E enjte, 25.04.2024, 10:36 AM (GMT+1)

Mendime

Mark Marku: Skënderbeu mes demistifikimit dhe denigrimit

E shtune, 14.03.2009, 11:17 AM


Skënderbeu mes demistifikimit dhe denigrimit

Nga Mark Marku

Dalja në qarkullim e librit “Skënderbeu” me autor historianin dhe albanologun Oliver Schmidt e ka trazuar publikun shqiptar dhe ka shkaktuar debate të shumta në mjediset kulturore. Tema e studimit të Schmidt-it është vërtetë e largët në kohë, por i qaset një çështje mjaft delikate - Skënderbeut dhe rolit të tij në historinë shqiptare dhe atë evropiane. Debati i ndezur nga botim i librit të Schmidt-it të ndërmend fillesat e polemikës historike për Skënderbeun, edhe pse këto fillesa na çojnë shumë larg në histori. Në vitin 1636, ipeshkvi i Sapës, prifti katolik shqiptar Frang Bardhi, botoi një apologji për Skënderbeun të titulluar Georgius Castriotes Epirenses, vulgo Scanderbeg, Epirotarum Princeps, apologji e cila synonte të hidhte poshtë tezat e librit të priftit katolik kroat Tomko Marnaviç, sipas të cilave Skënderbeu kishte origjinë sllave, madje ishte degëzim i të njëjtës pemë gjenaologjike nga rridhte edhe autori. Polemika qe e ashpër, por paralajmëronte një konflikt të gjatë për tjetërsimin e prejardhjes së Skënderbeut.
Debati është ndezur sërish. Pas botimit të librit të Scmidt-it, janë bërë shumë polemika. Pjesë e kësaj polemike, por nga një këndvështrim i panjohur deri tani për këtë debat, është bërë një libër mjaft simpatik i shfaqur këto ditë në libraritë e kryeqytetit.  Libri “Skënderbeu ose misioni i pamundur i Schmidt-it”, i autorit Sandër Lleshi, polemizon me disa prej tezave të hedhura nga historiani zviceran në librin e tij. Autori i librit, një studiues i ri, përfaqësues i elitës së re ushtarake shqiptare, ka bërë një analizë skrupuloze të tezave të Schmidt-it dhe nxjerr që andej një problematikë mjaft të gjerë, që ve në diskutim seriozitetin shkencor të librit të Schmidt-it.
Autori i librit ndalet fillimisht tek një prej “zbulimeve” që libri i Schmid-it kërkon t’i servirë lexuesit: tek motivi bazë i luftës së Skënderbeut, që sipas studiuesit zviceran na qenka hakmarrja e Skënderbeut për vrasjen e të atit nga ana e Sulltanit. Skënderbeu e “merr gjakun” e të atit duke paguar njerëz për të vrarë vëllain e Sulltan Mehmetit. Autori vë re me të drejtë mungesën e mbështetjes dokumentare të një teze të tillë pasi, në të vërtetë, nga ana e Schmidt-it përveç një dokumenti të gjetur në arkivat e Milanos që mban datën 10 janar 1454, nuk sillet ndonjë dokument mbështetës për tezën. Por edhe vetë dokumenti në vetvete nuk sjell ndonjë gjë me vlerë: sipas këtij dokumenti, dy diplomatët “i kishin transmetuar Papës informacionin për përfshirjen e Skënderbeut në vrasjen e një vëllai të Sulltan Mehmetit” (Skënderbeu, f. 57). Më tej, S. Lleshi zbulon edhe kontradiktën logjike të ngrehinës së Schmidt-it, pasi gjithë ajo çfarë Schmidt-i shpjegon si veprime të ndërmarra në kuadrin e gjakmarrjes kanunore, nuk janë as më shumë e as më pak se krejt e kundërta e kodit kanunor. Fakti që Schmidt-i e shpjegon rezistencën e Skënderbeut në një akt të thjeshtë hakmarrje, natyrisht është gabim i rëndë dhe e vë në diskutim intuitën e tij historike.
Ky kontradiksion i parë logjik çon në një tjetër edhe më të madh: Lufta e Skënderbeut shfaqet si objektiv individual i një njeriu, gjë që bie në kundërshtim me përpjekjen e tij për ta demistifikuar heroin kombëtar shqiptar. Dhe duket vërtet e çuditshme se si prijësit shqiptarë të kohës, ushtarët dhe komandantët e tij ta kenë ndjekur Skënderbeun pas në një ambicie vetjake hakmarrëse kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës. Kjo bëhet edhe më e çuditshme po të kesh parasysh faktin se kjo aventurë e përgjakshme kolektive për tekat hakmarrëse të një personi vazhdoi jo pak, por plot 25 vjet. Rob i kësaj logjike Schmidt-i nuk ngurron të minimizojë edhe rëndësinë e Kuvendit të Lezhës të vitit 1444, edhe rëndësinë që pati epoka e Skënderbeut në krijimin e njëfarë uniteti të brendshëm të princërve arbër.
Kritika e Sandër Lleshit bëhet edhe më e mprehtë kur analizon pjesën që ka të bëjë me luftën e Skënderbeut kundër ushtrive turke. Në këtë rast ka shumë rëndësi fakti që këtë analizë e bën pikërisht një njohës dhe studiues i taktikave ushtarake, pasi Gjergj Kastrioti është para së gjithash një prijës ushtarak. Diku me fakte e diku me një logjikë prej profesionisti, ai i kundërvihet prirjes së Schmidt-it për ta denigruar luftën e Skënderbeut si një luftë për plaçkitje në krahinat kufitare me principatën e vet dhe përpjekjeve të tij për t’i shpjeguar sukseset e Skënderbeut në luftën kundër ushtarëve me kushtet meteorologjike të papërshtatshme në të cilat u ndodhën ushtritë osmane. Autori me të drejtë vëren se kushtet meteorologjike janë asnjanëse në luftë, pasi ato pengojnë ose ndihmojnë njësoj të dy palët.
Një reagim i tillë është një përgjigje intelektuale ndaj të ashtuquajturit “demistifikim” të figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Natyrisht nuk ka asgjë të keqe nëse vepra historike serioze sjellin fakte dhe dokumente që hedhin dritë mbi figurat e rëndësishme të historisë, sado të rëndësishme qofshin ato. Libri Skënderbeu i historianit zviceran Schmidt pretendon pikërisht një gjë të tillë. Madje ai e shpall pa pikë modestie qëllimin e tij dhe të veprës që ai shkruan: demistifikim e figurës “mitike” të heroit kombëtar të shqiptarëve. Pritej që deklarata e tij të shoqërohej me dokumente që do ta tronditnin sado pak përfytyrimin mitik të shqiptarëve për Skënderbeun. Asgjë e tillë nuk ndodh. Ai nuk sjell asnjë dokument që të hedhë poshtë betejat e fituara të tij. Asgjë të re nuk kemi për rrethimin e parë dhe të dytë të Krujës, për fitoret e vit përvitshme të Skënderbeut, apo edhe për humbjet e rënda si ajo e Stefigradit apo rënia e Beratit, të njëjtët janë personazhet historike dhe në përgjithësi konteksti historik. I vetmi zbulim dokumentar është raporti i bisedës së diplomatëve milanezë me Papën, ku bëhet fjalë për një hakmarrje të Skënderbeut ndaj Sulltanit. Autori me këtë dokument të parëndësishëm merr përsipër shpjegimin e një periudhe 25-vjeçare luftërash jo pa rëndësi për fatet e Evropës. Jashtë këtij dokumenti autori nuk sjell ndonjë gjë të re. Atë që s’e bën dot me dokumente, e bën me këndvështrimin e tij. Në fakt, këndvështrimi është risia e këtij libri. Aty ku të tjerët shohin heroin e luftës antiosmane, ai sheh një aventurier, aty ku të tjerët shohin luftëtarin, ai sheh një plaçkitës ordiner, aty ku të tjerët shohin mbrojtësin e krishterimit dhe “atletin e Krishtit”, ai shikon një ortodoks renegat, aty ku të tjerë shohin kryengritës, ai sheh bujq dhe blegtorë e kështu me radhë. Madje, ai nuk nguron ta fajësojë Skënderbeun edhe për rrënimin që bënë 5 shekuj me radhë ushtritë osmane në territoret e banuara nga shqiptarët. Një procedim i tillë nuk mund të quhet demistifikim, por denigrim. Sikur të mos kishim lexuar më parë nga ky autor librin Arbëria Venedike do të dyshonim rëndë në seriozitetin shkencor të tij. Por ja që e kemi lexuar këtë libër, dëshmi e vërtetë serioziteti dhe profesionalizmi. Por pikërisht ky seriozitet dhe profesionalizëm na bën t’i hedhim dyshimet tjetërkund: tek prirja e padeklaruar e këtij libri, apo tek qëllimësia e tij.
     Ai nuk sjell ndonjë gjë të re as për sa i përket çështjes së shumëdiskutuar të prejardhjes së Skënderbeut. Është diskutuar shumë për prejardhjen e tij nga Mati ose nga Dibra. Pjesa më e madhe e historianëve nga Barleti e këtej, e vendosin vendlindjen e tij në Mat, ndërkohë që ka të tjerë që e vendosin atë në Dibër. Schmidt-i si studiues mund të sillte ndonjë të re në lidhje me këtë. Por vetëm sa e mjegullon më shumë këtë dilemë. Ai vë këtu në diskutim origjinën etnike të Gjergj Kastriotit dhe pa sjellë asnjë dëshmi të shkruar nxjerr përfundimin se i ati i tij quhej Ivan, ishte ortodoks, pra logjikisht i takon të jetë sllav. Pikërisht këtu bëhet bashkëpërgjegjës edhe përkthyesi Ardian Klosi, pasi duke i lënë emrat ashtu siç janë ato në burimet sllave të autorëve si Radonic-i apo studiues të tjerë sllavë që u është referuar Schmidt-i, ato dalin me prejardhje sllave (Gjoni bëhet Ivan, edhe pse i ati i tij quhet Pal).
Mungesa e dokumenteve “demistifikuese” bëhet një problem edhe më i madh kur kemi të bëjmë me një personazh historik mjaft të dokumentuar në histori. Të dhënat për Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij ndodhen në arkivat e Perandorisë Osmane, në Arkivat e Venecias, të Vatikanit dhe në shumë arkiva të tjera anembanë Evropës. Përveç të tjerave, figura e Skënderbeut është një nga figurat më të trajtuara nga historianët dhe shkrimtarët. Për të kanë shkruar bashkëkohës si Gjin Muzaka e Barleti, autorë si Biemi, Frang Bardhi, Holbergu, Gibboni, Shuflai, Jorga, Baila, Pisko, Jozef fon Hameri e mjaft të tjerë. Figura e tij është fiksuar edhe në portrete, gjë që le shumë pak hapësirë edhe për manipulime vizive.
Ka mundësi që vetë Schmidt-i e ngatërron figurën historike të Skënderbeut me Skënderbeun si mit letrar. Nga ky keqkuptim vetë libri i tij shndërrohet në një antimit letrar të Skënderbeut. Në këtë kuptim, anitimiti i tij qëndron përkarshi mitit si litota përkarshi hiperbolës. Gjithsesi, libri i Sandër Lleshit nuk synon të jetë një antipod i librit të Schmidt-it. Antipodi i tij ndoshta duhet kërkuar në ndonjë nga Historitë e Skënderbeut të Rilindjes sonë Kombëtare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora