E enjte, 25.04.2024, 07:52 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Llalla: Nga demokracia e rrethuar tek diktatura demokratike

E premte, 13.03.2009, 11:44 PM


Arben Llalla
Arben Llalla

NGA DEMOKRACIA E RRETHUAR TEK DIKTATURA DEMOKRATIKE

Nga Arben LLALLA

Zgjedhje për Komunat në Maqedoninë po mbahen në një diktaturë të rreptë. Në asnjë gazetën nuk mund të botohen opinione që lidhen me partitë, nuk mund të shkruhen mendimet e lira. Ka diçka që nuk shkon në këto zgjedhje, pengohen mendimet e lira, pengohet liria e fjalës. Dhe atëherë kur pengohen këto kuptohet se po jetojmë në diktaturë demokratike ku që të gjithë po pajtohemi në heshtje. Ende asnjë parti politike shqiptare nuk ka publikuar listat e këshilltarëve për në Komuna. Në listat e partive shqiptare për kryetar Komune nuk gjen emrin e asnjë kandidate femër. Gjinia femërore është harruar, është harruar 30% i përfaqësimit femëror, kështu që urimi që gjinia mashkullore i urojë gjinisë femërore me rastin e 8 marsit ka qenë një urim i shtirur dhe ironik. Asnjë parti shqiptare nuk guxon të thotë të vërtetën se si do të votojnë shqiptarët në 22 mars, se çfarë afrojnë kandidatët për kryetar Komune. Duket se shqiptarët nga zori do shkojnë në kutitë e votimit, siç duket do të votojnë për diktaturën demokratike kolektive. Një diktaturë që po ndërtohet përpara syve tanë dhe askush nuk e merr guximin ta thotë. Të gjithë heshtin, heshtin gazetarët, intelektualët dhe kuptohet nga kjo heshtje përfitojnë politikanët e pashkolluar që u bëhet qejfi dhe u zgjatet karriera politike në kurriz të heshtjes. Këto zgjedhje që po mbahen në Maqedoni nuk kanë emocione, e kanë humbur kuptimin e mirëfilltë të demokracisë. Dhe bashkëpunëtorët e mediave të Republikës së Shqipërisë që japin lajmet nga Maqedonia nuk thonë të vërtetën, por i llustrojnë lajmet, i zbukurojnë duke mos treguar realitetin se çfarë po ndodh në të vërtetë. Të duket se në Maqedoni çdo gjë shkon më së mirë. Por ne nuk duhet të pajtohemi me gënjeshtrën prandaj pyesim: Kush mund të na e tregojë rrugën për tek Demokracia e vërtetë në Maqedoni?

Faji për dështimin në këto zgjedhje do të bie në radhë të parë tek trupi diplomatik i huaj që në emër të tyre po praktikohet çdo gjë, dhe heshtja për të thënë të vërtetën në emër të tyre po ndalohet. Liderët partiak (sidomos ata shqiptar) thirren në emër të këshillave të diplomatëve të huaj. Por çdo gjë e këtyre liderëve është gënjeshtër.

Çdo parti shqiptare çirret për të mirën e qytetarëve, çirret në emër të luftës së 2001, çirret në emër të patriotizmit përrallor. Një propagandë që fillon dhe mbaron me fjalët blla, blla, blla. Dikush po pretendon të jetë OBAMA në Maqedoninë Unike. Dikush ëndërron për pjekurinë e Maqedonisë për të zgjedhur një Kryetar shteti të etnisë shqiptare. Nuk e di se ku e shikon ky përrallaxhi këtë ëndërr. Edhe unë e kam këtë dëshirë ëndërr dhe e kërkoj. Kërkoj ta shoh këtë ëndërr, por nuk po e shoh. Ju lutemi ma tregoni ku mund ta shoh OBAMËN shqiptar në Maqedoni?! Harrojmë se në Maqedoni ka ndarje të thella etnike, kulturore, fetare etj. Harrojmë se në Maqedoni është e vështirë që një shqiptarë të krijojë familje me një maqedonase. Sot në të gjitha shkollat e ciklit të ulët dhe të mesëm nuk ka nxënës maqedonas që të mësojë në klasat me shumicë shqiptare. Problemi i mësimit me turne etnike në Strugë është vetëm e vërteta e dalë në dukje sepse në çdo qytet mulktietnik shkollat janë të ndarë etnikisht, por ja që nxënësit në Strugë thanë me guxim të vërtetën. Është e vështirë të gjejmë një maqedonas ta mësojë gjuhën shqipe nga dëshira dhe jo na interesi i punësimit. Kështu siç po zhvillohet loja e propagandës parazgjedhore nuk do të dalin më 22 mars as 35% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Por ndoshta vetë strukturat shtetërore do ti mbushin kutitë e votimit për të plotësuar 50% që u kërkohet nga Evropa. Këtë gjë të gjithë e dimë, por heshtim, heshtim sepse jetojmë në Diktaturën Demokratike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora