E shtune, 20.04.2024, 10:52 AM (GMT+1)

Mendime

Erion Veliaj i sugjeron Edvin Ramës: “T’i përvetësojmë edhe viktimat e Farkës, në mënyrë që t’ia kalojmë Ilir Metës”

E shtune, 14.03.2009, 11:45 AM


Nga Gazeta 55

Pas protestave të banorëve të Gërdecit, nekropolitika e Edvinit po mendon zgjidhje alternative, në mënyrë që të mos dalë e turpëruar nga protesta. Më të pranishmet nëpër rrugët e Tiranës janë celulat “Gratë e Edvinit”, por prej ditës së djeshme, nëpër Tiranë janë edhe grupet “Aktivët e Erion Velisë”, nisma më e fundit e “G 99”-s

Afrimi i 15 marsit po shton panikun në radhët e ylberistëve të Edvinit dhe Erion Velisë, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë kuptuar se nuk i kishin bërë mirë planet dhe rrezikonte që me 15 mars të përballeshin me një bojkot të plotë nga banorët e Gërdecit. Deklarata e djeshme e banorëve, të cilët i kërkojnë politikës të qëndrojë larg ka detyruar Edvinin dhe Erionin t’i kthehen edhe njëherë çështjes nëse ia vlen që të zihen me LSI-në për numrin e të vrarëve që posedon secili në oborrin e vet politik, apo këtë përballje duhet ta shtyjnë për më vonë e ndoshta për një temë disi më të pranueshme sesa nekropolitika. Megjithatë, Erioni, si më i ri dhe qesim që është në politikë, meqenëse nuk ka ndonjë risk të madh për të marrë mbi shpinë, ka këmbëngulur që të mos hiqet dorë nga beteja e viktimave dhe ka kërkuar që me 15 mars, përveç Gërdecit, të flitej edhe për tragjedinë e Farkës. Në fund të fundit, mars ishte edhe atëherë në Farkë dhe numri 16 i viktimave u bënte shumë punë, pasi zymtonte edhe më tej atmosferën, indirekt denonconte qeverisjen e Sali Berishës, por mbi të gjitha i mbyllte gojën Ilir Metës, i cili natyrisht nuk do të mundej atë ditë të konkurronte me një varrezë aq të madhe sa kjo që do të prodhonte Erioni nga bashkimi i tragjedisë së Gërdecit me atë të Farkës.
Nekropolitika ka mbërritur apogjeun në këto ditë para 15 marsit me celulat e grarisë që ka ngritur Edvini e që shërbejnë si çeta vullnetare, në rast se kryetari do të ndihet i rrezikuar nga militantët e LSI-së, por edhe me nisjen e fushatës “Aktiv 2009” që kanë shpallur djemtë mbështetës të Erion Velisë. Gratë e Edvinit dhe aktivët e Erionit i kanë shpallur këto dy ditë të fundit si ditë sulmi, për të përbashkuar sa më shumë viktima, në mënyrë që edhe nëse dështohet tek Krateri i Gërdecit, të paktën të mund të përballen militantët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Logjika është vrastare: Ne protestojmë për një numër më të madh viktimash, prandaj jemi edhe më të legjitimuar.
Pozita imorale e dy grupeve opozitare u lexua qartazi dje në Gërdec kur politikanët-korba shkonin lart e poshtë, në përpjekje për t’u thënë banorëve që të mos pranojnë ndihmën e shtetit, t’i bien asaj mohit, pasi kur të vinin ata në pushtet do t’u garantonin edhe qumësht pëllumbash. Por imagjinoni background-in e qeverimit të kësaj opozite, që zënë fill me Otrantot, kalojnë nëpër përmbytjen e pjesës më të madhe të kryeqytetit dhe kulmojnë me Karaburunin. Një listim i frikshëm, i cili vetëm sa flet për pamundësinë e kësaj opozite për të ofruar alternativë. Jemi thjesht në fazën e mohimit, me shpresë se shpif e shpif, do të mbrohen nga defaktorizimi. Dhe faktorët e rinj: “Gratë e Edvinit” dhe “aktivët e Erionit” nuk munden të garantojnë asnjë rezultat tjetër përveç turpërimit të nekropolitikës, njëlloj siç ndodhi kur për turp të botës u mbajt mitingu pas aksidentit të Kosta Teebickës, duke e paraqitur atë si të vrarë, për shkak se ishte dëshmitar i Gërdecit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora