E marte, 19.03.2024, 09:39 AM (GMT)

Kulturë

Agron Tufa: Letërsia shqipe midis perversitetit dhe sakrificës

E shtune, 14.03.2009, 10:04 AM


Agron Tufa
Agron Tufa
Letërsia shqipe midis perversitetit dhe sakrificës

Nga Agron Tufa

Nuk e kam ndryshuar (ose më është përforcuar më vonë) bindja se letësia e çdo kulture nacionale përcjell dhe ndan të njëjëtin fat historik, individual e kolektiv me popullin që i përket, me episodet tragjike, luftërat, revolucionet, diktaturat, ndryshimet sociale, mentale dhe etnopsiqike – në gjithë strukturën e ndjeshmërisë së tij. Nuk bën përjashtim as letërsia shqipe. Ndërsa kapërcente formalisht diktaturën, letërsia jonë u gjend krejt e mefshtë dhe me një bankrot të dhimbshëm kulturor përballë një lirie të panjohur më parë, së cilës u mundua jo t’i përshtatej e të shkrihej e njehësuar me të, jo t’i përshtatej, por ta përshtaste lirinë sipas konstruktit të saj moral, etik dhe pseudoartistik.

Letërsia shqipe doli në diellin e brishtë (alegorik) të lirisë, duke shpaluar në sipërfaqe kufomën e saj, infrastrukturën e trashëguar me mitet patetike të një “lavdie” turpëruese, me urrejtjet e fermentuara, komplekset e inferioritetit, provokimet e ulëta, koniukturat e hershme sektante dhe, sidomos, me një ndërgjegjie të stazhionuar kriminale.

Tashmë kanë kaluar thuaja tetëmbëdhjetë vjet dhe mendoj se socrealistët ia kanë dalë ta përshtasin tërësisht pesazhin e saj, duke e pasuruar tablonë e mëvonshme me penelata të zjarrta guerrilesh të rinj. Gjenerat e reja krijuese që u shuguruan në të hyrë të viteve ’90, shumë shpejt e kuptuan se do të përballen me një kontekst aspak normal të intencës letrare, anipse krijimtarie e tyre ndryshonte radikalisht në të gjitha pikëpamjet nga shkrimi socrealist.

Kështu, me përjashtime tepër të rralla të ndonjë individualiteti letrar, kryesisht poetë, prozatorë dhe sidomos përkthyes – që vijuan nga faqja e djeshme – fryma e re e një brezi të letërsisë shqipe e kuptoi shpejt apo e ndjeu intuitivisht se nuk mund të njehësote veten në të njëjtat pentagrame socrealiste, andaj, e privuar dhe e spostuar në margjinë u kujdes me sa mundi për një higjenë të shkrimit, duke e projektuar vetveten ngadalë, por me korrektesë në të mirë të një përsosjeje estetike, studimore e përkthyese, derisa tashmë ka krijuar individualitetet e veta, të pakrahasueshme në asnjë tregues me socrealizmin e ripërtërirë, si bari vjeshtak në postkomunizëm.

Po të vini re mirë, ajo që i afron krijuesit e pas viteve nëntëdhjetë, nuk është fryma e përbashkët e procedimeve artistike, ngjashmëritë stilistike apo tematike. Përkundrazi, asnjëri nga profilet letrare të formuar tashmë, si minimum me nga një dhjetëshe librash origjinalë e të përkthyer, nuk ngjajnë me njëri-tjetrin. Mendoj se fryma që i bashkon dhe i bën ndërsjelltësisht të një gjaku është estetika e shkrimit, vetëdija e krijuesit që di se ç‘bën me gjuhën, di se ç‘kërkon artistikisht, di se çfarë tradite zgjedh dhe ndjehet mirë me të dhe, dhe, së mbrami, di se çfarë lexuesi projekton me artin e vet.

Dhe vetëdija (artistike) është një gjë që nuk fitohet shpejt; ajo është distanca e oshënarit dhe ndjesia e mprehtë e alergjisë nga banaliteti në peisazinh e ndotur kënetor, anipse ky brez tjetër krijuesish është munduar që, edhe midis kënetës socrealiste, të qëmtojë së paku disa rrjedha uji të pastër. Kjo, sipas meje, është arsyeja metafizike që letërsia e re shqipe nuk iu bashkua korit blasfemik të socrealistëve, duke menduar gabimisht, se do të ndikonin vetëm me artin e tyre, brenda mureve të karantinës ku ishin mbyllur.

Unë mendoj se situatën letrare që ky brez krijuesish filloi ta dinamizojë pas viteve 2000, duhet ta kishte kryer që në fillim të viteve nëntëdhjetë, për sa rreziku më tragjik pasoi pikërisht nga nënvleftësimi i kundërvënies së hapur publike. Aq më tepër që thelbi i kësaj kundërvëniejeje apo konfrontimi ishte e vazhdon të jetë me natyrë të dyfishtë: morale, estetike dhe etike nga njëra anë, dhe artistike nga ana tjetër. Por krijuesit e rinj që nuk i lidhte asgjë me socrealistët, nuk e zhvilluan këtë betejë principiale, apo e zhvilluan në mënyra tepër episodike.

Unë besoj se e keqja më e madhe që la trashëgim komunizmi shqiptar është përhapja gjithandej, në çdo pore të shoqërisë, e spektrit të gjithanshëm të koniukturave politike, ekonomike, herë legale, herë të maskuara, duke krijuar kushtet e funksionimit të një shoqërie sektante, purifikimi i së cilës qe misioni më i dështuar në demokracinë tonë.

Mendoi se e njëjta situatë ka ndodhur edhe me kulturën; të njëjtët personazhë të inkriminuar, inicues të meshave të zeza gjatë komunizmit, vazhdojnë të mbeten si në politikë dhe ekonomi, ashtu edhe në kulturë, diktuesit dhe modeluesit e vetëm të opinionit, krijuesit e perceptimit dhe imazhit publik, cenzuruesit dhe eklipsuesit virtualë të çdo lloj vlere, së këndejmi, manipulatorët e përditshmërisë sonë publike dhe arrtistike. Sepse, të programuar me monopolin e sistemit medial, ata vendosin vetë se çfarë duhet pëlqyer dhe çfarë jo, çfarë duhet theksuar dhe çfarë s’duhet përmenduar, kush duhet hyjnizuar dhe kush duhet të rrijë sus.

A e kanë këtë të drejtë? Përkundër aftësisë prej pehlivanësh, çfarë vlerash kanë ata? Shkollimin? Studimet? Nivelin artistik të veprës së tyre? Mitin e tyre të djeshëm? Më duket se po! Socrealistët e kanë kuptuar mirë, se pikërisht miti është përcaktues. Dhe mitin e tyre të rremë e pati ngritur në qiell gjithë teknologjia e propagandës komuniste. Dhe socrealistët u kapën pas mitit të krijuar dje. Sepse dihet: njeriu punon në fillim për të ngritur mitin e vet – pastaj punon miti për të.

Megjithatë, përkundër thelbit pervers që mbart infrastruktura dhe peisazhi letrar tek ne, nuk dua ta paraqes aq bardh e zi gjendjen, anipse ajo që theksova deri tani është më kryesorja në funksionimin e letërsisë sipas ligjësive sociologjike të kulturës, duke përfshirë edhe sociologjinë e lavdisë. Përkundër akteve të turpshme dhe gjesteve megallomane e të pacipa të pazareve promovuese – deri tek ujditë vampirike për protogonizma nordikë ndërkombëtarë, kjo letërsia jonë postkomuniste është e mbushur plot sakrifica të dhimbshme, plot gjeste të një finese të rrallë, plot ëndrra, utopi, përpjekje, plot mall e mallëngjim për traditën tonë dhe kulturën botërore.

Janë ata ndërgjegjia e kësaj epoke, e cila herëdokur do të triumfojë mbi konglomeratin koniuktural. Pavarësisht pikëpamjeve mbi letërsinë, qasjeve ndaj, strategjisë dhe mendimit që përpiqen të ngulisin, krijuesit shqiptarë, veçanërisht pas viteve 2000 kanë filluar të binden se asgjë nuk duhet pritur, se gjithçka duhet krijuar apo duhet rrëmbyer hisja nën diell – e drejta për të komunikuar me lexuesin, për të verifikuar veten apo për të krijuar një atmosferë letrare tonën, të shtëpisë sonë.

Unë i provova pesë vitet e mia, por e them me bindje se ato sakrifica pesëvjeçare me të përjavshmen “Fjala” (tashmë revistë), përveç qindra ciklesh me tregime, poezi, ese, përkthime, ka patur qindra shkrime diskursive, analitike, problemore e meditative për sëmundjet dhe shqetësimet që e brejnë procesin letrar në Shqipëri, çka më bindi se pesazhi ynë letrar është tepër i gjallë, i përgjegjshëm dhe evolutiv. Një kontribut të tillë në pesëmbëdhjetë numra të shkëlqyer të revistës “Aleph”, e ka dhënë dhe poeti Gentian Çoçoli.

Por ne kemi gjestin më të guximshëm, projektin gjithpërfshirës poetik të shkrimtarit Arian Leka me “POETEKËN” – me “POETEKËN” e specializuar si revistë e poezisë dhe mendimit poetik, por akoma më fort e më ngadhnyes – si festival Ndërkombëtar të Poezisë, si i vetmi gjest kulturor i artit tonë poetik me botën. Dhe më së fundi – një heroizëm i vërtetë rekord – numri i tridhjetë i revistës voluminoze “Mehr Licht”! Padyshim, këtyre u bashkohen edhe revistat “Përpjekja” e Lubonjës, “Sfidë” e U. Buçpapajt, suplementi i “Albania” i Zija Çelës etj.

Për fat të mirë, dinamika jonë letrare në vitet e fundit po ndahet dhe po çlirohet nga paraliza e miteve të rreme, perverse dhe absurde. Dhe ajo krijon klimën dhe pesazhin real se çfarë ngjet, çfarë kahjesh ka dhe çfarë profili të nesërm skicon.

Megjithatë vlerat më të vyera që krijon letërsia e re shqipe mbeten krejt jashtë komunikimit me lexuesin, si pasojë e një infrastrukture tërësisht anormale që jep një pamje të deformuar. Edhe pas kaq vitesh letërsia dhe libri artistik tek ne kanë mbetur në mëshirën e botuesve shqiptarë, një kategori e pacaktuar biznesmenësh me reminishenca të forta mentale nga zanatet parardhëse ose, akoma më për turp, nën gjykimin e një personazhi edhe më të papërcaktueshëm që është shitësi: ai vendos se çfarë librash të pranojë në librari. Jam autor i shtatë librave origjinalë dhe sot nuk mund të gjej asnjërin në libraritë e Shqipërisë. Libri tashmë ka zëvendësuar me sukses kartëvizitat që shkëmbejnë mes vedi shkrimtarët shqiptarë.

Ne nuk kemi një mekanizëm me filtrat përpunuese të produktit letrar. Nuk bëhet fjalë për studime, por as kritika jonë recensionale nuk e orienton lexuesin. Përkundrazi, shkrimet e parapaguara, studiot e porositura me njohje apo pagesë, përcjellin një imazh tërësisht kaotik e të parelief të botimeve tona, duke e shtuar më fort konfuzionin. Kështu, në vend të një diskursi profesional letrar, kemi degraduar në llafaqenëri apo atentate guerrile nga killera të porositur, që e ngjyejnë lyrshëm penën me vrer para se të shkruajnë.

Kam shkruar dhe më parë për rrethin vicioz ku ka hyrë letërsia. Letërsia jonë tashmë i ka dyert e mbyllura për t’u matur me simotrat e saj në Europë, për faktin banal (që nuk shqetëson askënd) se nuk ka përkthyes. Ata që tepruan nga përkthimi i korpusit vishnje të Enver Hoxhës, tashmë kanë filluar t’ia dinë vlerën vetes, të pastrojnë faqet e sit-eve nga ndonjë vepër që hymnizonte diktatorin dhe t’i veshin vetes rolin mesianik-shpëtimtar të letrave tonë në Perëndim, duke përkthyer përjetësisht o Ali Hoxhën, o hoxhë Aliun. Ndonjëri sosh ka madje arrogancën donkishoteske (në kuptimin negativ) të të këshillojë se si duhet të shkruash dhe, kur ia refuzon këtë nder, ndërmerr një fushatë të tërbuar me përmasa kontinentale të të bëjë “rezil”, gjithkund.

Ndërsa përkthimet-shqipërimet (me gjithë abakadabrat epileptike), kanë krijuar, gjithësesi, një truall të begatë njohjeje, në të kundërt, përkthimet nga letërsia shqipe, përjashto Ismail Kadarenë, janë pronë e patundshme e një grushti makiavelësh të vegjël që të shaksin “pa sapun”. Kështu shumë shpejt, edhe ish-përkthyesit e korpuseve vishnje të diktatorit nuk do të mbesin, as për farë. Dhe besoj se qysh tani e kemi prekur ballin e ftohtë të qorrsokakut, izolacionin shpirtëror në kulmin e retorikës për integrim. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora