idenë për muzeun Pranvera mbrojti diplomën”. Pas kësaj interviste në redaksi u paraqit Ing. Ark. Robert Kote, sipas të cilit në këtë intervistë z. Hajdari ka paraqitur disa pasaktësi. Për këtë arsye ne zhvilluam një bisedë, (sikundër pranuam një dorëshkrim të z.Kote si dhe një botim të tij në lidhje me shumë projekte) në lidhje me reagimin e tij për pasaktësitë e z. Hajdari në këtë intervistë. Lexuesin duam ta sqarojmë se në intervistën e zhvilluar me z. Hajdari gjithçka është thënë nga goja e tij dhe për këtë është ruajtur në diktofon regjistrimi i bisedës. Le të jetë kjo intervistë si një debat i hapur për të hedhur dritë mbi të vërtetën e ndërtimit të këtij Muzeu, që sot cilësohet nga historianë dhe nga më të bukurit dhe më profesionalët në shumë dimensione.
 
Z. Kote sipas jush në intervistën e zhvilluar me z. Genci Hajdari në datën 20 shkurt në lidhje me ndërtimin e Muzeut të Skënderbeut në Krujë ju thoni se ka shumë pasaktësi. Atëherë ku konsistojë ato?
 
Së pari dua të them se unë jam ai për të cilin Genci Hajdari në intervistën e tij thotë se “…më kujtohet se ka punuar shumë një inxhinier Kote, sepse ndërtimi ishte shumë kapriçoz”. Njëkohësisht unë nuk jam dakort në atë që deklarohet në intervistë se “një muze i tillë si ai i Krujës mund të të bëhet pas 500 vjetësh’
 
Po ju ku e bazoni idenë apo mendimin tuaj?
 
Pikë së pari ai nuk është muze sepse s’ka asgjë (edhe deri më sot), reale (pra muzeale, dokumentare), për Skënderbeun, familjen e tij, lidhjet e tij, sende të tij, të asaj periudhe me përjashtim ndoshta të një këmbane kishe. Ai objekt mund të cilësohet (ose unë e cilësoj) si një nga shumë kapriçot e familjes Hoxha (ashtu si dhe piramida), peshqesh i prindërve për të bijën. Që për të qenë i bukur si krijimtari, në paraqitje, që meritat t’i merrte vajza për këtë realizim u mobilizua një shtet. Ku ndërmjet të tjerave “detyruan” dhe pedagogun e fëmijëve të tyre (pra të Verës, Kemit, Muftiut, Kolekëve, Çarçanëve, Toskave…Theodhosi, Hazbiu..etj..) të rendte e të punonte në zbatim 24 orësh rresht në Krujë. Nga kazma e parë dhe deri në inagurim ishim shumë veta që punuam si “skllevër” (dhe Genci e di mirë se kë kisha pas me kobure në brez) që vepra të dilte e bukur dhe urimet t’i merrte Vera.
 
Kjo do të thotë se shumë nga emrat e përmendur nga z.Genci Hajdari nuk kanë qenë në këtë ndërtim?

Po ju them se shumë nga kompania e artistëve dhe historianëve bënë pallë në ato 4 vjet e gjysmë (jo 6 vjet) vjet të ndërtimit të muzeut. Një pjesë e tyre nuk kishin orar pune, kishin rrogë tek Instituti i Monumenteve, merrnin dhe dieta plus si shumë të tjerë morën shpërblime për krijimtari. Sikundër morën dhe çmime, medalje, urdhra, transferime në punë të mira. Ndërsa ne të gurit dhe të llaçit na binte bretku, ose na mbanin lekë nga rroga sepse nuk realizonim planin. Dhe të dielave shkonim nëpër aksione, ku hapnim kanale ose trashe për t’u mbrojtur nga armiku.!!!
 
Ju thatë më parë se ky ishte një objekt kapriçoz i familjes Hoxha, përse?
 
Dua të shpjegoj nuk ishte objekti kapriçoz, pasi atë e realizova unë si një krijimtari të dinjitetit shqiptar, por kapriçoze ishte familja Hoxha dhe gjithë pasuesit e tyre, që edhe sot në demokraci ende nuk më flasin me gojë, pasi të tjerë e projektuan të tjerë morën lëvdatat. Për muzeun e Krujës pyet më mirë Pranverën dhe Klementin sepse ata do të flasin më mirë. Ashtu siç duhet të flitet për Muzeun Historik. Nuk shkruhet historia me piktura, romane apo skulptura të ndryshme që jepen me udhëzime.
 
Por le të ndalemi tek Muzeu i Krujës që ju keni shumë kontestime. Çfarë faktesh mund të na sillni për punimet në të?

Në ato vite kur punoja në Kalanë e Krujës studiuesit e huaj dhe kosovarë më thonin: “Mund të na tregoni diçka konkrete për Skënderbeun? Kush nga grafikat dhe pikturat është autentike e atë të Skënderbeut? Sa shtatlartë ka qenë? Si furnizohej me ujë kështjella kur qe e rrethuar nga turqit? A janë dhe ku janë gjërat me vlerë të kalasë (nga gërmimet)? Ndërsa deri më sot e kam gozhdë në zemër kur një arkitekt kosovar më pyeti: “A ka ditur të shkruaj Skënderbeu? I thashë, natyrisht që po. A më tregon dot një letër të tij më thotë? Unë ja drodha dhe ai e kuptoi gjithçka dhe buzëqeshi. Një herë erdhi në Muze, ambasadori jugosllav, i cili vari turinjtë. Pas disa ditësh erdhën historianët tanë të famshëm dhe së bashku me piktorin ndryshuan grafikën, ku pasqyroheshin trojet shqiptare për t’i bërë qejfin ambasadorit jugosllav.
 
Po Pranvera si i ndiqte punimet në Krujë?
 
Pavarësisht se në 4 vite, qoftë Pranvera qoftë Klementi erdhën shumë pak herë (pasi dërgonin Pirro Vason), Enverit i çonin vazhdimisht informacion nëpërmjet filmimeve të ndryshme. (I bënte Petriti ndjesë pastë)…Për muzeun interesohej personalisht Ramiz Alia ndërsa materialisht Manush Myftiu.
 
Ju përmendët se interesohej Ramiz Alia. A keni bërë ndonjë bisedë me të?

Po. Në vitin 1980, Ramizi një ditë më pyeti: Robert a përfundon muzeu për 4 muaj? Megjithëse nga pas ishin dy ministra që kishin në dorë fatin tim dhe të familjes time unë guxova dhe i thashë të vërtetën,- Ne si ndërtim edhe mbarojmë, por përmbajtja arredimi është zero. Pra muze bosh. Ai më kuptoi dhe pas disa ditësh më ftoi në KQ dhe pashë që para syve të mi kritikoi ashpër Myftiun, Camin, Hankun, që muzeu nuk po bëhej gati në kohën që ishte planifikuar apo dëshironte Enveri.

Mosardhja e Enverit në inagurim

Unë nuk jam dakord me mendimin e z.Genci që Enveri nuk erdhi në inagurimin e Muzeut të Krujës se ishte sëmurë. Sot pak vetë e dinë se për të ardhur Enver Hoxha në inagurim unë dhe disa punëtorë punuam intensivisht për ndërtimin e një rruge të re, në vitin 1982 (automobilistike), pasi ai nuk mund të ngjitej me këmbë) që Sulo Gradeci (që ju mund ta pyesni) ta sillte atë brenda në kala për të parë “Veprën e vajzës” së tij. Arsyet e mosardhjes i takojnë të tjerëve t’i zbulojnë (ndoshta dhe ju gazetarëve). Unë Gencin e kam mik, madje bashkë me të, kam festuar 49 -vjetorin tim, 29 vite më parë. Në gazetë pashë një foto të Gencit, ku në sfond ishte një banesë. Por a e ke pyetur Gencin e kujt është ajo banesë? Pronarin e asaj banese e kam pasur specialist në punimet e ndërtesës së muzeut dhe rrugën automobilistike. Ishte një specialist i shkëlqyer, të cilin e kanë arrestuar dy herë!! Ndërsa të atin e tij kanë varur në qendër të qytetit të Krujës. Është Merlika.
 
Siguria në deponime

Ja, për këtë arsye po ju dhuroj një botimin tim “Vizatime dhe arkitektura 2”, ku ka dhe pak histori dhe fakte të tjera për ndërtimin e Muzeut të Krujës. Aty do të gjesh edhe histori dhe projektime të ndryshme të rëndësishme në Tiranë apo vende të tjera si dhe një letër për presidentin tonë (natyrisht që nuk kam marrë përgjigje).

Interpretime të ndryshme

Sepse neve akrepat e orës na kanë ngelur mbrapa. Si akrepat e sahatit të Tiranës. Në të 4 anët e sahatit akrepat e saj janë të ndryshme. Pra ne ende s’jemi në gjendje të rregullojmë akrepat e sahatit monumental, apo t’i vëmë diçiturat apo emërtimet e duhura Skënderbeut në Tiranë apo Krujë, jo pastaj të japim qartë shumë vepra që lidhen me historinë. Ne nuk njohim shumë gjëra për të shkuar drejt Evropës. Nuk njohim tramvajin, trolejbusin, metrotë, trenat e shpejtësisë së madhe në Evropë me 300 km/orë, (trenat tanë janë karakatina). Ne jemi ende me uniformat e burgut për në Evropë, pra me viza. Jemi në zemër të Evropës dhe pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk ka vizituar asnjë vend Evropian. Prandaj dhe ka interpretime të ndryshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora