E merkure, 20.11.2019, 10:22 AM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Ludmilla Baballeku

E diele, 02.07.2006, 04:53 PM


Nuk ka më festivale këngësh, por festivale kompjuteri

Ludmilla Baballeku
Ajo ka mbetur e freskët si njëzet vjet më parë. Jo vetëm në fizik, por mbi të gjitha në muzikalitetin e këngës. Ajo që e ka filluar këngën me atë populloren beratase, për të cilën kur flet të bën edhe ty të ndjesh nga afër ëmbëlsinë e asaj kënge, ka provuar të këndojë edhe në skenat e festivaleve të RTSH me shumë sukses. Ka një kujtesë aq të saktë, sa të habit fakti që mban mend edhe autorët e teksteve dhe kompozitorët e këngëve. Nga këta nuk di kë të përmendë më parë, sepse gjatë punës me ta ka krijuar një miqësi mbetet në vite. Kujton me shumë respekt trion vlonjate dhe nuk rri dot pa përmendur Meliha Dodën. Tashmë është profesionistja e estradës profesioniste të qytetit bregdetar të Vlorës, këngën e të cilit e këndon me po aq pasion sa atë të vendlindjes së saj, Beratit. Në intervistën për gazetën, ajo tregon se ka kënduar që në kopsht, e kur ishte 10 vjeçe ka qenë pothuajse një këngëtare profesioniste, ngaqë këndonte me estradën profesioniste të qytetit të lindjes. Nuk harron dot kur dëgjonte Fitnete Rexhën dhe të habit kur të tregon aq thjeshtë, se më parë edhe ajo i ka rënë defit kur këndonte. Pastaj kujton skenën e festivaleve, ndërkohë që mbresa të veçanta i ka lënë edhe një aktivitet tjetër, që kishte kuriozitetin e vet në ato vite, anketa e muajit. Dhe këtu ka qënë tre herë fituese. Pastaj ka marrë pjesë në shumë festivale, ku ka lënë dhe ka marrë mbresa të shumta. Kujton plot nostalgji shoqërinë e pastër të atyre kohëve midis kolegeve dhe nuk harron të përmendë të gjithë kompozitorët që i kanë besuar këngën e tyre. Kujton edhe çmimet me të cilat ajo është nderuar, por edhe merakun që nuk mori dot njëherë çmimin e parë, ndonëse në disa festivale ka patur këngën më të bukur dhe më të pëlqyer nga publiku. Është profesioniste prej vitesh por cuditërisht mëson se ... nuk ka publikuar ende asnjë album. Nuk ka mundur të grumbullojë aq lekë sa i duhen për një të tillë, por edhe krenaria nuk e ka lënë të realizojë ëndërrën e saj. As që i shkon ndërmend ti kërkojë dikujt që të sponsorizojë një album të saj, ndonëse sot për sot është mbretëresha e këngës vlonjate dhe në këtë kuadër, duket se do të mbetet pa album sepse në vendin tonë askush nuk të afrohet për album me kënge të mirëfillta qytetare. Por asaj nuk i intereson shumë kjo gjë. “Ka ikur koha e xhelozisë për mua, sepse tani e kam krijuar një emër që nuk ma errëson dot asnjë këngëtare tjetër”. Në treg dalin ato që njerëzit rëndom i quajnë ritfolk, por që janë aq larg këngës origjinale, sa ç`është toka me hënën. Ajo vazhdon të këndojë se sipas saj, këngën e këndon shpirti e pastaj e nxjerr zëri. Megjithatë, duket se sot në Shqipëri këngën e këndon “gjoksi jashtë dhe flokët e fryra”.
-Pothuajse të gjithë këngëtarët kur i pyet, të tregojnë se i ka zbuluar mami dhe kanë kënduar që në kopsht...
-Më duket se më njeh imtësisht në profesion që ma bën këtë pyetje provokuese.
-Ne kemi lindur në të njëjtin rreth, por unë të kam njohur vetëm përmes skenës dhe mund të them se ishit një nga këngëtaret e preferuara, sidomos kur e ngrije zërin në maksimum të volumit...
-Atëherë po të them se paske saktësi në imagjinatë, sepse vërtet kam kënduar që në kopsht. Im atë ishte shumë pranë muzikës dhe artit dhe unë doja s’doja, isha shumë pranë skenës në çdo koncert. Duket ky afrimitet më ngjiti dhe me atë dëshirën e të gjithë fëmijëve të botës për të kënduar, edhe mua më detyronin edukatoret që të bëja të njëjtën gjë. Këndo, këndo dhe u bëra këngëtare.
-Nuk na the ndonjë mbresë nga ato që nuk j’a ke thënë kujt?
-E kam edhe unë një mbresë të pashlyer nga fëmijëria që më del herë pas here në kujtesë dhe më duket se ka ngjarë dje. Ka qenë një koncert i të famshmes Fitnete Rexha. Ajo erdhi në Berat për të dhënë koncert dhe unë e kisha aq pranë në skenë. Më duket se edhe sot e shikoj me defin në duar. Dhe nuk ta tregova kot këtë punën e defit. Edhe unë kur dilja në skenë e këndoja, merrja me vete një def të vogël nga ata që u shkojnë fëmijëve dhe ndërsa herët e para bëja sikur i bija, më vonë e mësova aq mirë sa kur isha 5 apo 6 vjeç, i bija vërtet dhe nuk e ndava në asnjë koncert që dhashë.
-Kur flet kështu, duket sikur ke lindur bashkë me koncertin...
-Duket që je me humor por ashtu është. Që në kopsht kam marrë pjesë në koncerte të ndryshme. Pastaj mos u çudit kur të të them se pothuajse 10 vjeçe jam bërë profesioniste.
-Por mesa di unë profesioniste nuk bëheshe dot pa marrë pasaportën...
-Nuk thashë që u bëra, por pothuajse u bëra. Sepse që 10 vjeçe unë kam kënduar me estradën profesioniste të Beratit.
-Në ato kohëra shumë prej fëmijëve shkonin dhe këndonin në kor nëpër estrada, sepse ishte orientim partie. Edhe me ty kështu ndodhi?
-Epo unë nuk kam kënduar në kor dhe nuk kam kënduar vetëm njëherë sa për provë. Që 10 vjeçe kam marrë pjesë dhe kam kënduar pothuajse në çdo premierë të estradës profesioniste të Beratit, si këngëtare e mirëfilltë. Por jo si pjesëtare borderoje, sepse është e vërtetë që më mungonte mosha.
-Deri tani na keni folur për shumë ngjarje, por nuk keni përmendur asnjë emër. Kush e zbuloi dhe kush e përkrahu talentin e Ludmillës?
-Mos u nxito gazetar. Edhe sikur të mos duash ti, unë nuk do të rri pa përmendur emra sepse edhe sikur të kesh talentin e gjithë botës, nuk bëhesh dot këngëtare po nuk pate një profesor të kujdesshëm dhe që të do. Në këtë kuadër, unë do të përmendja fillimisht mësuesen time Milika Luari në Berat, që edhe kur nuk doja unë të këndoja, mi gjente telat menjëherë. Pastaj do të përmendja mjeshtrin e këngës beratase, Sotiraq Konçi, për vlerat e të cilit do të më duhej të flisja me superlativa. Ai ka qenë mjeshtër kënge dhe mjeshtër veglash. Më pas do përmendja edhe kompozitorin Asqeri Kadena, merita e të cilit ishte ngritja e grupit të këngës popullore beratase, ku më ingranoi edhe mua.
-Po ju keni kënduar vetëm këngë popullore beratase?
-Jo, unë kam kënduar paralelisht edhe këngën popullore beratase, por edhe këngën e muzikës së lehtë, me të cilën jam paraqitur denjësisht edhe në skenat kombëtare.
-Duhet ta mbash mend kur ishte hera e parë në këtë skenë që quhet e madhe?
-Po ka qenë viti 1984. Ishte festivali i 23-të i këngës në RTSH dhe unë mora pjesë me dy këngë. E para ishte “Në festën e brigadës”, me autor Gjok Beci dhe Naim Gjoshi dhe kënga tjetër, “Bir dhe shok” e Kozma Laros. Me këngën e parë unë zura edhe vendin e tretë të këtij festivali. Vazhdova pastaj në pothuajse çdo eveniment të këtij lloji.
-Padyshim që edhe koncertet vazhdonin?
-Po, nga koncertet nuk jam ndarë asnjëherë. Pastaj dua të përmend festivalin e interpretuesve të vitit 1987, ku unë u paraqita me këngën e Agim Krajkës dhe Haxhi Ramës, “ Se kam të lehtë”. Me këtë këngë u vlerësova me çmimin e dytë. Dhe një vit më pas, në festivalin e 27-të, në vitin 1988, me këngën e Aleksandër Pecit dhe Xhevahir Spahiut, “ Në emër të jetës”, zura përsëri vendin e dytë. -Po më përmend gjithmonë vendin e dytë dhe po më kujton kompozitorin Agim Krajka, që gjithmonë nëpër festivale zinte vendin e dytë.
</B>-Ashtu është, veçse mos harro se ne vinim nga rrethet dhe atëherë vetëm pjesëmarrja quhej një eveniment, ngaqë të mbysnin këngëtarët nga Tirana, që megjithatë duhet të them se ishin shokët dhe shoqet tona.
-Në gjithë këto pjesëmarrje, kush kompozitor ka mbetur në mendjen tuaj?
-Unë kam punuar me shumë kompozitorë dhe do të desha ti përmend të gjithë, sepse edhe kur nuk kam fituar ndonjë çmim, kam marrë përgëzimet e tyre për interpretimin e këngës dhe me këtë rast dua të të them se vlerësimet dhe falënderimet ishin më të sinqerta dhe dashamirëse se sa sot. Dhe falënderimet e mia shkojnë për Tish Dainë, Naim Gjoshin, Ruzhdi Karajin, Thoma Simakun, bashpatriotin tim Valentin Veizin, Alfons Ballicin...Por pa më pyetur ju, unë desha të përmend edhe një fakt tjetër nga koha jonë, po them unë, jo duke nënkuptuar se jam shumë e vjetër në moshë. Atëherë kishte një aktivitet të pasur, festivale të ndryshme, konkurse apo veprimtari të tjera. Një nga ato ishte edhe Anketa e muajit, që bëhej çdo të diel dhe për çdo muaj kishte një fitues, midis katër konkurentëve. Unë kam qenë fituese e tre anketave të tilla.
-Dhe më duket mua, apo ju keni vite që nuk jeni më prezente në festivalet e këngës në RTSH?
-Jo vetëm unë, por pothuajse gjithë brezi i këngëtarëve të kohës time janë postuar me kohë nga ky festival. Edhe unë kam që në vitin 1995 që nuk marrë pjesë. Kënga “Vonesa” e Limoz Dizdarit dhe Xhevahir Spahiut, ka qenë edhe kënga e lamtumirës me këtë eveniment. Dhe me këtë rast dua të të them një çudi: kënga është bërë brenda ditës. Brenda ditës teksti, brenda ditës muzika dhe po brenda ditës e mësova edhe unë dhe u përfaqësova denjësisht në festival.
-Ju flisni sikur nuk do të merrni më pjesë në të? -Shiko, gjithmonë kam qenë realiste dhe e kam parë të vërtetën në sy. Me zhvillimet që po merr kënga tek ne, duket hapur se nuk ka vend më për ne. -Nuk shkoni ju apo nuk ju duan më?
-Unë nuk marr përsipër të jem avokate e të gjithë këngëtareve të brezit tim, por një gjë e them me sigurinë më të madhe: kemi kënduar me gjithë shpirt dhe me profesionalizëm. Them me shpirt sepse duhet ta dish që këngën e këndon së pari shpirti, pastaj e nxjerr zëri. Nëse nuk e ndjen në brendësine e shpirtit, sado zë të kesh nuk mund ta këndosh dot. Në këtë kuadër, dua të theksoj se kemi qenë brez të talentuarish dhe kemi punuar për të bërë një emër. Emër që nuk mund të fshihet lehtë nga kujtesa e dashamirësve të këngës. Mirëpo kemi hyrë në atë që quhet sistemi i komercializmit, ku teknika bën mrekullira. Në këtë zhvillim, ka po them unë këngëtarë që e ndjejnë se duhet ti mbeten besnik vetvetes dhe nuk bëhen kukulla në duart e të tjerëve dhe vazhdojnë të këndojnë me nivel të lartë artistik, por kanë lindur më shumë të ashtuquajturit këngetarë, që përmes teknikës bëjnë mrekullira dhe duken si këngëtarë ndërkombëtarë. Por mos harro se ne në kohën tonë siç të thashë këndonim me shpirt, këndonim direkt në skenë dhe nuk e njihnim fare superpozimin dhe kompjuterin. Kënga jonë ishte e shpirtit dhe jo e teknikës. Kështu që në momentet që flasim ne, më së shumti bëhen festivale kompjuteri se sa festivale kënge.
-Mos është kjo një shenjë xhelozie?
-Më duket se kemi një moshë dhe me sa po kuptoj edhe nga biseda, edhe një matës gjykimi. A mund të jesh ti xheloz në këtë moshë dhe me këtë që ke arritur me punë deri tani? Absolutisht që jo. Ashtu edhe unë. Kam një emër që e kam arritur me punë, kam një karrierë profesionale që nuk mund të ma errësojë dot askush, kështu që nuk besoj se ka xhelozi as moshe dhe aq më pak profesionale në këto që thashë. Por e vërteta është e vërtetë dhe unë atë po e them. Mbase nuk bëj mirë që e them kaq hapur, sepse ngandonjëherë e vërteta nuk kuptohet, por për mua nuk ka rëndësi nëse kuptohet apo jo, për mua ka rëndësi që të jem e vërtetë me vetveten. Sepse dhe ti ke parë festivale dhe nuk mund të më kundërshtosh dot: Më thuaj një këngëtare që del në skenën e këtyre festivaleve të fundit, që mendon në radhë të parë për të ekspozuar zërin, sesa gjoksin apo shalët? A thua se festivali i këngës është festivali i top-modeleve. Nuk them se nuk ka këngëtare, sepse do të gënjeja veten, por më shumë se këngëtare dalin në skenë vajza që fatmirësisht janë të bukura, ose bëhen të bukura tek parukierja. Ose shiko tjetrën ti: Përse nuk bëhet më festivali si dikur, direkt ose “live” siç duan ti thonë anglisht? Sepse nuk e përballojnë dot, ky është shkaku kryesor. Po a ka më mirë sesa kur komunikimi me spektatorin bëhet direkt?
-Po më dukeni si...
-Po të dukem si ndonjë këngëtare pensioniste, ëëë? Nuk është ashtu. Unë nuk jam aq e vjetër sa të jap vetëm këshilla, por e kam aq përvojë sa të më dëgjojnë të tjerat. Dhe të më kuptosh se gjithçka e kam vetëm për të mirën e këngës, sidomos asaj popullore që e kam dashur dhe e dua me shpirt. Sepse po pate mundësi bëj një provë të vogël: merre një këngë popullore dhe dëgjoje në të dy versionet, në atë origjinal dhe në atë që e këndojnë sot dhe do ta shikosh se janë larg njëra-tjetrës sa toka me hënën. Ti do të thuash se ato janë bërë më të bukura dhe më tërheqëse, janë bërë rit-folk. Unë nuk jam kundër ndryshimeve, por jam kundër bastardimeve. Nuk është mirë që për hir të një fitimi momental, të bastardosh krijimin e mirëfilltë. Sepse ka edhe një gjë që më bën përshtypje: Bazohen mbi këngën popullore dhe në fund, kënga që del nuk ka asnjë lidhje me versionin fillestar. Po qe se pëlqehet kënga, le të krijojnë një këngë të re, me tekst dhe muzikë.
-Boll folëm me kritika.
-Ashtu e bëjmë se më duket se u bëra shumë kritizere, kur në shpirt nuk jam e tillë dhe do të doja çdo gjë të bukur.
-Kur do ta bëjë Ludi një album të saj?
-Mbase kur djali të më bëhet biznesmen. Sepse ti e di shumë mirë që mua nuk më mungon as zëri dhe as niveli artistik dhe as dashamirësit që ma duan këngën, por më mungon vetëm mundësia ekonomike. Sepse nuk jam njeri ngjitës që t`u bëhem rrodhe bisnesmenëve të sotëm. Pastaj nuk do të pranoja të jem kukulla e tjetrit dhe të këndoj siç duan sot tregëtarët e këngëve. Unë kam patur oferta të tilla dhe mbase sot do të isha milionere, por nuk kam pranuar kurrsesi ta këndoj këngën siç duan ata producentë që më parë se të kënaqen me këngën, kënaqen me kuletën.
-E kur do bëhet djali biznesmen?
-Është shpejt akoma, ai tashmë është vetëm në vitin e dytë të kolegjit.
-Mos ndoshta kur të bëhet ai biznesmen nuk do të jesh ti në formën e sotme?
-Unë mendoj se do të jem kjo e sotmja edhe pas shumë vitesh, sepse...
-Sepse ka një rregull matematike që zbatohet edhe në jetë: ju jeni sot si përpara 20 vjetësh dhe kështu mbase ndodh edhe pas 20 vjetësh. Mbani dietë dhe nëse po, na e tregoni edhe ne që tua japim grave tona në shtëpi?
-Absolutisht nuk mbaj asnjë lloj diete në atë kuptim që e thua ti. Dieta ime e vetme është ti rri pranë këngës dhe të punoj vazhdimisht me të. Të tjerat janë dhuratë natyre.
-Atëherë suksese në jetë dhe në premierën e këtyre ditëve.
-Faleminderit edhe juve, pasi kam parë se u rrini pranë si artistëve edhe sportistëve dhe ju kushtoni shumë vëmendje në gazetën tuaj.

Sot



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT