E enjte, 25.04.2024, 04:20 PM (GMT+1)

Mendime

Çerçiz Loloçi & D. Kokonozi: Pse u harrua përvjetori i prof. Meksit?

E premte, 13.03.2009, 09:34 PM


Aleksandër Meksi
Aleksandër Meksi
Pse u harrua përvjetori i prof. Meksit

Nga Çerçiz Loloçi

Pak ditë më parë, pra më 8 mars 2009, ish kryeministri i parë i Shqipërisë pas përmbysjes së sisitemit diktatorial, pra Aleksandër Meksi mbushi plot 70 vjeç. Siç ngjet rëndom në rase të tilla, në shtete normale dhe me standarte, ky përvjetor nuk mund të kalonte kaq në heshtje dhe thjesht me ceremoni familjare apo me telefonata shokësh dhe miqsh.
Duke pasur staturën e kryeministrit në një nga periudhat më të veçanta ië historisë së popullit shqiptar, (është kryeshtetari më jeëtgjatë në një shoqëri demokratike), mendja të shkonte se një ceremoni të tillë mund t’ia kishte organizuar Partia Demokratike që aktualisht ndodhet në pushtet dhe që për së paku për disa vjet e ka pasur një nga figurat më qëndrore të veprimtarisë së saj. Dhe brenda kësaj iniciative mund të hynin njëherësh edhe konsideratat dhe vlerësimet e parlamentit shqiptar (në të cilin ka pasur një rol dhe post të rëndësishëm), qeveria e zotit Berisha, spektri politik i majtë apo i djathtë qoftë, institucionë të tjera, të varura apo të pavarura, etj.
Por jo pa mëkat në mosshënimin e këtij përvjetori nuk është edhe presidenca e Shqipërisë. Ndërsa ka një rendje të pandalshme të disa presidentëve shqiptarë për të dekoruar së toku, ndër të tjera, edhe xhelatë e martirë, presidenti Topi mund ta ndërrmerrte vetë këtë iniciativë për ta nderuar këtë personalitet, por edhe për të qenë vetë ai si dhe institucioni i Presidencës si organizator i këtij përvjetori.  
Natyrisht që pjesa e kryeshtetarit zë një peshë të rëndësishme në veprimtarinë e Aleksandër Meksit, por nuk është e vetmja. Pas përfundimit të studimeve të larta, ai ka punuar dy vjet në hidrocentralin e Shkopetit, 25 vjet në Institutim e Monumenteve të Kulturës dhe tri vjet në institutin e Arkeologjisë. Megjithëse i diplomuar në ndërtim, ai do të profilohej si një studiues dhe specialist i spikatur falë specializimeve të ndyshme, fillimisht në universitetin e Romës, Itali (1962) për monumentet dhe në universitetin e Marburgut, Gjermani (1989-1990) për arkitekturën kishtare. Gjithaq ka ndjekur të gjitha shkallët e kualifikimit: kandidat i shkencave në vitin 1982, doctor i shkencave në vitin 1988, ndërsa në vitin 1995 merr titullin Profesor në fushën e Historisë së Arkitekturës. Nëse do të bënim një renditje të librave dhe punimve shkencore, do të na dilte një listë e gjatë, por mjafton të kujtojmë disa prej tyre: Arkitektura e xhamive të Shqipërisë në shek. XV-XIX); vende të bregdetit shqiptar në portolanet mesjetare të shek. XIII-XVI; restaurimi i monumenteve të Arkitekturës; arkitektura e kishave të Shqipërisë ne shek. VII-XV; probleme dhe aspekte të arkitekturës së xhamive në Shqipëri; Shqipëria mes Lindjes dhe Perëndimit- Arkitektura e kultit një shembull,në 2000 vjet Art dhe Kulturë Kishtare; rrethanat historike dhe arkitektura mesjetare. (Mbajtur në seminarin e XVIII Ndërkombëtar për gjuhën letërsinë dhe kulturën shqiptare; peshkopata e Arbërit (Episcopatus Arbanensis); l’architecture des eglises a planimetrie en forme de croix a coupole en Albanie, Selanik 1990; të dhëna për historinë e hershme mesjetare në Shqipëri, (fundi i shek. VI- fillimi i shek. XI); Berati-historia dhe arkitektura; kisha e Shën Mërisë e Brarit; arkitektura paleokristiane në Shqipëri; periodizimi dhe tipologjia e ndërtimeve të kultit të shek .VII-XV në  Shqipëri; Arkitektura paleokristiane në Shqipëri; kishat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut; monumentet mesjetare të kultit dhe rrënjët  e tyre në antikitetin e vonë; bazilika e madhe dhe baptisteri i Butrintit; P.A.Vokotopoulos, I Eklisisastiki arkitektoniki eis tin dhitikis sterean            Elladha kai tin Ipeiron, Thessaloniki 1975; H. und H. Buschahusen, Die Marienkirsche in Apolonia in Albanien, Ëien  1976; Arkitektura pasbizantine në Shqipëri; arkitektura pasbizantine në Shqipëri (Bazilikat); arkitektura pasbizantine në Shqipëri (Kishat me strukturë në formë kryqi me kupolë);  Arkitektura pasbizantine në Shqipëri (Kishat njënefshe); ndërtimet e kultit mysliman në Shqipëri; historia e Arkitekturës Shqiptare (Maket); restaurimi i xhamisë së Beqarëve në Berat; punimet konservuese dhe arkitektura e xhamisë së Allajbegisë në Burim të Dibrës; rreth arkitekturës së xhamive të shekujve XV-XVI në Shqipëri; arkitektura dhe restaurimi i xhamisë së Haxhi Ethem Beut në Tiranë, etj.
Përmendja e një pjese fare të vogël të punimeve të prof. Aleksandër Meksit do të vinte natyrshëm, para një detyrimi moral qoftë Akademinë e Shkencave, qoftë Institutin  e Monumenteve të Kulturës dhe qoftë Institutin e Arkeologjisë.
----------

D. Kokonozi/ Koment

Z. Loloci,
 
Ke plotësisht të drejtë në gjithçka që thua. Duke nderuar dr. Meksin, institucionet shtetërore e partiake të Shqipërisë nderonin veten. Ato e humbën këtë shans. Një figurë si ai i bën nder çdo vendi që do ta kishte.
 
Meqë komenti yt ishte pakashumë i plotë për veprën e tij publike, unë, duke prfituar nga pushimi i kafesë, këtu në punë, po sjell nja dy kujtime të shpejta, krejt personale.
 
E kam njohur Meksin shumë herët dhe mund të them se ai ka pasur një rol të rëndësishëm në formimin tim. E di që ai i kthehet ndonjëherë e lexon edhe temat që i interesojnë të  albshkencës dhe nuk dua të futëm në detaje që nuk do t’i pëlqenin. Por nuk mund harroj se cilësorin kriminel për E. Hoxhen e kam dëgjuar për herë të parë prej tij, diku nga fillimi i viteve ‘70, atëherë kur shumë nga antikomunistët e sotëm vdisnin shtatë herë për marksizmin dhe ngjalleshin tëtë herë!
 
Kjo ndodhte kur linim sallën e Biblotekës Kombëtare dhe ngriheshim për ndonjë kafe në katet e siperme. Isha mjaft i ri dhe më bëhej qefji që ai kishte aq besim te unë, por këtu luante rol edhe fakti se ai njihte tim atë, që ishte shef i njohur kantjeri ndërtimesh.
 
Kam mbresën se Meksin do ta kem njohur diçka më perpara, te tunelet e një uzine nën  Malin e Dajtit, ku ai drejtonte punimet, ndërsa unë punoja në një ato makinat e precizionit që kishin instaluar nën tokë, si haraç, që të më jepnin të drejtën të vazhdoja shkollën.
 
Në atë kohë me kujtohet se ai nuk kishte fare shtëpi të tijen. Kur më ftonte chez lui në fakt me ftonte te një dhomë e vogël hoteli me dysheme dërrasash të vjetra, që ishte në rrugën e Barrikadave, aty ku sot janë ndërtuar nëntë kateshet.
Më tej një zot e di se sa tema delikate kemi trajtuar gjithë pasion e nganjëherë me zë të lartë, duke ecur natën rrugëve të Tiranës.
 
Unë isha dhe jam pak instiktiv, ndërsa ai ishte tepër i qartë dhe racional në atë që thoshte. Fliste për domosdoshmërinë e rezistencës pasive që duhej organizuar përballë diktaturës. Me kujtohet saktësisht për format që propozonte e që mund të viheshin në jetë, pa rrezikuar askend. Njera prej tyre ishte bojkotimi i kinemave e stadiumeve. Boshatisja e tyre do t’i tregonte diktatorit se Shqipëria e vërtetë nuk ishte ajo, që nxirrnin me zor, që në mesnatë për të parakaluar para tij.
 
Me tej ai ishte bashkepuntori im i privilegjuar. E ftoja vazhdimisht ne studiot e Radios dhe duket te kemi bere me qindra biseda per arkitekturen bizantine dhe ne pergjithesi per monumentet e kultures. E ne fund te tyre kalonim ne temen tone te parapelqyer. Nje here u tmerrova kur shkova ne zyre, sepse duke ridegjuar biseden shkencore, para transmetimit, verejta se nuk fund te saj, nuk e kisha mbylluar mikrofonin dhe nje diskutim qe me shtiu dridhmat ishte i pranishem ne shiritin magnetik. E shova menjehere e ngrita syte nga qielli ne shenje falenderimi.
 
Kohët e fundit ai më kujtoi diçka që e kisha harruar. Dikur kishim vënë një bast që do ta fitonte ai që do të merrte vesh i pari vdekjen e E. Hoxhes. Bastin e fiova unë. E mora vesh i pari lajmin dhe nxitova të takoj atë me të cilët kisha vënë bast, se ishin shumë. Meksi ishte i dyti. Ndodhej lart te kafeja e Pallatit të Kulturës bashkë me dy persona tepër të njohur të jetës së sotme politike. Sapo më pa u ngrit dhe erdhi të më takojë, duke më thënë se e kishte ndjerë diçka nga “surrati” im dhe nuk deshte të flisja në sytë e atyre. Kishte një mosperputhje të dukeshme midis natyrës së lajmit dhe zgërdheshjes sime...
 
Erdhën ditët e paharrueshme të dhjetorit dhe megjithëse deri natën vonë ai priste dhe udhëzonte me qindra e qindra militantë të PD që vinin nga rrethet, sapo më shihte të ai trotuari i vilës te rruga e Fortuzit, linte punën e niseshim në këmbë drejt Laprake. Pak kohë më parë atij aty i kishin dhënë një apartament prej një  dhome e kuzhine, te ca parafabrikatesh, që ishin për të vënë kujen.
Përseri, gjatë atyre bisedave që zgjasnin deri vonë pas mesnate, duke përcjellë njëritjetrin,  dëgjova një serë gjërash, që më pas do të realizoheshin të gjitha, për të mirën a për te keqen e atij vendi.
 
Erdhën ditët kur ai u zgjodh kryeministri i parë i pasdiktaturës dhe rasti e deshi që unë të kem zyrën time mu përballë dritares së tij, në Bulevardin e Madh. Vazhdonim ende të shiheshim e përshëndeteshim së largu.
 
Puna ma deshte që herëherë të shkoja edhe në zyrën e tij, veçanërisht kur ishte fjala për të diskutuar ndonje ligj, para se ta dërgonim në parlament.
Natyrisht bisedat tona bëheshin pa praninë edhe të  Shpetimit, sekretarit të tij të afërt dhe pas anës zyrtare u ktheheshim temave tona, si qëmoti.
 
Me atë rast unë kisha privilegjin që vetë kryeministri të më përgatiste ndonjë kafe, që në fakt e bënte shumë të keqe, edhepse në fund të zyrës se tij, në krah të djathtë, ndodhej një kthinë, ku qe instaluar një aparat kafeje ekspres.
 
Duke pirë një kafe të tillë, unë kuptova plasaritjet e para në kreun e PD. Meksi nuk e kishte gjithnjë atë gjallërinë dhe pasionin e bisedave tona të para dhe shpeshherë, për tema të veçanta,  fliste me zë të ulët. Kam mbresën se ai dyshonte se në zyrë kishte pprgjues, por asnjeherë nuk e pyeta për një gjë të tillë.
 
Më duket se bëj mirë të ndaloj këtu, se nuk është rasti për të trajtuar keto gjëra sot. Por, i dashur Çerçiz, te siguroj se tani, bisedat tona e kanë rimarrë atë gjallërinë e viteve të para, veçanërisht kur shihemi herëpasherë, për të ngrënë  drekë në ndonjë nga ato restorantet e lagjes Saint Michel në Paris, ku patëm takimin e fundit dhe qëndruam gjatë. 
 
Admirova mbi të gjitha projektet e librave dhe punë shkencore, me të cilat vazhdonte të  merrej me pasion e këmbengulje.
 
Nuk me mbetet veçse t’i uroj krah të lehtë e mendje të kthjellët, si gjithnjë!
 
P. S.: Kërkoj ndjesë për natyrën krejt personale të këtyre shënimeve, por këtë e bëra qoftë për të treguar se ana e tij e brendeshme është në pajtushmeri me profilin e tij shkencor e politik, por edhe sepse mendoj se si komb nuk kemi aq shumë vlera të tilla sa t’i lejojmë vetes luksin t’i kalojmë në heshtje. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora