E enjte, 18.04.2024, 06:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Eden Babani: Poeti kosovar Ali Podrimja i ftuar në Namyr

E shtune, 14.03.2009, 10:23 AM


Ali Podrimja
Ali Podrimja
Poeti kosovar Ali Podrimja i ftuar në Namyr

Nga Brukseli, Eden Babani
 
Tri shoqata pa qëllim përfitimi: “Maison de la Poezie” (Shtëpia e Poezisë), “Carrefour des Culture” (Udhëkryqi i Kulturave) dhe Qendra Kulturore Shqiptare “Haxhi Zeka” në Namyr njoftonin para do kohe takimin me “Ali Podrimën, poet i madh kosovar”, të mërkurën më 11 mars. Veprimtaria kulturore do të mbështetej nga administrata vendore, “Ville de Namyr – Capitale de la Region Wallonne” (Qyteti i Namyrit – Kryeqytet i Ragjiont të Valonisë”).  Me këtë rast, njoftohej, gjithashtu, se nga 5, deri më 20 të muajit në vazhdim, një përzgjedhje librash mbi letërsinë e sotme shqiptare do ishte e disponueshme në “Librari Papyrus” të qytetit.
    Takimi filloi në ora 18 me “pritjen, gotën e mikpritjes nga Shtëpia e Poezisë (verë shqiptare dhe pije të gazuara), si edhe me mundësinë për të shijuar ushqime shqiptare”. Në orën 19, takimin e hapën me një fjalë të shkurtër zotërinjtë Erik Bronje, drejtor i “Shtëpia e Poezisë”, Khalil Nexhar, kryetar i Shoqatës “Udhëkryqi i Kulturave”, dhe Ramiz Basha, në emër të Qendrës Kulturore “Haxhi Zeka”.
Pas hapjes, për publikun pjesëmarrës, mes syresh edhe shumë bashkatdhetarë nga Namyri, nga Brukseli, etj., u paraqit “Antologjia e vogël e poezisë shqiptare”, nga poeti belg Francis Chenot.
    Për interes të lexuesit shqiptar, dashamir të poezisë, dëshiroj të shtoj se botimi i antologjisë në fjalë duhet përshëndetur si një fillim i mbarë për njohjen e letërsisë sonë në Belgjikën frankofone. Përkthyesit, Vasil Capeqi dhe Adrian Marashi, kanë përzgjedhur rreth tridhjetë poetë nga Shqipëria, mes të cilëve: Migjeni, Isuf Luzaj, Arshi Pipa, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ndoc Papleka, Xhevahir Spahiu, Drita Çomo, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Lindita Arapi etj. (renditja, siç kanë shënuar botuesit e antologjisë, është kronologjike, sipas kohës së hyrjes së autorëve në skenën e poezisë). Zoti Capeqi tha gjatë takimit se është duke u përgatitur një antologji edhe më e  gjerë, ku do të përfshihen poetë nga e gjithë bota shqipfolëse, domethënë nga trojet etnike, nga arbëreshët e Italisë dhe nga diaspora.
Njohja e veprimtarisë letrare të poetit kosovar me pjesëmarrësit në takim u bë përmes një bisede të shkurtër të drejtuar nga Vasil Capeqi.
Kur e kini shkruar poezinë e parë? Kjo ishte pyetja me të cilën u hap biseda. Të parën poezi, Ali Podrimja e ka shkruar në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, më 1957, kur ishte gjimnazist. Atë e ndoqën të tjera poezi, ndër të cilat ia vlen të përmendet “Kosova është gjaku im që nuk falet”, që, pas tridhjetë e ca vitesh, do të shndërrohej në formulë betimi për luftëtarët e UÇK-së. “Më konsideruan rebel të regjimit dhe nxitës të urrejtjes së shqiptarëve ndaj Jugosllavisë së atëhershme, kupto, Serbinë, shtoi poeti. Për këtë arsye, më përjashtuan nga shkolla”.
Nga biseda, të pranishmit mësuan se Podrimja ka shkruar rreth njëzet libra me poezi. Në gjuhë të huaja, janë botuar njëzet e gjashtë: në gjermanisht, frëngjisht, italisht, anglisht, polonisht, serbo-kroatisht etj. Lidhur me interesimin e të huajve për poezinë e tij, u vu në dukje se ajo nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e tyre për derisa është vetë historia e Kosovës dhe e çështjes shqiptare të mesit të dytë të shekullit të kaluar, deri më sot.
Një pyetje që tërhoqi drejtpërdrejt vëmendjen e të pranishmëve ishte se si e shikonte veten Ali Podrimja në raport me shqiptarët e diasporës. “Unë kam respekt të madh për diasporën shqiptare, tha ai. Ajo ka një histori të mrekullueshme dhe, në Belgjikë, ka qenë shumë e pranishme. Mjafton të përmend Faik Konicën. Diaspora gjithmonë ka ushqyer nga jashtë shqiptarizmin dhe ka ndihmuar trevat shqipfolëse të rezistojnë dhe të jetojnë me të gjitha mënyrat... Unë do të theksoja veçanërisht se, me paratë e grumbulluara prej shqiptarëve që jetojnë në Evropë dhe në SHBA, u mbajt gjallë arsimimi i fëmijëve, edhe në kushtet e luftës. Vërtet në bodrume dhe nën terror, por ne treguam se e ardhmja e çështjes shqiptare nuk mund të vritej në kohët moderne”.
Mes të tjerave, iu drejtua poetit një pyetje nga salla: “Poezia juaj është jo vetëm një rebelim politik dhe shoqëror, por edhe letrar, poetik. Ju filluat të shkruani ndryshe, duke mos iu përmbajtur më rimës dhe sistemeve të shprehjes poetike. Përse?” Poeti u përgjigj se ai ishte ndër të parët a atyre që e hodhën këtë hap në të shkruarit e poezisë, por jo i vetmi. “E njëjta dukuri ndodhi edhe në Shqipëri, tha ai, si, fjala vjen, me Xhevahir Spahiun apo me poetë të tjerë më të rinj si Agron Tufa etj”. Sipas tij, kjo ishte përshtatje e poezisë shqiptare me frymën e poezisë bashkëkohore botërore. Kjo tregoi se gjuha shqipe mund të prodhojë poezi moderne, sepse ajo vjen që nga larg dhe vitaliteti i saj është i jashtëzakonshëm.
Një tjetër, po nga salla, shprehu mendimin që të kërkohet vënia e kandidaturës së Ali Podrimës për çmimin Nobel, krahas asaj të Ismail Kadaresë. Me shumë takt e çiltërsi e dashamirësi, Aliu u shpreh se do të ndihej i lumtur ta shihte Kadarenë në Stokholm. “Për ne, më të rinjtë, tha ai, ka ende shumë rrugë për të përshkuar”.
Veprimtarinë e ndoqi recitimi i poezive të zgjedhura nga prodhimtaria e begatë poetike e Aliut, prej aktorëve  shqiptarë Anila Dervishi e Siri Sulejmani, në tingujt e lehtë të trios Albrapsodi, të përbërë nga Hekuran Bruci, Gazmir Gjonaj dhe Mondi Hila. Mbresëlënës, por edhe mallëngjyes  për arsye që tashmë njihen nga jeta private e poetit, ishte çasti i recitimit të poezisë “Nuk jam ai”, të cilën do të dëshiroja t’ia jepja lexuesit të gazetës “55”, duke shpresuar që edhe ai të jetojë për pak çaste dhimbjen e poetit për humbjen e të birit, në mos ashtu si e përjetuam ne, që ishim në sallë përballë me të, ta përjetojë ashtu siç është e zonja të transmetojë emocione poezia e tij e fuqishme.

Nuk jam ai

Ai pranë dritares
nuk jam unë
është jote ëmë
që të kërkon në turmë
ai në fund të dhomës
nuk jam unë
është yt vëlla
që përmallshëm fyellit i bie
ai pranë pasqyrës
nuk jam unë
është jote motër
që flokët shkurton
Lum Lumi
unë jam ai që derën hap



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora