E enjte, 25.04.2024, 11:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Dhurata Hamzai: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, leximi frëng në gjuhën e vallëzimit

E enjte, 12.03.2009, 07:54 PM


“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, leximi frëng në gjuhën e vallëzimit
 
Nga Dhurata Hamzai

Shënoi suksesin e parë të saj premiera e baletit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e ngjitur mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me një vizion të ri dhe trajtim skenik të skenografit francez Valerio Ferrari dhe mjeshtrit të koreografisë shqiptare Agron Aliaj. Ishte një premierë baleti sa moderne aq edhe klasike e konceptuar sipas romanit të famshëm të letërsisë shqiptare “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, e cila pati protagonistë emrat më të njohur të artit shqiptar në bashkëpunim me emrat e krijuesve francezë. Mjeshtri i koreografisë, Agron Aliaj, në një bashkupunim edhe më të ngushtë me koreografen franceze Laura Frigato, kërkuan për ngjitjen në skenë të “Gjeneralit...”, një bashkim të klasikes me modernen. “Në fillim e kisha të vështirë, por së bashku me maestro Aliajn që kishte një koncept klasik për këtë balet arritëm të gjejmë diçka të përbashkët. I vështirë ishte krijimi i gjuhës dhe lëvizjes së balerinëve”, tha koreografja Frigato, por mbrëmë u dëshmua se “Gjeneralit...” i Kadaresë mund të lexohej edhe me gjuhën e lëvizjeve dhe të trupit, pra të vallëzimit. E lexuar si një rrëfenjë gri, ku ngjarja pothuajse udhëton në imazhet psikologjike dhe botëperceptimin e personazheve, vepra me gjuhën vallëzimore të balerinëve shqiptarë ndizte atmosferën duke e çuar pashmangëshmërisht në një interpretim virtuoz dhe energjik në skenë veprën e famshme të Ismail Kadaresë.

Enada-Nicë, një nga personazhet figurativë më të bukur që janë interpretuar në skenën shqiptare

Në rolin e Gjeneralit ka interpretuar Gert Vaso, ndërsa Nica është interpretuar nga Enada Hoxha. Balerini Gert Vaso nëpërmjet kostumit të Gjeneralit me lojën e lëvizjeve të tij në vallëzim të shkathët e emocional, si dhe mbështetës i mirë i partneres, krijon imazhin e një gjenerali mjaft njerëzor. Shfaqja ka zgjatur 1 orë e 10 minuta dhe gjatë saj prezenca e Nicës ishte po aq një sjellje elegante në skenë, pa butafori e patetizëm skenik. Portretin e saj e plotësonin lëvizje të tjera, jetë të tjera që vinin përmes shiut imazhor të trishtimit dhe të vdekjes. Me vallëzimin e Enadës, mund të thuhet se Nica tashmë ka ardhur si një nga personazhet figurativë më të bukur që janë interpretuar në skenën shqiptare. Kërcimin e balerinëve do ta bënte më tërheqës edhe një koncept i tërë i skenografit Valerio Ferrari. Ishte një bashkim i shkëlqyer i të gjithë elementeve skenikë.

Leximi i Kadaresë nga skenografi Valerio Ferrari

Për këtë interpretim skenografi francez, Valerio Ferrari, tha se: Në romanin e bukur të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” mbi të gjitha më ka tërhequr prezenca e tokës dhe vazhdimësia e lëvizjeve të saj.

Gërmimet për gjetjen e trupave, shkarjet e dheut nga shiu, rihapin në mënyrë të pashmangshme historinë e një populli, me plagë dhe gëzime. Më tej ai ka menduar se protagonisti i vërtetë i romanit të Kadaresë është toka shqiptare në një kuptim më të gjerë raporti mes veprimeve të njeriut dhe tokës ku përfundon gjithçka. Dhe ai e di që në nëntokë gjenden rrënjët e historisë sonë. Sipas tij është befasuese të mendosh sesi thellësia fizike e tokës i korrespondon distancës kohore të së kaluarës. Ai e di se Gjenerali italian vjen në Shqipëri për të marrë trupat e të vdekurve të Luftës së Dytë Botërore dhe përmes gërmimit të tokës, zhvarros historitë e tmerrshme të luftës. Këtë histori publiku e lexoi sërish përmes kërcimit, emocionalitetit që i kishte ofruar koreografi Aliaj.

Në këtë spektakël Valerio Ferrari ka kërkuar të paraqes më tepër ngjyrat, atmosferën, ndjenjat që thithen nga romani i Kadaresë. Ai e ka bërë këtë si skenograf më tepër se sa të përshkruaj botën reale të dramës të librit, me të cilën kanë punuar koreografi Agron Alija dhe konsulentja e tij Laura Frigato. Vetë skenografi Ferrari ka pohuar për gazetën “TemA” se: Në këtë realizim nuk kam kërkuar domethënie të veçanta ose koinçidenca, por veten ia besova ndjesive, kompozimit ritmik të lëvizjeve të balerinëve të Agron Alias dhe Laura Frigato-s, kostumeve abstrakte të pikturuara një nga një nga Anne Brault, koherencës së të tërës që i referohet më tepër romanit sesa përshtatjes dramaturgjike të spektaklit të 30 viteve më parë.

Gjuha e baletit për të lexuar “Gjeneralin...”

Kështu përmes kërcimit e lëvizjeve të përpikta të balerinëve, të cilat ndollën aq shpejt duartrokitje mbrëm në premierën e baletit ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, vepra shkëlqeu sërish, por këtë herë në skenë. U panë veprime të balerinëve të një tjetër stili, domethënë ishte një gjasë e njohjes dhe ndjeshmërisë së kësaj vepre me famë botërore. Të realizuar në muzikë, në vallëzim, në imagjinatë skenike, në kostumografi, ndriçim e të gjitha këto, publiku arriti të rilexonte një vepër madhështore nëpërmjet figurave e kërcimit. Baleti nis me hyrjen në grup të shpirtrave (një grup vallëtarësh, me një kostum si të zbehtë, me erë vdekjeje). Ata hyjnë në tokën e lagur ku vazhdon të bier shi parreshtur. Në skenën e dytë shfaqen gërmime dhe punime në tokë dhe në sfond Gjenerali dhe Prifti. Në tablonë e tretë ushtarët në vallëzim evokojnë dhimbjen e luftës, ku vejusha të reja dhe dasma të bëra rishtash krijonë kontraste në skenë. Koreografët kanë vënë në lëvizje një strukturë të tërë imagjinare, peshën e të cilës e mbart skenografi dhe këtë herë valltarët përdoren vërtetë si gjuha me të cilën publiku lexon pak a shumë veprën origjinale të Kadaresë, këtë herë të rizbuluar nga dritat e skenës. Nëpërmjet të njëjtës gjuhë skenike lexohet tabloja e katërt kur nga lëvizjet e tokës ridalin kujtimet, të përfaqësuar me cilindra trasparentë plastikë të cilët mbajnë brenda personazhet e Kadaresë. Ata janë dezertori i lyer me miell, prostitutat italiane, ushtari i panjohur dhe fëmija me arushin, etj.

Pjesa kulmore afron në tablon e pestë, sapo zhduket hija dhe zbehtësia e vdekjes së vazhdueshme në imagjinatën e Gjeneralit dhe në skenë. Kjo dasmë shfaqet si një buqetë e bukur lulesh, por kjo buqetë nis të zbehet dalëngadalë nga ndeshja e Nicës me Gjeneralin, të cilët më moskuptimin e tragjedise së secilit duket sikur krijojnë rishtas një gjuhë komunikimi, pra transemtojmë dhimbjet përkatëse në skenë për publikun. Aty del në skenë e bija e Nicës dhe skeleti i kolonelit Zampa. Por kjo dasmë e ngrirë tashmë nga përballja, vijon të lërë një mesazh të çelur. Në fund në skenë kthehet autori, i luajtur nga Agron Aliaj, me fëmijët, të pranishëm në një moment në vallëzimin e dasmës, por jo me synimin për të dhënë një fund të lumtur. Por për të vërteuar edhe njëherë shprehjen e Hegelit se janë të shtrënguar të pranojnë se gjithçka vazhdon njësoj në jë përsëritje të përjetshme. Ata në vendin e kujtimeve të trishta luajnë me njërin tjetrin : bam- bam- bam, duke imituar gjuajtjen të ndarë në skuadra si në luftë me njëri tjetrin. Skenografi francez Valerio Ferrari pohon se është përfshirë figura e autorit si ndërlidhje mes të kaluarës dhe të tashmes, si mjet mes publikut dhe skenës, si lidhje mes romanit, muzikës dhe koreografisë. Ky çelës interpretimi, në fund të fundit nënvizon modernizmin e kompozimit të Nikolla Zoraqit, kompozim i purifikuar dhe redaktuar për baletin nga Zhani Ciko.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora