Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bardh Frangu: Pangomoraliteti shqiptar

| E premte, 13.03.2009, 09:49 PM |


Bardh Frangu
Bardh Frangu
Pangomoraliteti shqiptar

Nga Bardh Frangu

Pa dashje për ta mbrojtur injorantin, Pango, nuk e di pse ngacmohem që të bëhem pjesë e këtij debati histerik dhe tejet të pistë medial dhe politik. Ndoshta shtytje për këtë është ngacmimi qytetar (jo kombëtar, siç thuhet zakonisht). Po të kishte pak mençuri dhe pak burrëri, Pango do të bëhej autor i një drame me epilog të qartë. Kështui ai ka lënë hapësirë për histeri dhe pislliqe që mund të derdhen nga çdo dritare, politike dhe mediale. Po çfarë psikologu ky demagog Pango!? E ka ftuar femrën në shtëpi të tij për qëllime shumë të qarta dhe në vend se t'ia tregonte asaj krevatin, ai i flet për panaire ku ajo duhet të zhvishet!!! Po në këtë rast pak e rëndësishme është injoranca dhe amoraliteti i Pangos, mbase edhe duke e vështruar nga funksioni i një njeriu me post të lartë, kjo mbase edhe për faktin se politika shqiptare në përgjithësi identifikohet me amoralitetin dhe në këtë kontekst çështja e individëve është sall çështje personazhi medial, që me të duhet ndërtuar telenovela, që tredhin trurin e njeriut shqiptar. Edhe kjo histeri është në vazhdën e atyre për Gërdecin, Trebickën, Fazliqin etj. Dhe e gjithë kjo ndërtohet sipas logjikës ballkanase se çdo habi zgjatë tri ditë. Një irlandez, që punonte në kuadër të UNMIK-ut, këtë e kishte mësuar para se ta mirrte detyrën e vet në Kosovë. Dhe këtë logjikë e përdori mrekullueshëm, duke i kapërcyer zhurmat e ngjashme si këto.
Që të mos zgjatem, dimensioni më i prekshëm për mua në këtë rast është fati dhe pozita e femrës shqiptare. Ky rast ndërton një analogji me rastin e tanit të TCH. Edhe në këtë rast u hesht fati dhe pozita e femrës që ishte me Tanin. Edhe në rastin Pango heshtet fati dhe pozita e femrës që ndërtoi skandalin! Në të dyja rastet femrat keqpërdoren dhe abuzohen! Meqë nuk bëhet fjalë për një gazetare të pasionuar për profesionin e saj, mbase nuk dihet në është pënjëmend gazetare apo diçka e ngjashme si ato "balerinat" e Fiksit, nuk ka dyshim se fjala është për abuzim me një femër për nevoja të medias dhe politikës. Ajo arriti ta shes Pangon tek mediat dhe politika, por çështja është ku e shitui veten ajo!? Kjo për mua është shumë e dhembshme dhe merr konotacione të një lloj trafikimi të sofistikuar.
Po megjithatë ajo që dhemb më shumë është fakti se politika shqiptare kurrë nuk arriti ta ndërpresë logjikën e suvijimit të bartur nga ish sigurimi shqiptar, metodat e të cilit ishin më çnjerëzore edhe për vendet e Kampit Socialist. Edhe rasti Pango duhet të kundrohet nga ky aspekt e jo nga ai që ka të bëjë me gazetarinë investigive, çfarë është në vendet me demokraci liberale. Këtë fakt e bënë edhe më të qëndrueshëm ajo se në mediat shqiptare vazhdojnë të punojnë njerëz të mësuar nga sigurimi shqiptar, punëtorë të të cilit edhe ishin për kohë të gjatë, mbase nga koha kur ishin pionier. me të tillët në media aferat e tilla nuk do të ndalen kurrë dhe truri i shqiptarëve do të vazhdojë të tredhet deri në asht. Prandaj ligji për dosjet duhej të funksionalizohej.