E enjte, 25.04.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Lule Merkulaj: Më pëlqen muzika që e prekë shpirtin

E enjte, 11.05.2006, 06:40 PM


Lulka Merkulaj
Lulka Merkulaj është lindur dhe rritur në Koplik të Malësisë së Madhe, Shqipëri, por prejardhjen, apo origjinën familjare, e ka nga trojet shqiptare të Malit të Zi (babai nga Gucia, nëna nga Dinosha).
Ka mbaruar shkollën e mesme artistike "Prenk Jakova" në Shkodër dhe më pas shkollën e lartë për mësuese të ciklit të ulët.
Aktualisht është mësuese në shkollën "Dëshmorët e Prishtinës" në Shkodër.

Koha javore: Si u bëtë këngëtare?
L.Merkulaj: Talenti im është i trashëguar. Si nga fisi i babait, ashtu edhe nga nëna, ka pasur këngëtarë e instrumentistë (babai ka qenë fizarmonicist). Kështu, babai, duke parë talentin tim si këngëtare, më ka ndihmuar shumë për tzu afirmuar si e tillë. Gjithashtu, një ndihmesë të madhe më kanë dhënë edhe mësuesit e muzikës, në kohën kur isha në shkollë.

Koha javore: Jeni fituese e ndonjë çmimi?
L.Merkulaj: Që e vogël kam marrë pjesë në shumë festivale për fëmijë, si në ato lokale, ashtu edhe në festivalet kombëtare, ku jam nderuar shpeshherë me çmime të ndryshme. Gjithashtu edhe në festivale të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, si në festivalin ballkanik për muzikë etno, jam nderuar me çmimin e parë me një krijim të Dejan Bozhoviq, në Virpazar me një krijim të Ziko Beqaj etj.

Koha javore: Këngët tuaja janë, kryesisht, popullore. I doni këngët folklorike dhe ato të huajat?
L.Merkulaj: Më pëlqen çdo lloj muzike që është e bukur dhe të prekë në shpirt.

Koha javore: Shumë këngëtarë janë larguar nga Shqipëria, duke menduar se në vendet e tjera do të kalojnë më mirë. Ju, a keni menduar ndonjëherë ta lëshoni Shkodrën, Shqipërinë?
L.Merkulaj: Kurrë! Një fjalë e urtë popullore thotë "Më mirë i pari
i katundit, se i fundit në qytet". E mua më pëlqen kur të gjithë më duan, më ndalojnë e më flasin me shumë simpati e respekt. Ndjehem shumë mirë mes miqsh e shokësh.
Koha javore: Çka mendoni për këngën shqipe sot?
L.Merkulaj: Në kohën e transicionit edhe kënga shqiptare u la në harresë, por tani, me punën e madhe të mas-mediave, sikur ka filluar të zërë vendin që i takon në tokën e vet. Më pëlqejnë shumë përpunimet e këngëve të vjetra qytetare apo të atyre folklorike, që po këndohen e po pëlqehen nga i gjithë brezi i ri.

Koha javore: Po lidhur me familjen tuaj, çzmund të na tregoni?
L.Merkulaj: Nuk jam e martuar. Jetoj me prindërit që më duan shumë, më kuptojnë e më ndihmojnë për çdo gjë. Një ndihmesë të madhe në fushën e muzikës më japin edhe dy vëllezërit e mi, Halimi dhe Zaimi. Sidomos me Zaimim bashkëpunoj shumë, pasi që edhe ai është një instrumentist dhe këngëtar shumë i mirë.

Koha javore: Po për kur e keni lënë që të martoheni?
L.Merkulaj: Kur ta ketë bërë ymër Perëndia.

Koha javore: Jeni në marrëdhënie me dikë?
L.Merkulaj: Mos gërmo në jetën time intime, pasi që vetë fjala intimitet do të thotë të mbash diçka të fshehtë për vete.

Koha javore: Keni bashkëpunim të mirë me grupin "Marimanga" nga Tuzi. Pse pikërisht e zgjodhët këtë grup për bashkëpunim, duke pasur parasysh se vendi ku ju jetoni ka mjaft grupe?
L.Merkulaj: Grupin "Marimanga" e kam dëgjuar për herë të parë në "Mozaiku 60", që e transmeton çdo të shtune TV Mali i Zi. Më pëlqeu shumë muzika e tyre, teknika e instrumenteve dhe qe një fat dhe rastësi që u njoha dhe fillova bashkëpunimin me ta. Nuk e them vetëm unë, por të gjithë që e dëgjojnë këtë grup, flasin fjalët më të mira përsa i përket anës profesionale. Besoj se jemi në listën e më të mirëve, ndër ata që kanë formuar origjinalitetin e vet.

Koha javore: A do të thotë kjo se ja "keni vënë syrin" dikujt në Malësi?
L.Merkulaj: Jo.

Koha javore: A keni dhënë ndonjë koncert jashtë Shqipërisë, (e kapërcejmë edhe Malësinë) dhe si jeni pritur?
L.Merkulaj: Po. Kamë qenë në Suedi dhe në Danimarkë, ku na kanë pritur mjaft mirë.

Koha javore: Cila është kënga që ju ka popullarizuar më së shumti?
L.Merkulaj: Është kënga "Esmere", të cilën e kam kënduar për herë të parë në një filmim për Vitin e Ri, në Ulqin, me grupin "Marimanga"

Koha javore: Sa këngë dhe sa albume keni të regjistruara deri më tani?
L.Merkulaj: Pa u njohur me grupin "Marimanga" kam kënduar këngë të njohura popullore, por asnjëherë këngë të reja. Gjatë këtyre 10 vjetëve bashkëpunimi, repertoari im është shumë i madh, sa nuk kanë të numëruar këngët që kemi punuar së bashku me Zikon. Deri tani kemi punuar pesë albume, që kanë qenë shumë të suksesshme. Në dorë kemi një album të ri. Shpresojmë se ky album do të jetë edhe një sukses tjetër i grupit "Marimanga"

Koha javore: Çfarë është bashkëpunimi juaj me këngëtarët shqiptarë?
L.Merkulaj: Pothuaj në çdo album kam bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Malësia si p. sh. me Zaim Hasramën, Zaim Merkulajn, Mustafa Dreshajn, Lindon Camajn etj.

Koha javore: Çfarë planesh keni për të ardhmen?
L.Merkulaj: Planet e grupit "Marimanga" janë të mëdha dhe shpresojmë që të gjitha të bëhen realitet. Kemi dëshirë të bëjmë një turne (koncertesh) në të gjithë diasporën, por për mua është pak e vështirë puna e marrjes së vizave. Gjithashtu kemi dëshirë të ndërmarrim një turne koncertesh recitale nepër gjithë Shqipërinë. Në muajin qershor do të hedhim në tregun muzikor një album të ri (CD, audiokasetë, videokasetë)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora