E enjte, 18.04.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Krishtërimi në Shqipëri përmes objekteve të kultit

E premte, 13.03.2009, 08:17 PM


Nga Fatmira Nikolli

Krishtërimi në Shqipëri ka ndjekur një rrugë të gjatë dhe të vështirë nga fillimet e tij deri në ditët e sotme. Gjatë gjithë kësaj periudhe 2000- vjeçare, ai ka pasur edhe veçoritë e tij në territorin shqiptar. Tek ne ai ka filluar që në periudhën e hershme, që në atë apostolike(në shekullin e parë pas Krishtit). Megjithëse të dhënat janë të pakta, ato nuk mungojnë. Nga burime indirekte dihet se ndër ata që kanë predikuar në këto territore ka qenë edhe Pali( ndryshe Pavli), ndërsa Shën Andrea ka jetuar në Greqi dhe ka vdekur në Patra. Në burime thuhet se ai ka predikuar në Greqinë e Veriut, por nuk përjashtohet as vendi ynë. Apostull Pavli, gjatë udhëtimeve të tij misionare ka predikuar krishterimin në Iliri. Konkretisht, gjatë udhëtimit të tretë misionar, që e filloi në pranverën e vitit 53 dhe e përfundoi në verën e vitit 56, Apostull Pavli qëndroi dy vjet e gjysmë në Efes, prej ku u detyrua të largohej pas një kryengritjeje të paganëve kundër tij, të udhëhequr nga argjendari Dhimitër. Rrëmuja e krijuar në Efes e detyroi Apostull Pavlin të shkonte në Maqedoni dhe prej andej në Iliri. Ky fakt përmendet tek letra drejtuar (Romanëve 15;19). "Nga Jerusalemi deri në Iliri kam kryer shërbimin e Krishtit".

Shenjtorët

Shën Andrea është i vetmi për të cilin ka dokumente, i vetmi që përmendet në shekullin e V-të në Bylis, në një nga kishat e këtij vendi. Një nga kishat e Bylisit ka pasur si shenjtor Shën Andrean, sipas një mbishkrimi që është gjetur në katedrale e këtij vendi antik. "Ka mundësi që katedralja ose ndonjë kishë tjetër të ketë pasur emrin e Shën Andreas. Indirekt ne jemi i vetmi popull në botë që një muaj të vitit e quajmë me emrin e Shën Andreas që është muaji Shëndre, dhjetori", -thotë profesor Skënder Muçaj. Figura e tij gjendet edhe në mozaikun e Katedreles, e së bashku me të edhe Shën Pali. Të dhënat e mëvonshme janë të pakta, por në numrin e martirëve të Krishtërimit të periudhave të hershme, në territorin tonë njihen dy, që janë Shën Asti i Dyrrahut dhe Terini i Butrintit.( Shën Asti u martirizua prej qeveritarit të atëhershëm të Durrësit Agrikola dhe më pas mbi varrin e tij u ngrit një kishë e madhe katedrale dhe Shën Asti u shpall mbrojtës i qytetit të Durrësit.)
Deri në shekullin e IV, ka gojëdhëna se ka një dyzim të figurave. 40 Shenjtorët e Sebastes të Armenisë, po të njëjtën gjë kemi edhe ne. Legjenda e Shën Vlashit është edhe në Azi, por edhe në Durrës, Laç e Kurbin, dhe përputhen që të gjithë komponentët. Kjo të bën të mendosh se mbase këto janë transmetuar nga lëvizjet e ushtarëve, por mbase ka pasur dhe emigrime të popullsisë. "Nga të dhënat që vijnë nga territoret e Detit të Zi, Provinca e Albanisë në Kaukaz, Armeni etj, ka shumë toponimi që lidhen me krishtërimin. Në kohën kur krishtërimi u njoh nga Konstandinim, atëherë filloi edhe ndërtimi i kishave. Peshkopi i Amanties është i pari që merr pjesë në sinode (koncile) që organizoheshin në atë kohë, më pas numri i peshkopëve nga Iliria që merr në këto sinode rritet. Përveç burimeve të shkruara, nga gërmimet e bëra deri, tani janë zbuluar një numër i madh kishash, ndërsa shumë të tjera janë identifikuar, por nuk janë gërmuar", - thotë Muçaj. Nga fundi i shek.IV, shek V dhe VI-të, territori shqiptar radhitet në një prej vendeve që ka shumë ndërtime të krishtera të përmasave mesatare e të mëdha. Vetëm në Bylis, janë identifikuar 11 prej tyre por, ka më shumë. Në Mallakastër ka më shumë se 30 kisha, sepse aty edhe vendbanimet e vogla kanë pasur kishën e tyre. Kjo tregon që gjithë ky territor, në gjysmën e dytë të shekullit të V-të dhe në fillim të shekullit të VI-të, numri i tyre shtohet jo vetëm në qytete, por edhe në fshat. Sipas Skënder Muçajt, në këto shekuj, vendi ynë zë një rol tepër të veçantë, si një vend me kulturë të trashëguar nga periudha helenistike dhe romake, dhe kjo në antikitetin e vonë lulëzoi më shumë.

Gërmimet

Shumë autorë të huaj kanë thënë se territori i Shqipërisë së sotme, me gjithë numrin e madh të objekteve të krishtera, nuk hyn në grupin që ka monumente tepër të rëndësishme. Kjo vjen edhe si rezultat i mungesës së gërmimeve. "Ato gërmime që janë bërë kanë treguar edhe monumente unikale, siç është ai i "40 Shenjtorëve" në Sarandë dhe deri tani", sipas profesor Muçaj, "ky përbën arritje në të gjithë Mesdheun, jo vetëm nga ana arkitektonike, por edhe nga ana e zhvillimit të liturgjisë kishtare. Ai është një monument kompleks dhe i vështirë për t'u studiuar". Është e vështirë të shpjegohen pjesët e shumta dhe rolin që kanë pasur në liturgji. Kisha e Mesopotamit, e Labovës së Kryqit në Gjirokastër si edhe ajo e Peshkëpisë, tregojnë se territori ku ne banojmë ka pasur shuma ndërtime të besimit kristian. Një tjetër element i rëndësishëm, sipas arkeologut Muçaj, është se vendi ynë iu ka dhënë vendeve fqinje shumë, jo vetëm në arkitekturën e kishave, por edhe në pikturë, mozaikë, në pikturë murale dhe në skulpturë. Mjeshtrit e Bylisit kanë punuar edhe në vende të tjera siç është Maqedonia, sepse sipas të dhënave ata ishin zanatçinj me qendër në Bylis që kanë lëvizur nëpër Ballkan. Po ashtu, është një fenomen i njohur në Peloponez gjatë Mesjetës në krahinën e Manit, ku dihet që ka qenë një popullsi arvanitase shumë nga kishat aty kanë ngjashmëri me kishat e vendit tonë dhe janë nga më të mirat e Greqisë për Mesjetën. "Arvanitasit që shkuan atje në shek.14 me traditën e tyre në ndërtimet kishtare, por edhe ata që ikën nga Moreja ose Peloponezi në Itali, e zhvilluan traditën e tyre edhe në Italinë e Jugut. Gërmimet tona të bëra pas viteve 1980 kanë mundur të pasqyrojnë shumë të dhëna për krishtërimin e hershëm. Në përgjithësi monumentet e kultit janë gërmuar pak, dhe në këto kushte mund të marrësh pak të dhëna. Përveç kësaj, varet se në çfarë gjendje zbulohet ndërtimi. Në Bylis ato janë gjetur në gjendjen e shkatërrimit të shekullit të VI-të. Nga kjo janë marrë disa të dhëna mbi liturgjinë.

Periudhat
 
Periudha e parë e lulëzimit të ndërtimeve kishtare është ajo e shekullit të IV-të, gjë që e tregojnë zbulimet dhe vrojtimet. Ndër kishat më të vjetra sipas të dhënave indirekte, është katedralja e Bylisit, por pas ndërtimeve të shekullit IV, mbi to është ndërtuar edhe në shek. V dhe VI. Ndaj, është e vështirë të kalohet në fazën e parë, sepse duhen shkatërruar mozaikët. Ajo që mund të thuhet është se aty ka një faza ndërtimi të shekullit të IV. Në shek.V ka shumë kisha që i përkasin viteve pas 470, ndërsa në shekullin e VI bëhen masive. Kemi pjesë skulpture të shekullit të IV-t që na vijnë të ripërdorura si në Apolloni, Bylis, Elbasan, etj, por nuk kemi gërmuar ndonjë kishë të kësaj kohe. Ne kemi evidentuar disa në rrugën Egnatia. Në fund të shek.VI si pasojë e dyndjeve krishtërimi pësoi goditje në ndërtimet e veta. Nga shek.Vi deri në shek.IX (Mesjeta e errët)nuk ka të dhëna për ndërtime kishtare, por në këtë kohë filloi periudha e dytë e lulëzimit. Nga kjo kohë ne kemi Kishën e Glavinicës në Ballsh zë në një të rëndësishëm në historinë e krishtërimit shqiptar shekullin e IX ajo rindërtohet dhe vazhdon deri në shek.XVI. Shekujt XIII dhe XIV kanë kisha të bukura siç është e Apollonisë, Kurianit etj që e pasurojnë krishtërimin. Në jug arkitektura ishe më e bukur, ndërsa në veri janë më të thjeshta. Rrënoja të kishave të shekujve të ndryshëm gjenden në shumë fshatra.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora